Ilirët/Faqe 1
Historia e shoqërisë njerëzore fillon që në kohën kur nga kopeja e majmunëve antropoidë u formuan grupet e para të njerëzve primigjenë. Kjo ndarje e njeriut nga bota e kafshëve u krye nëpërmjet një procesi shumë të gjatë, të ndërlikuar dhe të papërsëritshëm. Periudha më e hershme e zhvillimit të kësaj shoqërie primitive njihet arkeologjikisht me emrin e paleolitit (nga greqishtja palaios - i vjetër, lithos - gur) dhe përfshin periudhën afërsisht nga 1 500 000 deri në 10 000 vjet më parë. Kjo epokë ndahet nga ana e saj në paleolit të ulët, të mesëm dhe të lartë. Në vendin tonë nuk janë zbuluar mbeturina kulturore nga paleoliti i ulët, që zë një pjesë të madhe të epokës së pleistocenit e vjen deri në kohën e vërshimit të akullnajave Riss. Gjurmët më të hershme të qenies së njeriut në territorin e Shqipërisë shfaqen në periudhën musteriane, që i përket paleolitit të mesëm (100 000-30 000 vjet më parë). Këto përfaqësohen nga vegla prej stralli të punuara mirë, me forma tipike musteriane, të cilat i kanë shërbyer njeriut primitiv për procese të ndryshme pune që lidheshin drejtpërdrejt me sigurimin e ushqimit të tij të përditshëm. Të tilla vegla, si prefëse, kruese, gërryese, etj., janë gjetur, deri më sot, në stacionin prehistorik të Xarës në rrethin e Sarandës, në stacionin e Kryegjatës, në afërsi të Apolonisë (Fier) dhe në stacionin e Gajtanit në rrethin e Shkodrës. Nga format dhe përmasat e tyre të vogla këto vegla ngjasojnë mjaft me veglat e strallit të zbuluara në depozitimet musteriane të krahinave fqinje të Greqisë Veriore, të Thesalisë, të Malit të Zi etj. Tipi fizik i njeriut në këtë kohë ishte ai i neandertalit . Në procesin e antropogjenezës ky tip paraqet një hallkë më të zhvilluar në krahasim me pitekantropin e paleolitit të ulët. Dyndja nga veriu në jug e akullimit të periudhës gjeologjike Riss bëri që edhe në vendin tonë klima të pësojë ndryshime të mëdha. Në malet e larta të Shqipërisë u formuan akuj të përhershëm, që zbritën deri në lartësinë 1 000 m mbi nivelin e detit. Si pasojë e këtyre ndryshimeve klimatike ndryshoi dhe fauna e flora e vendit. Nga kafshët e vjetra qëndruan vetëm ato që mundën ta përballonin të ftohtit. Krahas tyre u shfaqën dhe kafshët karakteristike vetëm për kushtet e klimës së ftohtë. Të tilla ishin mamuthi, rinoceronti leshtor, bizoni, dreri i veriut, ariu i shpellës, hiena e shpellës, dhia e egër etj. Të ftohtët ndikoi edhe në mënyrën e jetesës. Në luftën për të përballuar vështirësitë klimatike dhe për të mbijetuar, njeriu i kësaj kohe bëri hapa të rëndësishëm drejt përparimit; u strehua në shpella pasi triumfoi në luftën për jetë a vdekje me kafshët e egra që i kishin zënë që më përpara këto vend-strehime natyrore. U vesh duke shfrytëzuar lëkurët e kafshëve, mësoi të ndezë vetë zjarrin, të cilin e përdori me sukses kundër të ftohtit dhe bishave të egra, por sidomos për të përmirësuar strukturën e ushqimit, duke përdorur gjerësisht mishin e pjekur, i cili luajti një rol të madh në përmirësimin e mëtejshëm biologjik të tij. Zjarri qe një arritje shumë e rëndësishme për kohën, sepse i dha njeriut për të parën herë zotërimin mbi një fuqi të caktuar të natyrës, që e ndau atë përfundimisht nga bota e kafshëve. Banorët e paleolitit të mesëm jetonin me prodhimet, që i gjenin të gatshme në natyrë dhe sidomos me gjueti, e cila përbënte edhe drejtimin kryesor të veprimtarisë së neandertalasve. Me mbledhjen e frutave dhe të zhardhokëve, me ruajtjen e zjarrit, me rritjen e fëmijëve, me përgatitjen e lëkurës për veshje, etj., merrej gruaja, ndërsa burri dilte për gjah ose merrej me përgatitjen e veglave të punës dhe të armëve. Gjuetia e kafshëve të mëdha, në kushtet e nivelit të atëhershëm, primitiv të veglave të punës, mund të bëhej vetëm në mënyrë kolektive. Në këto rrethana ajo ndihmoi shumë në forcimin e lidhjeve të brendshme midis anëtarëve të grupeve dhe së bashku me krijimin e lidhjeve të gjakut shpuri në organizimin e bashkësisë primitive. Paleoliti i lartë është përfaqësuar shumë më gjerë. Vegla pune të kësaj periudhe janë zbuluar me shumicë në sipërfaqen e stacionit të Xarës (Xara II), në shpellën e Shën Marinës në Bogas të Sarandës, në shpellën e Konispolit, në Kryegjatë, në Rrëzë të Dajtit dhe në Gajtanin