Kushtetuta e përkohshme e Kosovës/Dispozitat themelore
Neni 1
- Kosova është territor i banuar me kombin indigjen autokton shqiptar, në të cilin gjatë historisë jetojnë edhe pakicat aloktone kombëtare dhe grupet etnike: serbët, boshnjakët, turqit, malazezët, kroatët, hashkalinjtë, egjiptasit dhe romët.
Neni 2
- Sovraniteti në Kosovë buron nga populli dhe i takon popullit.
- Vullneti i lirë i popullit është bazë e pushtetit shtetëror.
- Populli realizon sovranitetin përmes përfaqësuesve të zgjedhur lirisht në organet e pushtetit shtetëror dhe me referendum.
- Populli i Kosovës synon asocimin e Kosovës në strukturat evropiane dhe Evro-Atlantike.
Neni 3
- Anëtarët e organeve përfaqësuese të pushtetit shtetëror i zgjedhin shtetasit e Kosovës të moshës madhore, në bazë të votës së lirë, të përgjithshme, të barabartë, të drejtpërdrejtë dhe të fshehtë, nga radha e më shumë kandidatëve.
- Përfaqësuesit e zgjedhur në organet e pushtetit shtetëror janë përgjegjës para zgjedhësve për punën e tyre.
Neni 4
- Sistemi kushtetues i Kosovës siguron dhe mbron: dinjitetin e njeriut, liritë dhe të drejtat e tij, sundimin e së drejtës, drejtësinë sociale, pluralizmin politik, pluralizmin pronësor, identitetin kombëtar e etnik, trashëgiminë kombëtare e etnike, bashkëjetesën, tolerancën dhe barazinë kombëtare, etnike e fetare, si dhe vlerat e tjera të shoqërisë demokratike.
- Struktura themelore e organizimit dhe ushtrimit të pushtetit në Kosovë qëndron mbi politikat elektorale të partive politike dhe sigurohet që ajo të mbetet e paprekur nga zgjedhjet.
Neni 5
- Shtetasit e Kosovës kanë të drejtë të bashkohen dhe të organizohen në parti politike, sindikata, lidhje, lëvizje dhe shoqata civile.
- Partitë, organizatat e shoqatat që ndjekin qëllime antikushtetuese janë të ndaluara.
Neni 6
- Çdo njeriu dhe shtetasi i garantohen liritë dhe të drejtat personale, politike, ekonomike, sociale, kombëtare, etnike, fetare e kulturore dhe të drejtat e liritë e tjera të përcaktuara me Kushtetutë dhe me akte ndërkombëtare.
- Askujt nuk mund t'i mohohet liria dhe e drejta për të marrë veprim në qoftë se veprimi nuk është i ndaluar shprehimisht me Kushtetutë dhe ligj.
- Ombudspersoni (Avokati i Popullit) mbron të drejtat, liritë dhe interesat e ligjshme të njeriut dhe të shtetasit nga veprimet ose mosveprimet e paligjshme e të parregullta të organeve të administratës.
Neni 7
- Territori i Kosovës është unik, i pandashëm dhe i patjetërsueshëm.
- Kufijtë e Kosovës mund të ndryshohen me vendim të Kuvendit të Kosovës, vetëm në bazë të vullnetit të shprehur lirisht të popullit të Kosovës me referendum.
Neni 8
- Banorët e Kosovës gëzojnë të drejtën e shtetësisë së Kosovës. Shtetësia e Kosovës fitohet në mënyrë të përcaktuar me ligj.
- Shtetasi i Kosovës nuk mund të humbasë shtetësinë, përveç kur ai vetë heqë dorë prej saj.
Neni 9
- Njësitë e vetëqeverisjes lokale në Kosovë janë komunat dhe Qyteti i Prishtinës.
- Organizimi administrativ-territorial i Kosovës dhe vetëqeverisja lokale rregullohen me ligj.
Neni 10
- Gjuha zyrtare në Kosovë është gjuha shqipe dhe shkrimi i saj.
- Në komunat e Kosovës, ku jetojnë pjesëtarët e pakicave kombëtare serbe, boshnjake e turke në numër më të madh e kompakt, në përdorim zyrtar janë edhe gjuha serbe, boshnjake e turke dhe shkrimet e tyre, në pajtim me ligjin.
Neni 11
- Sistemi i organizimit të pushtetit në Kosovë mbështetet në ndarjen dhe ekuilibrin ndërmjet pushtetit ligjdhënës, ekzekutiv dhe gjyqësor.
- Kosova ushtron pushtetin shtetëror nëpërmjet të organeve të veta, të caktuara me Kushtetutë.
Organet e pushtetit shtetëror të Kosovës, në fazën kalimtare, i ushtrojnë autorizimet e tyre të caktuara me Kushtetutën e Përkohshme në mënyrë të mëvetësishme, me përjashtim të funksioneve të parapara për UNMIK-un dhe KFOR-in të përcaktuara me rezolutat relevante të Asamblesë së Përgjithshme dhe Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën.
