Kushkuj/9
< Kushkuj
( 1930 - 2004 )
- Alfred Moisiu [2]
- “babai” i letërsisë për fëmijë
- …Bedri Dedja është një emër i nderuar i letrave dhe arsimit shqiptar, personalitet i kulturës dhe shkencës sonë, “babai” i letërsisë për fëmijë, siç e kanë cilësuar me të drejtë për së gjalli; ai është i pranishëm në ballë të bibliotekave të mbarë shqiptarëve; romanet, librat me poezi e rrëfenjat, përkthimet nga letërsia botërore, janë të shumta e cilësore; ato kanë ushqyer dhe edukuar me ndjenjën e dashurisë dhe solidaritetit shoqëror, me frymën e atdhetarizmit dhe bukurisë artistike të shqipes mijëra e mijëra lexues, anembanë vëndit.
- Rexhep Qosja[3]
- Krijuesi i pavdekshëm
- Bedri Dedjen e kam njohur edhe para se të shkoja në Tiranë, në vitin 1970: e kam njohur permes prozave të tij për fëmijë që në Kosovë ishin sjellë prej profesorëve, të cilëve u ishte bërë e mundur të shkojnë në Shqipërinë shtetërore pas vendosjes së mardhënieve kulturore midis Shqipërisë dhe Kosovës. Mbas këtij viti, në Tiranë do të shkojë edhe shumë herë të tjera dhe gjithnjë, kur kthehesha në Prishtinë, kisha me vete vepra të reja të Bedri Dedjes. Si të mos kisha? Bedri Dedja ishte krijues shumë i lexuar e shumë i dashur dhe njëkohësisht, krijues shumë i frytshëm. Ai ishte krijues i tregimeve, i përrallave dhe i romaneve për fëmijë, por ai ishte edhe kritik e studiues i gjithë letërsisë shqipe për fëmijë. Bedri Dedja ishte, kështu, krijues me prirje të gjithanshme. Si cilësia ashtu edhe numri i veprave të tij letrare dhe shkencore e dëshmojnë një të vërtetë tashmë të pranuar nga studiuesit e psikologjisë së krijimtarisë: e dëshmojnë të vërtetën se përkushtimi ndaj krijimtarisë artistike e asaj shkencore, apo artistike dhe shkencore njëkohësisht është përbërës i domosdoshëm i dhuntisë së madhe krijuese.
- E Bedri Dedja ishte krijues me dhunti të madhe krijuese.
- Në veprën e tij shumëvëllimshme letrare dhe studimore janë bashkuar vlera e lartë artistike e shkencore dhe vlera e madhe humaniste. Janë këto dy cilësi që veprën e një krijuesi e bëjnë të përhershme, kurse krijuesin e saj të pavdekshëm.
- Hamit Beqja[4]
- mendimtar erudit ... një shëmbull i rendimenti të lartë në punë...
- …Psikolog, pedagog, historian i arsimit dhe i pedagogjisë, kulturolog, mendimtar erudit, shkrimtar i shquar për fëmijë, një shëmbull i rendimenti të lartë në punë: me të drejtë Bedri Dedja konsiderohet si dekani i letërsisë së sotme shqiptare për fëmijë. Në këtë fushë ai na shfaqet tejet i gjithanshëm – krijues, teoricien cilësor, kritik, historian. Hartues i mbi 60 veprave letrare, midis të cilave shquhen “Heroizmat e Fatbardh Pikaloshit”, “Një udhëtim i rrezikshëm”, “Kalamajtë e pallatit tim”, “Republika e 1100 çudirave”, etj. Në Shqipëri Bedriu është një figurë popullore, por atë e njohin mirë edhe jashtë truallit amë, kudo që ka shqiptarë e në vënde të tjera.
- Me kthjelltësi të rrallë mendimi, me një të folur të qartë e të shtruar, të rrjedhshëm e të këndshëm, shquhej në komunikimin me të gjithë, që nga kolegët e deri tek lexuesit e vegjël, fëmijët.
- Agim Deva[5]
- ... kolosi, themeluesi dhe babai i modernitetit në letërsinë tone për fëmijë...
- …Bedri Dedja (1930-2004) është kolosi, themeluesi dhe babai i modernitetit në letërsinë tone për fëmijë, të cilin do ta nderojmë për një kohë të gjatë, sepse puna e tij shënon një epokë kthesash të mëdha. Prej tij kemi mësuar se letërsia shkruhet edhe ndryshe…
- Pajazit Nushi[6]
- ... prijëtar në pavarësimin e shkencës psikologjike shqiptare ...
