Hunda e Faik Konicës

Nga Pellumb Kulla
Ca kohë pas dërgimit të eshtrave të Konicës nga Amerika në mëmëdhe, mbi gropën ku zunë prehje ato, u ngrit një bust i Faik Beut dhe më pas akoma, busti u gjet me hundë të thyer nga një mjet i fortë. Njeriu u gjet, bile u zu me presh në duar, po unë nuku arrij ta shpegoj dot, se përse autoritetet shqiptare nuku bënë fare shamatë.
Njeriu që i thevi hundën Konicës, ishnja unë…
Që ta zemë me rradhë, një ditë në Boston, thashë një gjë me mënd, që mori dhenë. Bëhej mbledhja e shoqatës "Mërgimtarët e burgosur nga diktatura". Nuku zgjidhmim dot kryetarë. U ngrita.
- Ah, bre, të mira janë këto nënat shqiptare, të mira, - thashë unë atë natë, - por kanë veç një të metë: pjellën më shumë kumandantë se ushtarë!
Më rrëmbyenë krahë e këmbë e më hodhnë përpjetë për këtë llaf të mënçur. Nuku më linin të binja përdhe.
- Thuaje - prapë! Thuaje - prapë! - më thoshnë në kor. E unë, përmbi krahë, që nga maja e tavanit: :"Të mira janë nënat…" Ata tund e shkund. Or po edhe e deshnë ta dëgjonin e nuku më linin ta mbaronja. Herë arrinja gjer tek "e meta", herë tek "e pjella", por te "ushtarët" nuk arrita dot më.
Të nesmen më lajmëruanë, që e thëna ime e famshme kish dalë në gazetën, që kemi këtu. Nxitova ta ble. U hoqa më një qoshe edhe e hapa. Desh më duallë kokërdhokët e syve! Gazetari, që më kish rrahur shpatullat bile, e përshkruante mbledhjen tamam, tregonte si qenë kacafytur kandidatët për kryetar dhe pastaj u hiqte një dru të mirë: " Nënat shqiptare kanë veç një të metë, se pjellën më shumë kumandantë se ushtarë. Mirë e ka thënë këtë i madhi Faik!"
Pikë e zezë! Ç'ne Faik! Një mik i ditur, më sqarovi që bëhej fjalë për Faik bej Konicën, që gjer dje i kish koskat këtu në Boston. Ay më këshillovi të mos kruhesha me Konicën!
- Po këtë e paska thënë bukur, - më tha, - këtë të nënave, që pjellën…
- Po, e thashë unë bre!.. - i kundërshtova.
- Thirri bre Peço mëndjes e mos u bëj gaz i botës, - më ra me noçkë në ballë. - E ke lexuar Konicën-o? Jo! Ç 'tregon kjo?!
- Kjo tregon që është e imja. Ce unë e thashë!
Fillova të mendohem. Mos e kishnja dëgjuarë gjëkundi e nuk e mbanja mend?! Mos e kish thënë dhe ay? :Gjersa shqiptarët i njihte si unë!… I hyra Konicës e ia lexova tëra ç'pat shkruarë: asgjëkundi nuk e kish thënë! E bukura qe, se që nga ajo ditë gazetat në Shqipëri, një e dy e atë shprehje përmendnin. Thuhej se ajo frazë e Konicës qënkej zbuluarë tamam në kohë, ce vendi qënkej bërë pëllëmbë e parti. Tëmën e sëmës! Një jetë të tërë në mëmëdhe, Konicës nuk i qe dhënë leja t'i përmendej asnjë nga fjalët e mençme që pat thënë, kurse tashi, pa e vrarë shumë tutkën, i lidhnin në qafë dhe kravata që s'ishnë të tijat.
Vendosa ta le. Le ta marrë Faiku atë thënie. Ku rafsha, mos u vrafsha! Unë një copë shofer ishnja, se mo ishnja unë donjë shkrimtar! Ku do ta botonja unë atë mendim! Kini parë juve vepra me një fletë, sa një letër cigari!
