Kushtetuta e përkohshme e Kosovës/Detyrat e njeriut e të shtetasve

Neni 83

Mbrojtja e vendit është e drejtë e pacenueshme dhe e patjetërsueshme dhe detyrë e çdo shtetasi. Realizimi i kësaj të drejte dhe detyre rregullohet me ligj.


Neni 84

Secili ka për detyrë t'i përmbahet Kushtetutës dhe ligjit.

Neni 85

Secili është i obliguar ta paguaj tatimin dhe të përmbushë detyrimet e tjera publike dhe të marrë pjesë në mbulimin e shpenzimeve publike në mënyrë të parashikuar me ligj.

Neni 86

Secili është i obliguar t'i japë ndihmë tjetrit në rrezik dhe të marrë pjesë në mënjanimin e rrezikut të përgjithshëm.

Neni 87

Secili ka të drejtë dhe detyrë që ta ruajë dhe ta përparojë shëndetin e tij dhe shëndetin e të tjerëve.

Neni 88

Secili është i obliguar që ta përparojë dhe mbrojë ambientin jetësor dhe natyrën dhe t'i përmbushë detyrimet e tjera të parashikuara me Kushtetutë dhe ligj.