Kushtetuta e përkohshme e Kosovës/Të drejtat dhe detyrat e Kosovës
Neni 120
- Kosova nëpërmjet organeve të veta:
- 1) siguron pavarësinë dhe tërësinë territoriale të Kosovës dhe mbron sovranitetin në marrëdhëniet ndërkombëtare; vendos për luftën dhe paqen;
- 2) rregullon dhe siguron realizimin e rendit shoqëror, ekonomik dhe politik të përcaktuar me Kushtetutë;
- 3) rregullon dhe siguron të drejtat themelore të njeriut e të shtetasit dhe mbrojtjen e tyre;
- 4) rregullon të drejtën e detyrimeve (obligacioneve) dhe marrëdhëniet e tjera të detyrimeve në lëmën e qarkullimit të mallrave dhe shërbimeve; rregullon marrëdhëniet juridike-pronësore dhe marrëdhëniet e tjera juridike-reale; rregullon ekspropriimin; rregullon mbrojtjen e të gjitha formave të pronës; rregullon çështjet e shpronësimeve dhe të transformimit të pronës shoqërore; rregullon marrëdhëniet në lëmën e qarkullimit të mallrave dhe të shërbimeve; rregullon marrëdhëniet juridike-pronësore dhe marrëdhëniet e tjera juridike materiale në lëmën e komunikacionit të brendshëm dhe ajror; rregullon shfrytëzimin e tokës dhe të sendeve në përdorim të përgjithshëm dhe marrëdhëniet në atë lëmë; rregullon shfrytëzimin e tokës ndërtimore; rregullon kushtet e ndërtimit të banesave, të financimit dhe ekonomizimit me banesa dhe ndërtesat e banimit; rregullom mbrojtjen dhe zhvillimin e vlerave natyrore të mjedisit të njeriut; rregullon organizimin e planifikimin hapësinor dhe urbanistik, projektimin dhe ndërtimin e objekteve investive dhe të objekteve të tjera;
- 5) rregullon çështjet e rendit (sistemit) ekonomik; rregullon sistemin monetar; përcakton mjetet ligjore të pagesave dhe politikën e misionit të parave dhe siguron zbatimin e saj; rregullon qarkullimin e pagesave në vend dhe me botën e jashtme, formimin e rezervave të parave e të devizave dhe disponimin e tyre; rregullon sistemin kreditor e bankar, format kreditore dhe format e tjera të investimeve të lira të personave të vendit në botën e jashtme dhe personave të huaj në vend; rregullon sigurimin e pasurisë dhe të personave; rregullon dhe siguron masat me të cilat pengohet cenimi i tregut të lirë; rregullon sistemin e kontrollit; rregullon dhe siguron rezervat e mallrave; rregullon dhe siguron masat e mbrojtjes nga monopoli dhe konkurrenca jolojale; rregullon dhe zbaton masat e kufizimit të tregut dhe të qarkullimit të lirë të mallrave e të shërbimeve me interes për vendin; rregullon veprimtarinë e tregtisë së jashtme e të devizave dhe të veprimtarisë tjetër ekonomike me botën e jashtme; rregullon doganat, tarifat doganore dhe masat e mbrojtjes jashtëdoganore; rregullon kushtet për hapjen dhe punën e zonave doganore; përcakton tatimet, taksat dhe tributet e tjera; siguron mjetet plotësuese për komunat për realizimin e funksioneve të përcaktuara me Kushtetutë e ligj; rregullon shërbimin fiskal dhe qarkullimin e parasë; rregullon pozitën juridike të ndërmarrjeve ekonomike dhe të bashkimit afar të tyre; rregullon bashkimin e subjekteve ekonomike dhe të shoqatave të tyre në Odën Ekonomike të Kosovës; rregullon huatë publike; rregullon lojërat e fatit;
- 6) rregullon të drejtat e detyrat e shtetasve në lëmën e mbrojtjes; rregullon çështjet lidhur me mbrojtjen, forcat ushtarake, komandimin dhe financimin e ushtrisë; rregullon pozitën, organizimin, financimin dhe komandimin e TMK-së; rregullon dhe siguron shkollat dhe akademitë ushtarake e të TMK-së dhe punën shkencore-kërkimore për nevojat e ushtrisë; rregullon gjykatat ushtarake dhe prokuroritë ushtarake; rregullon dhe siguron sigurimin dhe mbrojtjen sociale të ushtarakëve, respektivisht të të siguruarve ushtarakë dhe të familjeve të tyre; rregullon dhe siguron të drejtat themelore të luftëtarëve, të invalidëve të luftës, të anëtarëve të familjeve të dëshmorëve, të pjesëmarrësve aktiv të LANÇ-së (1941-1945) dhe të UÇK-së, të viktimave të terrorit fashist dhe regjimit kolonialist serb, të invalidëve civil të luftës; rregullon mbrojtjen nga fatkeqësitë elementare dhe fatkeqësitë e tjera të mëdha dhe mbrojtjen nga zjarri;
