E shëmtuara në univers


Faqe 5
faqe
- 6 -

Faqe 7
Ashtu siç theksuam më herët, i Lartësuari All-llah, bëri që e bukura të jetë prezente tek secila krijesë në univers. Për t’i mbajtur dhe për t’i ruajtur këto krijesa në bukurinë e tyre, Ai solli dhe caktoi edhe ligjet. All-llahu na shtrin duart, na ofron mundësinë për të vepruar mirë. Ai, i cili bëhet shkaktar për të mirë, ka fituar, ndërsa, ai, i cili mundohet të marrë diçka, të cilën All-llahu e ka ndaluar, ai konsiderohet shthurës dhe shkatërrues në univers.

Universi është krijuar sipas programit të All-llahut, për t’a shijuar harmoninë në çdo gjë, në punë, familje, fëmijë, risk dhe në çdo lëvizje të jetës së universit. Nëse jeton sipas ligjeve të All-llahut do të gëzosh mirësi, nëse largohesh prej ligjeve të Tij, padyshim se do t’a pësosh, jo vetëm në këtë botë, por edhe në ahiret (në botën tjetër). Prandaj thuhet: ‘Nuk ka dobi nga mirësia, e cila të shpie në zjarr, e as dëmi nga e keqja që të shpie në xhennet.’

Atëherë, si mund të kuptohet që: e mira të shpie në zjarr? Le të sjellim një shembull. Njeriu mund të vjedhë me qëllim që të japë lëmoshë, dhe ai jep nga ajo, që e ka vjedhur! Ua merr (pasurinë) të pasurve për t’ua dhënë të varfërve. Këtë person, ndryshe e cilësojnë si hajdut të “ndershëm”! Por atij nuk i takon aspak ky epitet, pra epiteti “i ndershëm”. Ai mendon se është duke vepruar mirë, por, në realitet, ai ka bërë një vepër të shëmtuar dhe dëm të madh. Ai ka vjedhur, gjë që All-llahu xh.sh. e ka ndaluar, edhe pse ai ka menduar që atë që ka vjedhur, t’ua shpërndajë të varfërve. Atij (hajdutit) nuk i sjell asnjë dobi e mira që ka bërë, dhe atij nuk do t’i pranohet kjo vepër, sepse ai e ka bërë atë, në mënyrë jo të rregullt dhe joligjore.

I Lartësuari All-llah, nuk kërkoi nga askush që t’a ndihmojë Atë, për t’i dhënë riskun dikujt tjetër. Ai është Furnizuaesi i të gjithëve. Edhe pasuria e ndaluar (vjedhur) është risk, por kjo pasuri, apo ky risk, është i ndaluar (haram).

All-llahu xh.sh., nuk e lejoi askënd që të marrë (vjedhë) pasurinë e ndaluar, e pastaj të thotë se bëri mirë. Njeriut nuk i lejohet dhe nuk ka kompetenca që të sjellë ligje. Ai nuk mund t’a lejojë atë që është e ndaluar, e as t’a ndalojë atë që është e lejuar. Për këtë, All-llahu i Lartësuar, në Kur’anin Kerim, na thotë:

" قل ارءيتم ما أنزل الله لكم من رزق فجعلتم منه حراما و حلالا قل ءالله أذن لكم أم علي الله تفترون"

Thuaj: a shikoni (keni menduar ndonjëherë) se All-llahu e zbriti riskun për ju, (ndërsa) ju atë (disa prej ushqimeve i konsideroni) se janë të lejuara e (disa) të palejuara (haram e hallall). Thuaj: mos vallë ishte All-llahu që ju dha leje për këtë, apo ju shpifni me (emrin) e All-llahut.” [1]

Kështu, i Lartësuari xh.sh., na mësoi se harami dhe hallalli janë me lejen e Tij, dhe në dipozicionin e Tij. Njeriut nuk i lejohet t’a ndalojë atë, që e ka lejuar All-llahu, e as të lejojë atë, që e ka ndaluar All-llahu. I Lartësuari nuk dëshiron, e as që ka kërkuar prej ndokujt që t’a ndihmojë Atë në univers, sepse Ai është Absolut, i Gjithëmundur për çdo gjë, ashtu siç thamë më sipër: ‘nuk ka dobi nga mirësia, e cila të shpie në zjarr.’

