Dhjata e Vjetër
< ZAKARIA >
Kapitulli 5
1 | 2 | 3 | 4 | 5 | 6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 | 12 | 13 | 14


1 Pastaj i çova përsëri sytë dhe pashë, dhe ja një rrotull që fluturonte.

2 Engjëlli më tha: "Çfarë po shikon?". Unë u përgjigja: "Shoh një rrotull që fluturon; gjatësia e saj është njëzet kubitë dhe gjërësia e saj dhjetë kubitë".

3 Atëherë ai më tha: "Ky është mallkimi që po përhapet mbi gjithë vendin; sepse tani e tutje, kushdo që vjedh do të dëbohet prej tij dhe kushdo që tani e tutje betohet me të rreme, do të dëbohet prej tij.

4 Unë do ta bëj të dalë", thotë Zoti i ushtrive, "dhe ai do të hyjë në shtëpinë e vjedhësit dhe në shtëpinë e atij që bën betim të rremë në emrin tim; do të mbetet në atë shtëpi dhe do ta konsumojë bashkë me lëndën e saj dhe me gurët e saj".

5 Pastaj Engjëlli që fliste me mua doli dhe më tha: "Ço sytë dhe shiko çfarë është ajo që po del".

6 Unë thashë: "Çfarë është?". Ai tha: "Éshtë efa që po del". Pastaj shtoi: "Kjo është pamja e tyre në gjithë vendin".

7 Pastaj, ja, u ngrit një kapak plumbi, dhe kështu në mes të efas rrinte ulur një grua.

8 Atëherë ai tha: "Kjo është ligësia". Dhe e hodhi në mes të efas, pastaj hodhi kapakun prej plumbi mbi hapjen e saj.

9 Pastaj i çova sytë dhe shikova, dhe ja që po vinin dy gra me erën në krahët e tyre, sepse ato kishin krahë si krahët e lejlekut, dhe e ngritën efan midis tokës dhe qiellit.

10 Kështu unë e pyeta engjëllin që fliste me mua: "Ku e çojnë efan këto?".

11 Ai m'u përgjigj: "Në vendin e Shinarit për t'i ndërtuar një shtëpi; kur të jetë gati efa do të vihet mbi piedestalin e vet".