Ballukash, Baluko, cjap me trup të madh, të gjatë dhe shumë të bukur. Quhet ballukash për shkak të ballukeve që i varen dhe lëkunden mbi ballë. Populli e thërret me përkëdheli “ballukash”, dhele që cjapi i ndjen dhe i përjeton thellë. Gëzimin e kënaqësinë ballukashi e shpreh në forma të ndryshme, herë me vërritje të përmallshme, herë me tundje të qafës, herë me ndonjë të kërcyer, herë me të gjuajtur me kokë.
Bemi është cjap problematik, cjap mistrec, gërrnjar, trazovaç, përçarës i tufës, thashethemixhi i madh, cinik, thumbues, kunjaxhi. Bemi është cjap me karakter të keq sepse ndërsen shokun kundër shokut, shtyn urat e mërisë dhe grindjes mes antarëve të komunitetit të cjapërisë, është prishës e minues i unitetit.
Bejkushi është cjap me cilësi të dyfishta, pozitive dhe negative; disa bejkusha mishërojnë vetitë e Bemit, disa të tjerë shquhen për hijeshi të veçantë. Bejkushat e hijshëm jo vetëm zbukurojnë vendin por rritin vlerat estetike të kopesë dhe të sojit të cjapërisë në shkallën sipërane. Mirpo ky status dyfishtë krijon një gjendje ambigue, është thikë me dy presa sepse rrit vështirësinë për njohjen e bejkushave, për përcaktimin e karakterit dhe të tipit të tyre të vërtetë. Barinjtë gjenden në hall të madh me bejkushat: nga t’ia mbajnë, si t’i dallojnë, cilin të zgjedhin, si ta ndajnë shapin nga sheqeri, si do të qëllojnë, bejkusha të mirë apo bejkusha shejtanë. Bejkushat negativë janë karrieristë të thekur, u pëlqen dukja, llafazanëria, rënia në sy, mburrja, lavdia; këta janë të dhënë së tepërmi pas artit të blegërimave, pas lajkave, aventurave, lodrimeve dhe çapkënllëqeve.
Çilo, quhet cjapi me ngjyra të çelta, të hapura, të qarta, si kafe e çelët, gri e çelët, e kuqe e çelët, etj. Nuk ka rëndësi lloji i ngjyrës, rëndësi ka shkëlqimi i lëkurës, shkëlqimi i qimeve, i ngjyrës apo i ngjyrave. Çilua s’bën naze në të ngrënë, çilua do vetëm të hajë, të hajë çfarëdolloj ushqimi, sidomos ato prodhime që janë të pasura me vitamina, proteina e karbohidrate. Kur s’ka të hajë Çilua shpërthen në veprime të pakontrolluara e të ulëta, si p.sh. gjuan me brirë, kërcen përpjetë, skuqet nga zemërimi, vërret fort si i çakërdisur, pëson kriza nervore, kalon në gjendje depresive dhe histerike. Për shkak të oreksit të madh çilua shton shumë në peshë, dhjamoset së tepërmi, plogështohet, ngathtësohet, qullet, bie në përtaci të thellë. Çilua ngulet në një vend dhe ngelet aty gjithë ditën, gërrmon dhê me këmbët e para, rrjep me dhëmbë lëkurën e pemëve, përlan lënde lisi apo përralli, ulet në gjunjë dhe fle, ripërtyp përëndrrshëm ushqimin që ka në bark, lëshon të pëllitura të përsëritura, ankohet vazhdimisht pa ndonjë shkak real. Çilua zakonisht është tip harraqi dhe hileqari; shpesh ai mbetet pas shokëve, vonohet qëllimisht, harrohet, shpesh shtrihet sa gjatë-gjerë në pluhur dhe kërkon ndihmën e bariut për të dalë nga perpicitë që ja krijon vetvetes. Për të shpëtuar nga hallet e ankimet e Çilos, sidomos kur e zë dalldia e tërbimit, bariu zemërmirë i varë në kokë një trastë të fryrë me tagji dhe bie në qetësi.
