Abdesi

redakto

Marrja e abdestit është nga farzet (kushtet) e namazit. Abdesti duhet të merret edhe për të mbajtur Kur’anin, për të bërë tavaf Qabenë, për të bërë sexhde-i tilave, për të falur namazin e xhenazes. Është shumë sevap gjithmonë të jesh me abdest, të hysh në shtrat me abdest, të hash dhe të pish me abdest.

Atyre që vdesin me abdest, u jepet sevapi i shehidit. Pejgamberi (salall-llahu alejhi ve selem), ka thënë:

“Ai që vdes me abdest, nuk e vuan dënimin e vdekjes. Sepse abdesti është shenjë e atij që ka iman. Është çelës i namazit e pastrues i trupit nga gjynahet”.

“Sapo të marrë abdest myslimani, i hiqen gjynahet nga veshët, nga sytë, nga dora dhe këmbët. Sapo të ulet, rri sikur ai që është i shpëtuar”.

“Më e mira (më e dobishmja) nga veprat është namazi. Vetëm besimtarët janë ata që insistojnë për abdestin. Besimtari tërë ditën duhet të jetë me abdest. Edhe natën duhet të bjerë (në gjumë) me abdest. Kur vepron kështu, është nën mbrojtje të All-llahut xheleshanuhu. Edhe uji dhe gjella që pi e ha, sa kohë që është me abdest, në bark të tij e përmendin. Gjatë tërë kohës që qëndrojnë në barkun e tij, luten t’i falen gjynahet”.

Abdesti ka gjëra që janë farze, sunnete, edukative dhe gjëra që janë të ndaluara që e prishin atë. Kush e fal namazin pa abdest me dije dhe i padetyruar bëhet mëkatar. Kush e prish abdestin duke falur namaz, menjëherë jep selam dhe del nga namazi. Pa kaluar koha, merr abdest dhe namazin e fal përsëri prej fillimit.

Farzet e abdestit

Abdesti ka katër farze:

1. Të lash fytyrën,

2. Të lash duart e krahët deri mbi bërryl,

3. T’i japësh mes-h një të katërtës së kokës, domethënë ta përshkosh me dorë të lagur,

4. T’i lash këmbët deri përtej nyjeve, një herë.

Në medhhebin Shafi edhe nijeti dhe rregulli i marrjes së abdestit janë farz dhe duke e larë fytyrën duhet bërë nijet. Shiinjtë nuk i lajnë këmbët, mbi këmbën e zbathur bëjnë mes-h (e përshkojnë me dorë të lagur).

Si merret abdesti?

1. Duke filluar të marrim abdest, këndojmë këtë dua: “Bismil-lahi-l adhim. Velhamdu lil-lahi ala dini-l-Islam. Ve ala tevfiki-l-iman. Elhamdu lil-lahil-ledhi xhealel mae tahûren ve xhelael islame nuren”).[1]

2. Duke shpërlarë gojën tri herë me dorën e djathtë, lexojmë këtë dua: “All-llahummes-kinî min havdi nebijjike ke’sen la ezmeu ba’dehu ebeden”).[2]

3. Me dorë të majtë tri herë shpërlajmë hundën dhe këndojmë: “All-llahumme erihnî rajihetel xhenneti verzuknî min ni’amiha. Ve lâ turihni rajihaten-nar”).[3]

4. E lajmë fytyrën prej ku kanë dalë flokët e deri nën mjekër, e prej veshit në vesh, tri herë dhe këndojmë këtë dua: “All-llahumme bejjid vexhhî bi nurike jevme tebjaddu vuxhuhu evlijaike ve la tusevvid vexhhî bi dhunûbî jevme tesveddu vuxhuhu a’adaike”).[4]

5. Duke e larë, tri herë, dorën e djathtë deri pas bërrylit, me dorën e majtë, këndojmë duanë: “All-llahumme a’tini kitâbî bijemînî ve hasibnî hisâben jesîren”).[5]

