Zylyftar Plaku është botues, gazetar profesionist. Është lindur më 06 korrik 1958 në Bistrovicë të Beratit. Arsimin e mesëm e kreu në gjimnazin “B.D.Karbunara” Berat e më pas shkollën Pedagogjike në Fier. Arsimin e lart për gjuhë - letërsi shqipe e përfundoi në Elbasan. Ka filluar të bashkëpunojë me shtypin që në vitin 1976, fillimisht ka bashkëpunuar me gazetat “Drapër e Çekan”, Fier, “Kushtrim” në Berat, “Mesuesi” dhe “Zëri i Rinisë”. Ka punuar mësues për lëndët Histori-Gjeografi në vitet 1976-1983, ndërsa në vitet 1983-1988 oficer aktiv në ushtri. Që nga viti 1983 deri në vitin 1988 kur u largua nga ushtria, korrespondent i gazetës “Luftëtari”. Në vitet 1988-1993 punëtor në Uzinën e Baterive, në Berat. Në vitin 1990 ishte bashkëpunëtori i parë nga Berati i gazetës “Rilindja Demokratike” dhe më pas korrespondent i gazetës “Sindikalisti”. Në vitin 1993 krijoi Agjensinë e shpërndarjes së shtypit dhe librit për Beratin, Kuçovën dhe Skraparin, ndërsa në vitin 1994 krijon Shtëpinë Botuese “Jonalda” dhe liçenson botimin e gazetës së përjavëshme të pavarur “Orakulli i Tomorit”. Gazetën “Orakulli i Tomorit” filloi ta botonte në vitin 1998 për rrethet Berat, Kuçovë dhe Skr**ar. Në vitin 2001 boton Rajonalen e pavarur “Gazeta Tomori” dhe “Vizion Rinor” po gazetë rajonale për moshat 13-20 vjeç. Është autor i disa librave, autor i një sërë shkrimesh dhe telekronikash në mediat shqiptare me emrin e tijë por edhe me emrat A. Bistrovoca dhe J. Plaku. Gazetar në “Gazeta Shqiptare” dhe TV “News 24” që nga viti 2001 dhe më pas. Korespondent i Qarkut të Beratit në gazetën “Shqip” me fillimin e botimit të sajë. Vazhdon të jetë derjtues i Shtëpisë Botuese “Jonalda”.