Kushtetuta e përkohshme e Kosovës/Kryetari i Kosovës
Neni 145
- Kyetari i Kosovës është shef i saj dhe persinifikon unitetin e popullit.
- Kryetari i Kosovës përfaqëson Kosovën në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Neni 146
- Kryetari i Kosovës është komandant i përgjitshëm i forcave ushtarake.
Neni 147
- Kyetari i Kosovës ushtron edhe këto funksione:
- 1. vendos mbi çështjet nga sfera e mbrojtjes në pajtim me Kushtetutën dhe ligjin dhe udhëheq rezistencën popullore në luftë;
- 2. miraton dekretligje në rast të rrezikut të drejtpërdrejtë nga lufta, gjatë kohës së gjendjes së luftës, rrezikut të pavarësisë, të tërësisë territoriale dhe pamundësisë së funksionimit të rregullt të organeve shtetërore, në qoftë se Kuvendi i Kosovës nuk ka mundësi të mbajë mbledhje. Dekretet me fuqi ligjore, kryetari i Kosovës ia paraqet Kuvendit posa ai të ketë mundësi të mblidhet;
- 3. përcakton planet dhe masat për mbrojtjen e vendit, jep udhëzime për marrjen e masave për përgatitjen dhe mobilizimin e burimeve dhe forcave të vendit për mbrojtje dhe për koordinimin e planeve dhe të masave të subjekteve të tjera; përcakton ekzistimin e rrezikut të drejtëpërdrejtë nga lufta, urdhëron mobilizimin e përgjithshëm dhe të pjesërishëm;
- 4. përcakton planin e përdorimit të forcave ushtarake në rast lufte dhe urdhëron përdorimin e tyre në paqe;
- 5. vendos mbi çështjet nga sfera e politikës së jashtme dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare në pajtim me Kushtetutën dhe ligjin;
- 6. vendos për hapjen e përfaqësive diplomatike dhe të përfaqësive të tjera në botë sipas propozimit të Qeverisë;
- 7. emëron dhe shkarkon me dekret përfaqësuesit diplomatikë të Kosovës dhe pranon letrat kredenciale të përfaqësuesve diplomatikë nga bota;
- 8. është kryetar i Këshillit të Sigurisë të Kosovës;
- 9. në marrëveshje me udhëheqësit e grupeve parlamentare, e cakton mandatarin për formimin e Qeverisë së Kosovës;
- 10. i propozon Kuvendit të Kosovës kandidatët për tre gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Kryetarin e Kontrollit të Lartë, si dhe Guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës;
- 11. emëron dy anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve;
- 12. i propozon Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës shqyrtimin e çështjeve me interes të përgjithshëm për Kosovën;
- 13. u fal dënimet kryerësve të veprave penale;
- 14. jep dekorata dhe mirënjohje të përcaktuara me ligj;
- 15. akordon gradën më të lartë ushtarake;
- 16. me propozimin e kryetarit të Qeverisë, emëron Drejtorin e Seksionit të Sigurimit të Kosovës;
- 17. kryen edhe punë të tjera të përcaktuara me Kushtetutë.
- Në zbatimin e kompetencave të tij Kryetari nxjerr dekrete, drejton thirrje dhe porosi.
Neni 148
- Këshillin e Sigurisë të Kosovës e përbëjnë: kryetari i Kosovës, kryetari i Kuvendit, kryetari i Qeverisë, ministrat që udhëheqin me organet e administratës shtetërore në fushat e sigurisë, të mbrojtjes dhe të punëve të jashtme dhe tre anëtarë që i emëron kryetari i Kosovës. Këshilli shqyrton çështjet e sigurisë dhe të mbrojtjes së Kosovës dhe i jep propozime Kuvendit dhe Qeverisë;
Neni 149
- Kryetari i Kosovës zgjedhet në zgjedhjet e lira të drejtpërdrejta, me vota të fshehta e të barabarta, sipas procedurës së caktuar me ligj.
- Mandati i Kryetarit të Kosovës zgjat pesë vjetë, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë.
Alternativa për nenin 149:
- Kryetarin e Kosovës e zgjedh Kuvendi i Kosovës, me mandat për 5 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë.
Neni 150
- Kryetar mund të zgjidhet vetëm shtetasi i Kosovës që nga lindja, që i plotëson kushtet për t’u zgjedhur si deputet, me qëndrim jo më pak se 10 vjetët e fundit në Kosovë, dhe që ka mbushur moshën 35 vjeç.
Neni 151
- Në qoftë se mandati i kryetarit të Kosovës skadon gjatë kohës së luftës ose gjatë kohës së gjendjes së jashtëzakonshme, atëherë mandati i zgjatet për 6 muaj pasi të ketë përfunduar lufta ose gjendja e jashtëzakonshme.
Neni 152
- Kandidatin për kryetar të Kosovës mund ta propozojnë partitë politike të regjistruara, së paku 10.000 zgjedhës ose grupi prej jo më pak se 20 deputetësh. Një deputet nuk lejohet të marrë pjesë në më shumë se një grup propozues.
- Kryetari i Kosovës zgjedhet me shumicën e votave të vlefshme të të gjithë zgjedhësve të regjistruar, në rast se në votim kanë marrë pjesë më shumë se gjysma e zgjedhësve.