- …Bedri Dedja u bë prijëtar në pavarësimin e shkencës psikologjike shqiptare. Krijues si ai janë njëkohësisht edhe dëshmitarë të asaj pikëpamjeje, sipas së cilës, të menduarit krijues në shkencë dhe në art kanë pikëtakim dhe, në kushte të veçanta, shfaqen si në njërin, ashtu edhe në lëmin tjetër krijues.
- Astrit Bishqemi[7]
- ... një nga themeluesit dhe shtyllat e letërsisë për fëmijë ...
- …Akademiku Bedri Dedja ka qënë një nga themeluesit dhe shtyllat e letërsisë për fëmijë të pasçlirimit. Ishte një personalitet shumëplanësh: poet e prozator, përrallëtar e tregimtar, dramaturg, novelist e romancier, përkthyes e kritik, studiues e teoricien i letërsisë shqiptare për fëmijë. Fitues i shumë çmimeve letrare, mbajtës i “Çmimit të Republikës” dhe titullit “Mjeshtër i Madh i Punës”, Bedri Dedja është vlerësuar gjithashtu nga Qëndra Ndërkombëtare e Biografive në Kembrixh, duke zënë një vend nderi në vëllimin XVI të biografive, si një nga autorët më të shquar të shekullit XX.
- Agim Shehu[8]
- Të tillë, brezat do ta kujtojnë gjithmonë përpara tyre.
- Bedri Dedja ka fatin e njerëzve, të cilët jetën e këputur e zgjatin me emrin që lënë. E kisha pedagog Fakulteti e ai ishte vetëm katër vjeç më i rritur se studenti (më pas, e takoi studentin - punëtor Metalurgjie, mbuluar çizmet me baltë e sytë, gati në përlotje i morën një ndriçim qielli në fytyrë njeriu).
- Qe koha kur njeriut për të mbijetuar i duhej të tkurrej sadopak. Por ai, tërë jetën, si mësues e si shkrimtar, me fjalën e tij ushqeu rritjen dhe lulëzimin e njeriut. I përkushtuar tërë jetën diturisë e artit, ai arriti që të krijonte mbretërinë e Fjalës së vet, prej nga buronte humanizëm e çiltërsi. Me inteligjencën e veçantë në sytë e ëmbël e me fisnikëri të bukur në shpirt ai ruante përfytyrimin e figurës që u takon të gjithëve. Në letërsi, ai jo rastësisht na foli nga bota e fëmijëve, sepse vetë, edhe i rritur kish’ diçka prej fëmijë në qënien e tij. Duke përshkruar jetën e brishtë të të vegjëlve, tërthoraz i thoshte dhe shoqërisë së rritur që ta ruante çiltërsinë fillestare të njeriut nga shtrëmbërimi i mundshëm i shpirtit në diktaturë. Në tërë krijimet e tilla që la, nëpër rreshtat e librave ecte fëminija e tij, e cila Bedriun e mbante përdore, si një fëmijë të rritur me të qeshurën e të vegjëlve në buzë.
- Të tillë, brezat do ta kujtojnë gjithmonë përpara tyre.
- Ilinden Spase[9]
- ... shëmbulli i një njeriu virtuoz, me një kapacitet të jashtëzakonshëm intelektual. ...
- …Me punën e tij të gjithanshme drejtuese e krijuese, ai ishte shëmbulli i një njeriu virtuoz, me një kapacitet të jashtëzakonshëm intelektual. Në çdo çast ai punonte, edhe kur pinte kafe, edhe kur shëtiste ; mëndja e tij për shkollën, për arsimin, për edukimin e fëmijëve e të brezit të ri, do të mendonte. Dhe s’kishte si të ndodhte ndryshe, kur tashmë, në laboratorin e punës së tij krijuese numërojmë mbi 70 vepra pedagogjike, të dala nga dora e tij e që kanë luajtur një rol të madh në zhvillimin e arsimit tonë kombëtar ; mbi 60 vepra për letërsinë për fëmijë dhe po aq përkthime nga klasikët botërorë. Nga duart e tij kanë dalë me qindra artikuj publicistikë, të shpërndara në shtypin e kohës e që mbushin bibliografinë e tij me një numër prej 2000 zërash. E kjo është vetëm pjesa e dukshme e krijimtarisë, ndërsa ajo e padukshmja, si korrespondencat, reçensat, studimet, raportet, etj. mund të kapin edhe aq vëllime sa janë botuar…
- Gëzim Tushi[10]
- Gjithë jetën në libër, pranë librave, penës, fjalës dhe miqve.
