Kushtetuta e përkohshme e Kosovës/Financat Publike

Neni 227

Taksat, tatimet dhe detyrimet financiare në nivel të Kosovës, komunave dhe Qytetit të Prishtinës, lehtësimi ose përjashtimi prej tyre i kategorive të caktuara të paguesve, si dhe mënyra e mbledhjes së tyre caktohen me ligj.
Ligji nga alinea 1 e këtij neni nuk mund të ketë efekt prapaveprues.

Neni 228

Sistemi buxhetor përbëhet nga buxheti i Kosovës dhe nga buxhetet e komunave dhe buxhetit të Qytetit të Prishtinës.
Buxheti i Kosovës krijohet nga të ardhurat e mbledhura prej taksave, tatimeve dhe detyrimeve të tjera financiare, si dhe nga të ardhura të tjera të ligjshme. Ai përfshin të gjitha shpenzimet e Kosovës.
Organet e komunave dhe të Qytetit të Prishtinës caktojnë dhe mbledhin taksa dhe detyrime të tjera në mënyrë të përcaktuar me ligj.
Organet e pushtetit qendror dhe atij të komunave e Qytetit të Prishtinës janë të detyruara t'i bëjnë publike të ardhurat dhe shpenzimet.

Neni 229

Qeveria i paraqet Kuvendit projektligjin për buxhetin e Kosovës për vitin që pason gjatë sesionit të vjeshtës, i cili nuk mund të mbyllet pa e miratuar atë.
Në qoftë se projektligji nuk arrin të miratohet deri në fillim të vitit të ardhshëm financiar, Qeveria zbaton çdo muaj një të dymbëdhjetën e buxhetit të vitit paraardhës, derisa të miratohet buxheti i ri.
Kuvendi miraton buxhetin e ri brenda tre muajve nga dita e mbarimit të vitit të kaluar financiar, përveçse në rastet e vendosjes së masave të jashtëzakonshme.
Qeveria është e detyruar t'i paraqes raport Kuvendit lidhur me zbatimin e buxhetit dhe me borxhin e Kosovës për vitin e kaluar.
Kuvendi vendos përfundimisht pasi dëgjon edhe raportin e Kontrollit të Lartë të Kosovës.
Parimet dhe procedurat për hartimin e projekt-buxhetit, si dhe për zbatimin e buxhetit përcaktohen me ligj.

Neni 230

Gjatë vitit financiar Kuvendi mund të bëjë ndryshime në buxhet.
Ndryshimet në buxhet bëhen sipas procedurës së parashikuar për hartimin ose miratimin e buxhetit.
Shpenzimet e parashikuara me ligje të tjera nuk mund të ulen sa kohë që këto ligje janë në fuqi.

Neni 231

Për marrjen dhe garantimin e huasë dhe të kredisë financiare vendoset me ligj.

Neni 232

Monedha e Kosovës është Dardani.
  • Alternativa: Njësia monetare e Kosovës është Dardani. Emetimi i monedhës bëhet vetëm nga Banka Qendrore e Kosovës. Nxjerrja dhe emetimi i parave të tjera ndalohet.