- Në rast se asnjë nga kandidatët nuk është zgjedhur, brenda 14 ditëve zhvillohen zgjedhje të reja, në të cilat marrin pjesë dy kandidatët që kanë marrë më shumë vota në votimin e parë. Quhet i zgjedhur kandidati që ka marrë më shumë vota, nëse në votim kanë marrë pjesë më shumë se gjysma e zgjedhësve.
- Në qoftë se ndonjëri nga këta kandidatë tërheq kandidaturën, të drejtën që përsëri të zgjidhet e fiton kandidati që pason sipas numrit më të madh të votave të fituara në rrethin e parë të zgjedhjeve.
- Nëse edhe në rrethin e dytë të votimit nuk ka fituar asnjëri nga kandidatët shumicën e duhur të votave, e tërë procedura e zgjedhjes përsëritet.
- Nëse për kryetar të Kosovës është propozuar vetëm një kandidat, ndërsa në rrethin e parë të votimit nuk fiton shumicën e duhur të votave, përsëritet e tërë procedura e zgjedhjes.
- Zgjedhja e kryetarit të Kosovës kryhet më së voni 15 ditë para se të skadojë mandati i kryetarit të mëparshëm.
Alternativa për nenin 152:
- Kandidatët për Kryetar të Kosovës i propozohen Kuvendit nga grupi prej jo më pak se 20 deputetësh. Një deputet nuk lejohet të marrë pjesë në më shumë se një grup propozues.
- Kryetari i Kosovës zgjedhet më votim të fshehtë dhe pa debat nga Kuvendi, me shumicën e votave të të gjithë deputetëve.
- Kur në votimin e parë asnjëri nga kandidatët nuk ka fituar këtë shumicë, brenda shtatë ditëve bëhet votimi i dytë. Në këtë rast votohet për dy kandidatët e parë që kanë marrë numrin më të madh të votave në votimin e parë.
- Në rast se edhe në votimin e dytë nuk arrihet kjo shumicë, brenda shtatë ditëve bëhet një votim i tretë. Me këtë rast votohet vetëm për kandidatin që ka marrë numrin më të madh të votave në votimin e dytë.
Në rast se edhe pas votimit të tretë kandidati nuk fiton shumicën e kërkuar, Kuvendi shpërndahet dhe brenda 60 ditëve bëhen zgjedhjet e reja të përgjithshme.
- Nëse që nga fillimi votohet vetëm për një kandidat, procedura e zgjedhjes përfundon pas votimit të dytë. Nëse kandidati i propozuar nuk fiton shumicën e kërkuar as në votimin e dytë Kuvendi shpërndahet dhe brenda 60 ditëve bëhen zgjedhjet e reja të përgjithshme.
Neni 153
- Kryetari i Kosovës bën para Kuvendit të Kosovës, para se të pranojë detyrën, këtë betim: “Betohem se do t’i bindem Kushtetutës dhe ligjeve të rendit, do të mbroj pavarësinë e Kosovës dhe do t’i shërbej interesit të përgjithshëm dhe përparimit të popullit të Kosovës”. Kryetari mund të shtojë edhe : “Zoti më ndihmoftë”.
Neni 154
- Kryetari i Kosovës, pas zgjedhjes në këtë funksion, nuk mund të mbajë asnjë detyrë tjetër publike, nuk mund të jetë anëtar partie dhe as të kryej veprimtari private.
Neni 155
- Mandati i Kryetarit të Kosovës përfundon para afatit:
- 1. me dhënien e dorëheqjes para Gjykatës Kushtetuese;
- 2. me pamundësinë e vazhdueshme për të ushtruar funksionet e tij për shkak të sëmundjes së rëndë;
- 3. me kushtet e parashikuara me nenin 158;
- 4. në rast të vdekjes.
- Në rastet e pikave 1 dhe 2 mandati i Kryetarit përfundon me vërtetimin nga ana e Gjykatës Kushtetese të rrethanave të përmendura në to.
- Në rastet kur Kryetarit i përfundon mandati sipas rrethanave nga al. 1 e 2, deri në zgjedhjen e Kryetarit të ri, kompetencat e tij i ushtron kryetari i Kuvendit. Në këtë rast brenda dy muajve bëhet zgjedhja e kryetarit të ri.
Neni 156
- Kryetari i Kosovës paraqet raport për gjendjen në Kosovë para Kuvendit të Kosovës së paku një herë në vit.
Neni 157
- Kryetari i Kosovës kryen punët nga kompetenca e vet në mbështjetje dhe në kuadër të Kushtetutës dhe të ligjit.
- Kryetari i Kosovës nuk ka përgjegjësi për aktet e kryera në ushtrim të detyrës së tij.
- Kryetari i Kosovës nuk mund të arrestohet dhe kundër tij nuk mund të bëhet ndjekja penale.
Neni 158
- Kryetari i Kosovës mund të gjykohet nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe tradhtisë ndaj atdheut.
- Akuza ngrihet me propozimin e së paku një të katërtës të të gjithë deputetëve dhe duhet të mbëshetet nga Kuvendi me shumicë prej 3/4 të të gjithë deputetëve.
- Gjykata Kushtetuese shqyrton akuzën kundër kryetarit brenda një muaji nga ngritja e saj. Në qoftë se vërtetohet se Kryetari i Kosovës ka kryer tradhti ndaj atdheut ose ka shkelur Kushtetutën, atij me vendimin e Gjykatës Kushtetuese i ndërpritet mandati dhe shkarkohet nga funksioni.