Ilirët
(Pjesa e pestë)
< Antika  

< Koinoni (lidhja) e moloseve  
< Lidhja molose  

Struktura e saj organizative Gjatë sundimit të Alketës, birit të Tharypës, shteti molos mori zhvillim të mëtejshëm. Nuk është përcaktuar me saktësi se në ç’kohë dhe në ç’rrethana e trashëgoi fronin. Dihet se në vitin 385 p.e.sonë ai gjendej i strehuar politik tek Dionizi, tirani i Sirakuzës. Në burimet historike nuk jepen as motivet që e shtynë Alketën të braktiste fronin. Ka mundësi që ky, duke dashur të vazhdonte politikën e aleancës me Athinën, në një kohë kur kjo kishte pësuar tashmë humbje ushtarake dhe diplomatike nga Sparta, të ketë ndeshur në kundërshtimin e partisë filospartane. Në këtë kohë kjo filloi të aktivizohej shumë, sidomos pas fitoreve të Agesilaut në Akarnani (389-388 p.e.sonë), që i hapën rrugën Spartës për të shtrirë ndikimin e vet jo vetëm në Greqinë Veriperëndimore, por edhe në Epir. Dionizi që ishte interesuar dhe po vepronte aktivisht për të vendosur një kontroll efektiv në detin Adriatik dhe mbi rrugët që të çonin për në Epir, e mirëpriti Alketën dhe e ndihmoi atë që të rikthehej në fronin e humbur. Me këtë mënyrë tirani i Sirakuzës synonte të siguronte një aleat të ri, që do të përkrahte pikësynimet e tij politike dhe tregtare në brigjet e Ilirisë dhe të Epirit. Për këtë qëllim në vitin 385 p.e.sonë, Dionizi bëri një marrëveshje me Alketën për të ndërhyrë ushtarakisht në territorin e shtetit të molosëve duke i siguruar një ndihmë efektive në kontingjente luftarake dhe armatime. Ky sulm i papritur i forcave të bashkuara iliro-sirakuzane, u shkaktoi molosëve rreth 15 000 të vrarë sipas Diodorit të Sicilisë. Përforcimet që u dërgoi Sparta molosëve nuk e ndryshuan gjendjen e tyre të vështirë. Siç duket, ajo nuk u angazhua aq shumë në këtë luftë, pasi nuk ishte e interesuar të hynte në konflikt me Dionizin. Kështu ky aksion i nxitur prej tiranit të Sirakuzës përfundoi me sukses dhe me rivendosjen e Alketës në krye të shtetit molos. Pasi përforcoi pozitat brendapërbrenda mbretërisë, Alketa vazhdoi politikën e zgjerimit territorial të shtetit të tij të filluar që në kohën e Tharypës, rivendosi marrëdhëniet e ndërprera për pak kohë, me Athinën. Në vitin 377 ndihmoi aktivisht Lidhjen e dytë detare të Athinës, duke lehtësuar veprimet e saj luftarake kundër Spartës në pellgun e Jonit. Në vitin 372 p.e.sonë Alketa i dha mundësi një reparti prej 600 pelltastësh të Stesiklit, të kalonin nëpër territorin molos dhe të lidheshin në Korkyrë përmes bregut të Epirit. Me politikën e tij ekspansioniste, Alketa arriti të shtrijë sovranitetin e vet mbi një territor të konsiderueshëm të Epirit. Sipas një mbishkrimi dekretor të viteve 370-368 p.e.sonë kufijtë e Mbretërisë Molose që trashëgoi në këtë kohë i biri i tij Neoptolemi, shtriheshin në lindje deri në Hestiotiden perëndimore, në verilindje deri në kufijtë e Orestides në luginën e sipërme të Haliakmonit dhe në veriperëndim përmes një rripi toke deri në kufijtë e Parauejes në rrjedhjen e mesme të Vjosës. Molosët dolën në det siç duket në zonën e Kestrinës, në veri të lumit Kalama (Thiamis). Nga perëndimi pas aneksimit të Dodonës në