Shytak, Shyto, Shitul, quhet cjapi që nuk ka brirë mbi kokë. Shytaku krijon kontrast të fortë mes tipareve të theksuara mashkullore dhe mungesës së brirëve, tipar femëror ky. Mungesa e brirëve bën që të bjenë në sy veshët e cjapit, përmasat e të cilëve duket më të mëdha se ç’janë në të vërtetë. Shytakët janë cjepë simpatikë, tërheqës, të shkathët, të ëmbël e të suksesshshëm, sidomos në çështje erotike. Mungesa e brirëve mbi kokë është një rrethanë sa pozitive aq dhe negative për shytakun. Ana e keqe ka të bëjë me dobësinë e tij në dyluftime, në pamundësinë për t’u ndeshur me armiqtë apo kërcënime gjatë aventurave të ekzistencës cjapore. Për këtë arsye ai bëhet shpesh objekt tallje e shpotije nga cjepët e tjerë apo edhe nga shoqet - dhi. Pa brirë forca trupore s’hyn në punë mirpo këtë anë negative shituli e kthen në pozitivitet duke shfrytëzuar avantazhet që i jep pikërisht kjo mangësi. Bariu p.sh. shitulin e shikon me sy tjetër, i kushton vëmendje dhe përkujdesje të veçantë, i cakton vendet më të mira për kullotë, e trajton veçmas me tagji e krunde, e përdorë për çiftëzimin e dhive më të shëndetshme e më pjellore, i përkëdhelë gushën, shpinën, gjymtyrët, ijet, kokën, turirin dhe shkrihet në lodra me të, në kërcime dhe zbavitje pa fund.
Vathul ose vathuk, cjap me dy lule në gushë, me dy zilka, me dy rrezhde si dy vathë të vegjël e tingëllues nën gushën e lëmuar. Emri i vathukut ka tingëllimë muzikore e poetike; shikoni se ç’fjalë të përzgjedhura: lule, gushë, zilka, rrezhde, vathë! Vathuli është cjap romantik me sjellje fine e të hijshme si të zonjave të salloneve mondane, me shije të hollë, i dhënë pas ëndërrimeve, fantazisë, bukurisë, retorikës, artit dhe muzikës.
Kemush, kështu quhet cjapi vathuk në trevën e Këlcyrës së Përmetit. Kemushi është i pajisur me vathë të vegjël poshtë gushës së lëmuar e të vetëtitur; thërritet me përkëdheli “kemush” ose me trajtë emërore të dyfishtë ose të shumëfishtë: vathul-kemush, vathul-kemush-ballukash, etj. Kemushi shquhet për urtësi e bindje ndaj vullnetit të të zotit të tij. Në jetë kemushi udhëhiqet nga parimi: “Urtë e butë e tigani plotë”! Kjo strategji s’u ka dalë keq, hapësira të lira, kullota pa fund, përfitime të njëpasnjëshme. Shëndeti i kemushëve është për t’u patur zili; shtati i gjatë e i fuqishëm zbut barkun e fryrë, thyen kontrastet mes pjesëve të ndryshme të trupit duke i dhënë hijeshi e bukuri.
Kenash, cjap me një gri të veçantë, një ngjyrë e larë në gri, si grija e lules së grivorit, si grija e malit të Grivës mbi Tepelenë. Cjap që s’para bie në sy, jo vetëm për shkak të ngjyrës por edhe për shkak të sjelljes së tij të urtë e të matur. Kjo është arsyeja që i zoti i tufës e thërret me përkëdheli “kenash”, “eja kenash”, “na, kenash”, “këtej, kenash”! Dhe kenashi i shkon pas si manar duke lëshuar herë pas here blegërima aprovuese në shenjë kënaqësie.
Mushko, cjap ngjyrë mushke, cjap i murrëtyer, i mushkëllyer, ngjyrë myshku, një lloj grije e zënë, gri e errët. Emri i tij shpreh një tipar themelor, esencial të cjapit, shënon ngjyrën e trupit, e cila e përafron me mushkën në fizik dhe në pamje. Mushkua është karakter i ashpër, tepër krenar, i fortë dhe rezistent ndaj vështirësive të terrenit dhe kushteve të vështira të jetesës. Rritet në zonat malore, të thyera e me kullota të pakta.
