Xhevat Lloshi, personalitet i kulturës dhe i gjuhës shqiptare

Mehmet Çeliku

Konferenca shkencore si kjo e sotmja, që i kushtohet nderimit të punës së pr. Xh. Lloshit, një nga personalitetet më në zë të kulturës dhe të gjuhësisë shqiptare, është e mirëpritur, sidomos për faktin se ajo organizohet në të gjallë të tij me pjesëmarrjen e specialistëve bashkëkohorë, të kolegëve, të miqve e të nxënësve të tij, të cilët e njohin mirë dhe që shpalosin sot, me objektivitet dhe respekt, vlerësimet dhe opinionet e tyre. Njëri prej këtyre shokëve e miqve jam edhe unë: në të njëjtën kohë kemi kryer studimet në UT, ai për gjuhë letërsi ruse, unë për gjuhë letërsi shqipe, që të dy, pas studimeve, kemi pasur fatin të punojmë së bashku, për 13 vjet, në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë, ai në sektorin e leksikografisë e leksikologjisë midis shkencëtarëve të njohur A. Kostallari, A. Krajni, P. Geci etj., unë në sektorin e gramatikës e të dialektologjisë midis M. Domit, E. Çabejt, S. Rizës, S. Floqit etj.; bashkë kemi qenë deputetë të Kuvendit Popullor të Shqipërisë në legjislaturën 1992–1996; që të dy kemi pasur objekt studimi kryesor shqipen standarde, ai në fushën e leksikografisë e leksikologjisë, unë në fushën e gramatikës e të dialektologjisë; të dy kemi lektoruar si pedagogë të jashtëm në UT; kemi shprehur mendimet tona në shtyp për çështje të ndryshme të shkencave albanologjike, arsimore, për institucionet kërkimore, për çështje politike etj.

Veprimtaria kërkimore e Xh. Lloshit është shumë e gjerë, ai është një nga gjuhëtarët më produktivë me një varg studimesh origjinale dhe përkthimesh; midis botimeve të tij përfshihen vepra, monografi, studime, shkrime, artikuj, kumtesa, referate, intervista, diskutime, botuar në libra më vete, fjalorë, tekste universitare, në përmbledhje, në revista shkencore, në gazeta e kudo, brenda e jashtë Shqipërisë, përfshirë Kosovën, Maqedoninë etj.; produktet shkencore të tij janë mirëpritur dhe vlerësuar, janë botuar dhe ribotuar. Ai ka një pjesëmarrje aktive në shumë konferenca shkencore kombëtare e ndërkombëtare.

Cilat janë kontributet themelore të Lloshit? Xhevat Lloshi është një nga filologët me disa kontribute në fushë të studimeve gjuhësore shqiptare. Midis të tjerave vlerësohen sidomos kontributet e tij në fushën e leksikografisë e të leksikologjisë, në fushën e stilistikës së gjuhës shqipe, në studimin e historisë së lëvrimit të shqipes së shkruar dhe të autorëve më të rëndësishëm, si K. Kristoforidhi, V. Meksi, S. Frashëri, Gj. Qiriazi etj., në ndriçimin e mëtejshëm të autorëve, albanologëve e të institucioneve, si Majeri, Nahtigali, Kavalioti, M. Boçari, të Shoqërisë Biblike të Londrës dhe të drejtuesve të saj, Aleksandër Tomsoni etj.; ndihmesa ka Xh. Lloshi edhe në fushën e gjuhës standarde dhe të kulturës së gjuhës. Krahas këtyre, ai ka arritje edhe në përkthime veprash dokumentare e letrare nga gjuhët e huaja, ka hartuar gjithashtu tekste shkollore parauniversitare. Lloshi ka drejtuar punën për hartimin ‘e Fjalorit Enciklopedik Shqiptar’ dhe për dy vjet (1980–1982) drejtoi gazetën letrare-artistike ‘Drita’ në Tiranë etj.

