Bota e Beso Bashllarit[1]

TI VETEM EJA
-------------
Çdo dit’ që shkon e numuroj
Por dhe çdo dit’ pa ty më gjen
Çdo dit’ marr frym’ po nuk jetoj
Çdo dit’ të pres por ti nuk vjen

Ti vetëm eja dhe mos më duaj
Ti vetëm eja të të shikoj
Ti vetëm eja mallin të shuaj
Ti vetëm eja që të jetoj

Dhe flasim e flasim
----------------------
Në netët e mia
Ti hyn më le pa gjum’
Prap grindesh si fëmia
Faj ti apo faj un`

Dhe ktheve në grindje
Ca fjal’ ashtu kot
Dhe rende për ikje
Që s’të kuptova dot

Dhe flasim e flasim
Vec fjalë të ket’
Dikë edhe vrasim
Dikush dhe na vret

Dhe falje s’kërkojme
Kur bëjme gabim
Veç ikim vrapojmë
Për ikje pa kthim

Në netët e mia
Në do hysh përsëri
Mos eja si fëmia
Faj un’ apo faj ti

PRANVERËN SI SE KE NDJERË
--------------------------
Të pashë në ëndërr një nat’
Kur një tjetër ti puthje plot zjarr
Dhe në ëndërr dhimbjen ma zgjat
Dhe në ëndërr më hap prap një varr

Tash zogjtë të gjith’ cicërojnë
Si vall’ ti pranverën se ndjen
Si i le ti vitet të kalojnë
Dhe veç në ëndrra më vjen

Se kuptova kurr’ ikjen tënde
Mirëupafshim më the atë nat’
Nuk e di se ç’pate në mëndje
Dhe si zogjt’ more një rrug’ të gjat’

Mos më eja në ëndrra asnjëherë
Të puthësh një tjetër plot zjarr
Pranverën moj si se ke ndjerë
Dhe vargun tim djaloshar

DO TË BËHEM UNË SA TY
-------------------------
Ti je larg po pse aq larg
Si tja bëj mallit që m’merr
Bëhu sa un’ vetëm një çast
Dhe nisu eja menjëher’

Të prek pak buzët e tua
Mos rroj pastaj mbi këtë dhe
Bëhu pra një çast sa mua
Pastaj bëhu prap sa je

Larg në mosh’ oh sa larg shumë
Vaft’ në dreq kjo largësi
Në nuk bëhesh dot sa unë
Do të bëhem un’ sa ty

BORËS
-------------
Gjith' të tjerët të gëzohen
Mua sdi pse më trishton
Ca mendime seç më zgjohen
Mëndja s’di për ku m'vrapon

Mos ma quaj se s'të dua
Sepse nuk ësht' e vërtet'
Por kur re më vrave mua
Kur mendoja se jam "mbret"

Ajo m'iku kur ti re
U "dashurua" me ty
Thuaj pra që faj nuk ke
Mbushma mëndjen ti tani

Ndaj të kam marr' pak inat
Për atë që me ke bërë
Hë pra sillma veç një nat'
Edhe bjer' një vit të tërë

DO TE NDJESH EDHE TI DHIMBJE
-------------------------------
Kurr’ s’kam qën`kaq dashuruar
Si tani
Kurr’ dhe shpirti kaq trazuar
Që fëmi
Ti më thua të largohem
Ja po shkoj
Do ndjej dhimbje do trishtohem
Sdo jetoj
Do të le në jetën tënde
Ta shijosh
Kur të ndjesh ti dhimbjen time
Do kuptosh
Se të desha si nuk desha syt e mi
Se një tjetër sdo t’këndoj
Si un’ për ty 

NDJEJ SI NË DASHURINË E PARË
------------------------------
Përse se pranon dashurin’ time
Përse më le në vetmi
Përse të mbetet në ëndrra kujtime
Më thuaj që do vi