6. Duke e larë, tri herë, dorën e majtë deri pas bërrylit me dorën e djathtë, këndojmë duanë: “All-llahumme la tuti’ni kitabî bi shimalî ve lâ min veraî dhahrî ve lâ tahâsibnîhisâben shediden”).[6]

7. Me dorë të lagur i japim mes-h pjesës së përparme të kokës dhe këndojmë duanë: “All-llahumme harrim sha’rî ve besherî alen-Nâr. Ve edhil-lini tahte dhil-li arshike jevme la dhil-le il-la dhil-le arshike”.)[7]

8. Pastaj, me duar të lagura, më drejtë me gishtat treguas i lagim vrimat e veshëve, me gishtat e mëdhenj i japim mes-h pjesës së prapme të veshëve dhe me tre gishtat e tjerë, me anën e jashtme të tyre, fërkojmë qafën dhe lexojmë duanë: “All-llahumme xh’alnî minel-ledhîne jestemiûnel kavle fe jettebiûne ahsenehu”[8]

9. Pasi t’i jepet mes-h qafës, me dorën e majtë lajmë këmbën e djathtë deri përtej nyjeve dhe lexojmë duanë: “All-llahumme thebbit kademejje ales-sirâti jevme tedhil-lu fîhi-l-ekdamu”.[9]

10. Me dorën e djathtë lajmë këmbën e majtë deri përtej nyjeve dhe lexojmë duanë: “All-llahumme la tatrud kademejje ales-sirâti jevme tatrudu kal-le akdami a’daike”[10]

All-llahumme xh’alnî sa’jen meshkuren ve dhenben magfuren ve amelen makbulen ve tixhareten len tebû.

Pejgamberi ynë, (salall-llahu alejhi ve selem), ka thënë: “Kushdo që, pasi të marrë abdest, shikon nga qielli dhe këndon këtë dua: Subhanekell-llahumme ve bihamdike. Eshhedu en lâ ilâhe il-lâ ente vahdeke lâ sherîke leke estagfiruke ve etûbu ilejke eshhedu en la ilâhe il-lall-llah ve eshhedu enne Muhammeden ebduke ve Resuluke”, All-llahu ia fal gjynahet atij dhe e vërteton se ia ka pranuar lutjen dhe e mbron nën Arshi a’la”, - Në ditën e Kiametit vjen personi që e ka kënduar këtë dua dhe e merr shpërblimin (sevapin) e saj”.

Në një hadith tjetër thotë: “Kushdo që, pasi të marrë abdest, e lexon një herë suren Inna enzelnahu, All-llahu e regjistron atë person ndër besnikët. Nëse e lexon dy herë, e regjistron ndër shehidët. Nëse e lexon tri herë, ditën e Kiametit bashkohet me pejgamberët”.

Po ashtu në një hadith thotë: “Kushdo që pasi të marrë abdest, këndon për mua dhjetë herë salavate, All-llahu ia largon brengën dhe e bën të lumtur, ia pranon lutjen”.

Ata që nuk i dinë, kur marrin abdest, edhe pse nuk i këndojnë duatë e abdestit, abdestin e kanë në rregull. Por duhet t’i mësojnë sa më parë dhe duhet t’i këndojnë ato dua kur të marrin abdest. Leximi i tyre është shumë sevap. Duke e përfunduar abdestin ose pasi ta përfundosh, është shumë sevap ta këndosh këtë dua: “All-llahume xh’alnî minettevâbîn, vexh’alnî mine-l-mutetahirîn, vexh’alnî min ibadike-s-salihîn, vexh’alnî minel-ledhîne la havfun alejhim ve lahum jahzenun”.

Ai që nuk i di duatë (lutjet) e abdestit, duke larë pjesët e trupit duhet të lexojë Kelime-i shehadetin dhe fiton sevape të mëdha.

