Kush e çka, për Kosovën/4
Në amzën e "Radio Bullgaria - Redaksia shqip"
- Botuar më: shkurt 17, 2008, 4:27.MD BG
- Pritet shpallja e pavarësisë së Kosovës
- Pritet që më vonë këtë pasdreke Parlamenti i Kosovës të votojë deklaratën për pavarësinë e provincës. Agjencia serbe Tanjug bëri të ditur se kryeministri i Serbisë Vojsllav Koshtunica do të mbajë një fjalim para popullit serb në lidhje me shpalljen e njëanshme të pavarësisë nga Prishtina. BE-ja miratoi ditën e shtunë dërgimin e një misioni civil për mirëmbajtjen e rendit dhe sigurimit në Kosovë, të ngarkuar me detyrën ta ndihmojë provincën në tranzicionin e saj drejt pavarësisë. Ministrat e jashtëm të vendeve nga Bashkimi do të diskutojnë ditën e hënë në Bruksel ngjarjet në Kosovë. Shtetet e bashkuara dhe aleatët e tyre do të duhet të bëjnë të gjitha përpjekjet, që të mos ketë dhunë në Kosovë, deklaroi sot presidenti George Bush, i cili është për vizitë në Tanzani. Pozita jonë sa i përket Kosovës është për një status të rregulluar, që të ketë stabilitet në Ballkan, deklaroi gjithashtu Bush. Ai theksoi se është në interes të serbëve të bashkohen me Evropën, kurse populli serb duhet të dijë se Amerika është mik i tyre.
- Botuar më: shkurt 17, 2008, 5:27.MD BG
- Kosova shpalli pavarësinë e saj
- Kosova shpalli pavarësinë e saj. Në një deklaratë, të cilën kryeministri Hashim Thaçi e lexoi në mbledhjen solemne të parlamentit ai nënvizoi se mbrojtja e minoriteteve do të jetë strategji e shtetit të ri sovran. Thaçi tha se Kosova do që të ketë marrëdhënie të mira me të gjithë, përfshi këtu edhe Serbinë. Ai iu drejtoi minoritetit serb në gjuhën serbe me kërkesën që të bëjnë çmos për t’u marrë pjesë në të ardhmen e Kosovës, duke theksuar se Kosova nuk do të kthehet kurrë te Beogradi. Ai garantoi se të gjitha komunitetet do të integrohen në shtetin demokratik dhe garantoi barazi për të gjithë. “Kosova do të zhvillohet si një shtet i integruar në regjionin ballkanik dhe do të ketë për qëllim anëtarësimin në NATO dhe BE”- deklaroi presidenti Fatmir Sejdiu para Parlamentit. “Ne jemi për një shtet demokratik të të gjithë qytetarëve, në bashkëpunim me komunitetin ndërkombëtar” – nënvizoi kryetari i Parlamentit Jakup Krasniqi.
- Botuar më: shkurt 17, 2008, 6:12.MD BG
- Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës
- Serbia nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës, shpalli presidenti serb Boris Tadiç në një mesazh para të gjitha mediave në vend. Ai theksoi se Serbia do të shfrytëzojë të gjitha mënyrat paqësore, që të mos njihet pavarësia e Kosovës. KFOR dhe UNMIK mbajnë përgjegjësinë për ruajtjen e jetës së serbëve në Kosovë. Këtë e shpalli nga ana e vet kryeministri serb Vojsllav Koshtunica. Sipas Koshtunicës shpallja e pavarësisë bëhet me ndihmën e SHBA-së, e cila e ka detyruar Evropën ta ndjekë në rrugën e saj. Ai tha se Serbia refuzon vendimin e BE-së për dërgimin e një misioni në Kosovë. Beogradi nuk ka në plan të imponojë bllokadë mbi Kosovën dhe të ndërmarrë veprime ushtarake kundër shpalljes së pavarësisë së saj, deklaroi ministri serb për Kosovën Sllobodan Samarxhiç, cituar nga AFP.