Arritjet e Lloshit në fushat e sipërpërmendura gjejnë pasqyrim në këto vepra kryesore: Fjalor i Gjuhës Shqipe (1980), Fjalor i emrave të bimëve dhe të kafshëve (anglisht-shqip dhe shqip-latinisht-anglisht (2016), Njohuri për stilistikën e gjuhës shqipe (1987, 194 ff.), Stilistika e gjuhës shqipe dhe Pragmatika(1999 ,350 ff.); Përkthimi i V. Meksit dhe redaktimi i G. Gjirokastritit, 1819–1827 (2012, 398 ff.), Kristoforidhi përmes dokumentimit (2005, 410 ff.); Rreth alfabetit të shqipes (2008, 321 ff.); Mbështetje për gjuhën letrare (1997, 158 ff.); Shqipja gjuhë e hapur dhe dinamike, (2011, 327 ff.).

Ja disa vlera thelbësore të këtyre veprave:

Fjalori shpjegues shqip-shqip, 1980, është një nga tri veprat kodifikuese madhore të pasluftës në fushë të leksikut, botuar nga Akademia e Shkencave, krahas Drejtshkrimit dhe Gramatikës (që të tria këto janë vepra me bashkautorë); fjalorët dygjuhësh për bimët e kafshët janë me rëndësi të veçantë në leksikografinë e terminologjinë shqiptare. Mendime të reja ka shprehur ai edhe në fushën e leksikologjisë për leksikun e shqipes standarde për huazimet etj.

Lloshi në dy librat universitare për stilistikën ka hedhur bazat e një stilistike të mirëfilltë shkencore bashkëkohore të shqipes, deri më sot unike në llojin e vet, duke trajtuar konceptet themelore teorike të stilistikës si shkencë në përgjithësi e stilet në veçanti; duke u mbështetur në parime teorike bashkëkohore, ai analizon qartë raportin gjuhë letrare – stilistikë, dallon normën stilistike nga norma letrare, mjetet gjuhësore asnjanëse nga mjetet me ngjyrime stilistike, konstaton krijimin e sistemit të stileve në shqipe dhe e analizon atë në kuadrin e gjuhës letrare kombëtare. Ai dallon e formulon qartë stilet ligjërimore dhe stilet funksionale. Sistemi i stileve analizohet prej autorit në përputhje me të dhënat teorike bashkëkohore dhe konsiderohet prej tij si një tregues zhvillimor i shkallës së lartë që arrin gjuha, në rastin tonë shqipja e sotme letrare. Sistemi stilistik shihet prej tij si shfaqje themelore e variacionit të gjuhës, duke e parë variacionin e gjuhës në kuadrin e sistemit stilistik. Sipas tij, shqipja e sotme është një tërësi variantesh dhe gjuha standarde është varianti themelor i gjuhës për fushat e komunikimit publik, domethënë për veprimtarinë shtetërore, ekonomike, politike, shkencore, arsimore dhe kulturore. Pikërisht thellimi në studimet për stilistikën e sidomos për leksikun e kanë shpënë autorin në konceptin e një gjuhe shqipe të hapur e dinamike që ka përpara sfida të reja e që rrjedh nga rrethanat e reja të globalizmit, të lëvizjeve, të integrimit, të hapjes e të dygjuhësisë, një dukuri kjo jo vetëm e shqipes, por edhe e gjuhëve të tjera. Mendoj se këto koncepte kanë interes teorik e praktik për të ardhmen e shqipes standarde; herë-herë ato tingëllojnë si një kambanë alarmi për të ardhmen e standardit, ndoshta, edhe të identitetit tonë kombëtar. Unë e vlerësoj rrezikun asimilues të ndikimeve të huaja dhe në rrethanat aktuale më shumë parapëlqej qëndrimin tradicional, purizmin, sigurisht jo të skajshëm, sesa vlerësoj huazimet si pasuri të gjuhës. Jemi një vend i vogël, madje aktualisht jemi të detyruar të emigrojmë në masë, por kemi një përvojë me ‘dygjuhësitë e braktisura’ shqip-turqisht, shqip-serbokroatisht, shqip-maqedonisht (kjo e fundit është e pranishme edhe sot) etj.; shqipja është e pasur me mjete të shumta fjalëformuese për t’iu përgjigjur ndikimeve të huaja leksikore. Në radhë të parë, shkolla, sidomos e mesmja, me tekstet e gjuhës duhet t’i luftojnë huazimet leksikore të panevojshme. Të ardhmen e kombit shqiptar gjithashtu e shoh me optimizëm në gjirin e BE, ku shqiptarët pritet të jenë të bashkuar e më të lidhur e më afër njëri-tjetrit; trevat shqiptare do të jenë më të zhvilluara ekonomikisht, emigracioni do të jetë më i shpërndarë nëpër vende të ndryshme të BE, por më i kufizuar në numër dhe jo i ngulitur e i përqendruar si gjer tani në Greqi e Itali; gjithashtu kujdesi dhe mbështetja shtetërore e shoqërore për gjuhën pa dyshim do të rriten e do të fuqizohen nga forcat shkencore albanologjike të bashkuara të të gjitha trevave shqiptare mbarëkombëtare.