Përçorr dhe Vathruth, quhet cjapi që ka trup të madh sa të ariut të murrmë, ai që prin tufën. Përçorri është cjap ashik, cjap qeflli, dallohet për ngjyrën e zezë të nofullave ose turirit, cjap sorrak. Përçorrët dhe vathruthët përdoren për shtimin e tufave gjatë stinës së ndërzimit. Shpesh mes këtyre cjepërve shpërthejnë grindje të egra, të cilat përfundojnë me pasoja të rënda, me dëme të mëdha, me gjakosje, me thyerje brirësh, me plagosje trupore, me çarje koke për shkak të rivalitetit të madh mashkullor. Vathruthët janë cjepër posesivë dhe në periudha të caktuara bëhen të rrezikshëm për rendin dhe qetësinë publike.
Tredhak, është cjapi që është tredhur ose kastruar, cjapi që shërben vetëm për mish dhe për pastërma. Për këtë punë zgjidhen zakonisht cjepërit pa çika, pa temperament, cjepët pa vlera, ata që nuk shquhen për trimëri apo për ndonjë cilësi tjetër. Tredhaku shqetësohet vetëm për t’u ushqyer, për të tjerat është indiferent, s’ka asnjë lloj dëshire e pretendimi.
Dhjak, një emër cjapi tepër interesant, i huazuar nga fusha e fesë së krishterë. Dhjaku, dhjakonari është shëbëtor i përunjur i kishës, një lloj murgu, i përkushtuar ndaj besimit dhe fesë deri në ekstrem, deri në ekstazë. Dhjaku heq dorë vullnetarisht nga jeta normale për t’u mbyllur në vetveve, për t’u mbyllur brenda shtëpisë së Zotit. Ndërsa cjapi “dhjak” është ai tip cjapi që në vlagën e ndërzimit të dhive nuk shfaq e asnjë dëshirë për dashuri, nuk manifeston asnjë interes për marrëdhënie intime, nuk tregon asnjë shenjë burrërie e mashkulloriteti. Ftesës bujare të dhive të ardhura në afsh ai i përgjigjet gjithnjë me ikje, me largim të turpshëm, me mënjanim, me shmangie tinzare. Dhitë hakmerren ndaj tij duke e vënë në lojë, duke e bërë objekt përtallje, duke nxituar të dorëzohen te cjepër të vërtetë, te cjepër të etur për dashuri dhe aventura mashkullore.
Murk, është cjapi që ka ngjyrë të kuqërreme si në të murrme dhe të kuqe. Cjap i fismë, me ecje e qëndrim krenar, mospërfillës ndaj të tjerëve dhe mjedisit rrethues, trim i madh. Murku kryeson mbledhjet e cjapërisë, kuvendet e cjepërve-trimave, merr pjesë në këshillat rajonale dhe ato kombëtare, merr pjesë në diskutime dhe në vendmarrje të rëndësishme. Murku ka një lloj epërsie të lindur për shkak të origjinës së tij të zgjedhur, për shkak të gjakut mbretëror dhe këtë epërsi ai përpiqet ta ushtrojë me zellin më të madh gjatë gjithë jetës dhe veprimtarisë së tij publike. Postet më të larta në fushën e cjapologjisë e zënë kurdoherë cjepërit Murko.
Mjekërllush, cjap i prapë, ngacmues i madh, trazolli, tip i gjallë dhe i lëvizshëm, qejflli i pandreqshëm. Shquhet për brirët e mprehtë, me të cilët shpon herë njërin, herë tjetrin; helbete, ndonjëherë e humb kontrollin dhe gjuan fort në bark, në brinjë, në ije aq sa viktima, cjap apo dhi, ulëret me të madhe nga dhimbja therëse. Bariu hakmerret duke e gjuajtur sa t’i hajë krahu me krrabë herë në shpinë, herë në këmbët e pasme, herë në zverk, herë ku të mund. Por edhe mjekërlushi s’rri pa reaguar; në situata kritike ai lëshon ulërima të forta e të qëllimshme për të demaskuar në sytë e botës sjelljen e bariut të paqytetëruar e brutal.