Sunnetet e abdestit

Sunnetet e abdestit janë tetëmbëdhjetë:

1. Të këndosh Besmelen kur fillon abdestin.

2. Të lash duart, deri te nyjet, tri herë.

3. Të lash gojën me ujë tri herë radhazi.

4. Të futësh ujë në hundë tri herë radhazi.

5. Duke larë fytyrën ta lagësh lëkurën që nuk duket nën mustaqe, flokë, vetulla.

6. Duke larë fytyrën të lagësh anën e poshtme të dy vetullave, qepallat e syve.

7. T’i japësh mes-h pjesës së varur të mjekrës(nëse ke)

8. T’i futësh si krehër gishtat e lagur të dorës së djathtë në pjesën e varur të mjekrës.

9. T’i fërkosh, t’i pastrosh dhëmbët me diçka (të përdorësh misvakun)

10. T’i japësh mes-h çdo pjese të kokës.

11. T’u japësh mes-h një herë veshëve .

12. T’i japësh mes-h qafës me tre gishta të bashkuar, një herë.

13. Të lash hapësirën në mes gishtave të dorës dhe të këmbës.

14. Vendet që duhen larë, të lahen tri herë.

15. Kur të lash fytyrën, të bësh nijet me zemër.

16. T’i lash sipas radhës së caktuar pjesët e trupit.

17. T’i fërkosh vendet që i lan.

18. Të lash shpejt çdo pjesë njëra pas tjetrës.

Veprimet e mira gjatë abdestit

Veprimet e mira gjatë abdestit janë njëzet e tetë. Këto veprime janë ato gjëra për të cilat, po të bëhen, ka sevap dhe, po qe se nuk bëhen, nuk bën gjynah. Mirëpo, të kryhet sunneti, është sevap dhe të mos kryhet, është mekruh tenzihen. Veprimet e mira gjatë abdestit janë këto:

1- Të marrësh abdest para se të fillojë koha e namazit. Ata që kanë ndonjë pengesë të arsyeshme, mund të marrin abdest pasi të fillojë koha e namazit.

2- Duke marrë taharet në nevojtore, duhet të drejtohesh në anën e djathtë apo të majtë të kibles. Duke e prishur abdestin, të kthehesh në anën e përparme apo të prapme të kibles është tahrimen mekruh.

3- Pa u tharë papastërtitë të bëhet pastrimi me ujë.

4- Pasi të pastrohe, ta fshishë atë.

5- Pasi të pastrohet pjesa e turpshme të mbulohet menjëherë.

6- Të marrësh abdest vetë pa kërkuar ndihmë nga të tjerët.

7- Të marrësh abdest me fytyrë nga kibla.

8- Duke larë çdo pjesë, të këndosh Kelime-i shehadetin.

9- T’i këndosh duatë e abdestit.

10- Të futësh ujë në gojë me dorën e djathtë.

11- Të fusësh ujë në hundë me dorën e djathtë.

12- Të pastrosh hundën me dorën e majtë.

13- Duke e larë gojën, t’i pastrosh dhëmbët me misvak. Nëse nuk ka misvak, mund të përdoret furça.

14- Kur ta lash gojën, nëse nuk je agjërueshëm, ta shpërlash fytin. Të bësh gargara të vogla në fyt kur të marrësh abdest dhe gusul është sunnet. Kur je agjërueshëm kjo është e ndaluar.

15- Duke e larë hundën ta tërheqësh ujin deri tek eshta e saj.

16- Duke i dhënë mes-h veshit, të futësh një gisht në vrimën e veshit.

17- Duke i fërkuar gishtat e këmbëve, t’i fërkosh me gishtin e vogël të dorës së majtë.

18- Duke i larë duart, ta luash nga vendi unazën e gjerë, kurse unazën e ngushtë, të shtrënguar, duhet ta lëvizësh gjithsesi dhe është farz.

19- Edhe nëse ka ujë me bollëk, të mos shpenzohet tepër.

20- Gjatë të larit tri herë, vendin e larë nuk duhet ta fërkojmë, por së paku duhet të derdhën nga dy pika ujë.