fund të shek. V p.e.sonë, molosët e shtrinë kontrollin e tyre deri tek lugina e sipërme e Aheronit. Kjo shtrirje territoriale e Mbretërisë Molose në kohën e Alketës, duket se përputhet plotësisht me cilësimin që i bën këtij sundimtari Polidami i Fardales në një fjalim të transmetuar nga historiani e gjenerali grek Ksenofoni, kur e quan atë “sundimtar suprem të Epirit”. Këto të dhëna burimore dhe epigrafike tregojnë se në kohën e këtij sundimtari dhe të pasardhësit të tij kishte avancuar mjaft procesi i bashkimit politik të popullsive të veçanta të Epirit, proces ky që çoi në krijimin e organizimit më të gjerë shtetëror që njihet me emrin Lidhja e Molosëve. Duke gjykuar nga të dhënat mbishkrimore të kësaj periudhe, në këtë Lidhje përveç molosëve bënin pjesë edhe shumë popullsi të tjera epirote, si tripolitët, kelaithët, paialët, arktanët, genoait, ethenestët, onopernët, etj. Këto grupe të veçanta etnike merrnin pjesë në qeverisjen e kësaj lidhjeje përmes përfaqësuesve të zgjedhur të tyre, të cilët në dekretet mbishkrimore quhen demiorgë ose synarhontë. Një mënyrë e tillë qeverisjeje, i jepte këtij formacioni të ri shtetëror karakter federativ, por nën hegjemoninë e molosëve. Lidhja Molose, e cila përfaqësonte etapën e parë në procesin e zgjerimit dhe të konsolidimit progresiv të shtetit federativ të Epirit, kishte një strukturë organizative të brendshme të përcaktuar qartë me institucione legjislative dhe ekzekutive. Në krye të Lidhjes së Molosëve qëndronte mbreti nga familja e Eakidëve. Por pushteti i tij, ashtu siç e thekson Aristoteli, ishte i kufizuar. Mbreti kur merrte pushtetin në dorë, ishte i detyruar të bënte fli në altarin e hyut të luftës në Passaron dhe të betohej përpara përfaqësuesve të shtetasve të tij, se do të sundonte sipas ligjeve të vendit. Përfaqësuesit nga ana e tyre, i premtonin mbretit se do ta përkrahnin atë gjatë sundimit të tij. Ky betim tradicional midis mbretit dhe përfaqësuesve, ishte një formë e trashëguar nga rendi i vjetër fisnor, por që tani merr një përmbajtje të re duke siguruar me këtë ndikimin e aristokracisë në drejtimin e kësaj lidhjeje shtetërore. Mbreti ishte komandant suprem i ushtrisë së Lidhjes Molose dhe gëzonte një pushtet të padiskutueshëm në kohë lufte. Pas mbretit funksionari më i lartë në Lidhjen Molose vinte Prostati, një magjistrat eponym që zgjidhej për çdo vit nga komunitetet e ndryshme etnike të bashkuara në këtë lidhje. Ai kryesonte kuvendin e popullit, e thirrte atë, drejtonte punët e tij, paraqiste propozimet për t’u miratuar etj. Në mbishkrime së bashku me prostatin përmendet edhe sekretari, që zgjidhej për çdo vit zakonisht nga i njëjti fis, të cilit i përkiste dhe prostati. Kuvendi i popullit përbëhej, me sa duket, nga të gjithë burrat e aftë për luftë, qofshin këta molosë apo anëtarë të bashkësive të tjera që përfshiheshin në Lidhjen e Molosëve. Ky kuvend votonte vendime, të cilat akordonin të drejta qytetarie, proksenie dhe privilegje të tjera. Në këtë kuvend legjislativ mund të merrnin pjesë të gjithë burrat e aftë për të mbajtur armë të të gjitha komuniteteve etnike të përfshira në Lidhjen e Molosëve. Kuvendi