Neni 208

Shtetasve u sigurohet e drejta e vetëqeverisjes lokale.
Njësitë e vetëqeverisjes lokale janë komunat dhe Qyteti i Prishtinës.


Neni 209

Vetëqeverisja në njësitë lokale ushtrohet nëpërmjet të organeve të tyre përfaqësuese dhe referendumit lokal, në mënyrë të caktuar me Kushtetutë dhe ligj.
Organet përfaqësuese të njësive të vetëqeverisjes lokale janë kuvendet, të cilat zgjedhen çdo katër vjet me zgjedhje të përgjithshme, të drejtpërdrejta dhe me votim të fshehtë.

Neni 210

Ndarja dhe organizimi territorial i Kosovës caktohet me ligj në bazë të nevojave dhe të interesave të përbashkëta ekonomike, shoqërore e kulturore.
Ligji për ndarjen dhe organizimin territorial të Kosovës miratohet me shumicën e 2/3 të votave të të gjithë deputetëve.

Neni 211

Njësia themelore e vetëqeverisjes lokale është komuna.
Komuna në mënyrë të mëvetësishme ushtron të drejtat dhe detyrat e caktuara me Kushtetutë dhe ligj.
Mbikëqyrjen e ligjshmërisë së punës së organeve të komunës e ushtrojnë organet e Kosovës.
Komunës mund t'i delegohen kompetenca të tjera të caktuara me ligj. Shpenzimet për kryerjen e këtyre punëve i siguron shteti.

Neni 212

Komuna ka organet e veta të caktuara me ligj.
Komuna ka statutin e vet në të cilin rregullohen funksionet e komunës, organizimi dhe kompetencat dhe puna e organeve komunale, si dhe çështje të tjera me interes për komunën, në bazë të Kushtetutës dhe ligjit.

Neni 213

Komuna, në bazë dhe në suaza të Kushtetutës dhe të ligjit, nëpërmjet të organeve të veta:
1. rregullon dhe administron në mënyrë të mëvetësishme çështjet lokale brenda jurisdiksionit të tyre;
2. siguron zbatimin e ligjeve;
3. miraton buxhetin dhe llogarinë përfundimtare;
4. miraton planin urbanistik;
5. siguron zhvillimin e veprimtarive komunale dhe rregullon kushtet e përgjithshme për kryerjen e tyre;
6. përkujdeset për ndërtimin, mbrojtjen dhe shfrytëzimin e rrugëve lokale dhe rrugicave, si edhe të objekteve të tjera publike me interes për komunën;
7. rregullon shfrytëzimin e tokës ndërtimore dhe të hapësirës afariste;
8. kujdeset për përmbushjen e nevojave të banorëve në lëmenjtë e kulturës, arsimit, shëndetësisë, mbrojtjes sociale dhe të fëmijëve, të kultrës fizike, sportit e rekreacionit, zejtarisë, turizmit e të hotelerisë, të mbrojtjes e përparimit të mjedisit jetësor dhe në sferat e tjera me interes të drejtpërdrejtë për banorët;
9. përkujdeset për zhvillimin e bujqësisë, blegtorisë, pylltarisë, peshkatarisë dhe lëmenjve të tjerë me interes për komunën;
10. organizon panaire dhe tregje lokale;
11. formon organe, organizata dhe shërbime të komunës;
12. bën financimin e institucioneve komunale;
13. ushtron edhe të drejta e detyra të tjera të caktuara me ligj dhe akte të përgjithshme të tjera.

Neni 214

Komunës i takojnë të hyrat e caktuara me ligj, nga të cilat formohet buxheti i komunës.
Mjetet për përmbushjen e nevojave të banorëve të komunës mund të sigurohen edhe me vetëkontribut, në pajtim me ligjin. Për zbatimin e vetëkontributit vendosin banorët me referendum.

Neni 215

Qyteti i Prishtinës ka organet e veta të caktuara me ligj.
Qyteti i Prishtinës është njësi e posaçme e vetëqeverisjes lokale.
Organizimi, organet dhe kompetencat e Qytetit të Prishtinës rregullohen me ligj.
Qyteti ka statutin e vet me të cilin rregullohen funksionet e Qytetit, organizimi, organet dhe puna e organeve të Qytetit, si edhe çështjet e tjera me interes për Qytetin, në bazë të Kushteturës dhe ligjit.

Neni 216

Njësitë e vetëqeverisjes lokale janë persona juridikë.
Të drejtat e vetëqeverisjes së njësive të vetëqeverisjes lokale mbrohen para Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.


Neni 217

Organi përfaqësues i njësisë së vetëqeverisjes lokale mund të shpërndahet nga Qeveria e Kosovës për shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve.
Organi i shpërndarë mund të ankohet në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës brenda 15 ditëve, dhe në këtë rast vendimi i Qeverisë pezullohet. Në rastin e mosushtrimit të së drejtës së ankimit në afatin prej 15 ditëve, ose në rastin e lënies në fuqi të vendimit të Qeverisë së Kosovës nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, Kryetari i Kuvendit të Kosovës cakton datën e zgjedhjeve në njësinë e vetëqeverisjes lokale përkatëse.