Mos më thuaj që më ke shok
Më thuaj që do vi
Sikur dhe nesër i shtrirë në morg
Do ëndërroj për ty

Përse thonë se dhimbja kalon
Përse thonë se shuhet çdo zjarr
Në se ke zot edhe beson
Ndjej si në dashurin’ e par’ 

T'I THEM KE IKUR TI
--------------------
Nata e par’ pa ty
Sonte në qytet
Oh kjo qetësi
Mua po më vret

Nuk kam se kujt t’i flas
Nuk kam se kë takoj
Vec dua të bërtas
Këtë qytet ta zgjoj

T’i them ke ikur ti
T’i them që un’ jam vrar’
T’i them si mundet rri
Dhe nuk vjen të të marr’

Një zile më dërgo
----------------------
Vetëm një çast kujtohu për mua
Vetëm një çast më telefono
Un’ të të them që prap të dua
Ti le të më thuash që nuk më do

Zërin tënd oh sa dua ta dëgjoj
Mbledhur në të të gjitha melodit
Ta dëgjoj dhe më të mos jetoj
Ndaj po lus gjith perëndit’

Ngrije receptorin më telefono
Të ngrihem të jetoj përsëri
Ose të lutem një zile më dërgo
Të besoj se ka patur vërtet dashuri

Edhe pse tani e di që nuk më do
Një zile një zile më dërgo

MOS RRI MBYLLUR NE SHTEPI
------------------------------
Eja të pimë një kafe të dy
Që të të them se sa të dua
Po ti rri mbyllur brënda në shtëpi
Dhe nuk di në kujtohesh për mua

Ti eja se gjethet po bien
Dhe mbi faqe lotët e mi
Të rrahurat e zemrës s’më ndihen
Ti eja mos rri mbyllur në shtëpi

Ti eja se malli më ka marrë
Doçkat të t’i puth si fëmi
Që vdekja mos më vijë më parë
Ti eja mos rri mbyllur në shtëpi

Dhe buzët t’i prekim ngadalë
Si në zjarr të digjemi të dy
Po eja se malli më ka marrë
Eja mos rri mbyllur në shtëpi

NENES TIME

Që ndrroi jetë në 27 qershor 2OO6
---------------------------------

Një jet’ të tër’ ndënja me nënën
Kurr’ su ndava
Një jet’ të tër’ më priste malli
E dot su ç’malla

Një jet’ të tër’ më shkuli veshin
Kurr’ nuk qava
Një jet’ të tër’ i putha dorën
E dot su ç’malla

Edhe në gjum’ ja ndjeja dorën përmbi ball’
Timen e kisha të gjith’ botën si në përrall’
Kur kisha hall a kisha ndonjë breng’ në shpirt
Buzqeshje e saj si një mëngjes çelte një drit’
Buzqeshje e saj më ndjek nga pas mua dhe sot
Një jet’ të tër’ndënja me nënën su ç’malla dot  

TE VËNDI I TAKIMIT
---------------------
Te vëndi i takimit shkova përsëri
Ndërsa në krahun tënd burri yt po dehej
Mendova mos ndoshta, ndoshta kushedi
Në castin e fundit mëndja të të kthehej

Dhe prita më shumë se herët e tjera
Prita mos hiqje vellon dhe vije
Kaluan dimra, kaluan pranvera
Sa pritje, sa lot, ky mall dashurie

Dhe që andej dola me shkop në dorë
I plakur...i plakur njëqind vjet
Me flokët e bardhë, të bardha dëborë
Me brengë e mall sa një det...

