Kushtetuta e përkohshme e Kosovës/Rendi ekonomik dhe objektivat sociale
Neni 106
- Rendi ekonomik i Kosovës bazohet në pronën private e publike, si dhe në ekonominë e tregut dhe në lirinë e veprimtarisë ekonomike.
- Prona private dhe publike mbrohen njëlloj me ligj.
- Të drejtën e zotërimit të pronës private e garanton shteti.
Neni 107
- Ndërmarrjet ekonomike dhe ndërmarrjet tjera, si dhe të mirat tjera në pronësi shoqërore janë pronë e popullit të Kosovës.
- Të gjitha aktet për bashkimin e ndërmarrjeve ekonomike në pronësinë shoqërore me ndërmarrjet jashtë Kosovës, në periudhën prej 23 marsit 1989 deri më 10 qershor 1999, janë të pavlefshme.
- Të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare ekonomike e financiare të lidhura në emër të Kosovës, në periudhën prej 23 marsit të vitit 1989 deri më 10 qershor 1999, janë të pavlefshme.
- Prona shoqërore duhet të transformohet në pronë private e publike, në mënyrë të rregulluar me ligj.
- Banesat në pronësi shoqërore, të cilat ende nuk janë privatizuar, duhet të privatizohen me ligj.
- Deri sa të transformohet, prona shoqërore qeveriset nga organet shtetërore të Kosovës.
- Mjetet nga privatizimi i pronës shoqërore duhet të përdoren për përparimin ekonomik, si dhe për fondet për pensione dhe mbrojtje sociale.
Neni 108
- Populli i Kosovës disponon në mënyrë sovrane pasuritë dhe burimet natyrore.
- E drejta sovrane e popullit mbi pasuritë dhe burimet natyrore duhet të ushtrohet në interes të zhvillimit dhe mirëqenies së popullit dhe të tërë Kosovës.
- Të gjitha pasuritë natyrore të Kosovës, nëntokësore e mbitokësore, bota bimore dhe shtazore, kapitalet në përdorim të përgjithshëm, si dhe sendet dhe objektet me rëndësi të veçantë kulturore dhe historike, të caktuara me ligj, janë vlera me interes të përgjithshëm për Kosovën dhe gëzojnë mbrojtje të veçantë.
- Organet shtetërore të Kosovës garantojnë mbrojtjen, përparimin dhe begatimin e pasurisë historike dhe artistike të kombit shqiptar, të pakicës serbe e turke, si dhe të pakicave të tjera kombëtare e grupeve etnike, pavarësisht nga regjimi i tyre juridik.
- Faktori ekologjik, përkatësisht ruajtja e tij bëhet nga shteti.
- Me ligj rregullohen mënyra dhe kushtet nën të cilat disa të mira të caktuara me interes të përgjithshëm për Kosovën mund të lihen për shfrytëzim.
Neni 109
- Garantohet liria e tregut dhe e veprimtarisë ekonomike.
- Iniciativa e lirë është synim i mbështetur nga politika ekonomike.
- Organet shtetërore të Kosovës u sigurojnë pozitë të barabartë juridike të gjitha subjekteve të biznesit. Ato ndërmarrin masa kundër pozitës monopoliste në treg.
- Kufizime të lirisë së ndonjë veprimtarie ekonomike mund të vendosen vetëm me ligj dhe vetëm për arsye të rëndësishme të sigurisë ose për shkaqe strategjike me interes për Kosovën.
Neni 110
- Organet shtetërore të Kosovës nxisin përparimin ekonomik dhe kujdesen për zhvillim të harmonizuar hapësinor dhe rajonal, si dhe për zhvillim më të shpejtë të Kosovës dhe të rajoneve të saj, në mënyrë që të krijohen mundësi për përmirësimin e vazhdueshëm të kushteve jetësore të popullit.
- Prona dhe puna janë bazë për qeverisje dhe pjesëmarrje në marrjen e vendimeve.
- Pjesëmarrja në qeverisje dhe menaxhim në marrjen e vendimeve në institucionet dhe shërbimet publike rregullohet me ligj dhe mbështetet në parimin e profesionalizmit.
Neni 111
- Personat e huaj mund të fitojnë të drejtën e pronësisë nën kushtet e rregulluara me ligj.
- Personave të huaj u garantohet e drejta e veprimtarisë ekonomike dhe e investimeve në mënyrë të rregulluar me ligj.
- Investitorëve të huaj u garantohet e drejta e disponimit të lirë me kapitalin e investuar dhe fitimin.
- Të drejtat e fituara në bazë të kapitalit të investuar nuk mund të zvogëlohen me ligj ose me dispozita të tjera.
Neni 112
- Organet shtetërore të Kosovës dhe të komunave, brenda kompetencave kushtetuese dhe mjeteve në dispozicion, si dhe në plotësim të nismës dhe të përgjegjësisë private, synojnë të sigurojnë:
- - punësimin në kushte të përshtatshme të të gjithë personave të aftë për punë;
- - plotësimin e nevojave të shtetasve për strehim;
- - standardin më të lartë të mundshëm shëndetësor, fizik e mendor;
- - arsimimin dhe kualifikimin sipas aftësive të fëmijëve dhe të të rinjve, si dhe të personave të pazënë në punë;
- - ambient të shëndetshëm dhe ekologjikisht të përshtatshëm për brezat e sotëm dhe të ardhshëm;
- - shfrytëzimin racional të pyjeve, ujërave, kullosave dhe burimeve të tjera natyrore mbi bazën e parimit të zhvillimit të qëndrueshëm;
- - përkujdesjen dhe ndihmën për të moshuarit, jetimët dhe invalidët;
- - zhvillimin e sportit dhe të veprimtarisë ripërtëritëse;
- - riaftësimin shëndetësor, edukimin e specializuar dhe integrimin në shoqëri të të paaftëve, si dhe përmirësimin në vazhdimësi të kushteve të tyre të jetesës;
- - mbrojtjen e trashëgimisë kombëtare kulturore të popullit shqiptar dhe pakicave kombëtare e grupeve etnike dhe kujdesin për gjuhën e tyre.
- Përmbushja e këtyre objektivave sociale nuk mund të kërkohet drejtpërdrejt në gjykatë. Me ligj përcaktohen kushtet dhe masa në të cilat mund të kërkohet realizimi i këtyre objektivave.