21- Kur merr abdest nga një enë, ta lësh të mbushur enën.

22- Sapo të kryhet abdesti ose në mes të tij të këndohet duaja e tij: All-llahummexh’alnî minettevâbî...”

23- Pas abdestit, të falen dy rekate namaz.

24- Të marrësh abdest duke qenë me abdest, domethënë: pas faljes së namazit, edhe pse je me abdest, për namazin e ri të marrësh abdest edhe një herë.

25- Duke larë fytyrën, të pastrosh sklepat e syrit.

26- Kur lan fytyrën, krahët, këmbët, t’i lash pak më tepër ngaqë janë farz. (Kur i lan krahët, shuplaka duhet mbushur me ujë, dhe ajo duhet kthyer drejt bërrylit).

27- Kur merr abdest, të mos i stërpikësh rrobat me ujin e përdorur.

28- Të bësh një gjë që në medhhebin tënd nuk është mekruh, po në medhhebin tjetër është farz - është mustehab.

Gjërat që janë të ndaluara të kryhen kur merr abdest

Gjërat që janë të ndaluara të kryhen kur merr abdest, janë dymbëdhjetë. Të punohen këto është haram, ose mekruh. Ato janë:

1- Duke e prishur abdestin në tualet, në fushë, kiblen nuk duhet ta kesh përpara as prapa.

2- Të zbulosh vendin e turpshëm (aureti) pranë dikujt, për të marrë taharet, është haram.

3- Nuk duhet të marrë taharet me dorën e djathtë.

4- Kur nuk ka ujë, të marrësh taharet me lëndë ushqimore, me pleh, me kockë, me ushqim të kafshëve, me thëngjill dhe me pasuri të tjetërkujt, me pjesë të saksisë e të qeramikës, me kallam dhe me gjethe, me bezë e me letër është mekruh.

5- Nuk duhet të pështysh e t’i frysh hundët në vendin ku merret abdest.

6- Pjesët (trupore) të abdestit nuk duhen larë as shumë më tepër dhe as më pak, veçse sa është përkufizuar, dhe nuk duhet larë as më shumë as më pak se tri herë.

7- Nuk duhet fshirë pjesët e abdestit me beze me të cilin është fshirë tahareti.

8- Duke marrë abdest uji nuk duhet hedhur në fytyrë, por duhet derdhur nga pjesa e sipërme e ballit dhe poshtë.

9- Nuk duhet t’i fryesh ujit.

10- Goja dhe duart nuk duhen mbyllur shtrëngueshëm. Nëse mbetet i pa lagur një vend i vogël në pjesën e buzës që shihet dhe në kapakun e syrit, abdesti nuk pranohet.

11- Nuk duhet të fshihen hundët me dorë të djathtë.

12- Nuk u duhet dhënë mes-h kokës, veshëve ose pjesës së qafës më tepër se nga një herë, duke e lagur dorën çdo herë veç e veç.

PËRDORIMI I MISVAKUT: Të përdorësh misvak kur merr abdest, është sunneti muekkede. Në një hadith të Muhammedit (salall-llahu alejhi ve selem), është thënë “Namazi i falur duke përdorur misvakun, është shtatëdhjetë shkallë më i ngritur se namazi i falur pa misvak”.

Në librin “Siraxhu-l-Vehhaxh” është njoftuar se përdorimi i misvakut ka pesëmbëdhjetë dobi.

1- Në çastin e vdekjes bëhet shkak për të përmendur Kelime-i shehadetin (fjalinë e dëshmisë).

2- E forcon mishin e dhëmbëve.

3- E tretë pështymën.

4- Ndërpret vrerin dhe ndihmon në trejtjen e ushqimeve..

5- Heq dhembjen e gojës.

6- Heq erën e gojës.

7- All-llahu është i kënaqur me përdorimin e tij.

8- I forcon venat kryesore.

9- Dëshprohet shejtani.

10- I shkëlqen sytë.

