At Gjeçovi[1]
( 1873 - 1929 )

Faik Konica [2]
      "Emri i këtij njeriu të rrallë do të vejë duke u-ritur"
      At Gjeçovin e pata njohur me anë letrash disa vjet përpara luftës Ballkanike. Më 1913 shkova në Shkodër dhe atje, në Kuvënt të Franciskanëve, një ditë u - njohmë me sy e fjalë të gjalla. Mendimet nderimi , që kish patur për At Gjeçovin për së largu, m´u -shtuan ca më tepër që kur u poqëm. I mesmë nga gjatësia e trupit, pak si i thatë, me një palë sy të zeza ku çkëlqente mendia po edhe zëmërmirësia, At Gjeçovi fitonte menjëherë besimin dhe dashurinë. Fjalët i kish të paka po kurdoherë në vëntë. Vetëm kur në të kuvenduar e sipër takohej ndonjë pikë mi të cilën kish dituri të veçantë - si për shembëll Kanuni i Lek Dukagjinit ose vjetritë greko-romane - At Gjeçovi çelej ca më gjatë, dhe ahere ish gëzim t´a dëgjonte njeriu.
      Asi kohe At Gjeçovi ish "famullitar", domethënë prift i ngarkuar me shërbimin e një fshati ose rrethi, dhe rronte në Gomsiqe, i pari katunt i Mirditës mb´udhë nga Shkodra n´Orosh. A i vemi musafirë At Gjeçovit nonjë ditë të kësaj jave? më pyeti një herë At Fishta, me të cilin piqesha çdo ditë në Shkodër. Mendimi i një vizite At Gjeçovit më pëlqeu pa masë. Ashtu, pa humbur kohë u-nismë. Një gjë për të vënë re, dhe që më mbushi me habi dhe trishtim, është se nga Shkodra gjer në Gomsiqe, një udhëtim shtat´a tet´orësh me kalë, nuk gjetmë as katunt as shtëpi; veç një hani të varfër, ku qëndruam për të pirë një kafe, s´pamë gjëkundi nonjë shenjë gjallësije; një vént i zbrazur e i shkretë, si i harruar nga Perëndia dhe nga njerëzit. Po mërzia e udhëtimit na u-çpërblye përtej shpresës posa arrijtim në Gomsiqe, ose, që të flasim me drejt, në famulli të Gomsiqes, - se katundi vetë i shpërndarë tutje-tëhu, një shtëpi këtu, një shtëp nj´a dy mile më tej, as që dukej.
      Famullia - një biná prej guri, e ndritur dhe e pastër gjysm´e zbrazur nga plaçka po e mbushur dhe e zbukuruar nga zemra e madhe dhe nga buzëqeshja e të zotit shtëpisë - qëndronte, mirëpritëse dhe e qetë anës një lumi. Këtu ronte At Gjeçovi. Këtu e shkonte jetën, në mes të lutjes e mësimeve, një nga njerëzit më të lartë që ka patur Shqipëria: një lartësi e përulur, në munt t´afroj e të lith dy fjalë aqë të perkundërta; një lartësi shpirti dhe mendjeje e panjohur nga njeriu vetë, i cili, bir i vërtetë i të Várfërit t´Assisit, në pastëri e në vobësi të zemrës tij e dinte veten të vogël. Famullia, shkollë dhe vënt këshillash të mira, u jipte fëmijëve themelet e stërvitjes, u përndante fjalët e urta dhe ngushëllimet njerëzore në nevojë. Kohën që i tepronte, At Gjeçovi j´a kushtonte studimit.
      Merej ahere me institutat e vjetëra të Shqipërisë, nga të cilat një e arriu gjer në ditët t´ona është Kanuni i Lekë Dukagjinit. Askush nukë munt t´i afrohej At Gjeçovit në diturin´e këtij Kanuni. Na tregoj një dorëshkrim nj´a dy-mij faqesh, studiim i palodhur e i hollë ku kish mbetur nga mendimet juridike të Shqipërisë në Kohën e Mesme, mendime të cilat ngjan t´i kenë rrënjët shumë përte Kohës së Mesme.
      Në kat të sipërm të famullisë, permi një tryezë të madhe, ish shtruar një tok vjetërirash greko-romane, të zbuluara dhe me një shie t ëmbaruar, nga dora vetë e At Gjeçovit. Mbaj mënt, veçan, një enë të vogël të qojtur "lacrumatorium" lotore, asish që të vjetrit, në besim se të vdekurit qajnë të shkuarit e jetës tyre, i mbulojin në varr bashkë me të vdekurit që ky të kish se ku t´i mblithe lottë.Nuk më shkonte ahere kurrë nër mënt se pas ca vjet sicilido prej nesh, miq dhe admironjës të tij, do të kishim nevojë qi në gjallësi për nga një lotore ku të mbledhim lottë t´ona për At Gjeçovin...
      Bir i përulët i Shën Franciskut, e ditur me një dituri pa tingëllim, po dhe Shqiptar i kthjellt. At Gjeçovit, që përkiste çdo mirësi, nuk i mungoj asnjë hidhërim, asnjë çpifje , më e çuditshmia e të cilave ndoshta është të mohuarit se ay ish Shqipëtar. Sepse ish lindur në një kufi gjúhërash, në një kufi ku sot mbaron hqipia dhe nis një tjatër, ca mëndje të klasës katërt, të pazonjat të kuptojnë se folësit e shqipes në vijën me të përparuar janë stërnipërit e atyreve që me qëndimin e tyre në Kohën e Mesme dhe pastaj ndaluan të mprapsurit e vijës më tehú , ca mëndje të klasës katërt e përmbysin të vërtetën dhe e kthjenë në të sharë atë që është një lavdi.
      Po At Gjeçovi është përmi çdo sharje. Emri i këtij njeriu të rrallë do të vejë duke u-ritur- dhe një ditë famulia e Gomsiqes do të jetë një nga gurët e shëntëruar të Shqipëtarësisë.
      1925

  1. Shtjefën Gjeçovi NË ENCIKLOPEDI
  2. Faik Konica NË ENCIKLOPEDI; Copë e nxjerrur nga : Faik Konica Vepra 1, N.B."RILINDJA" f.229-2231 e cila thotë: Marrë fjalë per fjalë pre fletores "Dielli" 18 Marc 1930, nr.5156; si dhe u botua në: "Kanunin e Lekë Dukagjinit"


< 7
faqe
- 8 -

9 >