IV.Kushtetutshmëria dhe ligjshmëria
Kushtetuta e Kaçanikut - pjesa e katërt
Neni 80 Përkujdesja për kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë është obligim i të gjithëve dhe i secilit.
Neni 81 Ligjet, dispozitat dhe aktet e tjera duhet të jenë në pajtim me Kushtetutën. Dispozitat dhe aktet e tjera të organeve republikane duhet të jenë në pajtim me ligje. Dispozitat dhe aktet e tjera nuk mund të jenë në kundërshtim me ligjin dhe me dispozitat e tjera republikane.
Neni 82 Ligjet, dispozitat dhe aktet e tjera hyjnë në fuqi jo më parë se ditën e tetë pas shpalljes, në qoftë se për shkaqe posaçërisht të arsyeshme nuk është parashikuar që të hyjnë në fuqi në afat më të shkurtër. Ligjet, dispozitat dhe aktet e tjera të organeve republikane,komunale e të qytetit shpallen në "Gazetën Zyrtare të Republikes së Kosovës".
Neni 83 Ligjet, dispozitat dhe aktet e tjera nuk mund të kenë efekt prapaveprues. Vetëm me ligj mund të caktohet që disa dispozita të tij, nëse këtë e kërkon interesi i përgjithshëm, të kenë efekt prapaveprues. Veprat e dënueshme përcaktohen dhe dënimet për këto vepra shqiptohen sipas ligjit, përkatësisht dispozitës tjetër që ka qenë në fuqi në kohën e kryerjes së veprës, përveç nëse ligji,përkatësisht dispozita e re është më e butë për kryesin.
Neni 84 Organet shtetërore dhe organizatat që ushtrojnë autorizime publike, në çështjet individuale mund të vendosin mbi të drejtat dhe detyrat ose, në bazë të ligjit, të aplikojnë masa detyrimi ose kufizimi, vetëm në procedurën e përcaktuar me ligj në të cilën i jipet mundësia secilit që ti mbrojë të drejtat e interesat e veta dhe që kundër aktit të nxjerrë të paraqesë ankesë ose të përsërisë mjetin tjetër juridik të parashikuar me ligj.
Neni 85 Kundër vendimeve dhe akteve të tjera individuale të organeve gjyqësore, administrative dhe të organeve të tjera shtetërore, si dhe kundër akteve të këtilla të organeve dhe organizatave që ushtrojnë autorizime publike të nxjerra në shkallën e parë, mund t'i paraqitet ankesa organit kompetent. Në rastet e jashtëzakonshme dhe të caktuara me ligj mundë të përjashtohet ankesa, po qe se në mënyrë tjetër është sigurua mbrojtja e të drejtave dhe e ligjëshmërisë. Mbi ligjshmërinë e akteve individuale përfundimtare, në të cilat organet shtetërore ose organizatat që ushtrojnë autorizime publike vendosin mbi të drejtat ose obligimet, vendos gjyqi në konfliktin administrativ, po qe se për çështjen e caktuar nuk është parashikuar me ligj mbrojtja tjetër gjyqësore. Vetëm me ligj për llojet e caktuara të çështjeve administrative, mund të përjashtohet konflikti administrativ.
Neni 86 Mosnjohja e gjuhës në të cilën zhvillohet procedura nuk mund të jetë pengesë për mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave dhe interesave të qytetarëve. Secilit i garantohet e drejta që në procedurën para gjyqit, organeve të tjera shtetërore, të organeve dhe organizatave që në ushtrimin e autorizimeve publike vendosin mbi të drejtat dhe obligimet e njerëzve e të qytetarëve, të përdorë gjuhën e vet dhe që, në këtë procedurë të njihet në gjuhën e vetë me faktet.