Dhjata e Vjetër
< JOZUEU >
Kapitulli 5
1 | 2 | 3 | 4 | 5 | 6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 | 12 | 13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 | 19 | 20 | 21 | 22 | 23 | 24


1 Kur të gjithë mbretërit e Amorejve që ndodheshin matanë Jordanit në drejtim të perëndimit dhe tërë mbretërit e Kananejve që ishin pranë detit mësuan që Zoti kishte tharë ujërat e Jordanit para bijve

2 Në atë kohë Zoti i tha Jozueut: "Bëj thika prej guri dhe fillo përsëri të rrethpresësh bijtë e Izraelit".

3 Kështu Jozueu bëri thika prej guri dhe rrethpreu bijtë e Izraelit mbi kodrinën e Haaralothit.

4 Kjo qe arsyeja për të cilin Jozueu i rrethpreu; i tërë populli që kishte dalë nga Egjipti, meshkujt, tërë burrat luftëtarë, kishin vdekur në shkretëtirë gjatë rrugës, mbasi kishin dalë nga Egjipti.

5 Ndërsa tërë populli që kishte dalë nga Egjipti ishte rrethprerë, tërë populli që kishte lindir në shkretëtirë gjatë rrugës mbas daljes nga Egjipti, nuk ishte rrethprerë.

6 Në fakt bijtë e Izraelit kishin ecur dyzet vjet nëpër shkretëtirë deri sa tërë populli, domethënë luftëtarët që kishin dalë nga Egjipti, u shkatërruan, sepse nuk i ishin bindur zërit të Zotit. Atyre Zoti u ishte betuar që nuk do t'u tregonte vendin që do t'u jepte etërve të tyre, një vend ku rrjedh qumësht dhe mjaltë.

7 Kështu Jozueu i rrethpreu bijtë e tyre, që Perëndia i kishte vënë në vend të tyre, sepse ishin të parrethprerë, sepse nuk ishin rrethprerë gjatë rrugës.

8 Kur mbaroi rrethprerja e tërë meshkujve, ata qëndruan atje ku ishin, në kamp, deri sa u shëruan.

9 Atëherë Zoti i tha Jozueut: "Sot ju hoqa turpërimin e Egjiptit", dhe ai vend u quajt Gilgal deri në ditët e sotme.

10 Bijtë e Izraelit e ngritën kampin e tyre në Gilgal dhe e kremtuan Pashkën ditën e katërmbëdhjetë të muajit, në të ngrysur, në fushat e Jerikos.

11 Të nesërmen e Pashkës hëngrën prodhime të vendit, bukë të ndorme dhe grurë të pjekur po atë ditë.

12 Të nesërmen hëngrën prodhime të vendit, mana mbaroi; kështu bijtë e Izraelit nuk patën më manë, por atë vit hëngrën frytet e vendit të Kanaanit.

13 Por ndodhi që, ndërsa Jozueu ishte afër Jerikos, ngriti sytë dhe shikoi, dhe ja, një njeri i qëndronte përpara, me në dorë një shpatë të zhveshur. Jozueu i doli përballë dhe i tha: "A je ti për ne o për armiqtë tanë?".

14 Ai u përgjigj: "Jo, unë jam kreu i ushtrisë së Zotit; sapo kam arritur në këtë çast". Atëherë Jozueu ra përmbys para tij dhe tha: "Çfarë dëshiron t'i thotë Zotëria ime shërbëtorit të tij?".

15 Kreu i ushtrisë së Zotit i tha Jozueut: "Zbath sandalet, sepse vendi ku je është i shenjtë". Dhe Jozueu veproi ashtu.