TË MENDOJ TY TANI
--------------------
Të mendoj ty tani, një plakë gjashtëdhjetë vjeçe
Të takohesh me mua shtatëdhjetë vjeçarin plak
Hë, të them , ti atëhere nuk deshe
Të putheshim një herë se do ikja larg

Të mendoj ty tani, një plakë gjashtëdhjetë vjeçe
Te takohesh me mua shtatëdhjetë vjeçarin plak
Dy të rinj atje tej të dehur në epshe
Dhe ne duke pirë një kafe...me pak

PRAPË DO TA NDJEJ KËTË MALL
-------------------------------
Edhe atëherë kur të jesh plakur
E të çapitesh ngadal'
Prap' do të them sa të kam dashur
E prap' do ta ndjej këtë mall

Edhe kur të ngjitesh nëpër shkall'
E frym' mezi të marrësh
Prap' do ta ndjej këtë mall
Dhe prap' do të të pres që të dalësh

Po sot nuk di ç'faj të kam bërë
Që u largove pa u ndjer'
Më fale gjith' botën e tërë
Ma more prap' më le të mjer' 

DHE ÇDO DITE SERISH DO TE VRAPOJME
-------------------------------------
Nga spitali dole ulur në një karroc'
Ti që me mua vrapoje çdo dit'
Vall' kaq mizore të jet' kjo bot'
Apo kështu e deshën perëndit'

Mbi gjunj' një fustan nuseje hedhur
Me atë fustan oh sa të prisja ty
Një mall që gjithmon' mbaja ndezur
E me atë mall të pres përsëri

O e dashura ime pa fat
Dhimbjen tënde ndjej në çdo çast
Ëndrra të bukura që thure plot
Befas tu kthyen në një karroc'

O e dashura ime pa fat
Dhimbjen tënde ndjej në çdo çast
Dhimbjen tënde në trup e kam
Në karroc' je ti edhe un' jam

Por çdo dit' do të vrapojmë
Karrocën tënde do të shty
Të dua si më parë besomë
Të dua se të desha vetëm ty 

Ju jap shpirtin tim
-----------------------
Një tezgë me armë
Një tezgë me libra
U shitën të gjitha
Armët
Ma hiqni këtë mundim
Në këmbim
Ju jap shpirtin tim 

HISTORI E VJETER
--------------------
Një behar’ të tërë
S’më fole me goj’
Thuam’ ç’të kam bërë
Që dhe ta kuptoj

Të kan’ thën’ për mua
Që jam shum’ i keq
Moj ç’po më thua
Ç’më dëgjon ca pleq

Kam qën’ i parritur
Kam hedh ndonje gur
Ca pleq kam goditur
Vërtet por dikur

Tani un’ kam nxënë
Jam një njeri tjetër
Në qaf më ka rënë
Histori e vjetër 

Sa larg
-------------------------
Shkelim lule, presim pemë
Dhe nuk dimë se ku po vemë
Shesim drogë, shesim fëmijë
Dhe askush nuk do tia dijë
Për një fjalë vritemi kot
Nuk besojmë që ka një Zot
.........................................
Oh, sa larg më duket paqja
Si, o Zot, s'na skuqet faqja?

Nuset presin vjehrrën...
----------------------------
M erdhi vjehrra në derë më mbeti
M'u vyshkën lulet, bobo ç'më gjeti
Sa më vjen vjehrra më prishet gjaku
Fajin ma ka burri që s'e çon tek plaku
Më ulet në qilim në mes të guzhinës
Ikën aroma e trendelinës
Pa do dhe kafe dhe çaj të ngrohtë
Ajo pi çajin unë kam të ftohtë
Pa kur i flihet do dhe të mbulohet
O bëftë të madhin dhe mos të zgjohet
Më mbet në derë , tani po qaj
Ka huqe shumë dhe nuk e mbaj.

Nuset presin nënën e tyre
----------------------------
Më erdhi nëna, oh ç'festë e madhe
Çelën dhe lulet artificiale
Sa me vjen nëna më sjell gëzim
Gëzon qyteti dhe burri im
Më ulet në divan, i jep nur kuzhinës
Më vjen aroma e trendelinës
I bëj dhe kafe, çaj me limon
Ajo pi kafen, lagjia gëzon
Pa kur i flihet , shkoj e mbuloj
E bëfsh të ëmbël, o nënë moj
Më erdh në shtëpi , nga gëzimi qaj
Ësht' nëna ime dhe do ta mbaj.