Bardhok, Bardho, Bardhosh ose Bardhujsh quhet cjapi me ngjyrë të bardhë, cjap i bukur, bukurosh, bukuran. Një trajtë e veçantë e këtij emri është Barxhuli, cjap që rritet në zonën e Gardhiqit të rrethit Gjirokastër. Femra quhet Barxhë, emër fyes, emër me ngarkesë negative.
Kabadh, Kaballul është cjap dyngjyrësh, gjysmën e trupit e ka të ngjyrosur me kafe, gjysmën të zezë, cjap shumë i bukur. Kabadhi rritet në trevën e Beratit, të Myzeqesë, të Mallakastrës, të Gramshit dhe Skraparit. Me një fjalë, rritet njëlloj si në zonat malore, ashtu dhe në ato fushore e kodrinore, rrethanë kjo që duhet mbajtur mirë parasysh në të ardhmen gjatë hartimit të planeve strategjike për mbarështrimin e këtij lloji cjapi në të gjithë hapësirën jetike shqiptare.
Lavrak, cjap me trup të gjatë e të derdhur, gjatosh, gjatolli. Rritet sidomos në zonën e Mokrës, Gorës dhe Oparit në Shqipërinë Lindore, ndërsa në veri e ndeshim dendur në trevën e Mirëditës, Pukës dhe Hasit. Gjatësia e trupit i jep lehtësi të mëdha atij në shfrytëzimin e kullotave me pyje të larta, si dushqe, gështënja, ilqe, akacie, panja, frashër, qelbës, mështekna, etj,
Balekë, quhet cjapi që ka një balë të bardhë në ballë, e cila kontraston fort me ngjyrën e lëkurës, cjap që rritet kryesisht në malësinë e Tiranës. Në jug quhet Balash. Baleku ose balashi bie në sy menjëherë, lëvizjet e tij shërbejnë për të kontrolluar vendodhjen e tufës apo për të identifikuar ndonjë antar problematik, të vështirë, të dyshimtë. Kontributi i balekëve gjithnjë ka qënë i vlefshëm, i mirëpritur, i vlerësuar si nga komuniteti si nga këshillat rajonale e kombëtare. Madje për nder të tyre janë organizuar aktivitete promovuese, konkurse, festivale, spektakle gjatë të cilave janë dhënë medalje, fletëlavdërimi apo çmime speciale.
Femërur, çudi, dhia e mbarsur me këtë lloj cjapi sjellë në jetë vetëm keca femra, vetëm karçinka. Femëruri dallohet nga një veçori trupore: bolet, gjylet apo “lulet”, gurët e kandarit, i ka të ndara në mes në formë gërshëre, në formë bige, me dy ndarje në pjesën fundore. A është ky tipar gjenetik që përcakton gjininë e të lindurve të dhisë? A është kjo një shenjë hyjnore, shprehje e vullnetit të plotfuqishëm të Zotit, të krijuesit të botës? E kush mund ta vërë në dyshim një gjë të tillë!
Mashkullur, ndryshe nga femëruri, ky lloj cjapi gjatë çiftëzimit me dhinë sjellin në jetë vetëm keca meshkuj! Gjylet e Mashkullurit, çudi, janë në formë sferike pa atë ndarjen karakteristike të Femururit. Perëndia i ka bërë gjërat si ka dashur vetë.
Mëllanjash, cjap me ngjyrë pis të zezë, si të mëllënjes, cjap trim, guximtar, luftëtar. Qimet e mëllanjashit janë shumë të lëmuara e kanë një shkëlqim verbues. Mëllanjashi mban emra të dyfishtë, të trefishtë, si p.sh. mëllanjash-ballukash, ose mëllanjash-kemush-duro, etj. për të lehtësuar punën e bariut për regjistrimin e gjithë cjapërisë me emra të përveçëm e konkret. Mellanjashët me emra të gjatë kanë cilësira vetjake të shumta dhe emërtimi synon pikërisht këtë gjë: një përcaktim sa më të saktë të tipareve të tij. Sikurse vihet re puna për vënien e emrave nuk është një gjësend i kollajtë, i lehtë, përkundrazi, është punë me shumë përgjegjësi.