- 7) përcakton dhe zbaton politikën e jashtme, vendos dhe mban marrëdhënie me shtetet dhe me organizatat ndërkombëtare; lidh, ratifikon dhe siguron zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare; siguron kryerjen e obligimeve ndërkombëtare, mbron shtetasit e vet dhe interesat e tyre dhe interesat e personave juridik të vendit në botën e jashtme; rregullon organizimin dhe veprimtarinë e shërbimeve në botën e jashtme;
- 8) rregullon dhe siguron mbrojtjen e rendit të përcaktuar me Kushtetutë dhe sigurinë e shtetit; rregullon dhe siguron shërbimin policor dhe rendin e qetësinë publike; rregullon azilin, ekstradimin dhe çështjet e tjera për shtetasit e huaj; rregullon prodhimin dhe qarkullimin e armëve e municionit, të lëngjeve ndezëse, të gazërave, të eksplozivit dhe të materieve radioaktive dhe të materieve tjera të rrezikshme; rregullon dhe siguron librat e amzës, emrin personal, letërnjohtimin, dokumentet e udhëtimit dhe dokumentet e tjera publike, vendqëndrimin dhe vendbanimin e qytetarëve, tubimet publike, regjistrimin e partive politike dhe të organizatave dhe shoqatave të tjera civile dhe pozitën juridike të bashkësive fetare;
- 9) rregullon organizimin administrativ-territorial të komunave dhe të Qytetit të Prishtinës; rregullon zgjedhjet; rregullon shtetësinë, festat shtetërore dhe dekorimet, shpërblimet dhe mirënjohjet tjera; rregullon përdorimin dhe mbrojtjen e simboleve të Kosovës dhe përdorimin e simboleve të pakicave kombëtare dhe të grupeve etnike; rregullon referendumin; rregullon vulën e organeve shtetërore dhe të institucioneve publike; rregullon dhe siguron përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe dhe të shkrimit të saj, si dhe mënyrën e kushtet e përdorimit publik të gjuhëve të pakicave kombëtare e grupeve etnike, në komunat në të cilat jetojnë;
- 10) rregullon kontrollin e qarkullimit të mallrave e të shërbimeve në vend dhe përtej kufirit shtetëror dhe regjimin e kalimit përtej kufirit shtetëror; rregullon pozitën, qëndrimin dhe mbrojtjen e të huajve në Kosovë; rregullon sjelljen e shpërndarjen dhe përhapjen e shtypit të huaj e të formave të tjera të informimit e të komunikimit publik; rregullon regjimin e ujërave dhe mbrojtjen e sigurimin e tyre; rregullon mbrojtjen e tregut të lirë në vend; rregullon kontrollin e komunikacionit të udhëtarëve në vend dhe përtej kufirit; rregullon pozitën juridike të përfaqësuesve të shteteve të huaja, të organizatave të huaja dhe ndërkombëtare; rregullon reprezentimin dhe përfaqësimin e organizatave të huaja ekonomike dhe të organizatave të tjera; rregullon mbrojtjen dhe përparimin e ambientit të njeriut; rregullon regjimin e ujërave me interes të përbashkët me shtetet fqinje; rregullon pozitën e institucioneve të huaja informative dhe të përfaqësuesve të mjeteve të huaja të informimit; rregullon themelimin dhe funksionimin e institucioneve për informim publik; rregullon elementet e shënimeve kartografike që janë me rëndësi për mbrojtjen e sigurimin e vendit dhe për përdorimin e përgjithshëm të publikimeve kartografike; rregullon pozitën dhe autorizimet e Kryqit të Kuq të Kosovës dhe të organizatave të tjera që në bazë të ligjeve vendore dhe marrëveshjeve ndërkombëtare ushtrojnë autorizime publike; rregullon vënien e shenjave dhe mirëmbajtjen e varrezave dhe të varreve të pjesëtarëve të armatave në territorin e vendit;
- 11) rregullon dhe siguron sigurinë e komunikacionit rrugor, hekurudhor dhe ajror; rregullon kushtet e ndërtimit, të mirëmbajtjes dhe shfrytëzimit të rrugëve dhe trafikut tjetër; përcakton kategorizimin e rrugëve dhe të trafikut tjetër; rregullon çështjet e sistemit të lidhjeve që janë me rëndësi për sigurimin e vendit dhe unitetin teknologjik të sistemit të lidhjeve; rregullon lidhjet ndërkombëtare dhe radiolidhjet dhe siguron zbatimin e dispozitave vendore në lëmën e lidhjeve e radiolidhjeve ndërkombëtare;
- 12) përcakton veprat penale dhe deliktet ekonomike dhe sanksionet për këto vepra dhe delikte; rregullon ekzekutimin e sanksioneve ndëshkuese dhe masat edukative-korrektuese; rregullon kushtet e shuarjes së sanksioneve dhe për rehabilitim; rregullon kundërvajtjet, përgjegjësinë dhe sanksionet për kundërvajtje dhe organizimin, kompetencat dhe procedurën e kundërvajtjeve; rregullon procedurën admnistrative, procedurën penale, procedurën civile dhe procedurat e tjera gjyqësore; rregullon amnistinë dhe faljen;