ATËHERË NUK DO TË JESH KJO
----------------------------
Në se të kërkoj një të puthur me prano
Se atëherë nuk do të jesh kjo
Por mbi një shkop e krrusur çalë çal`
Mbuluar nga rrudhat dhe flokë të bardh`
Me buzë të thara që s`kan`ç`kërkojn`
Me syt e futur thell`që më s`ëndërrojn`
Se vec me pleq e plaka për rreth do të jesh
E në k`ta syt e bukur drit` më sdo të kesh
Në se të kërkoj një të puthur me prano
Nuk bën mëkat jo jo

ME KE MARREZUAR
-------------------
Ti moj vajz`e bukur
Po me le pa mend
Her`me ben te lumtur
Here her`me cmend

Her`me qendron prane
Her`me iken fare
Her`si tramundane
Her`her`si manare

Her`me ndjek nga pas
Her`nuk te ze dot
Her`me ben te plas
Her`te qesh me lot

Her`epshet m`i ndez
Her`m`i shuan fare
Her`me zhvishesh vet
Her`si namusqare

S`kane te mbaruar
Keto qe tregoj
Me ke marrezuar
Ndaj dhe te duroj

AJO EDHE UNE PA FAJ
-----------------------
Sonte nuk me flihet
Vajza e vogel me qan
Sonte nuk me flihet
Si ajo edhe un`e vogel jam

E vogel fare ty te dashurova
Dhe nuk e dija djemt`si jan`
Nga qe te desha nuk them se u gabova
Por vajza e vogel me qan

E vogel vajza e vogel edhe une
Te dyja mbetur vetem ne shtepi
Qan ajo qaj edhe un`me shume
Te dyja vuajm`fajin qe ben ti

Nuk di ne se do vish por po te pres
S`jetohet me per vete ne mes esht`nje femi
Qe ajo mos qaj me duhet te mos vdes
Te pafajshme vuajm`fajin qe ben ti

Sonte nuk me flihet
Vajza e vogel me qan
Si ajo edhe un`e vogel
Si ajo edhe un`pa faj

MBETI VEÇSE NJË VEGIM
------------------------
Ne rinin' nuk e shijuam
Ajo iku me nxitim
Dhe për dashurin' s'kënduam
Mbeti veçse një vegim

Një rini pa minifund
Një rini pa diskotek
Erdh' e shkoi ajo pa zhurm'
Edhe shpejt e shpejt u tret

Aksion ish rinia jon'
Pun' kalitje pambarim
Ndaj u fik si meteor
Mbeti veç se një vegim

SI IKE?!
------------------------
Si ike të dyve na le
Përgjigje vajzës sdi t'i kthej
Kur çdo dit' me pyet për ty
Un' çdo dit' kam filluar ta gënjej

Se ikje gjithmon' do të ket'
Po si kjo ikje e çmëndur s'besoj
Të lësh edhe vajzën pes' vjeç
O Zot nuk mundem ta kuptoj

Kaq e madhe tu duk Italia
Sa të ikësh pa të ardhur keq
Kaq e vogël tu duk shtëpia
Dhe vajza e rritur pes' vjeç?!

