Kushtetuta e Kaçanikut - pjesa e parë

Neni 1 Republika e Kosovës është shtet demokratik i Kombit shqiptar dhe i pjesëtarëve të kombeve të tjera dhe i pakicave kombëtare, të shtetasve të vetë; serbëve, muslimanëve, malazezëve, kroatëve, turqëve, romëve e të tjerëve që jetojnë në Kosovë.

Neni 2 Republika e Kosovës si shtet është antare e Bashkësisë së Jugosllavisë.

Neni 3 Sovraniteti në Republikën e Kosovës buron nga populli dhe i takon popullit. Vullneti i popullit është bazë e pushtetit shtetëror.

Neni 4 Sovraniteti i popullit realizohet përmes përfaqësuesve të zgjedhur në organet e pushtetit shtetëror dhe me referendum.

Neni 5 Të gjithë anëtarët e organeve përfaqësuese të pushtetit shtetëror i zgjedhin shtetasit e moshës madhore në bazë të të drejtës së votës së përgjithëshme, të barabartë, të drejtëpërdrejtë dhe të fshehtë, nga radha e më shumë kandidatëve. Përfaqësuesit e zgjedhur të popullit në organet e pushtetit shtetëror janë përgjegjës para zgjedhësve të tyre.

Neni 6 Qytetarët si bartës të pushtetit kanë të drejtë të organizohen në parti politike, lidhje, lëvizje e shoqata të qytetarëve.

Neni 7 Çdo njeriu dhe qytetari i garantohen liritë dhe të drejtat politike, ekonomike, sociale, nacionale e kulturore dhe të drejtat e tjera të përcaktuara me Kushtetutë. Askujt nuk mund ti mohohet liria dhe e drejta për të marrë veprim në qoftë se veprimi nuk është i ndaluar shprehimishtë me Kushtetutë dhe ligj.

  • Dispozitat e nenit 2 dhe të neneve të tjera përkatëse do të harmonizohen varësisht ngapërcaktimi

i te gjitha njësive të tjera përkitazi me organizimin e ardhëshëm të Jugosllavisë

Neni 8 Teritori i Republikës së Kosovës është unik, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm. Kufijtë e Republikës mund të ndryshohen vetëm në bazë të vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në pajtim me vullnetin e shprehur të popullit me të cilin ka të bëjë ndryshimi.

Neni 9 Qytetarët e Republikës së Kosovës gëzojnë të drejtën e shtetësisë së Republikës. Shtetasit e njësive të tjera të Bashkësisë së Jugosllavisë gëzojnë liritë dhe të drejtat e përcaktuara me aktin e saj.

Neni 10 Organizimi teritorial i Republikës regullohet me ligj. Komuna dhe Qyteti janë formë e Bashkësisë teritoriale ku realizohen vetadministrimi lokal.

Neni 11 Në Republikën e Kosovës është në përdorim zyrtarë gjuha shqipe dhe shkrimi i saj. Në rajonet e republikës së Kosovës ku jetojnë edhe pjesëtarët e nacionaliteteve tjera, në përdorim të barabart zyrtar janë edhe gjuha serbokroate e turke dhe shkrimet e tyre, në pajtim me ligjin.

Neni 12 Republika e Kosovës ushtron pushtetin shtetëror në mënyrë sovrane. Të drejtat sovrane të Republikës së Kosovës, siguria e saj, si dhe regullimi shoqëror ekonomik e politik janë të mbrojtur me këtë Kushtetutë.

Neni 13 Pushteti kushtetutdhënës dhe ligjëdhënës i takon Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe përcaktohen me këtë Kushtetutë.

Neni 14 Kryesia e Republikës së Kosovës është shef kolegjial i shtetit. Të drejtat e detyrat e Kryesisë përcaktohen me këtë Kushtetutë.

Neni 15 Organi më i lartë i pushtetit ekzekutiv është Qeveria. Të drejtat e detyrat e Qeverisë përcaktohen me këtë kushtetutë.

Neni l6 Pushtetin gjyqësor e ushtrojnë gjyqet e pavarura. Gjyqet punojnë vetëm në bazë të Kushtetutës dhe ligjit.

Neni 17 Gjyqi Kushtetues i Kosovës, si organ i pavarur i Republikës, mbron kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë.

Neni l8 Puna e organeve të pushtetit shtetëror është publike. Puna publike e organeve të pushtetit shtetëror mund të përjashtohet vetëm në rastet e përcaktuara me ligj.

Neni l9 Republika ka stemën e vetë. Përmbajtja dhe përdorimi i stemës përcaktohet me ligj.

Neni 20 Republika ka flamurin e vetë. Përmbajtja dhe përdorimi i flamurit përcaktohet me ligj.

Neni 21 Republika ka himnin e vetë. Përmbajtja dhe përdorimi i himnit përcaktohet me ligj.

Neni 22 Në Republikën e Kosovës është e drejtë e pjesëtarëve të kombeve dhe pakicave kombëtare që të përdorin simbolet e veta. Kushtet dhe mënyra e përdorimit të simboleve të tyre rregullohen me ligj.

Neni 23 Kryeqyteti i Republikës së Kosovës është Prishtina.