Lokja Lebibe dhe autonomia e Kosoves

BALAJ[1] është katund në komunën e Ferizajt. Ky katund i vogël ka një histori jo të vogël. Me 15 mars të vitit 1990, kur serbët kremtonin suprimimin e autonomisë së Kosovës. Autonomia qe marrë atë botë, vetëm pasi Parlamenti i Kosovës qe rrethuar me tanke. Një pjesë e turpit mbeti përjetshëm në kujtesën tonë dhe në analet e delegatëve që patën ngritur gishtat në favor të HASMIT. Kremtja e "madhe" e serbëve jepej përmes RTP-ës, dhe ndërsa gjithçka dukej e vdekur, ngaqë serbët kishin deklaruar se shqiptarët e Kosovës e kanë pranuar suprimimin e autonomisë, për fat gratë e katundit Balaj u organizuan dhe protestuan tri ditë rresht. Jehona qe shumë e madhe nga që demostratat u shtrinë në gjithë Kosovën. Demostratave u priu një grua shumë e moshuar, e quajtur Lebibe Aliu që njihej me nofkën LOKJA. Një rol vendimtar luajtën dy vajzat e atëhershme të katundit balaj: Sanie Aliu dhe vajza me mbiemrin Sallauka. Lokja u muar në pyetje nga organet e policisë shumë herë. Edhe pse atëherë ishte 82 vjeçe, nuk u kursye, por iu nështrua keqtrajtimit psikik. Lokja kurrë nuk tha një fjalë, me të cilën do të zbulohej ndonjë nga pjesëmarrset. Iu duroi fyerjet dhe maltretimet psikike, i duroi kërrcënimet... Bile-bile pas sharjeve që i drejtonin, ajo, Lokja ua lëshonte nga mallkim dhe pastaj heshte si guri. Dy vajzat: Sanie Aliu dhe vajza me emrin Sallauka u burgosën si të dyshuara, por u liruan në mungesë të provave pas dy muajsh. S'rrodhi asnjë fjalë as nga Lokja, as nga qindra pjesëmarrse. Kjo qe një qëndresë, një këmbëngultësi që të mos zbulohej zingjiri i organizatorëve. Në atë mëngjes të largët të 15 marsit, emrin e këtij katundi që është i vogël, sa mezi figuron në ndonjë hartë, e përmenden të gjitha agjensitë botërore të lajmeve. Dy protagonistet e kësaj ngjarje janë në jetë; ndërkaq Lokja, Lebibe Aliu ka vdekur në qershor të vitit 2007, në moshën 104 vjeçare.Tek e mbulonim me copëra dheu, nëpër kujtesën tonë kalonte Lokja që ka jetuar edhe në kohën e KRALËVE, edhe në kohën e diktaturës komuniste, edhe në kohën kinse të demokracisë. Jeta e ashpër kurrë nuk e mësoi të lexojë e të shkruaj, por e mësoi ta mbrojë ATDHEUN në të vetmën mënyrë që diti. Varrimi i saj është bërë me nderime shumë të larta, ku morën pjesë qytetarë të shumtë dhe i gjithë spektri politik. Nga kurorat e panumërta varri të ngjante në një kodër të blertë.


  1. Balaj ne Enciklopedi

< 0
faqe
- 1 -

2 >