III, pra në një rreze të tillë që nënkupton shtrirjen e vendbanimeve të kësaj kohe në pjesën më të madhe të territorit të Shqipërisë. Këto materiale përbëhen kryesisht nga vegla stralli të tipit aurinjacien, të një përvoje më të përparuar teknike dhe me forma më të larmishme, kryesisht thika, kruese dhe gërryese. Së bashku me veglat prej stralli në depozitën rrëzë Dajtit janë gjetur edhe disa vegla prej kocke, të cilat në këtë kohë marrin një përdorim të gjerë krahas përsosjes së mëtejshme të punimit të strallit. Në shtresën paleolitike të shpellës së Shën Marinës përveç veglave të punës janë gjetur dhe gjurmë zjarri, si dhe fosile kafshësh të pleistocenit të vonë (capra ibex - dhi e egër), që tregojnë për një faunë të ngjashme me atë të paleolitit të mesëm, gjë që është dhe e kuptueshme, pasi klima dhe në këtë kohë vazhdoi të ishte e ftohtë dhe e lagësht si më parë. Përparësi kanë të dhënat që janë zbuluar në shtresën më të hershme të shpellës së Konispolit I, të datuar 26 370 vjet më parë, si një seri veglash pune të përgatitura nga gur-stralli i bardhë me retush të varfër, kocka kafshësh të egra si edhe farë rrushi të egër dhe thjerrëza të karbonizuara, të cilat janë tipike për Mesdheun Lindor paraneolitik. Gjuetia e kafshëve të egra vazhdon edhe në këtë etapë të fundit të zhvillimit paleolitik të vendit tonë, të jetë mjeti kryesor i sigurimit të ushqimit. Madje në këtë kohë përsosen dhe më tepër armët e gjuetisë si dhe format e saj. Mbledhja e prodhimeve të gatshme, gjithashtu, mbetet një nga mënyrat e sigurimit të ushqimit të përditshëm. Gjatë kësaj epoke përfundon procesi i gjatë dhe i ndërlikuar i antropogjenezës. Nga neandertali, me tipare ende shtazore, kalohet tani në tipin e njeriut të sotëm - homo sapiens. Si rrjedhim i përsosjes së veglave të punës prej stralli e kocke u rrit ndjeshëm mundësia e sigurimit më me shumicë të produkteve ushqimore, gjë që solli ndryshime dhe në organizimin e bashkësisë primitive. Formohen tani grupe të qëndrueshme njerëzish të bashkuar jo vetëm nga forma e përbashkët e prodhimit, por edhe nga lidhjet e gjakut dhe nga origjina e tyre e përbashkët. Gradualisht kalohet në bërthamën e parë të organizimit shoqëror, në gjininë matriarkale. Ishte matriarkale, pasi gruaja luante rol të dorës së parë në ekonomi dhe në jetën shoqërore të kësaj bashkësie gjinore. Forma kryesore e familjes në këtë gjini ishte martesa me grupe, prej së cilës origjina e fëmijëve përcaktohej vetëm nëpërmjet nënës. Në epokën e mezolitit (guri i mesëm) 10 000 - 7 000 vjet p.e.re ndodhën ndryshime të mëdha në florën dhe në faunën e kontinentit, rrjedhimisht edhe në territorin e Ballkanit. U zhdukën të gjitha kafshët tipike të pleistocenit, si mamuthi, rinoceronti etj., kurse një pjesë e kafshëve që vazhduan të jetonin ndryshuan përhapjen gjeografike. Në kushtet e reja gjeo-klimatike, njeriu i mezolitit filloi të kalojë nga ekonomia që mbështetej në gjuetinë e mbledhjen e produkteve të gatshme, në fillimet e bujqësisë e të blegtorisë primitive. Epoka e mezolitit dallohet nga ajo e paleolitit edhe prej veglave të punës, të cilat janë bërë nga ashkla stralli shumë të vogla me forma të rregullta gjeometrike, si trekëndësha, trapezoidale, në formë segmenti etj., me përmasa të vogla 4-6 cm, ndaj quhen mikrolite. Në territorin e Shqipërisë vendbanime mezolitike janë zbuluar në shpellën e Konispolit (Konispol II) dhe në Kryegjatë. Në të dyja këto vendbanime veglat prej stralli janë të cilësisë shumë të mirë, kanë forma tipike mezolitike, me retush të imët të cilësisë së lartë. Në Konispol ato janë datuar saktësisht në vitet 8500 p.e.sonë (në bazë të C14). Me epokën mezolitike lidhet pjesërisht edhe vendbanimi i Vlushës (rrethi i Skraparit), ku janë zbuluar vegla stralli tipike mezolitike. Këto vegla janë gjetur së bashku me fragmente enësh shumë primitive, fakt që e daton Vlushën në fillimet e epokës neolitike. Sidoqoftë, ato i takojnë një kulture me tradita të forta mezolitike, dhe Vlusha përfaqëson një kulturë që vë në lidhje të drejtpërdrejtë epokën e mezolitit me fillimet e epokës së neolitit. Të marra së bashku, Konispoli II, Kryegjata dhe Vlusha, përbëjnë një dëshmi të rëndësishme për formimin e kulturës neolitike në territorin e Shqipërisë.
<1 | faqe 1 | 2> |