Dhe në se kthehesh ti kthehu
Për vajzën që le në gjum'
Nga kjo ëndërr e keqe ngrehu
Qan ajo ndaj vuaj edhe un'

Dhe në se kthehesh të presim
Nga puna siç vije gjithmon'
Se vajza aq shum' ty të deshi
Sa gjith' dashurit' e qytetit ton'

Se vërtet e madhe Italia
Edhe bota e madhe ësht' vërtet
Por më e shtrenjtë dashuria
Dhe vajza e vogël pes' vjeç

PALLATI IKS
----------------
Në pallat të ri
E more shtëpinë
Mos moj për karshi
Me mua të zinë

Mos moj se më çmënde
Nuk i kam shakara
Mos për kokën tënde
Mos më dil përpara

Se s't'i duroj dot
Gjithë ato nure
Mos për atë zot
Mos se më sëmure

Më prishe rehatin
Do bëj marrëzi
Do ta prish pallatin
Do të vras dhe ty

NGA PUTHJA JOTE TË MALLKOHEM
-------------------------------
Në ëndërr puthjen ma mohon
Çfar’ po m’ndodh jo nuk po di
Edhe në prehër moj më qëndron
Edhe në prehër moj larg më rri

Përse më mundon kaq shumë
Në ëndërr jemi më beso
Jemi moj të dy në gjumë
Puthjen ti mos ma moho

Në ëndërr moj t’ marrt’ e mira
Buzët ti mos mi largo
Në për ty kam plot dëshira
Të paktën puthjen mos m’moho

Nga ajo ëndërr të mos zgjohem
100 apo 1000 vjet
Nga ajo puthje të mallkohem
Dhe në se më vret vërtet

NJË LOT MBETI MBI KITARË
-------------------------
Sa mall që kam sot
Nën' o nena ime
Bie një pik lot
Mbi kitaren time

Më ike shum' shpejt
Fluturove larg
Malli sa një det
Malli në cdo varg

Më mungove nën'
Në lodrat e mia
Nën' moj sa e rënd'
Ah kjo fëminia

Me mungon dhe sot
Ah moj zemra ime
Mbetet një pik lot
Mbi kitarën time

TANI EDHE PLEQTË
-------------------
Mes për mes qytetit
Me naze e ojna
Moj goc' e Nimetit
Leri ato lojna

Ne tani të pamë
Bo sa qënke bërë
Dhe nga mëndja vamë
Vamë që të të tërë

Ti na çmënde fare
S'po të durojm' dot
Cdo nat' nën dritare
Po vijm' njëqind plot

Të duan gjith' djemtë
Dhe burrat të duan
Tani edhe pleqtë
E humbën torruan

FALJUNI PAK DASHURI
--------------------
Mos e ngacmoni atë plakun
Lereni në hall të vet
Çuna,mos ja prishni gjakun
Shihni...kolla po e nget

Mos bëni trimin me të
Ai rrugës së tij kalon
Ai s'po ju thot' asgjë
Dhe po bën sikur s'kupton

S'di në keni pleq në shtëpi
Me bastune zvarrë zvarr'
Faljuni pak dashuri
Në k'të bot çdo gjë ka rradh'

Kësaj rruge do kaloni
S'mundet që t'i ikni dot
Këtë plak do ta kuptoni
Ndoshta them...dhe atë pik lot

Vdekur shpirti përgjithmon’
------------------------------
Mu kujtove sonte përsëri
Po dëgjoj një serenat’
Jashtë ftoht’, bie dhe shi
Në vetmi un’ si çdo nat’

Mu kujtove sonte përsëri
Serenatën më s’dëgjoj
E ftohta brënda erdh’ tani
Natë ikjeje më kujtoj

E ftoht’ ajo nat’ porsi atëher’
E ftoht’ kjo nat’ në shpirtin tim
Nuk di pse prap’ malli më merr
Dhe dhimbja zgjatet pambarim

Mu kujtove sonte përsëri
Por ti vallë a më kujton
Në një nat’ si kjo me shi
Shpirti vdekur përgjithmon’

O më e bukura poezi
-------------------------
Sonte…sa dëshir’ që kam
Të të shoh e bisedoj me ty
M’duket sikur askush nuk jam,
Sikur gjithçka je vetëm ti

Porsi një këngë që dëgjoj
Me më të bukurën poezi
Malli për ty më ndjek njësoj
Veç ai mall më bën shoq’ri

