Libri i namazit/Gusli
Gusli - Abdesi truporë
redaktoQë namazi të jetë i drejtë, abdesti dhe gusuli duhet të jenë të drejtë. Çdo mashkull e femër që është xhunup, (i papastër) gratë që lirohen nga hajzi dhe nifasi, në fund të kohës së namazit, nëse mbetet aq kohë sa për të falur atë namaz, e kanë farz të marrin gusul (abdest gusuli). Xhunup konsiderohet ai që ejakulon në ëndërr dhe në marrëdhënie seksuale.
Pejgamberi ynë (salall-llahu alejhi ve selem), thotë: “Atij që merr gusul abdest (që lahet), i jepen sevape sa qime ka. Po aq gjynahe i falen. I ngrihet shkalla e tij në Xhennet. Sevapi që do t’i jepet atij për gusul, është më i mirë se çdo gjë që është në dynja. All-llahu xheleshanuhu i urdhëron meleqtë: Kujdesuni për këtë rob timin! Natën pa përtuar ngrihet dhe duke menduar urdhrin tim merr gusul për pastrim nga xhunupllëku. Bëhuni dëshmitarë se gjynahet e këtij robi Tim i kam falur”.
Në një hadithi sherif tjetër është urdhëruar: “Kur të ndyhesh, merr shpejt gusul! Sepse melaqet e quajtura Kiramen katibin ofendohen nga ai që ecën xhunup”.
Në një hadith tjetër është thënë: “Në shtëpinë ku ka persona xhunup, qen dhe fotografi, nuk hyjnë meleqtë e rahmetit”.
Çdokush që fal e që nuk fal namaz, nëse e kalon xhunup kohën e një namazi, do të ndëshkohet shumë ashpër. Nëse nuk është e mundur të lahesh me ujë, duhet të marrësh tejemum. Ata që janë xhunupë, nuk mund t’i bëjnë këto punë:
1- Nuk mund të falin asnjë namaz;
2- Nuk mund të prekin Kur’anin dhe ajetet e tij;
3- Nuk mund të bëjnë tavaf Qabenë,
4- Nuk mund të hyjnë në xhami dhe në mesxhide.
Si merret gusli?
Si sunnet gusuli merret kështu:
1- Së pari, edhe nëse janë të pastra, duhet të lajë të dy duart dhe vendin e turpshëm (auret) dhe vendet ku ka ndyrësi në trup.
2- Pastaj, duhet të marrë një abdest të përpiktë (të plotë), duke larë fytyrën duhet të bëjë nijet për gusul. Nëse nuk grumbullohet uji në këmbë, edhe këmbët duhet t’i lajë.
3- Pastaj, mbi gjithë trupin duhet hedhur ujë tri herë. Së pari tri herë duhet hedhur ujë kokës, pastaj supit të djathtë, pastaj supit të majtë. Pra, shkurt, duhet larë tërë trupi, pa mbetur asnjë pjesë, sado e vogël që të jetë, pa u larë.
Nëse uji që i hidhet një pjese të trupit në gusul, shpërndahet tek pjesët e tjera edhe ato pastrohen. Sepse në gusul i tërë trupi konsiderohet një organ. Ndërsa duke marrë abdest, nëse me ujin që i hedhim një pjese, laget pjesa tjetër e pa larë, nuk konsiderohet si e larë. Kur bëhet gusuli tamam, të marrësh abdest përsëri është mekruh. Por, nëse prishet abdesti duke marrë gusul, duhet të marrësh edhe një herë.
Farzet e guslit
Në medhhebin Hanefi farzet (kushtet) e gusulit janë tri:
1- Gojën dhe fytin t’i shpëlash me ujë (gargara). Nëse në gojë mbetet ndonjë pjesë pa lagur edhe sa maja e gjilpërës, dhe nëse nuk lagen syprina dhe vrimat e dhëmbëve gusuli nuk është i plotë.
2- Hundën ta shpërlash me ujë. Nëse uji nuk depërton nën papastërtinë e tharë në hundë dhe nën bukën e përtypur në gojë, nuk është gusul i plotë.