Një horizont tjetër në veprimtarinë kërkimore të studiuesit Xh. Lloshi hapën hulumtimet e tij më 1972 në Londër në arkivin e Shoqërisë Biblike Britanike dhe për Vendet e Huaja. Dorëshkrimet e dokumentet e gjetura prej tij studiuesi ynë i zellshëm i studio, i përktheu, i publikoi dhe i botoi në një seri veprash që pritet të arrijnë shifrën 10, punë së cilës ai i kushtoi rreth 30 vjet dhe që e vazhdon edhe sot. Vajtja e Lloshit në Londër ishte gjë e rrallë për kohën (unë atëherë thashë se Napoleoni nuk e kaloi La Manshin, Lloshi po); vajtja e tij në Londër, në radhë të parë, konsiderohet fat për kulturën shqiptare dhe për Kristoforidhin e madh, figura e të cilit në këtë rast u ndriçua plotësisht si gjuhëtar, ideator e patriot i shquar i Rilindjes. Rezultoi që Lloshi të ishte njeriu i përshtatshëm për të kryer misionin.

Të shohim më për së afërmi disa mendime e teza të Xh. Lloshit për shqipen standarde. Natyrisht, ai nuk është i pari dhe i vetmi që ka njohur, ka vlerësuar dhe ka mbrojtur shqipen standarde, por ka meritën se në vitin 1991 botoi shkrimin ‘Kultura shqiptare përpara shqetësimesh të reja’ (në ‘Sot’, nr. 5, 6), që përbën njërin prej shtatë shkrimeve të veprës së tij ‘Mbështetje për gjuhën letrare’, botuar 1997, 158 faqe. Lloshi doli me argumente shkencore në mbrojtje të gjuhës letrare të njësuar, duke iu kundërvënë veprës së Arshi Pipës ‘Politika gjuhësore në Shqipërinë socialiste’ (Nju-Jork,1989). Duke u nisur nga fakti se A. Pipa nuk ishte gjuhëtar, por antikomunist i flaktë (e, për pasojë, çdo arritje të periudhës komuniste moniste sipas tij duhej hedhur poshtë) atëherë e kam konsideruar debatin me A. Pipën si humbje kohe. Por sot ndërhyrjen e Lloshit e shoh me vend, sepse vepra e botuar e Lloshit luajti një rol jo të vogël në frenimin e jehonës antistandard të Pipës.

Sikurse gjuhëtarë të tjerë, edhe Xh. Lloshi ka shprehur mendime të drejta për shqipen standarde; të tilla janë: çdo popull i qytetëruar ka një gjuhë të përbashkët letrare, gjuha standarde është tipar themelor i kombit dhe i identitetit, gjuha e sotme letrare shqipe është arritje e rëndësishme kombëtare, është pasuri e përbashkët e shqiptarëve dhe e kulturës shqiptare, është fryt i përpjekjeve të disa brezave dijetarësh, standardi pati mbështetjen e gjithë shqipfolësve brenda dhe jashtë Shqipërisë, përfshirë shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, në trevat shqipfolëse nuk është e nevojshme të krijohen disa standarde etj. Tezat e njohura siç janë politizimi i skajshëm, normativizimi i tepruar, ndalimi me urdhër i variantit verior, nevoja për diskutimet e lira për standardin dhe përmirësimi i mëtejshëm i Drejtshkrimit janë thënë nga Lloshi dhe nga të tjerë studiues. Me emrin e Lloshit lidhen veçanërisht disa nga tezat e tij vetjake se gjuha standarde është nevojë e domosdoshme e shtetit shqiptar, të cilit ajo i shërben, se gjuha letrare është e domosdoshme për të siguruar vazhdimësinë e trashëgimisë, se shqipja standarde ka dy faktorë, normën dhe variacionin, se variacioni është i pranishëm dhe i nevojshëm për vetë ekzistencën e gjuhës, se gjuha standarde e ka pasuruar shqipen, i ka shtuar variacionet e pasurinë dhe ka thithur pasuritë e gjuhës shqipe.

