Zoti dhe Shqiponja

Hipi Zhdripi

Të dërguarit e Zotit e lajmëruan Zotin se në tokë do të ndërmarrin disa ndryshime kozmetike për ndërtimin e mëtutjeshëm të civilizimit. Dhe Zoti ju japi pëlqimin e tij, Bëni ashtu si dini më mirë për njeri. Të dërguarit e Zotit, si të dërguar të Zotit çdo ditë ngatërrohu e cakërrohu ndërmjet veti e dreqi e djalli i tyre filluan të shpërthejnë nga brendia. Kështu dreqi e djalli filluan të bashkëpunojnë dhe të zhdukin popuj e raca. Një nga këta popuj që nuk pajtohej me zgjidhjen e tyre vendosi të mblidhet e të mbrohet në Prizren. Por ja që bashkëpunimi i dreqit dhe djallit në emër të Zotit ishte fuqi më e madhe se e tyre, fuqi që e mbyti e, ngulfati fuqinë mbrojtëse të popullit krenar që pajtohej vetëm me urdhrin e Zotit.

Zoti duke e parë gjithë këtë maskarallëk, gjitha ato pabesi në emër të tij, vendosi që vetë të zbriste aty ku ende mbahej besa e tij. Kur ra, çka pa, të dërguarit e tij nuk punonin për njeri por për fuqi e kapadai. U mblodhën pas tij, të dërguarit e tij me ankesa e filozofi donin Zotin për vete me shti. Por Zoti është Zot dhe fjala e tij ka fuqi, i ftoi gjithë dërguarit e tij në nantorë në Vlorë me hi edhe flamurit kuq e zi të gjithë me ju shtri. Na u çun anë e mbanë botës t' dërguarit e tij po bërtasin "S'ka Shqipni". Zoti foli, prej kësaj dite, O ju fëmijët e mi, ju do ta trashëgoni tokën e Pellazgjisë pa marrë parasysh çka donë e s' donë në këtë dhé të dërguarit e mi. Tani keni punë për të pastruar baglën e djallit e dreqit që ka dashtë me ju shti. Për fillim nisjani me ndërtue këtë Shqipni, Shqiponja ka me ju pri.


Përralla n' përrallë e mira prej nesh e keqja prej gabelësh, prej këtu e te mas në këtë vend thonë: Leni kisha e xhamia se feja e shqiptarit është shqiptaria.

Sepse:

Nga kjo baltë të kam bërë, rri këtu, më paç uratë,
Mos u loth e mos psho kurrë, po përpiqu dit' e natë,
Sheh si punon gjithësija? Ashtu të punosh edhe ti,
Të mos rrish kurrë pa punë e të vësh duartë në gji.
Mos u bëj i lik e i keq, i paudh' e i pabesë,
I rrem, i ndyrë, i dëmshim, i rënduar e pa shpresë,
Mërgohu nga të këqijat, pej çdo farë ligësije,
Pej nakari, pej lakmimi, pej vjedhjeje, pej marrëzije,
Mos vra, mos merr tek s'ke vënë, edhe ki nom dashurinë,
Bes' e fe ki urtësinë, të drejtënë, mirësinë.
Në bëfsh mirë, liksht s'gjen kurrë, po, në bëfsh liksht, mos prit mirë,
Ki dëshirë për të mirë dhe në zemërë mëshirë,
Ji i but', i urt', i vyer e mos u bëj kurrë makut,
I egër e i mërzitur dh'i mahnitur si madut,
Mos ju afro dhelpërisë, po së drejtësë iu nis pas;
Në dëgjofsh fjalët' e mija, do të jesh gjithënjë në gas.
Nga gjithë ç'pat gjithësia, të kam dhënë dhe ty pjesë,
Në u bëfsh si them, i mirë, emr'i math do të të mbesë.
Të kam dhënë mënt të mësosh, të vërtetën me të ta shohç,
Dhe zëmër' e vetëdijë, të mir' e të drejtën ta njohç,
Do të të lë dhe nevojën, udhën të të tregonjë,
Të të ndihnjë më çdo punë, të të psonj' e të të zgjonjë.
Gjithë të mirat që janë, këtu në dhet i kam mbuluar,
Po gjësendi në shesh s'nxjerr dot pa dirsur e pa munduar;
I gjen të gjitha me kohë, po rrëmo thell' e më thellë,
Ç'do gjë që të duhet, kërkoje, barku i ti do ta pjellë.
Sa gjërërazë të vlera do të gjesh ti këtu brenda,
Edhe përsipërë soje, e sa do të t'i ket ënda!
Me fuqit që të kam dhënë, them që të vinjë një ditë
Të marrç udhën e së mirës e të gjesh të madhe dritë,
Të marrç vesh dalengadalë sa punëra që kam bërë,
Diell, hënë, yj, dhe, qiej e gjithësinë të tërë!
Po që u bëre i urtë, mua më ke afër teje,
Ndryshe, qofsh i mallëkuar edhe mërguar prej meje!
Të parit tënë perndia këto fjalë vetëm i tha,
I fali gjithë të mirat, i dha uratën dhe e la.
Det i p'an'i mirësisë, q'emrin tënd s'e zë dot ngoje,
Qysh e ngrehe gjithësinë pa lënë farë nevoje!
Fali njeriut urtësinë, mirësinë, njerëzinë,
Butësinë, miqësinë, dashuri, vëllazërinë;
Epu sheshevet lul' e bar dhe pyjevet gjeth e fletë,
Resë shi, aravet bimë e mos lerë gjë të metë,
Fali erë trëndelinës, manushaqes, trëndafilit,
Kalliut bukë, mizës pjesë, zogut ngrënie, zë bilbilit,
E drurëvet epu pemë dhe uratë bagëtisë,
Dërgo dhëmbj' e kujdes për to në zëmërt të njerëzisë;
Epi pjergulls' e vështit rrush dhe vozësë fali verë,
Mos e lerë pa të kurrë, kurrë thatë mos e lerë;
Fali diellit flak e zjarr dhe hënës e yjet dritë,
Edhe detit uj' e kripë, gjithësisë jet e ditë.
Yjtë le të vinë rrotull dhe njerëzit të punojnë,
Të dëfrejn' e të gëzohen dhe si vëllezër të shkojnë.
Tregomu dhe shqipëtaret udhën e punës së mbarë,
Bashkomi, bëmi vëllezër edhe fjeshtë shqipëtarë,
Falmi, falmi Shqipërisë ditën e bardh' e lirisë,
Udhën e vëllazërisë, vahn' e gjithë mirësisë.
Nxirr të vërtetën në shesht, paskëtaj të mbretëronjë,
Errësira të përndahet, gënjeshtëra të pushonjë.

Dua që me duar
Me duar të pastërta
Ty të përqafojë
Por ku t'i marr
Unë i gjori ato
Më japën shambonë
Sapunat mi vodhen
I butë më thanë o ky
Sapuna jote nuk vlenë
Është prodhim hiri e vjami
Shtypa pullën as një pikë
Nga plastika me etiket nuk doli
I mshova grusht malit e qiellit
Sapunat e mi në dorën time ranë
Shumë i shtrëngova, i përçafova
Ti tash duart mi lanë
Se nuk kamë fuqi
E shumë kam qefë
Me duar të pastra
Metë përqafu ty.