Dritero Agolli, shkrimtar:
redakto- "Unë mund të them pa asnjë lëkundje se Vaçe Zela, si artiste e madhe, hapi një epokë të re në të kënduarën e këngës shqiptare dhe u bë nismëtare e një kulture moderne në këtë fushë."
Nexhmije Pagarusha, këngëtare
redakto- "Nuk kam parë shkëlqim më të bukur që del nga shpirti i njeriut se tek Vaçe Zela."
- [1] Edhe pa e takur, unë, Vaçe Zelën, e kam adhuruar shumë. Kur shkova për herë të parë në Tiranë, në vitin 1971, kisha shumë dëshirë të takoja disa këngëtarë, që unë i adhuroja, si: Avni Mulën, Vaçe Zelën, Luçie Milotin, Ibrahim Tukiqin… Dhe dëshira m’u plotësua. Para se ta takoja Vaçen, unë shkova në një koncert të saj. Paraqitja e saj në skenë ishte e mahnitshme. Mbeta pa frymë derisa po e dëgjoja. Pas koncertit u takuam. Nuk kisha parë ndonjëherë njeri si Vaçja nga shpirti i së cilës shkëlqente një botë e madhe, shkëlqimi i saj depërtonte thellë në thellësite e shpirtit të secilit. Ajo është një grua komplete. Është shumë e ngritur. Gjithashtu ka edhe një humor të mrekullueshëm. E kam takuar edhe herë të tjera kur kam shkuar në Shqipëri. Më ka pritë në shtëpinë e saj, me familjen. Po ajo është edhe një amvise e mrekullueshme. Banesa e saj shkëlqente nga pastëria. Servimin e ushqimit që bënte ajo nuk e bëjnë as në hotelet më të mira. Po lulet?Ato ajo i adhuronte dhe secila ishte në vendin e vet. Vaçja është e papërsëritshme.
Osman Mula, regjisor
redakto- ”Vaçe Zela ishte një këngëtare e madhe me zemër të madhe. Krijoi një botë të sajën. Ajo qëndroi me të dyja këmbët në tapetin e këngës shqiptare, si këngëtarja e krahasuar me një simfoni pambarim të së ardhmes. Vaçe Zela ishte një këngëtare potente, në vokalin e së cilës morën jetë shumë zhanre këngësh. Dhe në secilin syresh ajo dha një maksimum.”
Tish Daija, kompozitor
redakto- "Vaçe Zela ishte tepër e pa mëshirëshme. Përzgjedhjen e këngës e ngriti në kult"
- [1] Kam një jetë të tërë bashkëpunimi me Vaçen. Na lidhi miqësia, na lidhi karakteri, na lidhi dëshira për të bërë dicka të bukur për këngët e muzikës së lehtë shqiptare, në përgjithësi. Vaçja ka qenë një talent i rrallë dhe unë kam shkruar shumë për Vaçen se interpretonte shumë bukur. Dhe Vaçja duket ka qenë e kënaqur me mua. Kemi bërë diku rreth 10 këngë të suksesshme duke filluar që nga këngët e tipit popullor “Me lule të bukura” këngën e krushqëve, që këndohet kudo në Kosovë, pastaj këngën “Flakë e borë”, ”Erë pranverore”, ”Natën vonë” dhe shumë këngë të tjera që Vaçja i ka interpretuar në mënyrë të shkëlqyer. Ajo kishte edhe dicka tjetër të favorshme për mua: kur nuk i pëlqente Vaçes dicka, ajo nuk vepronte sipas miqësisë që të bëjë lëshim. Ajo nuk bënte asnjë lëshim! Nëse kënga nuk i dukej e realizuar, nëse kënga nuk përmbushte kërkesat e saj thoshte: më fal Tish ti nuk e ke qëllu! Ose, këtë nuk e bëj dot! Po, ishte kërkuese deri në maksimum. Ajo shikonte çdo germë, cdo notë, a është në vendin e vet, dhe në qoftëse i mbushej mendja, që ajo mund ta interpretojë mirë, fuste brenda gjithë pasionin e saj.
- Vaçja ishte e edukuar, që nga nëna e saj, për këngën popullore po këndonte vetëm këngën e lehtë, po pastaj, ju fut këngës popullore dhe u bë aq brilante, në këngën popullore, sa ishte edhe në këngën e lehtë.
Avni Mula, kompozitor e këngëtar
redakto- “Vaçja kishte një inteligjencë natyrale. Ia ka bërë "hyzmetin" këngës në të gjitha vështrimet. Dhe, gjithmonë ia ka arritur qëllimit. Vaçja ishte edhe njeri i sakrificës. E vendosur në atë që kërkonte të bënte. Madje, ishte kurajoze, trime. Për këto cilësi çdo këngëtare duhet t'ia ketë zili. Në shpirt ishte thellësisht humane, demokrate në mendime. Edhe si njeri ishte e drejtë, e dashur. Me kontributin që i solli këngës shqiptare, Vaçja mbeti një artiste e madhe, një patriote e vërtetë".”