Po, gjene, sapo e dëgjonja, që ngrinin në qiell Faiknë për një përcaktim të saktë që kishnja bërë unë, fap, më kërcente delli! Po ce o, në p.. të sëmës, Konicës po dhe mua nuku ma pranonin?! Ce, demek, nuk paskësha thënë donjë fjalë tjatër të mënçur më parë! Po kohë kishnja-o, mund të thoshnja të tjera më vonë! Ose, nuku do thoshnja më xhanëm, por do shkonja me të shumtit dhe mjaltit të mënçurisë mbi natyrën e shqiptarëve, nuk do t'i kishnja lënë veçse këtë pikëzë… Nuku mundej-a? Po ce…
Kjo dava zgjidhej vetëm në Tiranë. Kështu që kur mora lejën, putha Rezin dhe fëmijët dhe i hipa aropllanit. Tëra gazetat i gjeta tek përmendnin fjalën e mënçme, të zbuluarë vonë, të Konicës. :Sidomos njëra e vinte atë shprehje për ditë në krye të një faqeje, që botonte mbi rilindasit.
Unë vendosa e i vajçë shefit të asaj gazete. Se më një vend do t'i nisnja qarjet e mia, de! Kushedi se ç'i kishnë thënë për mua drejtorit të gazetës! Mbase i lojtur, mbase me vidha mangut. Ay priti sa hyra unë dhe fap! - një kobure që kish aty mbi tryezë e fshevi në sirtar. Ce, mbase, do t'i duhej…
As "ulu", nuku më tha, po më la aty si shtyllë trafiku. Më shihte të tërin nga koka te këmbët. Më pyeti tutje e tëhu dhe pastaj m'u këthye nga e para:
- E çfarë ke thënë ti?
- Ja, …atë! - i thashë ca me ndrojtje.
- Cilën? - bërtiti e seç trazovi aty në sirtar. Mua m'u tha gjuha në gojë.
- Ja atë… që nënat tona pjellin më shumë kumandantë..!
- E ke thënë ti…! - e shtrembërovi gojën, me një lloj përbuzje vrastare.
- Unë! - i thashë dhe ngrita mjekrën me një lloj krenarie kombëtare.
- Po ta ha mëndja, ta thuash ti, këtë perlë?!
- Perlë-perlë! Ja që më erdhi kështu, edhe e qita… E ajo mori dhenë!
Ay u hodhi një sy nja tri buzëkuqkave që kish në zyrë e që një e dy e përpëlitnin qepallakat. Ato dukshin si të fryra, por ama të qeshnin hapur, kishnë frikë, megjithëqë shefi i tyre, e mbante dorën te sirtari.
- Sa vini në Amerikë, cave pe juve, ju mbushet mendja se bëheni rilindas… Demek ti, na qënke kllaaa- sik! Unë më parë u përmbajta se u ofendova.
- Klasik të gjallë s'gjen, - ia këtheva dyke vënë të dy duartë te rripi i mesit, blerë një portorikani, në një trotuar të Broduejt, - po i thoni atij, klasikut tuaj të vdekur, të ruajë dhenkat e tij, ce këtë dashnë tem unë do ta ruaj vetë!
Atë pasdite këmbët më shpunë te përmendorja e Beut. Tre katër ustallarë po bënin punime rreth piedestalit. Konica në mermer, tërë dëngla, e mbante vështrimnë përpara, sikur kish turp të më shëkonte në sy. Një punëtor erdhi ndezi cigaren te mua. Më tha se te balli i piedestalit, po i gdhendnin një shprehje madhore: "E meta e nënave shqiptare: lindin më shumë kumandantë se ushtarë!" :Më tha që kjo bëhej me vendim të Ministrisë së Kulturës. Ktheva dhe e pashë në sy Faiknë. Hiç, ay! Mermer! Gjoksnë përpara dhe vështrimnë drejt historisë!
- Dëgjoni, - u thashë punëtorëve. - Mos shkruani gjë njëherë, sa ta zgjidh këtë çorape! Ato fjalë që po gdhendni, i kam thënë unë!