Vite më parë kam kundërshtuar e kritikuar një tezë të paqartë të Lloshit dhe të B. Becit lidhur me perspektivën më të largët të standardit; këta autorë ia lënë portën hapur “atyre ndryshimeve që do të çonin drejt një varianti me bazë popullore, gjithnjë e më të gjerë”! (M. Ç, Çështje të shqipes standarde, ff. 285). Por më vonë Lloshi ka pranuar se “nuk qëndron asgjëkundi kinse argumenti, se standardi duhet të jetë sipas shumicës numerike të folësve” (Xh. Ll., Si po përdoret standardi, f. 324).

Qëndrimet e Lloshit, Çelikut si edhe të disa studiuesve të tjerë përputhen plotësisht a pjesërisht edhe për disa çështje gjuhësore konkrete, siç janë: shkrimi i emrave të përveçëm prej gjuhëve të huaja, ku si zgjidhje sugjerohet që në përdorimin e parë të jetë e pranishme në tekst edhe trajta e shqiptimit shqip sa më afër origjinalit (e para në radhë) edhe trajta e shkruar origjinale (kjo e futur në kllapa vetëm një herë në fillim); në vazhdim të përdoret vetëm trajta e shqiptimit shqip; pajtohem me Lloshin për përdorimin e shkronjës së vogël në emrat e muajve në data etj.; për drejtshkrimin me u dhe jo me v në fjalë si Europë etj., që është miratuar edhe nga Këshilli Ndërakademik. Lloshi si përkthyes i rangut profesionist, nga përvoja e tij ngrenë probleme për përdorimin e shkronjave në titujt, për shenjat e pikësimit në ligjëratën e drejtë etj.; ai bën thirrje për rivendosjen e prestigjit të gjuhës standarde, për njohje të mirë të gjuhëve të huaja, të cilat, ndër të tjera, do të kufizonin vërshimin e huazimeve etj.

Si shpjegohen këto arritje të Xh. Lloshit? Faktorët mund të radhiten në këtë mënyrë: puna intensive dhe entuziaste e një njeriu të palodhur dhe optimist për të arritur gjithçka të mundshme në fushë të kërkimit shkencor; njohja e mirë dhe sidomos shfrytëzimi me frytshmëri i disa gjuhëve të huaja që nga gjetja e lëndës teorike e hulumtimi i dokumenteve (rusisht, anglisht, frëngjisht, italisht etj.), duke vazhduar traditën familjare në zotërimin e gjuhëve të huaja; mprehtësia intelektuale e vetëbesimi në mendimin e tij dhe të përshtaturit e karakterit të tij në komunikim e bashkëlidhje me njerëzit dhe shoqatat; buzëqeshja e fatit për shfrytëzimin e arkivave jashtë vendit, ku ai për herë të parë siguroi lëndën faktike, thesarin e Shoqërisë Biblike Britanike, aq i domosdoshëm për të ndriçuar ngjarje me ndikime të forta në pavarësinë e kombit tonë; aftësia e tij për të përdorur e për të shfrytëzuar mjetet elektronike të komunikimit në të gjitha etapat e punës kërkimore. Përveç këtyre, kanë ndikuar jo pak edhe vendet e punës: emërimi në punë si punues shkencor në qendrën më të mirë kërkimore të shkencave albanologjike të vendit, siç ishte Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, drejtues i Fjalorit Enciklopedik dhe kryeredaktor i gazetës ‘Drita’, që i hapën horizontet kulturore, angazhimi i kufizuar i tij në fushë të mësimdhënies e arsimit dhe pozicionimi i tij për të mos bërë karrierë në poste drejtuese zyrtare a politike, duke e rritur dukshëm kohën në të mirë të kërkimit shkencor.