mund të mblidhej disa herë në vit, me përjashtim të rasteve të jashtëzakonshme. Vendi i mbledhjeve të tij ishte Passaroni, megjithëse ato mbaheshin edhe në qendra të tjera, si p.sh. në Dodonë etj. Vendimet apo ligjet për të cilat votonte Kuvendi, përgatiteshin siç duket nga një institucion tjetër i veçantë, nga Këshilli. Ky ndoshta ishte ai senat për të cilin flet Justini duke ia atribuar krijimin e tij mbretit Tharypë. Organ tjetër, i ndryshëm nga Këshilli, ishte dhe kolegji i përfaqësuesve të komuniteteve të ndryshme në Lidhjen e Molosëve, me anë të të cilëve ato merrnin pjesë në drejtimin e përbashkët të punëve të shtetit. Në krye të këtij kolegji, qëndronte mbreti nga familja e Eakidëve dhe dy magjistratët e zgjedhur çdo vit, prostati dhe sekretari, të cilët mund të ishin molosë ose jo. I tërë ky organizim shtetëror i jepte Lidhjes Molose, që përfaqësonte njëkohësisht dhe shtetin më të fuqishëm në Epir deri në çerekun e fundit të shek. IV p.e.sonë, formën e një shteti federativ monarkik. Pas viteve 60 të shek. IV p.e.sonë në politikën e jashtme të Lidhjes Molose vihen re ndryshime të dukshme, që çuan në zgjerimin territorial dhe në fuqizimin e mëtejshëm politik të saj. Në këtë kohë në kufijtë verilindorë të Epirit filloi të mëkëmbet me shpejtësi shteti maqedon. Gjatë sundimit të Filipit II Maqedonia u shndërrua në një monarki të fuqishme të centralizuar, në një forcë kryesore politike dhe ushtarake në Ballkan. Duke shfrytëzuar krizën e shteteve greke, Filipi pasi zgjeroi dhe konsolidoi shtetin e vet, nuk vonoi të ndërhynte edhe në çështjet e brendshme të tyre duke zhvilluar një politikë konsekuente hegjemoniste mbi to. Në këtë drejtim Epiri duhet të shërbente si një mbështetje për të shtrirë kontrollin maqedon në brigjet perëndimore të Greqisë, për këtë qëllim Filipi II i dha një rëndësi të veçantë vendosjes së një aleance të qëndrueshme me Lidhjen Molose. Për këtë aleancë ishte interesuar dhe vetë Lidhja, sa kohë që Maqedonia do t’i linte dorë të lirë për ta çuar më tej politikën e zgjerimit të mëtejshëm të kufijve të saj. Dhe jo rastësisht Arryba, i cili kryesonte në këtë kohë Lidhjen, shpejtoi të lidhte krushqi me Filipin II, duke i dhënë këtij të fundit në vitin 357 p.e.sonë mbesën e tij, Olymbinë për grua. Midis viteve 360-344 p.e.sonë, Lidhja Molose shënon një zgjerim të mëtejshëm të territorit të saj nga verilindja duke arritur kufirin më të largët në këtë drejtim deri tek Parauejtë në pellgun e Përmetit, Timfejtë dhe Orestët në luginën e sipërme të Haliakmonit. Por në vitin 344 p.e.sonë, Lidhja detyrohet të heqë dorë nga këto krahina, të cilat Filipi II ia kaloi Maqedonisë. Kur pak më vonë Athina nisi të përzihet në çështjet e brendshme të Epirit, duke rrezikuar pozitat e Maqedonisë në Epir, Filipi II sulmoi ushtarakisht Ambrakinë duke kaluar nëpër territorin shtetëror të Lidhjes. Pasi mposhti Ambrakinë dhe nënshtroi kolonitë helene të elejve në Kasopi, Buketin, Pandosinë dhe Eletren, zboi nga froni Arrybën, aleatin e lëkundur dhe të pabindur të Maqedonisë, i cili kërkoi strehim në Athinë. Në krye të Lidhjes Molose vuri kunatin e vet Aleksandrin 20-vjeçar, të