Verdho, verdhush, verdhë, cjap me ngjyrë të verdhë, një e verdhë e kadifenjtë, e lëmuar, e ëmbël, sugjestionuese, e rrallë. Ngjyra e verdhos harmonizohet mirë në asamblin e ngjyrave të kopesë, shkrihet me ngjyrat e tjera, i lidh ato në një sistem të vetëm e unik. Shikimi i soditësit apo i kalimtarit kap me lehtësi lëvizjen e dallgëzimin e verdhos mes tufës, si të ishte një njollë shëtitëse diellore, një pasqyrim i hijes së diellit në mesditë a i hënës së plotë në mesnatë.
Kabaç është cjapi më trim i tufës, trim i trimave, ka ngjyrë të bardhë në të kuqe. Rritet kryesisht në zona malore. Trimëria e tij ndoshta ka lidhje me peisazhin e vendit, me relievin, ndoshta trimëria buron nga malet në gji të të cilëve gjallon kjo rracë krenare e trime cjepërish.
Kuqo ose Kuqël, cjap që ka ngjyrë tërësisht të kuqe, cjapi që ka ndonjë balë të kuqe në pjesën më të dukshme të trupit, një e kuqe e ndezur, e fortë, llamburitëse. Cjap me veti të shquara luftëtarake, cjap i paepur, guximtar, i kalitur në beteja, rezistent ndaj kushteve të këqija të jetesës, urisë dhe lodhjes së skajshme. Kuqot kanë shkëlqyer në sa e sa misione brenda e jashtë vendit duke ia zbardhur faqen prijësve të tyre të lavdishëm. Nuk numërohen trofetë e betejat e fitura nga kuqot anembanë rruzullit, deri në skajet më të largëta të globit. Kuqot, e themi pa drojë, janë krenaria e cjapërisë.
Presko, cjap me ngjyrë të kuqe të mpleksur e gërshetuar me vija të bardha poshtë barkut, pikërisht në pjesën më të butë të trupit, cjap i pashëm e i bëshëm, cjap bukurosh, tërheqës. Preskua duke qënë nga natyra joshës e tundues i thekur për ftujat e dhitë pëllore, bëhet shkak për tubullime të rënda të rendit e të qetësisë publike; shpesh gjindja fëmërore përfundon në përleshje të ashpra nga xhelozia e madhe që kanë për cjpër presko.
Larc, është një emër i veçantë cjapi që rritet në malësinë e Pukës në veri të vendit. Në jug thërritet Laro, Larisko dhe Larosh. Emri flet qartë për domethënien e tij dhe për përmbajtjen e konceptit. Larci është cjap laraman në tërë kuptimin e kësaj fjale, si në ngjyra si në karakter, si në natyrë. Laramani nuk e ka të shprehur qartë identetin e karakterit, laramani merr pak nga të gjitha, një veti të njërit, një cilësi të tjetrit, një ngjyrë të këtij, një tipar të atij. Kur ia do puna laramani ndryshon krejtësisht mendim, bindje, karakter, merr tjetër qëndrim, tjetër pozicion, bashkohet me një parti për t’u shkrirë në një tjetër , ndahet përsëri, shan të parët për t’iu ngjitur të dytit e anasjelltas. Për shkak të paqëndrueshmërisë dhe luhatshmërisë së madhe, për shkak të përzierjes së ngjyrave e cilësive, laramani nuk gëzon simpati në masën e gjerë të cjapologjisë.
Thëjsh, është ai cjap që ka mjekërr, mustaqe dhe balluke me ngjyrë të bardhëlleme, të zbehtë, të mektë, si leshrat e ndonjë plakushi të thyer në moshë. E kush i do plakaruqët? Atyre as mishi nuk u hahet, as lëkura nuk iu vlen, as mendja nuk iu përfillet. E kotë të zgjatesh më tutje duke folur për ta.
Rushkë, cjap që prin kopenë, cjap me trup të madh sa të një gomari të murrmë, cjap i shëndetshëm dhe luftarak.
Kapreç, cjap me brirë të mëdhenj e të hapur anash, si të një dreri, rritet veçanërisht në malësitë e Pukës. Shquhet për pamjen piktoreske, ecjen krenare dhe për një kapardisje të lindur prej maloku.