Për syt e tu sonte po shkruaj
Për buz’t e tua epsh dhe zjarr
Ah zëri yt më bën të vuaj
Malli për ty tash më ka vrar’

E dua që të vij tek ti
Por s’mundem dot ti je sa larg
O më e bukura poezi
O kënga që dëgjoj çdo çast  

Më thuaj ti si ta kaloj këtë nat’
Kur në shoqëri kam veç vetmin’
Kur ajo s’më ndahet asnjë çast
Dhe kur gjumi m’ka marr’ arratin’

Dhe dal e endem rrugëve kuturu
Në këtë të ftoht’ të ftohtë me acar
Dal të kërkoj moj të gjej syt e tu
Dhe ato buzë që do t’më ndiznin një zjarr

Dhe në ndodht’ mos t’i puth ato buzë
Të tjera buzë s’më ndezin dot zjarr
Le të endem për gjith’ jetën nëpër rrugë
I dashuruar i mallkuar gjer në varr’ 

KAM DHE UN’ NEVOJ’ PËR PËRQAFIM
-----------------------------------
Ja edhe kjo natë po kalon
Dhe mëngjesi vjen ngadal’
Po ti ku je kë përqafon
Dhe nuk më dërgon një fjal’

Në më deshe apo jo ti e di
Në më prite ndonjë dit’ me emocion
Në më puthje ti të tërin si fëmi
Dhe nuk di nëse vet a e beson

Ne të parët u puthëm në k’të bot’
Edhe trupat i bashkuam mos harro
Kishte apo dhe nuk kishte fare zot
Mëkatuam edhe kurr’ nuk thamë jo

Ja edhe kjo natë po kalon
Dashuruar sonte jam në ëndërrime
Po ti ç’bën tani kë përqafon
Kam dhe un’ nevoj’ për përqafime 

Vazhdoj të vuaj kot
---------------------
Vazhdoj te vuaj kot
Për një vajz' lozonjare
Me të tjer' qesh e lot
E un' po çmëndem fare

Vazhdoj të vuaj kot
Për një që qesh e lot
E un' s'mund ta puth dot
As sot, as mot...o Zot 

Hej... ti me minifund
----------------------
Hej... ti me minifund që pran' me kalon
Ktheje dreqin kokën, pse nuk më shikon?
Se vërtet un' moshën me ty nuk e kam
Por edhe i vjetër ta dish që nuk jam
Hej ti me minifund që pran' me kalon
Ndali pakëz hapat, për ku po nxiton?
Ktheje dreqin, kokën, se më plasi xhani
Se jam dyzet vjeç, jam në mosh' vullkani
Hej... ti me minifund, që s'të ndjek dot pas
Në e vrafsha veten, për ty do ta vras.....;) 

PRINDËRVE TË MI
------------------
Mu kujtuat përsëri
Ashtu si gjithmon'
O të mir' e të urtët e mi
Kjo zemër s'ju harron

Dhe ju mbaj në zemrën time
Ashtu si më par'
Se më jepnit shum' gëzime
Më sillnit behar'

Se më zbutnit ju çdo hall
Çdo breng' a mërzi
Ndaj për ju e kam një mall
O të mirët e mi

Mu kujtuat përsëri
Ndryshe s'mund të jet'
Për ju mbaj një dashuri
Sa për mijra vjet 

SINQERISHT
----------------
Atë natë nuk di për çfarë biseduam
Sinqerisht nuk mbaj mënd asgjë
Vetëm di që të dy nuk kënduam
Ti s'doje unë.....pa zë

Atë natë nuk di a biseduam
Sinqerisht doja të të thoja shum'
Vetëm di që nuk u përqafuam
Ti s'doje unë...po ç'të bëja un'?!