mbiquajtur Molos, të cilit i dorëzoi dhe qytetet që sapo i kishte pushtuar. Për ta angazhuar edhe më shumë ndaj Maqedonisë, Filipi II i dha Aleksandrit për grua të bijën, Kleopatrën, dhe e përkrahu atë në politikën e zgjerimit territorial të shtetit molos. Gjatë sundimit të Aleksandrit (342-331 p.e.sonë), Lidhja Molose i zgjeroi shumë kufijtë e saj në drejtim të krahinave jugore dhe veriperëndimore të Epirit. Nën kontrollin e Lidhjes hynë tani jo vetëm kolonitë elease, por edhe tërë Kasopia fqinje, të cilat u bënë aleatë të saj (symnatios), duke gëzuar një farë autonomie dhe të drejtën që të prisnin monedhat e tyre. Aleksandri arriti t’i imponojë pushtetin e tij dhe Koinonit të thesprotëve, deri atëhere i pavarur, megjithëse territorialisht në përfitim të Lidhjes Molose, e cila ushtronte mbi të presion të vazhdueshëm, për të dalë në det. Jashtë kontrollit të shtetit molos ende mbetej në këtë kohë Koinoni i kaonëve, që vazhdoi të ruante pavarësinë e tij. Zgjerimi territorial në drejtim të pjesës më të zhvilluar nga pikëpamja social-ekonomike të Epirit dhe në mënyrë të veçantë dalja e tij gjerësisht në det, e fuqizuan edhe më shumë ekonomikisht dhe politikisht shtetin molos, dhe hapën rrugë për një intensifikim të lidhjeve sidomos me brigjet perëndimore të Mesdheut. Në vitin 334 p.e.sonë Tarenti kërkoi nga Aleksandri molos ndihmë ushtarake, meqenëse po rrezikohej pavarësia e qytetit dhe e aleatëve të tij nga lukanët. Aleksandrit do t’i jepej mundësia që të përhapte influencën e Epirit edhe në qytetet e tjera të Italisë së Jugut, për të cilën ishin të interesuara shtresat sunduese të vendit, që ai përfaqësonte dhe në mënyrë të posaçme ajo tregtare. Kjo u bë nxitje që Aleksandri të ndërhynte aktivisht në çështjet e qyteteve greke të Italisë së Jugut. Pasi ia la sundimin e Mbretërisë Epirote gruas së vet sa kohë që ai do të mungonte, Aleksandri u nis për në Itali me forca të kufizuara, sipas Aristotelit me 15 anije ushtarake dhe mjaft anije tregtare. Me të zbritur në Itali, ai e zgjeroi bërthamën e ushtrisë së tij relativisht të vogël, me forca tarentine si edhe me mercenarë, me lukanë të dëbuar dhe me kontingjentet që i vunë në dispozicion qytetet e tjera greke të kërcënuara nga fiset italike. Në fillim Aleksandri korri një sërë fitoresh kundër lukanëve dhe samnitëve, futi në dorë Heraklenë, koloninë e Tarentit, Sipontin e Apuljes etj., dhe për një kohë ai e konsideroi veten sundimtar të plotë mbi to. Nga kjo pozitë, ai bëri marrëveshje dhe me qytete të tjera, madje dhe me Romën. Nga vendet e kontrolluara prej tij dërgoi për në atdhe 300 familje të shquara si pengje. Më vonë lukanët dhe samnitët e morën veten dhe me forca të shumta të bashkuara, filluan të ushtrojnë përherë e më tepër presion mbi ushtrinë epirote dhe të aleatëve të saj numerikisht më të pakët, derisa në dimrin e vitit 331-330 p.e.sonë, pas një beteje të përgjakshme pranë Pandosisë, jo larg Kozencës, forcat e Aleksandrit u thyen keqas dhe ai mbeti i vrarë në këtë betejë. Me rrjedhimet që patën këto ngjarje në Epir mbyllet dhe etapa e parë e zhvillimit historik të shtetit federativ epirot.

-- FUND --



<33 faqe 34 1>