Iluminizmi i Emanuel Kantit/1
Përgjigja e pyetjes
Ç’është Iluminizmi?
Iluminizmi është dalja e njeriut nga një minoritet për të cilin është fajtor ai vetë. Minoritet është pazotësia të shfrytëzosh aftësinë tënde mendore pa drejtimin e dikujt tjetër. Ky minoritet është fajtor, kur shkaku i tij nuk është mangësia e intelektit, por mungesa e vendosmërisë dhe e kurajos për të shfrytëzuar intelektin tënd pa drejtimin e tjetërkujt. Sapere Aude! Ki kurajon të përdorësh intelektin tënd! Kjo është motoja e iluminizmit. Dembelizmi dhe frika janë shkaqet që një pjesë e mirë e njerzve, edhe pse natyra prej kohësh i ka çliruar nga udhëheqja e të tjerëve (naturaliter maiorennes), i nënështrohen vullnetarisht, për gjithë jetën, minoritetit, gjë që lehtëson të tjerët të bëhen tutorë të tyre. Është kaq rehati të jesh në minoritet. Nëse një libër arsyeton në vendin tim, një udhëheqës shpirtëror ka ndërgjegje për mua, një mjek zgjedh dietën për mua, etj, është e qartë që s’ka pse të lodhem unë. S’është e nevojëshme të mendoj, nëse duhet vetëm të paguaj: të tjerë do të merren në vendin tim me këtë gjë kaq të bezdisëshme. Meqënëse tërësia e njerzve (përfshi të gjithë seksin e bukur) e konsideron hapin drejt rritjes, në vetvete të vështirë, madje edhe mjaft të rrezikshëm, mendojnë tashmë këta tutorë që kaq dashamirësisht e kanë marrë përsipër këtë kujdes. Pasiqë, në një kohë të mëparëshme shushatën kafshët e tyre shtëpiake dhe u kujdesën që këto krijesa paqësore, të mos bëjnë qoftë edhe një hap jashtë kularit në të cilin i kanë burgosur, u tregojnë madje rreziqet që i kërcënojnë nëse tentojnë të ecin me këmbët e tyre. Në të vërtetë, ky rrezik nuk është kaq i madh, nëse këta, duke e paguar qoftë edhe me një rrëzim, do të mësonin të ecnin vetë; por një shembull i kësaj natyre, zakonisht e bën të frikëshme dhe dekurajon çdo përpjekje të mëtejëshme. Është, pra, e vështirë për çdo njeri, vetë, të dalë jashtë një izolimi, tashmë (thuajse) natyrë e dytë. Ai ka mbrritur deri aty sa është dashuruar pas tij dhe është i tillë, si ç’është, realisht i pazoti të shfrytëzojë intelektin e tij, mbasi nuk i është lejuar kurrë të bëjë një përpjekje. Rregullat dhe formulat, këta instrumentë mekanikë të përdorimit racional, ose më saktë të keqpërdorimit racional të dhuntive të tij natyrale, janë prangat e një minoriteti të përhershëm. Kush do të lirohej, do të bënte vetëm një kapërcim në tym qoftë edhe mbi një hendek të vogël, sepse nuk është mësuar me një liri të tillë lëvizjesh. Ndaj, janë të paktë ata që ia dalin mbanë, me punën e shpirtit të tyre, shpleksen nga minoriteti dhe vijojnë me hapa të sigurt. Por, që një masë të ndriçojë vetveten, është e mundur; përkundrazi, mjafton që t’i krijosh kushtet dhe bëhet pothuaj e pashmangëshme. Ndodhen gjithmonë disa që mendojnë lirisht, madje edhe midis tutorëve të posaçëm të masave, të cilët, pasi kanë hequr qafe zgjedhën e minoritetit, përhapin frymën e një nderimi racional të bazuar mbi vlerën e njeriut dhe prirjes së tij për të menduar mëvetësisht. Veçanti, e këtij rasti, është që, publiku i mësuar prej tyre të pranojë zgjedhën, t’i detyrojë të rrinë posht, kur nxiten nga disa (të tjerë – shën. im) tutorë, që janë të pazot të ndriçohen: është kaq e rrezikëshme të mbjellësh paragjykime, sepse këto në fund hakmerren ndaj vetë krijuesit të tyre, që i ka pasur këto sajime pararendëse. Ndaj, një masë vetëm ngadalësisht mund të mbrrijë ndriçimin. Një revolucion, ndoshta sjell rënien e një despotizmi personal dhe të makutërisë për pasuri apo pushtet, por kurrë vërtetimin e një reforme në shprehjen e mendimit; paragjykime të reja, në fakt do t’u shërbejnë po kaq mirë të vjetrave si tërkuzë (shnegull) (a) për shumicën e masës që s’mendon.
< 0 |
faqe - 1 - |
2 > |