Jeronim de Rada[1]
( 1814 - 1903 )

Faik Konica [2]
      Jam prej atyreve që mendojnë se, përpara varrit të një njeriu si Rada[3], duhet pak fjalë, e pal fjal arrijnë.
      Jeta e Radës është e kulluar si ujët e një kroit nër malet. I lindur, prej rrënje shqiptare, në Macchia Albanese, katund i vogël i Kalabris, më 1814, - që në vjetët e djalërisë mendja e tij, zemra e sytë tij u kthyen në Shqipëri, te vendi i stërgjyshëve. Më 1836 botoi të parin lbër të tij. "Milosao", përrallë historiake në vjersha shqip: ish 22 vjetsh; më 1900, - 86 vjetsh! - shkroi për herë të fundit. Në mes të këtyre dy motërsirave janë 60 e ca vjet, e Rada i gjorë i shkroi duke botuar shkrime të panumërueshme shqip a italisht, po më të shumat përmi Shqipërinë e shqiptarët.
      Për të folur vërtet, vlera e këtyre librave s´na duket aq e madhe. Gjuha e Radës është shqip vetëm nga rrënja e fjalëve, po këto fjalë janë aq të ndryshuaranën pendë të tij e aq ligsh të lidhura sa merren vesh me të vështirë a s´merren vesh fare. E mjerisht - vallë pse? Ndofta nga vobësia - s´vajti as kurrë në Shqipëri, që ta kish ndrequr gjuhë e tij. Sikur të kish bërë një udhëtim gjashtëmuajsh te vendi i të parëve, do të kishim sot në gjuhën tonë disa libra që mund të ishin kryepunëra.
      Po ku ëshë madhëria e Radës? Në dashuri të nxehtë e kurrë të lodhur për Shqipërinë. Ky plak 90 vjetsh, kish edhe për atdhenë e shkretë një zemrë 20 vjetsh djalë. Ç´bukuri në këtë jetë të kthyer tri të katërta shekulli me një mendim, - të mbshtetur më një shpresë! Ç´mësim i madh për ne të gjithë! Besonj se Rada edhe të kish njohur nonji Demir Onbash, nonjë prej atyre moraveseve që janë plaga e turpi i vendit tonë e që e bëjnë herë-herë më të vërtetin atdhetar ta kthejë me ndot kryet prej një atdheu që s´i përpi të tillë qelbanikë, besonj se prapë Rada s´do të ish ftohur, ne aq zjarrë e donte Shqipërinë!
      Edhe vini re, ju lutem, në ç´kohë Rada nisi të punojë; Në një kohë kur Italia ish e ndarë në nja dhjetë shtetetë vogla, kur ish edhe larg mbretëria italiane me propagandët e me mendimet e saja në Shqipëri. Rada, pra, është nër ata të rallët e Italisë që mund të thuhen me të vërtetë jo vetëm shqiptarë, por atdhetarë shqiptarë.
      Ata italianë që i thonë vetes "italo-albanesi", sado e përdornë e do ta përdorin emrin e qëruar të Radës për qëllimet e tyre, nuk patnë as mendimin të mbledhin një dihmë për plakun e mjerë, i cili e shkoi pleqërinë në mëshirë e në vatrë të huaj. Thonë se janë 200,000, e të gjithë atdhetarë. Në janë aq e ashtu, sikur të kishin dhënë nga 5 para njëri. Rada i ngratë s´do të kish vuar aqë të liga në pleqëri...
      Këtij Shqiptari të vërtetë, le t´i falemi, O Shqiptarë!
      1903

  1. Jeronim de Rada NË ENCIKLOPEDI
  2. Faik Konica NË ENCIKLOPEDI; Copë e nxjerrur nga : Faik Konica Vepra 1, N.B."RILINDJA" f.225-226
  3. emri i plotë sipas librit është Girolamo de Rada


< 4
faqe
- 5 -

6 >