11- Shtohen të mirat e begatitë.

12- Bëhesh person që punon sipas sunnetit.

13- Goja bëhet e pastër.

14- Bëhet person që flet qartë e bukur.

15- Sevapet e dy rekateve namazi të falur me përdorimin e misvakut janë më shumë se sevapet e shtatëdhjetë rekateve namazi të falur pa misvak.

Misvaku është degë e drurit erak që rritet në Arabi. Nga këndi i drejtë qërohet lëkura gati dy centimetra dhe kështu disa orë mbahet në ujë. Pasi të shtypet, hapet si furçë. Nëse nuk gjendet druri erak, ai bëhet nga dega e ullirit ose pishës.

Gjërat të cilave u duhet kushtuar kujdes kur merr abdest

Derisa nuk je i detyruar, duhet të ruhesh nga këto dhjetë gjëra:

1. Ai që nuk i ka të dy duart, nuk mund të marrë taharet. Duke i mbështetur krahët në tokë e fytyrën në mur, merr tejemum. Dhe nëse ka plagë në fytyrë, namazin e fal pa abdest dhe nuk i braktisë namazet.

2. Të sëmurit i japin abdest gruaja, shërbëtorja, fëmijët, vëllezërit etj..

3. Në vend të ujit, lejohet të marrësh taharet me gur dhe gjëra të ngjajshme.

4. I marri ose i alivanosuri, nëse nuk vjen gjatë njëzet e katër orëve, më vonë, kur të bëjë më mirë, namazet nuk i bën kaza. Ai që e humb mendjen me pije, drogë, me ilaç, çdo namaz e bën kaza. Edhe për atë që është i sëmurë shumë, saqë as i shtrirë nuk mund të japë shenja as me kokë, të cilit kjo gjendje i zgjat më tepër se njëzet e katër orë, edhe nëse është me vetëdije, namazi e humb vlerën e obligimit.

5. Për të hyrë në nevojtore, të përdorësh pantallon të veçanta ose me pala të thyera dhe të hysh me kokë të mbuluar, është mustehab.

6. Kur hyn në nevojtore, nuk duhet të mbash në dorë Kur’anin ose diçka të shkruar, ku është emri i All-llahut.

7. Në nevojtore duhet të hyhet me këmbën e majtë dhe, të dilet me të djathtën.

8. Në nevojtore, vendin e turpshëm duhet zbuluar kur të ulesh dhe nga aty nuk bën të bisedohet.

9. Nuk duhet të shikosh vendin e turpshëm dhe jashtëqitjen, nuk duhet të pështysh në nevojtore.

10. Abdesti nuk duhet prishur në asnjë mënyrë, në mur të xhamisë, në varresa dhe as në rrugë.


Gjërat që e prishin abdestin

Shtatë gjëra e prishin abdestin. Këto janë:

1. Jashtëqitjet që dalin nga ana e përparme (organi gjenital) dhe nga ana e prapme (anusi).

a) Nevoja e madhe dhe e vogël.

b) Kur futet e nxirret nga prapa zorra e trashë, nëse vendi përreth është i lagur, prishet. Edhe nëse pjesa mbetet e terur, është mirë që abdesti të përsëritet.

c) Abdesti prishet edhe kur laget pjesa e mbetur jashtë e fitilit të pamukut që u vihet përpara meshkujve e femrave për të mos pikuar urina.

2. Gjërat e ndyta të dala nga goja:

a) Nëse vjell me plot gojën.

b) Kur pështyn, nëse është nxjerrë shumë gjak.

c) Gjaku i lëngshëm që vjen nga lukthi e mushkëritë, sipas Imam Adhamit, qoftë edhe pak, e prish abdestin.

ç) Nëse del nga goja vaji i hedhur (me pika) në vesh abdesti prishet.

