Kushtetuta e përkohshme e Kosovës/Referendumi
Neni 218
- Populli i Kosovës përveç përmes përfaqësuesve të vet në organet shtetërore, vendos dretpërdrejt edhe me referendum.
- Me referendum populli vendos në rastet e përcaktuara me Kushtetutë, si dhe në rastet e tjera kur ai këtë e kërkon.
Neni 219
- Populli, nëpërmjet pesëdhjetë mijë shtetasve me të drejtë vote, ka të drejtën e referendumit për shfuqizimin e një ligji, si dhe t'i kërkojë Kuvendit të Kosovës zhvillimin e referendumit për një çështje me rëndësi të veçantë.
- Kuvendi i Kosovës, me propozimin e së paku dy të pestave të anëtarëve të vet, ose me propozimin e Kryetarit të Kosovës ose Qeverisë së Kosovës, mund të vendosë që një çështje ose një projektligj me rëndësi të veçantë të shtrohet në referendum. Vendimi merret me shumicën e votave të të gjithë deputetëve.
- Parimet dhe procedurat për zhvillimin e referendumit, si dhe vlefshmëria e tij përcaktohen me ligj.
Neni 220
- Ligji i miratuar me referendum shpallet nga organi i caktuar me Kushtetutë për shpalljen e ligjeve të rëndomta.
- Çështjet që lidhen me statusin përfundimtar të Kosovës dhe me ndryshimin e kufijve të saj mund të vendosen vetëm me referendum.
- Çështjet që lidhen me kufizimin e lirive dhe të të drejtave themelore të njeriut, me buxhetin, taksat e detyrimet financiare të Kosovës, me vendosjen dhe heqjen e gjendjes së jashtëzakonshme, me deklarimin e luftës dhe të paqes dhe me amnistinë nuk mund të shtrohen në referendum.
- Referendumi për të njëjtën çështje nuk mund të përsëritet përpara se të kenë kaluar tre vjet nga zhvillimi i tij.
Neni 221
- Referendumi në njësitë e vetëqeverisjes lokale rregullohet me ligj.