Dhjata e Vjetër
< EKSODI >
Kapitulli 32
1 | 2 | 3 | 4 | 5 | 6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 | 12 | 13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 | 19 | 20 | 21 | 22 | 23 | 24 | 25 | 26 | 27 | 28 | 29 | 30 | 31 | 32 | 33 | 34 | 35 | 36 | 37 | 38 | 39 | 40

1 Por populli, duke parë që Moisiu po vononte të zbriste nga mali, u mblodh rreth Aaronit dhe i tha: "Hajt tani, na bëj një perëndi të shkojë para nesh, sepse sa për Moisiun, njeriun që na nxori nga vendi i Egjiptit, nuk dimë çfarë i ka ndodhur".

2 Aaroni iu përgjigj atyre: "Hiqni unazat prej ari që janë në veshët e grave tuaja, të bijve tuaj, dhe të bijave tuaja dhe m'i sillni mua".

3 Kështu tërë populli hoqi unazat prej ari që kishin në veshët dhe ia çoi Aaronit,

4 i cili i mori nga duart e tyre dhe, mbasi i modeloi me daltë, bëri një viç prej metali të shkrirë. Atëherë ata thanë: "O Izrael, ky është perëndia yt që të nxori nga vendi i Egjiptit!".

5 Kur Aaroni pa këtë, ngriti një altar përpara tij dhe vuri kasnecë që thanë: "Nesër do të jetë festë për nder të Zotit!".

6 Të nesërmen ata u ngritën herët, ofruan olokauste dhe çuan fli falënderimi; populli u ul për të ngrënë e për të pirë, pastaj u ngrit për të dëfryer.

7 Atëherë Zoti i tha Moisiut: "Tani shko, zbrit, sepse populli yt, që ti nxore nga vendi i Egjiptit, është korruptuar;

8 u larguan shpejt, janë përdalë nga rruga që unë e kisha urdhëruar të ndiqte; bëri një viç prej metali të shkrirë, u përkul para tij, i ofroi flijime dhe tha: "O Izrael, kjo është perëndia jote që të nxori nga vendi i Egjiptit"".

9 Zoti i tha akoma Moisiut: "E pashë këtë popull, dhe ja, është një popull me qafë të fortë.

10 Më lër, pra, të veproj, në mënyrë që zemërimi im të ndizet kundër tyre dhe t'i konsumoj; por nga ti do të bëj një komb të madh".

11 Atëherë Moisiu e luti Zotin, Perëndinë e tij, dhe i tha: "Pse, o Zot, zemërimi yt duhet të ndizet kundër popullit tënd që e nxore nga vendi i Egjiptit me fuqi të madhe dhe me dorë të fortë?

12 Pse duhet që Egjiptasit të thonë: "Ai i nxori për t'ju bërë të keq, që të vriten mbi malet dhe për t'i shfarosur nga faqja e dheut"? Hiq dorë nga zemërimi yt i zjarrtë dhe nga qëllimi yt për t'i bërë keq popullit tënd.

13 Kujto Abrahamin, Isakun dhe Izraelin, shërbëtorë të tu, të cilëve u je betuar mbi veten tënde, duke u thënë atyre: "Unë do të shumëzoj pasardhësit tuaj si yjet e qiellit dhe do t'u jap pasardhësve tuaj tërë atë vend për të cilin të fola, dhe ata do ta zotërojnë përjetë"".

14 Kështu Zoti ndryshoi mendim lidhur me të keqen që kishte thënë se do t'i bënte popullit të tij.

15 Atëherë Moisiu u kthye dhe zbriti nga mali me dy pllakat e dëshmisë në duar, pllaka të shkruara nga të dy anët, si përpara ashtu edhe prapa.

16 Pllakat ishin vepër e Perëndisë dhe shkrimi i tyre ishte shkrimi i Perëndisë, i gdhendur mbi pllakat.

17 Por Jozueu, duke dëgjuar britmën e popullit që bërtiste, i tha Moisiut: "Ka një zhurmë lufte në kamp".

18 Por ai u përgjigj: "Kjo nuk është as një britmë fitoreje, as një britmë humbjeje; britma që unë dëgjoj është e njerëzve që këndojnë".

19 Si iu afrua kampit, pa viçin dhe vallet; atëherë Moisiu u ndez nga zemërimi dhe ai i hodhi pllakat nga duart e tij dhe i theu në këmbët e malit.

20 Pastaj mori viçin që ata kishin bërë, e dogji në zjarr dhe e bëri pluhur; pastaj e përhapi pluhurin në ujë dhe ia dha për të pirë bijve të Izraelit.

21 Pastaj Moisiu i tha Aaronit: "Çfarë të ka bërë ky popull, të cilin e ke ngarkuar me një mëkat kaq të madh?".

22 Aaroni u përgjigj: "Zemërimi i zotërisë sime të mos ndizet, ti vetë e njeh këtë popull dhe e di që ai është i prirur ndaj së keqes.

23 Ata më kanë thënë: "Na bëj një perëndi që të shkojë para nesh, sepse Moisiut, njeriut që na nxori nga vendi i Egjiptit, nuk dimë se çfarë i ka ndodhur".

24 Atëherë unë u thashë atyre: "Kush ka ar të mos e mbajë me vete". Kështu ata ma dhanë mua dhe unë e hodha në zjarr, dhe na doli ky viç".

25 Kur Moisiu pa që populli ishte pa fre (dhe Aaroni e kishte lënë të shfrenohej duke e ekspozuar në turpin e armiqve të tij),

26 u ndal në hyrje të kampit dhe tha: "Kushdo që është me Zotin, le të vijë tek unë!". Dhe të gjithë bijtë e Levit u mblodhën pranë tij.

27 Dhe ai u tha atyre: "Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: "Secili prej jush të vërë shpatën në krahun e tij; kaloni dhe rikaloni nga një hyrje e kampit në tjetrën, secili të vrasë vëllanë e tij, mikun e tij, fqinjin e tij!"".

28 Bijtë e Levit bënë ashtu siç u kishte thënë Moisiu, dhe atë ditë ranë rreth tre mijë njerëz.

29 Pastaj Moisiu tha: "Shenjtërohuni sot Zotit, që ai t'ju japë një bekim, sepse secili prej jush ka qënë kundër birit të tij dhe vëllait të tij".

30 Të nesërmen Moisiu i tha popullit: "Ju keni bërë një mëkat të madh; por tani unë do të ngjitem tek Zoti; ndofta do të mund të bëj shlyerjen për mëkatin tuaj".

31 Moisiu u kthye, pra, te Zoti dhe tha: "Medet, ky popull ka kryer një mëkat të madh dhe ka bërë për vete një perëndi prej ari.

32 Megjithatë tani, të lutem, falua mëkatin e tyre; përndryshe, më fshi nga libri yt që ke shkruar!".

33 Por Zoti iu përgjegj Moisiut: "Atë që ka bërë mëkat kundër meje, atë do ta fshij nga libri im!

34 Tani shko, çoje popullin ku të kam thënë. Ja, Engjëlli im do të shkoj para teje, por ditën që do të vij për t'i dënuar, do t'i dënoj për mëkatin e tyre".

35 Kështu Zoti goditi popullin, sepse kishte bërë viçin që Aaroni kishte modeluar.