3. Gjërat që dalin nga lëkura:

a) Nëse dalin gjak, qelb dhe uji i verdhë(maraz).

b) Uji i verdhë, gjaku i dalë nga çfardo çibani (i thati) a ndonjë puçër, nëse përhapet te vendi që duhet të lahet në gusul abdest, për shembull, gjaku që vjen nga hunda nëse kalon tek eshtrat dhe nëse del (kullon) nga veshi.

c) Nëse e thith me pamuk ujin e verdhë dhe, gjakun që është te çibani.

ç) Nëse vjen lëngu me dhimbje ose për shkak të sëmundjes nga veshi, kërthiza dhe gjiri.

d) Nëse ushujza thith shumë gjak, prishet abdesti.

4. Të flesh.

Nëse fle i shtrirë anash ose në bërryll a i mbështetur në diçka, abdesti prishet.

5. Të humbësh ndjenjat, të çmendesh, të të kapë epilepsia ose të humbësh llogjikën aq sa të meren këmbët në të ecur, abdestin e prish .

6. Të qeshësh zëshëm në namaz që ka ruku dhe sexhde, e prish edhe namazin edhe abdestin, por, i fëmijës nuk prishet. Buzëqeshja në namaz nuk e prish as namazin, as abdestin. Të qeshur quhet kur të dëgjojnë ata që i ke pranë. Nëse nuk të dëgjojnë quhet buzëqeshje.

7. T’i lyesh vendet e turpshme lakuriq, e prish abdestin edhe mashkulli edhe femra.

Kur e di se ke marrë abdest, edhe nëse pastaj dyshon se të është prishur, pranohet se ke abdest. Por kur e di se e ke prishur abdestin edhe nëse pastaj dyshon se ke marrë abdest, duhet të marrësh abdest.

Gjërat që nuk e prishin abdestin

Abdestin nuk e prishin këto gjëra:

1- Krimbat që dalin nga goja, veshi dhe nga plaga në lëkurë.

2- Gëlbaza.

3- Kur vjell gjak, nëse gjaku i lëngët që vjen nga koka është më pak se pështyma.

4- Gjaku që rrjedh nga dhëmbi, nëse është më pak se pështyma.

5- Gjaku i mpliksur që vjen nga koka, qoftë edhe shumë bile.

6- Gjaku i mpliksur që vjen nga lukthi, nga mushkëritë, nëse nuk është me plot gojën.

7- Vaji i qitur (me pika) në vesh, nëse del nga veshi dhe hunda.

8- Sendi i tërhequr në hundë, edhe nëse nga hunda kthehet prapë pas disa ditësh.

9- Kur kafshon një send, nëse mbi atë send duket gjak.

10- Të qarët pa pasur dhembje me çfarëdo shkaku dhe kur derdh lot nga qepa, tymi dhe gazet.

11- Gruaja kur i jep fëmijës të thithë.

12- Djersitje, qoftë edhe shumë.

13- Të vjellët e paktë, jo me plot gojën dhe gjaku i pa shpërndarë.

14- Nëse nuk rrëzohet kur t’i hiqet sendi ku ishte mbështetur duke fjetur.

15- Të fjeturit në namaz.

16- Nëse i mbledh gjunjët dhe e vë kokën mbi gjunjë e fle.

17- Nëse i nxjerr këmbët në një anë dhe fle ulur.

18- Nëse fle mbi kafshë të zhveshur, nëse kafsha ngjitet përpjetë ose nëse shkon rrafsh.

19- Të buzëqeshësh në namaz.

20- Nëse, derisa je në namaz, vetëm vetë e dëgjon se ke qeshur, kjo e qeshur e prish vetëm namazin.

21- Prerja e flokëve, mjekrrës, mustaqeve dhe thonjve.

22- Rënia e lëkurës së plagës nuk prish abdestin.

Lehtësimet për abdest (Mes-hi mbi meste dhe plagë)

Mes-h, do të thotë të kalosh dorën e lagur mbi një gjë sikur ta ledhatosh. Pra, ta përshkosh atë me dorë të lagur. Ka dy lloj mes-hi.