Dhjata e Vjetër
< EKSODI >
Kapitulli 24
1 | 2 | 3 | 4 | 5 | 6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 | 12 | 13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 | 19 | 20 | 21 | 22 | 23 | 24 | 25 | 26 | 27 | 28 | 29 | 30 | 31 | 32 | 33 | 34 | 35 | 36 | 37 | 38 | 39 | 40

1 Pastaj Perëndia i tha Moisiut: "Ngjitu te Zoti, ti dhe Aaroni, Nadabi dhe Abihu si dhe shtatëdhjetë nga pleqtë e Izraelit, dhe adhuroni nga larg;

2 pastaj Moisiu do t'i afrohet Zotit; por të tjerët nuk do t'i afrohen, as populli nuk ka për t'u ngjitur bashkë me atë".

3 Atëherë Moisiu erdhi dhe i tregoi popullit tërë fjalët e Zotit dhe tërë ligjet. Dhe gjithë populli u përgjigj me një zë dhe tha: "Ne do të bëjmë tërë gjërat që Zoti ka thënë".

4 Dhe Moisiu i shkroi tërë fjalët e Zotit; pastaj u ngrit herët në mëngjes dhe ngriti në këmbët e malit një altar dhe dymbëdhjetë shtylla për të dymbëdhjetë fiset e Izraelit.

5 Pastaj dërgoi bij të rinj të Izraelit për të ofruar olokauste dhe për të flijuar dema të rinj si theror falënderimi ndaj Zotit.

6 Dhe Moisiu mori gjysmën e gjakut dhe e vuri në legenë; dhe gjysmën tjetër të gjakut e shpërndau mbi altar.

7 Pastaj mori librin e besëlidhjes dhe ia lexoi popullit, i cili tha: "Ne do të bëjmë tërë ato që ka thënë Zoti, dhe do t'i bindemi".

8 Pastaj Moisiu mori gjakun, spërkati popullin me të dhe tha: "Ja gjaku i besëlidhjes që Zoti ka lidhur me ju sipas tërë këtyre fjalëve".

9 Pastaj Moisiu dhe Aaroni, Nadabi dhe Abihu dhe shtatëdhjetë nga pleqtë e Izraelit u ngjitën,

10 dhe panë Perëndinë e Izraelit. Nën këmbët e tij ishte si një dysheme e punuar me safir, e qartë si qielli vetë.

11 Por ai nuk e shtriu dorën kundër krerëve të bijve të Izraelit; dhe ata e panë Perëndinë, dhe hëngrën dhe pinë.

12 Pastaj Zoti i tha Moisiut: "Ngjitu tek unë në mal dhe qëndro aty; dhe unë do të jap disa pllaka prej guri, ligjin dhe urdhërimet që kam shkruar, me qëllim që ti t'ua mësosh atyre".

13 Pas kësaj Moisiu u ngrit bashkë me Jozueun zbatuesin e tij; dhe Moisiu u ngjit në malin e Perëndisë.

14 Por pleqve u tha: "Na prisni këtu, deri sa të kthehemi tek ju. Ja, Aaroni dhe Huri janë me ju; kushdo që ka probleme le t'u drejtohet atyre".

15 Moisiu, pra, u ngjit në mal dhe reja e mbuloi përsëri malin.

16 Tani lavdia e Zotit mbeti në malin e Sinait dhe reja e mbuloi atë gjashtë ditë; ditën e shtatë Zoti thirri Moisiun nga mesi i resë.

17 Dhe pamja e lavdisë së Zotit dukej në sytë e bijve të Izraelit si një zjarr që digjej në majën e malit.

18 Kështu Moisiu hyri në mes të resë dhe u ngjit në mal; dhe Moisiu mbeti në mal dyzet ditë dhe dyzet net.