Kushtetuta e përkohshme e Kosovës/Autoritetet Ndërkombëtare në Kosovë
Neni 121
- Organizata e Kombeve të Bashkuara ka praninë ndërkombëtare civile (UNMIK) dhe praninë ndërkombëtare të sigurisë (KFOR) në Kosovë.
Neni 122
Organizata e Kombeve të Bashkuara nëpërmjet Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm:
- 1. ushtron kompetencat e caktuara nga lëmi i të drejtave e detyrave të organeve të Kosovës të përcaktuara me Kushtetutë e të lëna pa fuqi me Ligjin Kushtetues për zbatimin e Kushtetutës së Përkohshme të Kosovës. Vëllimi i kompetencave e kohëzgjatja e tyre duhet të jetë në pajtim me dispozitat e Rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së Nr. 1244/1999 dhe rezolutat e tjera relevante apo marrëveshjet ndërkombëtare për bartjen graduale të kompetencave në organet e Kosovës;
- 2. ndihmon, mbikëqyr dhe u jep këshilla e udhëzime mbarëvajtëse organeve të Kosovës deri me arritjen e marrëveshjes politike për statusin përfundimtar të Kosovës, duke respektuar vullnetin e popullit;
- 3. bashkëvepron me Kryetarin e Kosovës dhe Qeverinë e Kosovës në aktivitetet ndërkombëtare;
- 4. siguron bartjen graduale të kompetencave në organet e pushtetit dhe institucionet publike të Kosovës;
- 5. emëron dhe shkarkon administratorët komunal e të Qytetit të Prishtinës, anëtarët shtesë të organeve të caktuara të Kosovës nga radhët e personelit ndërkombëtar me qëllim të ndihmës profesionale;
- 6. siguron bashkëpunimin midis policisë së UNMIK-ut dhe Shërbimit Policor të Kosovës në realizimin e funksioneve të tyre dhe kalimin gradual të kompetencave nga policia e UNMIK-ut në Shërbimin Policor të Kosovës;
- 7. angazhohet për sigurimin e mjeteve për formimin e buxhetit dhe për ndërtimin e rindërtimin e Kosovës.
Neni 123
- Kuvendi i Kosovës ia dërgon aktet e vëna në procedurë Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për mendim dhe sugjerime.
- Përfaqësuesi Special është i obliguar t'i dërgojë mendimin e sugjerimet më së largu brenda 30 ditëve. Nëse Përfaqësuesi Special nuk dërgon mendimin e sugjerimet brenda këtij afati konsiderohet se nuk ka vërejtje në aktin e Kuvendit të Kosovës të vënë në procedurë.
- Mendimet dhe sugjerimet e Përfaqësuesit Special janë të detyrueshme për Kuvendin. Nëse vërejtjet e tij nuk merren në konsideratë Përfaqësuesi Special ka të drejtën e vetos.
- Çështjet me karakter urgjent, të cilat nuk i rregullon Kuvendi për arsye të pajustifikuar, i rregullon Përfaqësuesi Special me akte të veçanta.
- Dispozitat e alinesë së mësipërme aplikohen edhe për aktet e Qeverisë dhe të organeve të administratës.
Neni 124
- Organizata e Kombeve të Bashkuara nëpërmjet KFOR-it ushtron të gjitha kompetencat në lëmin e sigurisë dhe të mbrojtjes nga të drejtat e detyrat e organeve të Kosovës të caktuara me Kushtetutën e Përkohshme të Kosovës, e të lëna pa fuqi me Ligjin Kushtetues për zbatimin e Kushtetutës së Përkohshme të Kosovës.
- Komandanti i KFOR-it siguron bashkëpunimin midis KFOR-it dhe organeve të Kosovës të caktuara me Kushtetutën e Përkohshme të Kosovës për çështjet e mbrojtjes e të sigurisë dhe kalimin gradual të kompetencave të KFOR-it në organet e Kosovës.