- Botuar më: shkurt 17, 2008, 6:13.MD BG
- Rusia hodhi poshtë pavarësinë e Kosovës
- Rusia përkrah kërkesat e Serbisë për rimëkëmbjen e tërësisë territoriale të vendit në lidhje me vendimin e Parlamentit të Kosovës, thuhet në njoftimin e Ministrisë Ruse të Punëve të Jashtme, bëri të ditur RIA Novosti. Rusia mendon se deklarata për pavarësinë e Kosovës krijon rrezik nga rritje e tensionit etnik si edhe nga konflikte të reja në Ballkan.
- Botuar më: shkurt 17, 2008, 7:01.MD BG
- Bullgaria do të shpallë pozitën e saj për Kosovën pas takimit të ministrave të jashtëm nga BE-ja
- Bullgaria do të shpallë pozitën e saj sa i përket pavarësisë së Kosovës pasi situata e re diskutohet ditën e hënë nga ministrat e jashtëm nga BE-ja. Kjo thuhet në një deklaratë të zëdhënësit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bullgarisë Dimitër Cançev. Pala bullgare udhëhiqet para se gjithash nga domosdoshmëria për ruajtjen e stabilitetit në regjion dhe për shmangien e rritjes së tensionit në dhe rreth Kosovës, thuhet në deklaratë. Bullgaria do të paraqesë pozitën e saj në Këshillin e Ministrave të Jashtëm dhe do të vazhdojë të punojë aktivisht për arritjen e një pozite unike të BE-së, e cila në një shkallë të madhe të minimizojë rreziqet për sigurimin e Kosovës, në regjion dhe në Evropë.
- Botuar më: shkurt 17, 2008, 7:20.MD BG
- SHBA-të përshëndetën deklaratën për pavarësi të Kosovës
- SHBA-të përshëndetën deklaratën për pavarësi të Kosovës, transmetoi agjencia Rojters. “Aktualisht SHBA-të diskutojnë këtë çështje me partnerët e tyre evropianë”, deklaroi një burim nga Departamenti i shtetit të SHBA-së.
- Botuar më: shkurt 17, 2008, 8:12.MD BG
- Konferencë shtypi e udhëheqësve të Kosovës
- Në një konferencë shtypi presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu u bëri thirrje të gjitha vendeve në botë të përkrahin dhe ta njohin pavarësinë e Kosovës. “Do të mirëmbajmë marrëdhënie të fqinjësisë së mirë me të gjitha vendet, sidomos me Serbinë”, saktësoi ai. Sejdiu nënvizoi se Këshilli Kushtetues do të fillojë përpunimin e Kushtetutës së Kosovës dhe të ligjeve të domosdoshme. Kryetari i Parlamentit Jakup Krasniqi theksoi se nga data 17 shkurt 2008 historia e Ballkanit dhe e Evropës ndryshohet. Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi vuri në dukje në konferencën e shtypit se Kosova është një vend demokratik multietnik, me të ardhme në organizatat ndërkombëtare. Kosova do të bëjë çmos që të jetë me marrëdhënie të mira me vendet evropiane. “Vetëm në këtë mënyrë do të mund të arrijmë stabilitet në Ballkan”, tha Thaçi.
- Botuar më: shkurt 17, 2008, 8:20.MD BG
- Reagjime pas shpalljes së deklaratës për pavarësinë e Kosovës
- Deklarata e miratuar nga Parlamenti i Kosovës për pavarësi është “një ngjarje e rëndësishme” për Kosovën, deklaroi në Londër zëdhënësi i Zyrës Forin. Ministri i jashtëm francez Bernar Kushner i uroi Kosovës “rrugë të mbarë”, transmetoi AFP. Në një konferencë shtypi ai e vlerësoi ngjarjen si “sukses të komunitetit evropian dhe të Evropës.”
- Botuar më: shkurt 17, 2008, 8:33.MD BG
- Departamenti i shtetit të SHBA-së për pavarësinë e Kosovës
- “Pavarësia e Kosovës është një vendim, i cili do të shtyjë përpara edhe Serbinë, edhe Kosovën”, deklaroi zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA-së Shon Makkomark, cituar nga DPA. SHBA-të po diskutojnë me partnerët e tyre evropianë veprimet e mëtejshme pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Vizitoni burimin : www.bnr.bg/RadioBulgaria/Emission_Albanian
< 3 |
faqe - 4 - |
5 > |