Do të ishte me interes të shtonim këtu edhe disa çështje konkrete të diskutuara e të publikuara prej prof. Xhevat Lloshit, prej meje si dhe nga disa kolegë të tjerë. Pa dyshim, ato nuk lidhen direkt me gjuhën, por po të zgjidhen drejt dhe të vihen në jetë, do t’i shërbejnë kulturës, shkencës, arsimit kombëtar shqiptar në përgjithësi si edhe gjuhës në veçanti. Ja disa prej tyre:

– Të miratohet nga Kuvendi një ligj për mbrojtjen e shqipes standarde nga shteti. Ky ligj shumë i nevojshëm, i propozuar, por, për çudi, i zvarritur dhe i pamiratuar deri më sot, do të shoqërohet me aktet nënligjore përkatëse. Ndër të tjera, Ligji për gjuhën do të jetë një mbështetje për shqipen standarde, duke e parë gjuhën si tipar themelor të kombit, për përdorimin e gjuhës në mënyrë korrekte në të gjitha sferat e jetës, në shkollë, në media, në radio-televizione e gazeta, në administratë e institucione shtetërore; ligji për gjuhën do të rrisë dukshëm kujdesin për të: çdo institucion shtetëror, administrativ e mediatik do të punësojë të paktën një redaktor gjuhësor në mbrojtje të normave gjuhësore; në zbatim të këtij ligji do të rishikohen tekstet shkollore, planet e programet e lëndëve gjuhësore në shkollë; do të shtohet kujdesi për gjuhën në kopshte e çerdhe, do të mësohet më mirë lënda e gjuhës në shkolla parauniversitare, do të mësohet gjuha shqipe si lëndë e veçantë e ndarë nga letërsia në të gjitha shkollat e mesme, do të zgjerohet shtrirja e lëndëve gjuhësore themelore në degët e mësuesisë të universiteteve, do të mësohet shqipja standarde në disa universitete jofilologjike, do të ndryshojë sistemi i provimeve të konkurrimit për shkollë të lartë etj.

– Të reformohet Akademia e Shkencave për ta bërë atë një institucion kërkimor shkencor aktiv dhe johonorifik. Sipas meje, AShSh, e financuar nga shteti tashti për tashti në mënyrë modeste, më vonë niveli i financimit do të rritej, fillimisht do të përmbante në strukturën e saj dy institute kërkimore: Qendrën e Shkencave Albanologjike dhe Qendrën e Shkencave të Aplikuara, përkatësisht me rreth 45 dhe 25 punues kërkimorë. Qendra e pare e Shkencave Albanologjike ngrihet në funksion të interesave kombëtare; ajo do të përfshijë minisektorë për leksikun, për gramatikën e kulturën e gjuhës, për historinë e Shqipërisë, arkeologjinë, etnografinë etj. Qendra e dytë e Shkencave të Aplikuara ngrihet në funksion të zhvillimit të ekonomisë, të mbrojtjes së shëndetit etj., për të sjellë nga jashtë e për të zbatuar në vend arritjet bashkëkohore; kjo qendër do të përfshijë në gjirin e saj specialistët më të njohur nga fushat e bujqësisë, mjekësisë, mineralogjisë e naftës, gjeologji-gjeodezisë, hidraulikës, hidroenergjisë-hidrocentraleve, ekonomisë etj. Akademia e Shkencave Shqiptare (AShSh) do të hartonte e miratonte Ligjin e Shkencave, do të planifikonte e do të hartonte strategjinë e punës shkencore, do ta udhëhiqte dhe kontrollonte kërkimin shkencor në vend, përfshirë gjithë punën shkencore të detyrueshme që do të kryhet në universitetet publike e private. AShSh duhet të ngrejë herë pas here komisione studimore dhe vendimmarrëse për zgjidhjen e detyrave të planifikuara. AShSh nuk mund të drejtohet nga partiakë, politikanë a njerëz që nuk janë marrë gjatë jetës së tyre me veprimtari kërkimore shkencore. Ta organizojmë Akademinë e Shkencave në përputhje me interesat e specifikën e vendit dhe të kombit dhe me një strukturë të qëndrueshme për sot e në perspektivë që të mos ketë nevojë të reformohet përsëri në një të ardhme të afërt. Reformimi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë të mos u lihet në dorë njerëzve të paaftë, interesave të ngushta dhe eksperimenteve, por të kryhet në bazë të interesave kombëtare të vendit, në bazë të përvojës sonë dhe të huaj.

– Gjuha shqipe të vendoset si lëndë e veçantë në të gjitha shkollat e mesme me tekste të reja, hartuar sipas një plani e programi të miratuar.

– Gjuha shqipe, gjuha e huaj, si dhe një lënde speciale në përputhje me profilin e degës së kërkuar, të jenë tri lëndët kryesore në konkurset për studimet e larta universitare.

