Dhjata e Vjetër
< GJYQTARËT >
Kapitulli 21
1 | 2 | 3 | 4 | 5 | 6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 | 12 | 13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 | 19 | 20 | 21


1 Por njerëzit e Izraelit ishin betuar në Mitspah, duke thënë: "Asnjë nga ne nuk do t'ja japë bijën e tij për grua një Beniaminiti".

2 Pastaj populli erdhi në Bethel, ku qëndroi deri në mbrëmje përpara Perëndisë; dhe ngriti zërin dhe qau me të madhe,

3 duke thënë: "O Zot, Perëndi i Izraelit, pse ndodhi kjo në Izrael, që sot të mungojë një fis në Izrael?".

4 Të nesërmen populli u ngrit herët në mëngjes, ndërtoi në atë vend një altar dhe ofroi olokauste dhe flijime falenderimi.

5 Pastaj bijtë e Izraelit thanë: "Cili nga fiset e Izraelit nuk ka dalë në asamble para Zotit?". Sepse kishin bërë një betim solemn kundër kujtdo që nuk kishte dalë përpara Zotit në Mitspah, duke thënë: "Ai njeri do të vritet".

6 Bijtë e Izraelit ishin të hidhëruar për Beniaminin, vëllanë e tyre, dhe thonin: "Sot u zhduk një fis i Izraelit.

7 Si do të bëjmë t'u gjejmë gra atyre që shpëtuan, sepse jemi betuar në emër të Zotit të mos u japim atyre për grua asnjë prej vajzave tona?".

8 Pastaj thanë: "Cili është midis fiseve të Izraelit ai që nuk ka dalë para Zotit në Mitspah?". Dhe ja që asnjeri nga Jabesi i Galaadit nuk kishte ardhur në kamp për asamblenë;

9 në fakt u kalua në revistë populli, u vu re që në gjirin e tij nuk kishte asnjë nga banorët e Jabesit të Galaadit.

10 Atëherë asambleja dërgoi atje dymbëdhjetë mijë burra nga më trimat dhe u dha këtë urdhër, duke thënë: "Shkoni dhe vrisni me shpatë banorët e Jabesit të Galasadit, duke përfshirë gratë dhe fëmijët.

11 Do të veproni kështu: do të shfarosni çdo mashkull dhe çdo grua që ka pasur marrëdhënie seksuale me një burrë".

12 Ata gjetën midis banoëve të Jabesit të Galaadit katërqind vajza që nuk kishin pasur marrëdhënie seksuale me burra, dhe i çuan në kamp, në Shilon, që ndodhet në vendin e Kanaanit.

13 Atëherë tërë asambleja dërgoi lajmëtarë për të folur me bijtë e Beniaminit, që ndodheshin në shkëmbin e Rimonit, dhe për t'u shpallur paqen.

14 Kështu Beniaminitët u kthyen dhe muarrën ato gra që nuk ishin vrarë në Jabes të Galaadit; por nuk pati mjaft për të gjithë.

15 Populli ishte i hidhëruar për ato që i kish bërë Beniaminit, sepse Zoti kishte hapur një të çarë midis fiseve të Izraelit.

16 Atëherë pleqtë e asamblesë thanë: "Si do të bëjmë t'u gjejmë gra atyre që kanë mbetur gjallë, mbasi gratë beniaminite janë vrarë?".

17 Pastaj thanë: "Njerëzit e Beniaminit që kanë mbetur gjallë duhet të kenë një trashëgimi, me qëllim që të mos zhduket një fis në Izrael.

18 Por ne nuk mund t'u japim atyre për bashkëshorte bijat tona", me qenë se bijtë e Izraelit ishin betuar, duke thënë: "I mallkuar qoftë ai që do t'i japë një grua Beniaminit!".

19 Atëherë thanë: "Ja, çdo vit bëhet një festë për nder të Zotit në Shiloh, që ndodhet në veri të Bethelit, në lindje të rrugës që ngjitej nga Betheli në Sikem, dhe në jug të Lebonahut".

20 Kështu u dhanë këtë urdhër bijve të Beniaminit, duke u thënë: "Shkoni dhe fshihuni në vreshtat,

21 dhe rrini e shikoni; kur vajzat e Shilohut do të dalin për të hedhur valle në kor, ju do të dilni nga vreshtat, dhe secili do të rrëmbejë gruan e tij midis vajzave të Shilohut; pastaj do të shkoni në vendin e Beniaminit.

22 Kur etërit o vëllezërit e tyre do të vinë te ne për të protestuar, ne do t'u themi: "Na i jepni, ju lutem, sepse në këtë luftë nuk kemi zënë një grua për secilin prej tyre; por në rast se nuk ua jepni atyre as në këtë rast, ju do të jeni fajtorë"".

23 Bijtë e Beniaminit vepruan kështu: morën gra simbas numrit të tyre, midis valltareve; i rrëmbyen, pastaj u nisën dhe u kthyen në trashëgiminë e tyre, i rindërtuan qytetet dhe banuan në to.

24 Në të njëjtën kohë bijtë e Izraelit u nisën që andej, secili shkoi në fisin dhe në familjen e tij, e që andej secili u kthye në trashëgiminë e tij.

25 Në atë kohë nuk kishte asnjë mbret në Izrael; secili bënte atë që i dukej e drejtë në sytë e tij.