Atë nat' nuk di pse s'më tregove
As syt s'mi hodhe...sinqerisht
Vetëm di që atë nat' u largove
Nata dhe ti e ftohtë unë....pa shpirt 

Ç’M’I BËRE VITET
--------------------
Ç’m’i bëre vitet që si jetova
Për ty pa ty
Dhe pse për ty veç ëndërrova
Lumturi

Ç’m’i bëre vitet që si jetova
A m’i kthen dot
Dhe pse veç ty të dashurova
Në gjith’ k’të bot’

Ç’mi’i bëre vitet që si jetova
Oh ishin shum’
Kaq të pabes’ në s’të mendova
E vuaj un’ 

AJO NATË…
--------------------
Ajo nat’ nuk ishte si të tjerat
Nuk kishte puthje s’kishte përqafim
Mbetur larg të gjitha pranverat
Dhe brënda meje një dimër pambarim

Ajo nat’ akoma s’ka kaluar
E ftoht’ e errët vjen edhe tani
Dhe pse akoma i dashuruar
Por i vrarë koh’ më par’ nga ti

E çuditshme…atë nat’ prap e dua
Se harroj e kujtoj oh se ç’mallkim
I ndjej prap moj hapat e tua
Tek po ikin për një ikje krejt pa kthim

Ajo natë si të tjerat jo nuk ishte
S’kishte puthje s’kishte përqafim
Shekujsh dimrash brënda ajo kishte
Mall e dhimbje brënda shpirtit tim 

JAM PO AI PËR TY
------------------
Si mundem vall’ jetoj pa ty
I çmëndur jam apo kam qënë
Si s’paskam vdekur në rini
Edhe në dhe si s’më kan’ shtënë

Përse jetoj…si mundem vall’
Dhe frym’ si marr’ nuk e kuptoj
E mpleksur bashk’ breng’ edhe mall
E për at’ mall shkruaj këndoj

Këngët përse ti m’i ndalove
Nuk të pëlqeu zëri im?!
At’her’ një her’ nuk e dëgjove
Dhe e mban mend se ç’zemërim

Pastaj u zhduke s’di se si
Prap jam ai që dhe kam qën’
Dhe nëse kthehesh përsëri
Një vënd në zemër për ty kam lën’ 

TË URREJ PROVINCË
---------------------
Të urrej provincë deri në mallkim
Se jetën po ma merr pak e nga pak
Nuk më le të lir' si zog në fluturim
Por po më zvarrit, po më ndrydh, po më plak

Të urrej provincë deri në mallkim
Se këtu nuk dashuroj dot
Këtu dhe një fjal' e vetme në buz' më ngrin
Këtu dhe në verë ndjej të ftoht'

Të urrej provincë deri në mallkim
Se një me minifund në prehër dot se mbaj
Si s'më le një her' në qefin tim
Po cdo gjë që kam bër' ma ke quajtur faj?

Të urrej provincë deri në mallkim
Mes teje e meje nuk ka armëpushim

AH,KITARËN QË NUK MUNDA TA MËSOJ
-------------------------------------
Nuk e fsheh më merr malli shum’ për ty
Edhe pse tash nuk jetoj prap të kujtoj
Në mes nesh dhe tani kjo largësi
Në mes nesh një kitarë më mungoj

Ah kitarën që s’mësova tash sa vjet
Në çdo çast veten time e qortoj
Në k’të bot’ do të isha i vetmi mbret
Pa ushtri edhe pa një trupëroj’

Serenatë në çdo nat’ do të t’këndoja
Kishte yje apo binte edhe shi
Si i marrë atëher’ të dashuroja
Edhe pse më i marrosur jam tani

Edhe prap po mundohem që të shkruaj
Dhe pse zërin tënd më se dëgjoj
Edhe pse nuk ankohem që po vuaj
Ah,kitarën që nuk munda ta mësoj 

  1. Për lajmërimin e hajnis, ju lutem kontaktoni poseduesin nën adresen http://www.ardhmeria.info/member.php?u=474