- 13) rregullon dhe siguron realizimin e dispozitave për njësitë e matjes, siguron kontrollin e masave dhe metaleve të çmueshme; rregullon mbrojtjen e shpikjeve, përparimeve teknike, dëmkave, shenjave të kualitetit, të etiketave të prejardhjes së prodhimit, mostrave e modeleve, si dhe standardet, normativat teknike dhe normat e kualitetit të prodhimit e të shërbimeve;
- 14) rregullon sistemin e mbrojtjes dhe të përparimit të bujqësisë, blegtorisë dhe pylltarisë; rregullon shfrytëzimin e tokës bujqësore e pyjore, të begative natyrore dhe të ujërave dhe përcakton politikën e masat në këtë lëmë; rregullon matjen dhe kadastrin e tokës dhe evidencën e të mirave të natyrës dhe siguron kontrollin në këtë lëmë;
- 15) rregullon çështjet e martesës, të familjes, të kujdestarisë, të marrëdhënieve të prindërve e fëmijëve dhe të trashëgimisë;
- 16) rregullon kushtet e përgjithshme dhe sistemin e arsimit dhe të edukimit; rregullon lëmën e kulturës fizike, sportit dhe të rekreacionit; rregullon dhe siguron kushtet për zhvillimin e veprimtarisë shkencore e kërkimore; rregullon lëmën e veprimtarisë botuese dhe të filmit; rregullon sistemin e informimit e komunikimit publik, botimin e shtypit dhe të mjeteve tjera mediale, si dhe sistemin e përgjegjësisë dhe mbrojtjen e interesit në këtë lëmë; rregullon sistemin e mbrojtjes dhe të shfrytëzimit të objekteve fetare, të monumenteve historike, të përmendoreve të kulturës, të lëndës historike, arkivore, muzeale e arkeologjike dhe të trashëgimisë tjetër kulturore e historike dhe mbrojtjen e interesit në këtë lëmë;
- 17) rregullon çështjet e mbrojtjes së fëmijëve, të personave të moshuar dhe të paaftë dhe format e tjera të mbrojtjes sociale; rregullon marrëdhëniet e punës dhe në bazë të punës; rregullon dhe siguron realizimin e të drejtës së pensionit;
- 18) rregullon sistemin e mbrojtjes shëndetësore dhe organizimn e shërbimit shëndetësor; rregullon mbrojtjen e jetës e të shëndetit të njerëzve nga sëmundjet ngjitëse që rrezikojnë vendin; rregullon prodhimin dhe vënien në qarkullim të barërave; rregullon prodhimin e helemeve dhe prodhimin e qarkullimin e drogave; rregullon mbrojtjen e kafshëve nga sëmundjet ngjitëse dhe mbrojtjen e bimëve nga sëmundjet dhe dëmtimet; rregullon vënien në qarkullim të mjeteve për mbrojtjen e kafshëve e bimëve dhe kontrollin e transportit të kafshëve dhe bimëve në vend dhe përtej kufirit shtetëror; rregullon mbrojtjen e njerëzve nga sëmundjet infektive dhe ndotja e ajrit;
- 19) rregullon dhe organizon mbledhjen, evidencimin dhe përpunimin e shënimeve statistikore dhe shërbimeve të tjera mbi gjendjen në lëmenjtë përkatës të jetës shoqërore-ekonomike, mbi gjendjen dhe lëvizjen e popullsisë, mbi dukuritë ekonomike dhe dukuritë e tjera, si dhe shënimet e tjera me interes për vendin;
- 20) rregullon zgjidhjen e konflikteve të ligjit me aktet juridike të komunave ose të subjekteve tjera të administrimit lokal (normat e kolizionit) dhe konfliktet e kompetencave në mes të organeve në territorin e vendit; rregullon zgjidhjen e konflikteve të ligjeve të vendit me dispozitat e vendeve tjera dhe ato ndërkombëtare;
- 21) rregullon themelimin, kompetencat dhe organizimin e gjykatave, prokurorive publike si dhe avokatinë e noterinë, ombudspersonin (avokatin e popullit) dhe format e tjera të ndihmës juridike; rregullon procedurat e veçanta në lëmenjtë e caktuar;
- 22) rregullon organizimin dhe funksionimin e organeve të administratës si dhe të organizatave që ushtrojnë autorizime publike;
- 23) mbron kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë;
- 24) ushtron edhe të drejtat e detyrat e tjera të përcaktuara me Kushtetutë.
- Alternativa: Ky nen zëvendësohet me tekstin si vijon:
- “Kosova nëpërmjet organeve të veta dhe të autoriteteve ndërkombëtare të vendosura në Kosovë, rregullon, ushtron dhe siguron të drejtat dhe detyrat e veta në mënyrë të përcaktuar me Kushtetutë dhe me Ligjin Kushtetues për zbatimin e Kushtetutës së Përkohshme të Kosovës”.