Ose shembulli i një gruaje, e cila e shet nderin e saj, pastaj mundohet t’a arsyetojë vetveten, duke thënë se (me këtë veprim) po mundohet t’i ushqejë fëmijët, për t’i edukuar!! Asaj i themi se, ajo çka ka bërë, është e ndaluar dhe e gjithë mirësia e saj do të shkojë bosh, sepse ajo nuk do t’i pranohet. All-llahu është më i pasuri nga të gjithë, sikur të duronte vetëm pak, ajo do të furnizohej nga All-llahu me hallall, për t’i edukuar fëmijët e saj.

Kështu është edhe me shprehjen: ‘nuk ka dëm nga e keqja, e cila të shpie në xhennet.’ Nëse një njeri ngadhënjen ndaj mizorisë, por pëson plagë, prej të cilave ndien dhembje të mëdha, kjo për të, nuk do të konsiderohej e dëmshme, por e dobishme. Sepse ai do të shpërblehet në mënyrën më të mirë. Nëse një njeri posedon një pasuri, me të cilën i plotëson nevojat e veta, por edhe i tepron diçka, dhe fillon të japë sadaka nga pasuria që ka, ai nuk do të jetë humbës, por fitues. Pa pikë dyshimi, ajo sadaka, do të shumëfishohet tek All-llahu i Lartëmadhëruar.

Të Dërguarit të All-llahut s.a.v.s., i ishte dhuruar një dele e pjekur. Ai dha urdhër që ajo dele, t’u shpërndahej të varfërve dhe të gjorëve. Këtë detyrë e mori Aishja r.a. Ajo e dinte se i Dërguari i All-llahut e kishte qejf kofshën e deles dhe e ruajti për të. Kur erdhi i Dërguari All-llahut s.a.v.s., dhe e pyeti për delen, Aisha r.a., i tha: e kemi shpërdarë të tërën, me përjashtim të kofshës. I Dërguari i All-llahut tha: paska mbetur e tëra, me përjashtim të kofshës.

Këto janë standartet e vërteta, si për të mirën, ashtu dhe për të keqen. Janë standarte të cilat, i ka vendosur All-llahu xh.sh. Por, fatkeqësisht njeriu gabon në përzgjedhje. Këtë mundësi, njeriut, në këtë univers, ia dha All-llahu xh.sh. Në vend se ai të zgjidhte për të zbatuar standartet e shëndosha e të sakta, ato të cilat rrjedhin nga natyrshmëria e tij, ai mundohet që t’i përgënjeshtrojë këto standarte nga egoja e tij.

Për t’a kuptuar këtë realitet, ne duhet t’i qasemi më gjërësisht studimit të krijesave në univers. Le t’u drejtohemi atyre krijesave, të cilat nuk e kanë lirinë e zgjedhjes. Le të shohim sistemin e veprimit të tyre. Do të shohim se ato kanë një sistem të mrekullueshëm dhe se ato veprojnë në harmoni të plotë midis tyre. Ato janë shumë precize. Secila krijesë kalon një jetë të qetë, pa mjerim, pa vuajtje, e pa mundim.

Dielli, hëna, yjet, planetet, ajri dhe mbarë ato krijesa, të cilat nuk ka mundësi zgjedhjeje, e kryejnë detyrën e tyre pa ndonjë ankesë, ndaj dikujt tjetër, dhe pa e lodhur askënd. Askush nuk është ankuar se dielli është vonuar në lindjen e tij, apo nuk është ankuar se ai ka lindur tek një popull, dhe nuk ka lindur tek populli tjetër. Rregullat e yjeve nuk e kanë lodhur askënd, dhe kur ato do t’a humbin kontrollin, së bashku me to, do të humbë i tërë rregulli i universit. Gjithashtu, askush nuk është ankuar, se nuk ka mundësi të gjejë ajër për të marrë frymë. Askush, gjithashtu, nuk mund të thotë se të reshurat u ndalën dhe çdo gjë mori fund: do të shkatërrohen arat, kafshët dhe njeriu. Askush nuk mund të thotë se toka ka devijuar nga trajektorja e saj dhe se ka dalë nga orbita, dhe se tani jemi mbi shtresat qiellore dhe se jemi duke shëtitur nëpër galaktikë pa drejtues, nëpër hapësirën e gjërë.

Referencat
  1. Kur’an, 10 / 59

Faqe 5
faqe
- 6 -

Faqe 7