- …Kultura e gjërë poliedrike e Prof. Bedri Dedes ishte rezultat i një pune skrupuloze, sistematike, e cila filloi që kur u ul në bankën e shkollës, si nxënës dhe deri sa mbylli sytë. Gjithë jetën në libër, pranë librave, penës, fjalës dhe miqve. Kaq shumë kulturë kishte, saqë ishte njëri nga njerëzit, tek i cili personaliteti i tij autoritar dhe kultura ishin bërë një dhe të pandarë. Ishte vështirë të dalloje te Profesor Bedri Dedja, se ku fillonte kultura e akumuluar nga të tjerët dhe ku fillonte kultura që buronte prej personaliteti të tij. E gjithë qënia e tij rrezatonte kulturë. . . Prof. Bedri Dedja nuk ishte vetëm letrar, shkencëtar dhe akademik : ai njëherësh ka qënë qytetar me vlera dhe i spikatur. . Ai ishte njeriu me dinjitet, i fortë përballë dallgëve, burrëror dhe konstant në vlerat si qytetar. Tek ai ishin bashkuar bukur dimensioni i shkencëtarit me qytetarin, pa asnjë sforcim. Kjo ka qënë mbase edhe vlera më e madhe e tij si njeri i dijes, i inteligjencës, i popullit…
- Hysen Sinani[11]
- ... mbetet novator ...
- …Bedri Dedja, që në vitet e ngurtësisë më të madhe të konformizmit të përgjithshëm komunist, mendonte se edukimi njerëzor i fëmijëve vinte shumë më përpara edukimit ideologjik të tyre. Bënin sikur nuk e vinin re, ose nuk dinin ta lexonin siç duhej, kjo është një çështje e personalitetit të tij : ndonëse akademik, nuk u deformua nga asnjë sforcim tendencash politike…Në fillim e deri në fund të viteve 80-të, kur eksperimentit komunist kishte nisur t’i rrëzoheshin një e nga një panciret e ndryshkura, me të cilat kishte shushatur për vite me rradhë të pamësuarit dhe të paditurit, Bedri Dedja ishte në harmoni me mendimin e ri të bijve të tij dhe të miqve të tyre, se këtij sistemi i kishte ardhur fundi. Ai ishte një pedagog dhe shkrimtar humanist, më tepër se moralist…veprat e tij mund ta vërtetojnë lehtësisht se sa ishte dhe mbetet novator ky anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë…
- Ferhat Cakaj[12]
- ... model i Njeriut të Mirë ... luftëtar i paepur për progres ...
- …Tani, ne kemi në dorë veprën pesëdhjetë-vjeçare të Prof. Beri Dedes, krenarinë që Ai do të rrojë mes nesh si model i Njeriut të Mirë, studiuesit e shkrimtarit, pedagogut, luftëtarit të paepur për progres, me vështrim përherë tek e ardhmja e shoqërisë dhe e atdheut tonë të dashur.
- Llambro Mallamas[13]
- …Një shkrimtar i madh e i talentuar shqiptar…
- …Një shkrimtar i madh e i talentuar shqiptar… e sidomos e madhe është puna e Bedri Dedes në fushën e letërsisë për fëmijë dhe problemeve të ndryshme të rinisë…
- Francis Cousin[14]
- ... su représenter brillamment et avec distinction le génie albanais ...
- …Membre de l’Académie des Sciences à Tirana, Prof. Bedri Dedja a su représenter brillamment et avec distinction le génie albanais au travers de sa féconde activité littéraire qui réserve une place spéciale aux besoins de l’enfance. Fin connaisseur et ami de la Suisse, il a apporté sa contribution au renforcement des liens d’amitié entre nos deux pays par le biais de ses écrits.
- Viron Kona[15]
- ... yll i pashuar i letërsisë për fëmijë. ...
