Gjyqtarët - Kapitulli 17
|
1 Në krahinën malore të Efraimit ishte një njeri që quhej Mikah.
2 Ai i tha nënes së tij: "Një mijë e njëqind siklat prej argjendi që të kanë marrë dhe për të cilat ke thënë një mallkim, që e dëgjova me veshët e mi, ja, i kam unë; ato para i kisha marrë unë". Nëna e tij tha: "Im bir qoftë i bekuar nga Zoti!".
3 Kështu ai ia ktheu nënes së tij të një mijë e njëqind siklat prej argjendi dhe e ëma tha: "Unë ia shenjtëroj plotësisht nga dora ime këtë argjend Zotit për birin tim, për ta bërë një shëmbëlltyrë të gdhendur dhe një figurë me derdhje prandaj po ta kthej tani".
4 Pas kthimit të argjendit nënes së tij, e ëma mori dyqind sikla argjendi dhe ia dha shkrirësit, i cili bëri një shëmbëlltyrë të gdhendur dhe një figurë me derdhje metali; dhe këto u vendosën në shtëpinë e Mikahut.
5 Kështu ky njeri, Mikahu, pati një shtëpi perëndish; bëri një efod dhe një shtëpi idhujsh, dhe shenjtëroi një nga bijtë e tij që i shërbente ai prift.
6 Në atë kohë nuk kishte mbret në Izrael; secili bënte atë që i dukej e drejtë në sytë e tij.
7 Ishte një i ri nga Betlemi i Judës, nga familja e Judës, i cili ishte Levit dhe banonte në atë vend si i huaj.
8 Ky njeri u nis nga qyteti i Betlemit të Judës për t'u vendosur aty ku mund të gjente një vend; duke ecur arriti në krahinën malore të Efraimit, në shtëpinë e Mikahut.
9 Mikahu e pyeti: "Nga po vjen?". Ai u përgjegj: "Jam një Levit nga Betlemi i Judës dhe jam duke kërkuar një vend ku mund të vendosem".
10 Mikahu i tha: "Rri me mua, dhe bëhu ati dhe prifti im; do të të jap dhjetë sikla argjendi çdo vit, rroba dhe ushqim". Atëherë Leviti hyri.
11 Kështu Leviti pranoi të rrinte me atë njeri, që e trajtoi të riun sikur të ishte një nga bijtë e tij.
12 Mikahu e shenjtëroi Levitin; i riu i shërbeu si prift dhe u vendos në shtëpinë e Mikahut.
13 Pastaj Mikahu i tha: "Tani e di që Zoti do të më bëjë të mira, sepse kam një Levit që më shërben si prift".