NË ENCIKLOPEDI Ndërsa, paradite në mbledhjen komemorative, të mbajtur në Institutin Albanologjik, jetën dhe veprën e Zekeria Canës përkujtoi akademik Pajazit Nushi.

“Është ndër të rrallët intelektualë të guximshëm dhe trim, që në çastet më të vështira të historisë së zhvillimit të shqiptarëve ka gjet pore, ka gjet vend, ka gjet kohë për t’u vënë në mbrojtje të të drejtave dhe lirive të shqiptarëve. Dita e pikëllimit të tij, është dita e pikëllimit të të gjithë qytetarëve të Kosovës”, theksoi Nushi. Duke shtuar se Zekeria Cana do të mbahet në mend edhe si studiues i mirëfilltë i historisë kombëtare, që me shkrimet tija dhe me veprat e tija shkencore ka lënë gjurmë të pashlyeshme në zhvillimit e mendimit shkencor të historisë kombëtare shqiptare”, ka thënë me këtë rast Pajazit Nushi.

Prof. Dr. Zekeria Cana, njëri ndër veteranët e histografisë shqiptare, figurë e dalluar e historisë sonë kombëtare, u lind në Gjakovë, më 15 mars 1934. Shkollën fillore, Gjimnazin e ulët dhe Normalen i kreu në vendlindje. Punoi dy vjet si arsimtar në Irzniq dhe Deçan, duke u marrë njëkohësisht me gazetari-si korrespodent i “Rilindjes” dhe “Radio Prishtinës”. Më 1954 i filloi studimet (si bursist i “Rilindjes”) në Universitetin e Beogradit, ku u diplomua në degën e historisë. Punoi aktivisht në organizatat studentore. Është njëri ndër themeluesit e Shoqatës Shqiptare “Përpjekja” të studentëve të Beogradit dhe sekretar i parë i saj, që me veprimtarinë e vet të ngjeshur la gjurmë të pashlyeshme. Më 1959 u largua nga PKJ për shkak të mospajtimit me qëndrimin-politikën jugosllave ndaj popullit shqiptar. Nga koha e diplomimit ushtroi detyrën e profesorit të historisë dhe të ekonomisë politike në shkollat e mesme të Prishtinës dhe Gjakovës. Më 1962 u pushua nga puna dhe kaloi në Arkivin Krahinor Shtetëror të Prishtinës, por e larguan edhe se andejmi dhe qëndroi një vit pa punë. Status i tij u rregullua pas Plenumit IV të LKJ të Brioneve (1966). Me rithemelimin e Institutit Albanologjik (1967) u pranua aty si asistent në Degën e Historisë. Më 1975 kreu studimet pasuniversitare në Beograd dhe mbrojti tezën e magjistraturës me titull: “Lëvizja Kombëtare e Shqiptarëve në Kosovë 1909-1912 dhe qëndrimi i Serbisë ndaj kësaj lëvizjeje”, kurse më 1984 në Fakultetin Filozofik të Prishtinës mbrojti disertacionin e doktoratës: “Socialdemokracia Serbe dhe çështja shqiptare 1903-1914”, duke u bërë model se si punohet dhe si mbrohet një disertacion shkencor e cilësor.

Gjatë punës në Institutin Albanologjik kreu edhe detyrën e sekretarit të Bashkësisë Krahinore të Institucioneve shkencore, të sekretarit shkencor të “Gjurmimeve albanologjike” dhe te sekretarit shkencor të Institutit. Veç kësaj u mor edhe më përkthime nga gjuha serbokroate dhe ruse, me publicistikë dhe eseistikë, etj.

Krahas punës kërkimore-shkencore bëri aktivitete të ngjeshura edhe në rrafshin shoqëror, politik dhe humanitar. Është bashkautor dhe shpërndarës kryesor i Apelit të 215 intelektualëve shqiptarë, themelues i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, që kërkonte guxim e vendosmëri dhe sakrificë personale e familjare dhe nismëtar i Lëvizjes së Pajtimit të Gjaqeve dhe të Ngatërresave dhe krah i djathtë i Prof.Anton Çettës.

Shkrimet e para shkencore zuri t’i shtjellojë më 1962. Duke pasur për bazë angazhimin shkencor (shif bibliografinë e punimeve studimore në vazhdim), është konstatim i përgjithshëm i historiografisë shqiptare se Dr.Zekeria Cana, për ta shprehur bindshëm Lëvizjen Kombëtare Shqiptare gjatë viteve të mëdha 1908-1912 dhe më vonë – fushë e interesimit të dijës së tij, bëri një angazhim përgatitor e studiues nga shumë burime e në detaje, që të hyhet thellë në ngjarjet dhe ambientin e kohës të periudhës së caktuar.

Kështu në themel të çështjeve dhe problemeve që trajtohen, studimet e Dr.Canës, kanë mbështetje të gjerë burimore, arkivore dhe bibliografike. Ato sjellin një kontribut të rëndësishëm për kryengritjet e mëdha shqiptare 1908-1912, duke trajtuar edhe probleme të mprehta politike, sociale, ekonomike, arsimore etj., gjatë periudhës në shqyrtim.

Nga sfondi historik, që jepet në pjesën më të madhe të botimeve të veçanta dhe të studimeve shkencore historike, del qartë se autori jo vetë që i ka ndjekur hap pas hapi këto kryengritje me karakter gjithëkombëtar, por edhe i ka parë të ndërlidhura ngushtë me gjendjen e Shqipërisë Etnike, me detyrat e Lëvizjes Kombëtare e Demokratike Shqiptare, kriter që i ka dhënë një vlerë të madhe trajtimit të ngjarjeve dhe fakteve kryesore të dy periudhave historike: para dhe pas shpalljes së Pavarësisë.

Mbi bazën e analizave shkencore, dhe duke pasur qëndrim kritik ndaj ngjarjeve të viteve të fushës së interesimit, Dr.Zekeria Cana bën shpjegimin historik të dokumenteve, punë që dëshmohet me anë te dokumenteve, duke demaskuar dhe duke hedhur poshtë si pseudoshkencë pikëpamjet dhe qëndrimet e histografisë ekspansioniste serbosllave lidhur me Shqipërinë Etnike të këtyre viteve dhe me shqiptarët, veçmas thekson vlerësimin e drejtë te rolit të masave dhe personaliteteve me peshë historike në këto luftëra për çlirimin kombëtar shqiptar.

Këto studime, që pasqyrojnë objektivitetin historik të ngjarjeve me rëndësi të madhe për historinë e popullit shqiptar, të shkruara me stil të rrjedhshëm, me gjuhë të pastër, me fjali të sakta, të qarta e të kuptueshme, kultivues e aktivizues i një leksiku të rrallë, sjellim një kontribut të rëndësishëm me njohjen e periudhës së Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe japin mundësinë për studimet e thelluara nga kjo fushë. Njëherit këto studime qartësojnë shumë koncepte dhe pikëpamje rreth mjaft çështjeve të diskutueshme historiografike të viteve 1908-1912.

Dr.Zekeria Cana është paraqitur edhe me referate dhe kumtesa në simpoziume dhe kongrese shkencore të mbajtura në Kosovë, ish-Jugosllavi dhe jashtë saj, në disa vende të Evropës. Me kumtesat e paraqitura në tubimet shkencore Dr.Zekeria Cana kudo u mirëprit me respekt nga opinioni shkencor.


11 janar 2009 - 16:08:41 

ref:http://www.rtklive.com/?categoryId=1&newsId=30673