- Do të qërrohesh që këtej? - më tha njëri nga maja e piedestalit, - apo të hash donjë ****ë sqepari?! Dhe i dolli përpara Faikut, sikur unë të paskësha nxjerrë kallashnikovë. U duk sëkur Konica i dha një të shtyrë me hundën pe mermeri dhe ustaj u gjend në mes të llaçit. U bë helaq. E tërë inatnë ma nxuarrë mua. M'u sulë, më vunë poshtë e më rrahnë mu përpara Beut të Konicës. Ata pagushin me orë pune e më mbajtnë shtrirë gjer sa u mbarovi dita. Ay, kllasiku pe mermeri as e prishi terezinë. Sëkur nuk ish fare aty, ay!
I zura pritë ministrit të Kulturës. Dy ditë, rresht! Të tretën, e zura kur po hipte në veturë. Nuku kishnja takuarë donjë ministër më parë. Zemra bap-bap!
Pasi dëgjovi shpegimet e mia dhe të nëpunësit që i rrinte pas, m'u këthye:
- Me se merreni? Unë u gjenda ngushtë. Do t'i thosha tashi që vinja pe Amerike, ku punonja shofer në një kompani taksish. Por ai, burrë i mirë, më ndihmovi:
- Merreni me punë mendore, keni donjë biznes tuajin? Unë bëra "s'kam" me kokë.
- Ku banoni? Keni shtëpi? Familje, prona … Pyeti për tërë të tundshmet e të patundshmet. Mua m'u këput koka së bëri "s'kam". Zotëria nuk e humbi durimnë.
- Merreni me shkrime? Keni donjë lloj vepre në qarkullim?
- Ja vetëm atë kam unë, - i thashë, - atë të nënave, që… qumështin e nënës po më nxjerrin! Këtë kam unë në qarkullim e kjo po qarkullon ca si shumë.
Ministri ngrysi vetullat. Badigardët dhe shoferi avash avash e afruanë nga një dorë te të çarat e xhepave të djathtë. Zyrtari i lartë u buzëqeshi për t'i qetësuarë.
- Kjo, në fakt, është shprehje tipike e Konicës, - tha ministri. - Kjo thënie e tij gjeniale, nuk mund të gjente eko më të mirë, se në ditët e sotme! Në një konferencë shtypi, këtë shprehje, e citovi Presidenti… Në Parlament, e zuri në gojë Kryetari i Opozitës. E duhet ta ruajmë këtë mjaltë të mënçurisë kombëtare… Jo kushdo, mund të thotë gjëra që gdhenden në mermer!
Dëgjova badigardët që me radio njoftonin qendrën: - Po nisemi. Ministri e sqarovi qytetarë! - Njëri pe tyre më futi krahnë, ashtu si miqësisht, shoferi i hapi derën ministrit e vetura mori udhë.
Në darkë, te përmendorja e Konicës, unë isha tapë. Nuku mbaj mënd se ç'kam nxjerrë nga goja, veç në një çast, qita një çekan dhe i theva hundën Beut.
Po Konica, sado pe mermeri, paskej patur edhe ai badigardë. Kalova dy netë në polici. Aty pashë në televizor, një nga ato buzëkuqkat e informacionit, e cila qe vendosur para bustit pa hundë e jepte çdo orë lajmnë:
- Në policinë e krimeve mendojnë të jetë i sëmurë psiqik ay taksisti i ardhur nga Amerika, që i ka thyerë hundën Konicës, duke u qarë se rilindasi i ka përvetësuarë thënien njohur, lidhur me nënat tona burrëresha të bjeshkëve, stërmbesa të suljoteve që lindin kumandantë… Në Akademi të Shkencave na thanë, që as mund të diskutohet autorësia mbi të, e personalitetit tonë të shquarë. Akademikët vërtet nuk e gjejnë dot me saktësi se kur dhe ku e ka thënë, por po e kërkojnë dhe do ta gjejnë atë, pasi dihet që regjimi i egër komunist, për pesëdhjetë vjet, u mundua ta fshehë dhe ta asgjësojë trashëgiminë e Konicës. Akti vandal i goditjes me çekan në hundë, është tipik për mitomanët…
Dhe buzëkuqka e informacionit lidhej herë me spitalë psikiatrik, herë me maternitetnë, ku mbaheshin ca bebe të shëmtuara me hundë të rrjepura, si pyperka të kuqe. Po t'i vinje re nga shalëkat dhe bibilushkat mes tyre, të porsalindurit ishnë zgjedhur apostafat meshkuj, që mendja të të shkonte te strategët e ardhshmë ushtarakë.