Neni 12
- Pushteti kushtetutëdhënës dhe ligjdhënës i takon Kuvendit të Kosovës, si organ i sovranitetit të popullit.
- Të drejtat dhe detyrat e Kuvendit të Kosovës përcaktohen me Kushtetutë.
Neni 13
- Kosova ka Kryetarin.
- Kryetari përfaqëson Kosovën brenda dhe në botën e jashtme.
- Të drejtat dhe detyrat e Kryetarit të Kosovës përcaktohen me Kushtetutë.
Neni 14
- Organi më i lartë i pushtetit ekzekutiv është Qeveria e Kosovës.
- Të drejtat dhe detyrat e Qeverisë së Kosovës përcaktohen me Kushtetutë dhe me ligj.
Neni 15
- Pushtetin gjyqësor e ushtrojnë gjykatat e pavarura.
- Gjykatat punojnë vetëm në bazë të Kushtetutës dhe ligjit.
Neni 16
- Kontrollin dhe mbrojtjen e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në Kosovë e ushtron Gjykata Kushtetuese, si organ i pavarur.
- Gjykata Kushtetuese e Kosovës punon në bazë të Kushtetutës dhe ligjit.
Neni 17
- Prokuroria publike e Kosovës ushtron ndjekjen penale, përfaqëson akuzën në gjykatë në emër të shtetit dhe kryen detyra të tjera të caktuara me Kushtetutë dhe ligj.
Neni 18
- Puna e organeve të pushtetit shtetëror në Kosovë është publike.
- Puna publike e organeve të pushtetit shtetëror mund të përjashtohet vetëm në rastet e përcaktuara me ligj.
Neni 19
- Përbërja kombëtare dhe etnike e organeve të pushtetit në Kosovë duhet të jetë në përputhje me strukturën kombëtare dhe etnike të Kosovës.
Neni 20
- Kosova ka Stemën e vet.
- Stema e Kosovës paraqet hartën e Kosovës me sipërfaqe të zezë, të rrethuar me shirit të artë të vendosur mbi mburojën me fushë të kuqe. Në krye të Stemës është përkrenarja e Gjergj Kastriotit - Skënderbeut.
- Përdorimi i Stemës rregullohet me ligj.
- Alternativa: Alinetë 2 e 3 zëvendësohen me tekstin: "Përmbajtja, përdorimi dhe mbrojtja e Stemës së Kosovës rregullohen me ligj".
Neni 21
- Kosova ka Flamurin e vet.
- Flamuri i Kosovës është i kuq me një shqiponjë të zezë dykrenare në mes e në këndin e djathtë gjendet Stema e Kosovës. Raporti në mes të gjatësisë e të gjerësisë së flamurit është dy me një.
- Përdorimi i flamurit rregullohet me ligj.
- Alternativa 1: Alinea e dytë e këtij neni zëvendësohet me tekstin: "Flamuri i Kosovës është me dy fusha katrore kuq e zi e në këndin e djathtë, në fushën e kuqe, gjendet Stema e Kosovës. Raporti në mes të gjatësisë e të gjerësisë së flamurit është dy me një".
- Alternativa 2: Alinetë 1 e 2 të këtij neni zëvendësohen me tekstin: "Përmbajtja, përdorimi dhe mbrojtja e Flamurit të Kosovës rregullohen me ligj".
Neni 22
- Kosova ka Himnin e vet.
- Himni i Kosovës është "Përreth flamurit tonë të përbashkuar".
- Përdorimi i Himnit rregullohet me ligj.
- Alternativa 1: Alinea 2 e këtij neni zëvendësohet me tekstin: “Himni i Kosovës është ‘Kushtrimi i Kosovës’”.
- Alternativa 2: Alinetë 2 e 3 të këtij neni zëvendësohen me tekstin: "Përmbajtja dhe përdorimi i Himnit të Kosovës rregullohen me ligj".
Neni 23
- Në Kosovë është e drejtë e pjesëtarëve të të gjitha pakicave kombëtare dhe të grupeve etnike të përdorin simbolet e veta.
- Përdorimi i simboleve të pakicave kombëtare dhe të grupeve etnike rregullohet me ligj.
Neni 24
- Kosova ka Festën shtetërore.
- Është e drejtë e pjesëtarëve të pakicave kombëtare e të grupeve etnike të kremtojnë festat e veta kombëtare e fetare.
- Kremtimi i Festës shtetërore dhe i festave kombëtare e fetare të pjesëtarëve të pakicave kombëtare e grupeve etnike rregullohet me ligj.
Neni 25
- Kryeqyteti i Kosovës është Prishtina.
Neni 26
- E drejta përbën bazën dhe kufijtë e veprimtarisë së çdo organi dhe bartësi të autorizimeve publike në Kosovë.
- Kushtetuta është ligji themelor dhe më i lartë në Kosovë.
- Dispozitat e Kushtetutës zbatohen drejtpërsëdrejti, me përjashtim të rasteve kur me Kushtetutë është parashikuar ndryshe.
- Pjesë përbërëse të rendit juridik të Kosovës janë normat e pranuara përgjithësisht në të drejtën ndërkombëtare.