DJEGIA E LIBRIT "KATËRMBËDHJETË AUTORË"

Jeta kulturore në Kosovë, pas demostratave të vitit 81 është zvarritur rëndë, megjithatë nuk ka pushuar asnjëherë. Shtypi, dhe veprimtaria botuese, jo sall në kryeqytet, në Prishtinë, por edhe në qytete tjera është munduar të sjellë një frymë optimiste. Shpeshherë krijuesit janë përndjekur, ose së paku kanë qenë të evidentuar në listat e komiteteve si të orientuar kundër RSFJ. Janë penguar të punësohen. Sidomos, nuk kanë mundur të punësohen në procesin arsimor, sepse atëbotë pushtuesi kishte aplikuar sistemin e VIZAVE. Megjithatë jeta vazhdonte... DJEGJA E LIBRIT Libri pati dalë nën përkujdesjen e shkrimtarit Rahmi TUDA Edhe në letërsinë e përbotshme kemi raste të ndalimit të librave, të ndjekjes së autorëve. Kjo për fatin tonë të keq ka ngjarë më shumë në sistemet totalitare, në të cilat kemi jetuar edhe ne shqiptarët. Shkrimtari nga SYRI TOTALITAR është parë si rrezik i përhershëm i partisë, ndaj edhe ka pësuar në mënyrë të vazhdueshme, poqese nuk ka qenë i OBORRIT. ...Në vitin 1986 në Ferizaj doli libri poetik me titull "Katërmbëdhjetë autorë". Në të vërtet vetëm ca ekzemplarë që u vodhën u shpëtuan flakëve totalitare. Libri u dogj me vendim të Gjyqit Komunal të Ferizajt. Qesharake, diçka që të bën të shqyhesh duke qeshur është fakti se Komiteti Komunal i atëhershëm mbajti afro 20 seanca ku u trajtua ky libër nga analfabetët e poezisë, të cilët pas djegjes së librit me çdo kusht deshën t'i njollosnin autorët. Si duket shumë nga shqiptarët që kishin grada të ulta në jetën politike komunale të qytetit, ngritnin zërin dhe shpjegonin e interpretonin poezitë. Të gjorët qenë bërë edhe kritik letërsie!!! Në kokat e tyre fluturonin ëndrrat, prandaj qirreshin e qirreshin. Kur pritej të dënoheshin autorët, edhe pse libri ishte i tëri artistik, e libra të tillë ishin shkruar edhe më parë, por s'ishte bërë zhurmë; u ftua nga kryeqyteti poeti Rrahman Dedaj. Ai me sa flitej u kishte treguar POLITIKUAJVE të atëhershëm provincialistë se libri nuk është propagandë armiqësore siç e interpretoni ju, por thjesht libër me vlera të pastra ideoestetike. POLITIKUAJT e atëhershëm mbetën pa gradat që i kishin ëndrruar, ndërkaq, autorët, gjithsesi u futën në listat e të dyshuarve. Megjithatë, masa që po hiqte të zitë e ullirit, natyrisht edhepse jo sheshazi e çmonte punën e krijuesve. Nuk është tendenca ime që t'i fyej të gjithë ata që u morën me këtë libër, por a nuk është për të qeshur kur e mendon faktin se ata deshën të bëhen edhe KRITIK LETRAR. Është fakt i pamohueshëm se provincializmi politik dhe mjerimi i tyre intelektualë i hante pamëshirshëm të gjithë ata që nuk mendonin si provicialist Libra janë ndaluar dhe janë djegur gjithandej në Shqipëri e Kosovë, por s' ka dyshim se është rast i rrallë djegja e librit me vendim të gjyqit. Patjetër do të ishte me interes për opinionin që të gjendej dhe të botohej në shtyp vendimi i gjyqit.