Vullar, cjap me veti nga më të shquarat, më të fisme, i urtë, i virtutshëm, bashkëpunues, paqtues, shuarës sherresh, grindjesh, dyluftimesh të egra e përleshjesh të përgjakshme. Vullari kryeson delegacionet e cjepërve të ngarkuar me misione të posaçme diplomatike për zgjidhjen e konflikteve mes tufave dhe grupimeve armike apo të palëve të përfshira në konflikte të ashpra. Vullari është negociator i zoti dhe bashkëbisedues i mirë i pajisur me aftësi të mrekullueshme në qetësimin e gjakrave dhe në zgjidhjen e problemeve të komplikuara e delikate. Gjithçka te vullari rrezaton mirësi, paqe, qetësi, fjala e ëmbël që ngjit si mjaltë, vështrimi i butë, trupi, balluket e hijshme e miqësore. Bariu e mban vullarin si ujët e pakët, si i thonë fjalës, e ushqen veçmas, e kon me tagji, me grurë, me misër, me tërshërë, me lënde lisi, me gjethe shkoze e dushku, i ndërgjegjshëm për dobinë e një trajtimi të tillë. Vullari shquhet edhe për emrin e bukur e të veçantë, emër që s’ka asgjë të përbashkët me fjalën “vullnetar” ndonëse në përmbajtje ka diçka të tillë, ka një substancë përbashkuese.
Duro, hileqar i madh, do të përfitojë nga çdo gjë e nga të gjithë, do të jetë i pari në përfitime dhe i fundit në sakrifica, rend pas ushqimit më të mirë, pas kullotave të pashkelura e më të pasura, pas grazhdeve të dendura me bar e tagji. Durua përfiton padrejtësisht nga pjesa e shokëve, nga pjesa e të tjerëve, sipas rastit herë del në krye të tufës, herë struket në mes, herë ngec në fund, herë qaset pranë bariut, herë larg tij kur ja do puna.
Lul, cjap i përkëdhelur, ogiç, manar, lul, lulash, cjap që rri gjithmonë i ngjitur pas shpinës së të zotit, që gëzon favoret e tij, cjap që mbahet me hatër, që ushqehet me tagji apo majë gjëje veçmas dhe fshehtas të tjerëve. Nuk shquhet për trimëri dhe guxim, cjap qullash dhe i plogësht. Ledhatimet e tepërta e të pameritura e kanë prishur në karakter duke ia bjerrur edhe më shumë ato pak cilësi të mira cjapërore.
Cuc, cjap budalla, ose i prapë, i keq, ters i madh, bravar.
Krahosh, cjap me trup mesatar i mbështjellë me një shirit me ngjyrë të veçantë e të ndryshme nga ajo e trupit. Shiriti krijon iluzionin se cjapi qëndron i futur brenda një unaze, e cila rrotullohet e lëviz bashkë me të. Krahoshi merr pjesë në ngjarje të mëdha të botës cjapërore, në përurime veprash të rëndësishme, në cermoni të ndryshme festive, në konkurse bukurie apo në festivale ndërkombëtare. Përuruesit, cjepët liderë, imitojnë prerjen e shiritave me gërshërë pikërisht duke këputur një xhufkë flokësh nga trupi i krahoshit sipas një riti të lashtë e të shenjtë. Për këto arsye cjepët krahosha janë simbol fitoresh e suksesesh të njëpasnjëshme, simbol hareje, dëfrimi e entuziazmi triumfues.
Kural, Kurë, cjap me ngjyrë të kurrët, e ngjashme me ngjyrën e gurit të spërkatur me pikëla të errëta, të lehta. Kurali parapëlqen relieve të mbuluara me gurë e shkrepa, vende të ashpra malore, rripa e rrëpira të mbushura me shkurre e barishte të shkurtra, si krisje, pirrha, këlbaza, bushe, dëllinja, gjëmbaçe, mërqinja, shqope, gjineshtra, etj. Mirpo popullimi i terreneve me gurishte krahas të mirave sjellë rreziqe të përhershme për rendin e cjapërisë dhe tufat e dhirta. Cjepët apo dhitë bien pre e sulmeve të njëpasnjëshme të nepërkave e gjarprinjve të gurit, që i kafshojnë herë në gjuhë, herë në këmbët e pasme, herë në qafë, herë në bark. Pickimi e kafshimi zvarranikëve sjellë dhimbje të forta, helmime të rënda e deri në vdekje të papritura e tragjike.