3- Të lashë tërë trupin. Është farz të lash kërthizën brenda, mustaqet, vetullat, flokët dhe lëkurën nën to. Nëse mbetet ndonjë pjesë ku nuk ka depërtuar uji, si thonjtë, buzët, kapaku i syve, nuk konsiderohet se është marrë gusul.
Sunnetet e guslit
1- Së pari të lahen duart.
2- Të lahen vendet e auretit.
3- Të pastrohet tërë trupi nga pisllëku.
4- Para gusulit të merret abdest; duke e larë fytyrën të bëret nijet për gusul.
5- Tërë trupi të lahet tri herë duke e fërkuar.
6- Pasi të lahet tërë trupi, të lahen të dy këmbët.
Rastet e hajzit dhe nifasit të grave
Ka njëmbëdhjetë lloje gusuli (pastrimesh). Pesë prej tyre janë farz; dy prej tyre janë për gratë që sapo të lirohen nga hajzi dhe nifasi, të marrin gusul (të pastrohen).
Ibni Abidini në librin me titull Menhelu-l-vâridîn thotë se është njoftuar njëzëri nga dijetarët e fikhut se për çdo mysliman, mashkull e femër, është farz të mësojë Ilmihalin. Për çdo mysliman është farz që të mësojë mbi hajzin dhe nifasin . Çdo mysliman mashkull, kur të martohet, duhet t’i dijë shpjegimet rreth hajzit dhe nifasit, dhe këto kur të martohet, duhet t’ia mësojë gruas së tij.
Hajz quhet gjaku që i shfaqet vajzës që ka shëndet të mirë nga mosha nëntëvjeçare , dhe që zgjat së paku tri ditë pa ndërprerë, pra hajz quhet menstruacioni i grave. Gjakut që ka çdo ngjyrë tjetër përveç së bardhës, dhe atij që është i paqartë, i thuhet gjak hajzi. Kur një vajze zë t’i shfaqet hajzi (menstruacioni), ajo hyn në moshën e pjekurisë , konsiderohet grua dhe obligohet me urdhëresat dhe ndalesat e fesë. Ditët nga çasti kur shihet gjaku e deri kur të ndalojë, quhen ditë të menstruacionit (pastrimi mujor). Kjo kohë zgjat së paku tri ditë, dhe më së shumti dhjetë ditë. Çdo grua duhet t’i dijë ditët e saj të pastrimit mujor dhe kohën kur i fillojnë. Vajzës që i ka mbushur nëntë vjet, nëse nuk ka nënë, njohuritë për hajzin e nifasin janë të detyruara t’ia mësojnë motrat, halla, tezja e saj.
Nifas do të thotë lehonë. Nifas quhet gjendja e gruas pas lindjes, gjaku që rrjedh pas lindjes. Ky gjak nuk rrjedh vetëm për pak kohë. Në kohën kur pushon gjaku, menjëherë duhet marrë gusul. Kohëzgjatja maksimale është dyzet ditë. Kur të mbushen dyzet ditë, edhe nëse nuk pushon gjaku, gruaja duhet të marrë gusul dhe të fillojë namazin. Gjaku që mund të rrjedhë pas dyzet ditëve, është istihaza, domethënë i arsyetuar, i lejuar, dhe është pasojë e ndonjë çrregullimi. Gratë duhet t’i dinë përmendësh ditët e nifasit (lehonisë).
Kur është me hajz me nifas, gruaja nuk mund të falë namaz dhe nuk mund të agjërojë. Nuk mund të bëjë sexhde të këndimit të Kur’anit dhe as sexhde të falënderimit të Zotit. Nuk bën ta prekë Kur’anin. Nuk bën të hyjë në xhami dhe në mesxhid. Nuk mund ta bëjë tavaf Qabenë. Kur të pastrohet, agjërimin e bën kaza (i plotëson ato ditë), kurse namazet nuk i bën kaza. Gruaja duhet ta njoftojë burrin e vet kur i ka filluar hajzi. Pejgamberi ynë (salall-llahu alejhi ve selem), ka thënë: “E mallkuar është gruaja e cila e fsheh nga burri i vet fillimin dhe mbarimin e hajzit”. Kur të mbarojnë hajzi dhe nisafi, është farz që gruaja të marrë gusul menjëherë të lahet.