Kushtetuta e përkohshme e Kosovës/Gjendja e jashtëzakonshme
Neni 254
- Gjendje e jshtëzakonshme konsiderohet situata me çrregullime që kërcënojnë rendin kushtetues, fatkeqësitë e mëdha natyrore apo epidemitë.
- Ekzistimin e gjendjes së jashtëzakonshme në territorin e Kosovës apo pjesës së saj e konstaton Kuvendi sipas propozimit të Kryetarit të Kosovës, të Qeverisë së Kosovës apo të më së paku 30 deputetëve.
- Vendimin me të cilin konstatohet ekzistimi i gjendjes së jashtëzakonshme e nxjerr Kuvendi me 3/5 e votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve.
Neni 255
- Në rastet kur ekziston gjendja e luftës apo gjendja e jashtëzakonshme, Qeveria e Kosovës nxjerr dekretligje, në pajtim me Kushtetutën dhe ligjin.
- Autorizimi i Qeverisë për të nxjerrë dekretligje zgjat derisa të përfundojë gjendja e luftës apo gjendja e jashtëzakonshme, për çka vendos Kuvendi.
Neni 256
- Gjatë kohës së gjendjes së luftës, nëse Kuvendi nuk mund të mblidhet, Kryetari i Kosovës mund të emërojë e të shkarkojë Qeverinë dhe funksionarët, zgjedhja e të cilëve është në kompetencë të Kuvendit.
Neni 257
- Mandati i Kuvendit, i Qeverisë, i gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe i bartësve të funksioneve publike gjatë gjendjes së luftës apo të gjendjes së jashtëzakonshme, vazhdohet për aq kohë sa vazhdojnë këto gjendje.
Neni 258
- Për shkak të gjendjes së luftës, rrezikimit të rendit kushtetues, fatkeqësisë natyrore dhe shfaqjes së epidemive mund të vendosen masat e jashtëzakonshme.
- Masat e jashtëzakonshme zgjasin për aq kohë sa vazhdojnë këto gjendje.
- Procedurat për vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme caktohen me Kushtetutë dhe me ligj.
Neni 259
- Veprimtaria e organeve publike dhe shkalla e kufizimit të të drejtave e lirive të njeriut gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, si dhe parimet, fushat dhe mënyra e kompensimit të humbjeve që vijnë si rezultat i kufizimit të të drejtave e lirive gjatë marrjes së masave të jashtëzakonshme caktohen me ligj.