Dhjata e Re
< ZBULESA >
Kapitulli 22
1 | 2 | 3 | 4 | 5 | 6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 | 12 | 13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 | 19 | 20 | 21 | 22


1 Dhe më tregoi lumin e pastër të ujit të jetës, te kthjellët si kristali, që dilte nga froni i Perëndisë dhe i Qengjit.

2 Në mes të sheshit të qytetit, këtej e andej lumit, ishte druri i jetës që jep dymbëdhjetë fruta, dhe që nxjerr frutin e saj në çdo muaj; dhe gjethet e drurit janë për shërim të kombeve.

3 Dhe asnjë mallkim nuk do të ketë më; dhe në të do të jetë froni i Perëndisë dhe i Qengjit, dhe shërbëtorët e tij do t'i shërbejnë;

4 ata do të shohin fytyrën e tij; dhe emri i tij do të jetë mbi ballin e tyre.

5 Dhe atje natë nuk do të ketë; edhe nuk kanë nevojë për llambë, as për dritë dielli, sepse Zoti Perëndi i ndriçon; dhe ata do të mbretërojnë në shekuj të shekujve.

6 Dhe më tha: "Këto fjalë janë besnike dhe të vërteta; dhe Zoti, Perëndi i profetëve të shenjtë, dërgoi engjëllin e tij, për t'u treguar shërbëtorëve të tij gjërat që duhet të ndodhin për së shpejti.

7 Ja, unë vij shpejt; lum ai që i ruan fjalët e profecisë së këtij libri".

8 Dhe unë, Gjoni, jam ai që kam parë dhe dëgjuar këto gjëra; dhe kur dëgjova dhe pashë, rashë për ta adhuruar përpara këmbëve të engjëllit që m'i tregonte këto gjëra.

9 Dhe ai më tha: "Ruaju se e bën! Sepse unë jam bashkëshërbëtori yt dhe i vëllezërve të tu, profetë, dhe të atyre që i ruajnë fjalët e këtij libri. Adhuro Perëndinë!".

10 Pastaj më tha: "Mos i vulos fjalët e profecisë së këtij libri, sepse koha është afër.

11 Kush është i padrejtë, le të vazhdojë të jetë i padrejtë, kush është i ndyrë le të vazhdojë të jetë i ndyrë, kush është i drejtë le të vazhdojë të praktikojë drejtësinë, dhe kush është i shenjtë le të vazhdojë të shenjtërohet.

12 Dhe ja, unë vij shpejt, dhe shpërblimi im është me mua, për t'i dhënë gjithsecilit sipas veprave që ai ka bërë.

13 Unë jam Alfa dhe Omega, fillimi dhe mbarimi, i pari dhe i fundit".

14 Lum ata që i kryejnë urdhërimet e tij, që të kenë të drejtën për drurin e jetës dhe për të hyrë në portat e qytetit.

15 Jashtë janë qentë, magjistarët, kurvarët, vrasësit, idhujtarët dhe kushdo që do dhe zbaton gënjeshtrën.

16 "Unë, Jezusi, dërgova engjëllin tim për t'ju dëshmuar për këto gjëra nëpër kisha. Unë jam Rrënja dhe pasardhja e Davidit, ylli i ndritshëm i mëngjesit".

17 Dhe Fryma dhe nusja thonë: "Eja!". Dhe ai që dëgjon le të thotë: "Eja!". Dhe ai që ka etje, le të vijë; dhe ai që do, le të marrë si dhuratë ujin e jetës.

18 Unë i deklaroj kujtdo që dëgjon fjalët e profecisë së këtij libri, se nëse ndokush do t'i shtojë këtyre gjërave, Perëndia do të dërgojë mbi të plagët e përshkruara në këtë libër.

19 Dhe nëse dikush heq nga fjalët e librit të kësaj profecie, Perëndia do t'i heqë pjesën e tij nga libri i jetës nga qyteti i shenjtë, dhe nga gjërat që janë përshkruar në këtë libër.

20 Ai që dëshmon për këto gjëra, thotë: "Po, unë vij shpejt. Amen". Po, eja, Zoti Jezus.

21 Hiri i Zotit Jezu Krisht qoftë me ju të gjithë. Amen.