Pamjet me bustnë e Faikut nuku rreshtnin. Shiu që binte dukej si çurg pe lotësh mbi faqet e bashkuara pa hundë. Hallemadhi dukej sëkur qante, i penduarë që erdhi në mëmëdhe, sëkur në ças do të zbriste pe piedestalit, do të merrte në një torbë koskat e tij e do t'ia mbathte për Rinas e që andej drejt e në Boston prapë…
Më shtruanë në psikiatri. Më tundnë e më shkundnë ato terapitë me rrymë elektrike, që, mos pyet! Tetë doktora hijerëndë shëkonin një kokëmushkë që perpelitej nën korrent e ta vrisje nuku hiqtë dorë nga avazi i tij: " ... më-ë-ë-ë shu-u-u-më-më-më-më ko-o-o-ma-ma-ma-ma-ndantë se ushta-ta-ta-tarë-rë-rë!" Nuku arrinja dot t'i telefononja Rezit e t'i thoshnja që kisha paguarë groshnë e valles e tashi jepnja njëqind e pe valles nuku dilnja dot. Ç'ishnë dru e korrente, tërë mbi mua po provoshin!
Dolla pe spitali, po nuku kisha dërmend t'i rreshtnja përpjekjet. - Hajde bre në shoqatën tonë, - më tha njëri kur i qava hallë. - Ne po luftojmë për këthimnë e pronave, të zotërve legjitimë. Më shpuri në një zyrë dhe u tha të më regjistronin.
- Ke shtëpi këtu? - më pyeti një burrë me regjistër të hapur.
- Nuku kam patur kurrë!
- Po toka për të marë?
- Asnjë pëllëmbë!
- Ke patur fabrika, punishte, hotele?
- Ncë,ncë,ncë! - unë.
- Po çfarë të kanë marrë ty? - u habit ay.
- Një frazë, - i thashë. - Është si është, është temja! Kam thënë që "nënat shqiptare…."
- Le ta kesh thënë si të duash, vëlla! Ajo është prona jote. Dy pyetje të fundit: Pranon kompensim të një natyre tjetër, të përafërt, qoftë kjo në bregdet apo zonë malore?
- Jo mo, ç'malore?!..
- Kështu e ka formulari këtu!.. Pranon shpërblim në të holla, sipas tarifave shtetërore në fuqi?
- Kurrë!
- Bukur! Firmos këtu ku thuhet, se për të marrë pronat, ne nuku do përdorim dhunë dhe futu në mbledhje!
Atë ditë edhe ata do të zgjidhnin kryetarë e mbledhja m'u duk si ajo e Bostonit, si tëra mbledhjet, ku duhet zgjedhur në krye vetëm një. Një dhe një i vetëm! Mbledhja zgjati tetë orë dhe para votimit ma dhanë fjalën edhe mua, dyke më prezantuarë si përfaqësues të mërgatës nga Amerika. Teksa po flisnja, ay burri që më regjistrovi u ngrit e pa më prerë fjalën, më lëshovi mbi folëse përpara syve, një pusullkë, ku më shkruante me gërma të mëdha: "Kujdes, pronat s'janë bërë akoma tonat. Po shkelmë ligjet, shpjemë ujë në mulli të qeverisë!"
Nuku e kuptova ku e pat llafnë, po vazhdova fjalimnë që u dëgjua me veshë të mprehur. Po salla u ngrit me ulërima miratimi e me duartrokitje, kur u thashë:
- Nënat shqiptare janë më të mirat në botë! Por kanë veç një të metë: pjellën më shumë kumandantë se ushtarë! Këto fjalë të arta të … Faikut të Madh, t'i vemë vëth në vesh!
Të nesmen ia mbatha për Nju Jork…