– Të ribotohen Drejtshkrimi (1973) në një variant të përmirësuar me shumë pak ndryshime; të ribotohen Rregullat e Pikësimit (2002) gjithashtu me fare pak ndryshime dhe Fjalori Drejtshkrimor (1976) në zbatim (reflektim) të këtyre ndryshimeve.

– Të hartohet një fjalor terminologjik gjuhësor shpjegues i shqipes.

– Të hartohet një strategji kombëtare për shkencën, përfshirë të gjitha trevat shqiptare: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal I Zi.

Lidhur me produktet shkencore të Prof. Xh. Lloshit, më lejoni të shtoj edhe disa sugjerime:

– Për kontributet e Lloshit dhe të studiuesve të tjerë të planifikohen nga departamentet e universiteteve sipas fushave tema disertacionesh të cikleve të ndryshme, të cilat do të studiohen nga masteristët e doktorantët.

– Të hartohet nga vetë Lloshi një Curriculum Vitae dhe një Bibliografi më e plotë, më e saktë, me kritere të tjera e jo vetëm sipas viteve, ku të paktën përkthimet të ndahen veçan nga produktet e tij origjinale, ku ribotimet stereotipe të mos figurojnë si zë më vete.

– Të projektohet e të realizohet një botim i plotë dhe pa përsëritje i veprës origjinale të Xh. Lloshit; një seri tjetër do të përbënte botimi i dokumenteve të zbuluara deri tani, përfshirë ato të studiuara e ato të përkthyera nga autori.

Në konferenca të tilla zakonisht nuk flitet për të meta a për kritikë ndaj jubilarit. Prandaj këtu do të sugjeroj vetëm ndonjë gjë të karakterit redaksional: Xh. Lloshi në punët e tij ta inkuadrojë më mirë kontributin vetjak në kuadrin e përgjithshëm, çka do të ndihmojë lexuesin dhe vetë autorin; në botimet e tij shkencore ai duhet të jetë më i saktë, duke dhënë në çdo rast shënime të plota orientuese e sqaruese, dhe të mos jetë i kursyer në citime e bibliografi; gjatë punës së tij krijuese ka parapëlqyer shumë artikujt e përmbledhjet me artikuj, intervista etj., por edhe këto produkte shkencore shumë të vlefshme mund të shoqërohen me shënime orientuese për arritjet e mëparshme, për të evidentuar më mirë përfundimet e reja vetjake etj. Ana teknike e botimeve të produkteve të Lloshit mund të ishte më e mirë; e kam fjalën për mungesën e shënimeve në disa ribotime (jepet vetëm viti i botimit, por mungojnë shënimet sqaruese nëse botohet për herë të parë apo jo, nëse ribotimi i fundit ka pësuar ndryshime, etj.); ndonjë kritikë e autorit tingëllon ndonjëherë e ashpër e mohuese e skajshme (kështu, nuk e shoh të drejtë qëndrimin kritik të skajshëm të tij dhe jo vetëm të tij, kundër mbarë veprimtarisë së Këshillit Ndërakademik); në ndonjë rast mund të shtohej kujdesi në redaktim; për këtë të fundit po jap për ilustrim nja dy shembuj: në librin ‘Bibliografia dhe Shkrime për prof. dr. Xhevat Lloshin’, Tiranë, 2018, fragmente të tëra (paragrafë e faqe) të shkrimit të studiueses së njohur kosovare Shefkije Islamaj ‘Tekst me përdorim të gjerë e praktik Xhevat Lloshi – Stilistika dhe pragmatika’, Toena, Tiranë 1999, janë marrë e përsëriten fjalë për fjalë edhe në artikullin ‘Vepër me interes dhe me përdorim të gjerë’ f. 233-277; unë e kuptoj se për qëllime të caktuara kjo edhe mund të ndodhë, por e gjej pa vend riprodhimin mekanik pa referimet përkatëse, në librin kushtuar 80-vjetorit të lindjes së Prof. Xh. Lloshit.

Shokun dhe mikun tim të nderuar, prof. Xhevat Lloshin, e uroj nga zemra për punën e gjerë e me shumë vlerë kushtuar shkencave albanologjike e kulturës shqiptare dhe, duke i uruar jetë të gjatë e vepra të reja, shpreh bindjen time se kontributet e tij do të vlerësohen edhe më mirë në të ardhmen.


28 Gusht 2018