- …Bedri Dedjen nuk e kemi më midis nesh, por e ndjejmë përherë pranë nëpërmjet librave të tij të mrekullueshëm. Ndodh si me yjet, që ndonëse ndodhen miliarda kilometra larg nesh, edhe kur shuhen, vazhdojnë të na dërgojnë dritën e tyre. Bedri Dedja mbetet një yll i pashuar i letërsisë për fëmijë. Ai vazhdon të përhapë dhe të dërgojë dritë vezulluese, ngrohtësi, mirësi dhe dashuri njërëzore, mesazhe paqeje dhe humanizmi, veçanërisht te lexuesit e vegjël, që ai i donte aq shumë dhe që u kushtoi pjesën më të madhe të jetës dhe të energjisë krijuese.
- Shpresa Vreto[16]
- ... zërin i tij atëror u thotë ngadalë: “Na ishte njëherë”. ...
- …Sivjet xhaxhi Bedriu do të mbushte 74 vjet. Por u nda nga jeta kaq papritur. Ai mbetet i gjallë mes librave të tij. Po, lexues të vegjël, është aty, mes fletëve, si një personazh i gjallë dhe me zërin e tij atëror u thotë ngadalë: “Na ishte njëherë”. . . Po, ja se kush…Një njeri i mirë, i dashur, një mësues dhe mik besnik i fëmijëve: Bedri Dedja.
- Moikom Zeqo[17]
- ... “babai” i Fatbardh Pikaloshit ...
- …Shuhet Bedri Dedja, “babai” i Fatbardh Pikaloshit, i cili nuk mundi ta përdorë në kohë shkopin e tij magjik, për t’i ridhënë jetë krijuesit të tij ...
- Alma Mile[18]
- ... të rriturit ndjehen jetimë ...
- …Të gjithë ata të rritur, që dikur harroheshin pas aventurave të Fatbardh Pikaloshit, me fyej magjikë e katallanë, dje janë ndjerë nga pak jetimë… Babai i letërsisë për fëmijë dhe akademiku Bedri Dedja është ndarë nga jeta…
- ↑ Bedri Dedja NË ENCIKLOPEDI
- ↑ Burrshtetas shqiptar; Alfred Moisiu NË ENCIKLOPEDI. Pjesë e nxierru nga Albeuropa, Romë
- ↑ Akademik shqiptar; Rexhep Qosja NË ENCIKLOPEDI. Pjesë e nxierru nga Albeuropa, Romë
- ↑ Akademik shqiptar; Hamit Beqja NË ENCIKLOPEDI. Pjesë e nxierru nga Albeuropa, Romë
- ↑ Shkrimtar shqiptar; Agim Deva NË ENCIKLOPEDI. Pjesë e nxierru nga Albeuropa, Romë. Pjesa e plotë gjenden tek gazeta e drejtpërdrejtë Hrmesnew; Peshku pa ujë, nëse na japin lejen do ta marrim edhe ne.
- ↑ Akademik shqiptar; Pajazit Nushi NË ENCIKLOPEDI. Pjesë e nxierru nga Albeuropa, Romë
- ↑ Astrit Bishqemi NË ENCIKLOPEDI. Pjesë e nxierru nga Albeuropa, Romë
- ↑ Poet shqiptar Agim Shehu NË ENCIKLOPEDI. Pjesë e nxierru nga Albeuropa, Romë
- ↑ Prof.dr. Ilinden Spase NË ENCIKLOPEDI. Pjesë e nxierru nga Albeuropa, Romë
- ↑ Gëzim Tushi NË ENCIKLOPEDI. Pjesë e nxierru nga Albeuropa, Romë
- ↑ Hysen Sinani NË ENCIKLOPEDI. Pjesë e nxierru nga Albeuropa, Romë
- ↑ Ferhat Cakaj NË ENCIKLOPEDI. Pjesë e nxierru nga Albeuropa, Romë
- ↑ Kritik letrar grek, Llambro Mallamasj NË ENCIKLOPEDI. Pjesë e nxierru nga Albeuropa, Romë
- ↑ Ambasador zvicëran, Francis Cousin NË ENCIKLOPEDI. Pjesë e nxierru nga Albeuropa, Romë
- ↑ Viron Kona NË ENCIKLOPEDI. Pjesë e nxierru nga Albeuropa, Romë
- ↑ Shpresa Vreto NË ENCIKLOPEDI. Pjesë e nxierru nga Albeuropa, Romë
- ↑ Moikom Zeqo NË ENCIKLOPEDI. Pjesë e nxierru nga Albeuropa, Romë
- ↑ Alma Mile NË ENCIKLOPEDI. Pjesë e nxierru nga Albeuropa, Romë