1 e Timoteut - Kapitulli 2
|
1 Të bëj thirrje, pra, para së gjithash, që të bëhen përgjërime, lutje, ndërhyrje dhe falënderime për të gjithë njerëzit,
2 për mbretërit e për të gjithë ata që janë në pushtet, që të mund të shkojmë një jetë të qetë dhe të paqtë me çdo perëndishmëri dhe nder.
3 Sepse kjo është e mirë dhe e pëlqyer përpara Perëndisë, Shpëtimtarit tonë,
4 i cili dëshiron që gjithë njerëzit të shpëtohen dhe t'ia arrijnë njohjes të së vërtetës.
5 Në fakt një është Perëndia, dhe një i vetëm është ndërmjetësi midis Perëndisë dhe njerëzve: Krishti Jezus njeri,
6 i cili e dha veten si çmim për të gjithë, për dëshmim në kohën e caktuar,
7 për të cilin unë u vura predikues dhe apostull (them të vërtetën në Krisht, nuk gënjej), mësues i johebrenjve në besim dhe në të vërtetë.
8 Dua, pra, që burrat të luten në çdo vend, duke ngritur duar të pastra, pa mëri dhe pa grindje.
9 Në mënyrë të njëjtë dua që edhe gratë, të vishen hijshëm, me cipë dhe modesti dhe jo me gërsheta a me ar, a me margaritarë, a me rroba të shtrenjta,
10 po me vepra të mira, si u ka hije grave që i kushtohen perëndishmëri.
11 Gruaja le të mësojë në heshtje dhe me çdo nënshtrim.
12 Nuk e lejoj gruan që të mësojë, as të përdori pushtet mbi burrin, por të rrijë në heshtje.
13 Në fakt së pari u formua Adami dhe më pas Eva.
14 Dhe nuk u gënjye Adami, por gruaja u gënjye dhe ra në shkelje.
15 Megjithatë ajo do të shpëtohet duke lindur fëmijë, në qoftë se do të qëndrojnë në besim, në dashuri dhe në shenjtërim me modesti.