Gic, cjap me trup të lidhur, të fuqishëm, të mbledhur, cjap rondokop, i shëndetshëm, muskuloz si të ndonjë gici.
Zikel, cjap me ngjyrë të zezë, të murrme në të zezë, zeshkan. Në jug i thërrasin Ziko, pra, “ziosh”, një variant i “zikelit”. Cjap i bukur.
Zebun, zebul, zebë, cjap i viseve jugore, rritet në malësinë e Labërisë; ka ngjyrë të zezë të zbukuruar me dy viza kafe në sy.
Arap, cjapi me ngjyrë të zezë si ajo e zezakëve të Afrikës, stërr i zi. Një variant i këtij emri është dhe “xebo”, cjap xebo, i gjithi i zi.
Korb, cjap i zi, me ngjyrë të zezë si korbi. Rritet në trevën e Mokrës, Rrëzës së Malit të Thatë në rrethin e Pogradecit.
Krekuq, kokën e ka të kuqe dhe trupin të bardhë. Ndërsa Krezi përkundrazi ka kokën e zezë dhe trupin e bardhë. Kombinime të hatashme ngjyrash e tiparesh, larmi tipesh e karakteresh, pasuri e madhe vlerash, thesare kombëtare.
Sarok, cjap i thinjur si finjë, si pahitur si hiri. Ngjyra nuk ka lidhje me gjendje të hidhura shpirtërore, me vuajtje e mundime jetësore, me brenga e plagë të rënda, jo. Ngjyra është natyrale, dhuratë e Perëndisë, ngjyrë e lindur, e trashguar brez pas brezi.
Llapush, cjap me vesh të mëdhenj e të varur, me llapa të mëdha që i varen poshtë ose i lëkunden gjatë ecjes dhe vrapimit. Veshët apo llapat e tij bien në sy nga larg, për këtë arsye shokët e tij e përtallin, e qesëndisin dhe e shpotisin me ligësi. Mbahet si cjap i drejtë, naiv, i padjallëzuar, madje si cjap leshko, teveqel. Thërritet edhe Llapok.
Çipo, çuk, cjap që rritet në viset jugore, quhet kështu për shkak se i ka veshët e vegjël, ndryshe nga cjepët e tjerë. Thërritet edhe Çullash. Emri I Çipoës kombinohet me epitete shoqëruese, si Zebun - Çullash, ose Kenash-Çullash, Barxhul – Çullash, Mellanjash – Çullash, etj.
Gëzko, emri i këtij cjapi të krijon përshtypjen e një kafshe gazmore, të lumtur, të çlirët. Në fakt gëzkua është cjapi më serioz që mund të gjendet, pamja e tij shpreh jo vetëm autoritet por edhe vendosmëri të madhe karakteri, thellësi ndjenjash e mendimesh. Gëzkua rri përherë i vrenjtur, i ngrysur, i zymtë, i rëndë, i mbyllur, i ngurtë, disi i mënjanuar nga shokët, larg shakave, larg të qeshurave, larg hokatarëve, zhurmuesve, lodraxhive, larg rrëmujrave. Gëzkua ka bindje të palëkundur së ka lindur për të qënë lider, udhëheqës, president, kryetar, shef, vip, cjap i sërës së lartë që s’i ka hije të përzihet me lapërdharë e çapaçulë, me krijesa të ulëta e të rëndomta.
Breshko, quhet kështu cjapi që i ka këmbët e shkurtra, përmasat e të cilave kontrastojnë fort me pjesën tjetër të trupit. Pamja e breshkos ka diçka dizharmonike, që të krijon përshtypjen e breshkës me këmbë gati të padukshme dhe me zhguall të trashë përmbi shpinë. Cjap antipatik.
