1 e Timoteut - Kapitulli 5
|
- Mos e qorto ashpër një plak, por këshilloje si atë, dhe më të rinjtë si vëllezër,
- plakat si nëna, të rejat si motra, me plot dlirësi.
- Ndero vejushat që janë me të vërtetë të veja.
- Por në qoftë se një e ve ka djem a nipa, këta le të mësojnë më parë të tregojnë perëndishmëri ndaj atyre të familjes së vet dhe t'ua shpërblejnë prindërve të tyre, sepse kjo është e mirë dhe e pëlqyer përpara Perëndisë.
- Dhe ajo që është me të vërtetë e ve, dhe ka mbetur e vetme, e ka shpresën në Perëndinë dhe qëndron në lutje dhe në të falura natë e ditë.
- Ndërsa ajo që jeton e shthurur, ndonëse rron, është e vdekur.
- Porosit edhe këto gjëra, që të jenë të patëmeta.
- Por në qoftë se dikush nuk kujdeset për të vetët, dhe më tepër për ata të shtëpisë, ai e ka mohuar besimin dhe është më i keq se një jobesimtar.
- Një e ve të regjistrohet në listën e vejushave, po të jetë jo më e re se gjashtëdhjetë vjeçe, të ketë qenë bashkëshorte e një burri të vetëm,
- dhe të ketë dëshminë për vepra të mira: që i ka rritur fëmijët e saj, ka pritur të huajt, ua ka larë këmbët shenjtorëve, ka ndihmuar nevojtarët, i është kushtuar vazhdimisht çdo vepre të mirë.
- Po mos i prano vejushat më të reja, sepse, duke u dhënë pas dëshirave të tyre, ngrihen kundër Krishtit, duan të martohen,
- duke tërhequr mbi vete një dënim, sepse kanë shkelur besimin e parë.
- Madje ato mësojnë të jenë përtace duke shkuar shtëpi më shtëpi, edhe jo vetëm përtace, por edhe llafazane dhe kureshtare duke folur për gjëra të kota.
- Dua, pra, që vejushat e reja të martohen, të kenë fëmijë, të bëhen zonja shtëpie dhe të mos i japin kundërshtarit asnjë shkak për të përfolur;
- sepse disa tashmë devijuan për të ndjekur Satanin.
- Në qoftë se ndonjë besimtar ose besimtare ka vejusha, le t'i ndihmojë e të mos bëhen barrë kishës, e cila mund të ndihmojë ato që janë me të vërtetë të veja.
- Pleqtë që e drejtojnë mirë parësinë në kishë, le të nderohen dyfish, sidomos ata që mundohen me fjalë e me mësim.
- Sepse Shkrimi thotë: "Mos ia lidh gojën kaut që shin në lëmë", dhe: "Punëtori e ka hak mëditjen e tij".
- Mos prano asnjë padi kundër një plaku, veçse kur ka dy ose tre dëshmitarë.
- Ata që mëkatojnë qortoji përpara të gjithëve, që edhe të tjerët të kenë frikë.
- Unë të vë në be përpara Perëndisë, dhe Zotit Jezu Krisht dhe engjëjve të zgjedhur, që t'i zbatosh këto gjëra pa paragjykime, dhe mos bëj asgjë me anësi.
- Mos i vër duart askujt me ngut dhe mos u bëj pjestar në mëkatet e të tjerëve; ruaje veten të pastër.
- Mos pi më ujë, por përdor pak verë për stomakun tënd dhe për sëmundjet e tua të shpeshta.
- Disa njerëzve mëkatet u duken sheshit edhe përpara gjyqit, ndërsa të tjerëve u duken më pas.
- Gjithashtu edhe veprat e mira duken; por edhe ato që janë ndryshe nuk mund të mbeten të fshehura.