Gjeso, emër tepër i veçantë; gjesua është cjap me këmbë të gjata dhe me thundra të mëdha si të viçit. Nuk e dimë përse thërritet me këtë emër, pra, nuk zbulojmë dot kuptimin e fjalës “gjeso”. Etimologjia meriton hulumtime të thelluara e të posaçme. Perëndi e di se çdo të thotë “gjeso”!
Gjosar, ndryshe nga gjesua prejardhje e emrit të gjosarit është e qartë; gjosar rrjedh nga fjala “gjoks”, pra, cjap me gjokës të madh, që e bën gjosarin të jetë një nga cjepët më krenar, më dinjitoz, më fisnik, më autoritar. Gjosari rritet sidomos në malësitë e Skraparit, Kolonjës dhe Përmetit.
Kastriq, në fakt kemi të bëjmë me një huazim emri të marrë nga bota gjarpërore, pra kemi të bëjmë me një emër gjarpri. Cjapi quhet “kastriq” për arsye se është tepër i lëvizshëm dhe shumë i shkathët. Cilësori “kastriq” tregon se ky lloj cjapi parapëlqen shumë shkëmbinjtë, gurët e lartë, shkrepat, njëlloj si gjarpri kastriq, që si duket se e ka marrë emrin ngaqë rri mureve të kështjellave (Kastrove), rrënojave të kalave.
Rrezhdan, cjapi quhet kështu për shkak të rrezhdeve, xhufkave, thepëve të gëzofit të tij, sidomos ato që i dalin nën gushë. Rrezhdet janë si qendismat e vajzave për pajë, si rrezhdet e qilimave apo të perdeve të dritareve. Cjapi rrezhdan ka bukuri sugjestionuese me ato xhufka të vogla nën gushë e nën barkë. Cjap magjepsës!
Fani, cjap që prin kopenë, fani, prijës, lider, udhëheqës. Gjithmonë tufa ka nevojë për cjepër të tillë, ka nevojë për drejtues të mirë e të zotë. Fani ndodhet kurdoherë në krye të kopesë, në ballë të rrezikut, atje ku nevojitet trimëri, guxim dhe veti të shquara. Ngjall zilinë e fqinjëve jo vetëm për shkak të emrit por edhe të virtuteve të larta. Fani është pasuri kombëtare, duhet mbrojtur me ligje të posaçme ose të shpallet monument natyre nën mbrojtjen e UNESCO-s.
Balli. Balliun e lamë qëllimisht në fund jo sepse është i fundit i cjepëve, përkundrazi, sepse është balli i cjapërisë. Shprehja “ballë” në traditën shqipe ka hyrë me kuptimin: i Parë, ai që prin, Udhëheqës, Lider, Bato, Batosh. Ndaj themi për rakinë “ballëkazani”, për djalin “ballëdjali”, “balli i djemëve”, për trimin “ballazi”, “ballëpërballë”, “e mori rrezikun në ballë” etj. Cjapi “Balli” është prijësi, është cjapi që nuk ka frikë nga asgjë, as nga ujku, as nga bisha, as nga egërsira, as nga nata, as nga errësira, është cjapi që ndodhet në vijën e parë të luftës dhe punës, është cjapi që merr më tepër nga të gjithë përgjegjësi. Brirët e tij janë të drejtë e marrin qiellit. Trupi i “Balliut” është 1,5 i gjatë dhe 90 cm i lartë. Kokën e mban gjithmonë përpjetë sepse është tepër krenar për veten dhe sojin e cjapërisë. Balliu i meriton plotësisht epitetet “kryetrim”, “kreshnik”, “kapedan”, “levend”. Balliu mban mbi zverk zilen më të rëndë të tufës, zilen më të madhe e më kumbuese për të treguar pikërisht rangun dhe sërën e tij të lartë, të fisme, mbretërore. Kur ja do puna e detyra balliu mban në qafë katër zile njëherësh, të cilat u korespondojnë katër fushave të pushtetit: legjislativ, ekzekutiv, gjyqsor dhe mediatik. Dhjetra studjues janë përfshirë në kërkime të thelluara shkencore rreth jetës dhe bëmave të ballinjve shqiptarë.
nga http://fjalaelire.co.uk/2012/06/14/cjapologjia-dhe-moderniteti-shqiptar/