Limoz Dizdari, kompozitor
redakto- ”Kërkesat e Vaçes në rrafshin muzikor ishin estetikisht të pakontestueshme. Vaçja ishte një këngëtare me zë të veçantë. Kjo veçanti kishte të bënte me gjithë formimin e saj biologjik e intelektual. Shijet e saj të natyrshme, shumë të kultivuara ishin të domosdoshme për ta bërë këngën estetikisht të arritur. Në rast se realizoheshin këto kërkesa, ti do të ishe i sigurt për suksesin e këngës. Në të kundërt, Vaçja nuk pranonte ta këndonte këngën.”
Nora Çashku, pedagoge e pianos
redakto- "Vaçe Zela ka qenë piedastal në skenë. Edhe si njeri, edhe si aktore. Vaçja ishte një zog në skenë. Ndokush mund ta ketë quajtur edhe të panënshtruar ose, në një farë mënyre, "rebele". Falë talentit ajo i është bindur zërit të brendshëm për të mos u nënshtruar kur ishte për t'i shkuar deri në fund fjalës në poezinë e këngës dhe ngjeshjes së frazës në melodinë e saj. Vaçe Zela ishte njeri i brishtë. Për mua ajo mbetet njeriu që solli emancipimin në skenë për shumë dekada. Fakti që nuk doli një e dytë mes shumë këngëtarëve, tregon që akoma s'është paraqitur në skenën tonë një talent i tillë."
Zana Shuteriqi, muzikologe
redakto- "Nuk bëj pjesë midis atyre që e njohin Vaçe Zelën nga afër, por midis mijëra shqiptarëve të tjerë që u pushtuan prej saj gjatë një periudhe 40-vjeçare. Kjo njohje për së largu është ndër të paktat arsye përse Vaçja tek ne u shndërrua në një mit. Arsyet e tjera janë të shumta, cilësisht të rralla për një brez të tërë që dijshëm apo vetëdijshëm i realizon kërkesat e komunikimit ngjeshur pas trupit të një radioje. Vaçja mendoj se mishëronte në atë kohë përfytyrimin më konkret të asaj çka ne kërkonim si në eter. Këndoi gjithshka dhe kudo la vulën e një personaliteti të papërsëritshëm, që komunikoi me tërë arsenalin e mundshëm të ndjenjave, prej të cilave do të veçoja atë çka përbën thelbin e shpirtit të saj: dhimbjen njerëzore. Vaçja kështu hyri midis shqipëtarëve me dhuntinë, me gjeninë e artistëve të mëdhenj, që kanë privilegjin të bëjnë epokë dhe që për këtë arsye janë të pazëvendësueshëm në identitein e vet."
Adriatik Kallulli, kritik letrar
redakto- {A.K. shok klase} "Të njohësh nga afër artistët më të shquar të kombit tënd, është një rastësi që nuk u ndodh të gjithëve. Qenë vite kur vendi mezi e siguronte kafshatën e gojës dhe rrobën e varfër të trupit. Jeta kishte fare pak gëzime dhe një këngëtare e vërtetë në klasën tënde, ishte një pasuri njerëzore e madhe dhe e rrallë, një grimcë gëzimi që të falte shoqja jote, një shoqe fisnike dhe humane që vinte tek kënga shpirtin e saj të madh, një shoqe e veçantë që lëndohej për të gjitha plagët e atdheut dhe të njerëzve dhe intuitivisht e ndjente se melodia dhe tingujt mund të bëheshin një ballsam për shpritrat e shqetësuar. Artistja Vaçe, mësëmiri dëshmon atë që pat thënë Mickelangelo "Ruajeni atë zjarr që ndjeni brenda vetes, se ai jeni vetë ju."
Ferdinand Deda, dirigjent
redakto- ”Ishte fat për ne njerëzit e artit, të kishim mes nesh një këngëtare si Vaçe Zela, për vokalin e saj të shkëlqyer në të gjitha komponentët. Kishte një forcë të madhe interpretative, që lidhej me shkallën e lartë të frymëzimit artistik. Përdorte një mjeshtëri të veçantë të kënduari, ku gjenin vend ngjyrime të shumta. Ishte njeri i thjeshtë dhe mjaft i dashur, por edhe e ashpër kur s'i përfilleshin kërkesat. Ishte tejkaluese në realizimin e qëllimit artistik për të çuar tek auditori pikërisht ato emocione që ngërthente kënga. Talenti, inteligjenca muzikore dhe intuita, kur unë drejtoja këngën e saj më krijonin gjendje të tillë emocionale, sa nuk më vjen zor ta them, se më drithërohej trupi. Me Vaçen ishte kënaqësi të punoje.”
Leka Bungo, regjisor
redakto- "Vaçja për mua dhe për të gjithë ka qenë një artiste që ka bërë epokë. Ka qenë e madhe që kur ishte e vogël. Një këngëtare e madhe dhe një aktore e zonja. Interpretimi i saj ka qenë kupola e interpretimit."
Mimoza Ahmeti, shkrimtare
redakto- "Personalisht për mua Vaçe Zela është burim zanor ekspresional i natyrës. Kësaj i shtoj edhe interpretimin e dlirë shpirtëror të këngëtares. Edhe pas kaq vitesh, kur dëgjoj Vaçe Zelën, ndiej po atë kënaqësi të veçantë, të palëkundshme, që vetëm ajo dhe zëri i saj të shkakton."
Fatmir Hysi, shkencëtar
redakto- “Ajo mbetet një shenjë e qartë e identiteti dhe kulturës shqiptare të kohës dhe për dekada të tëra do të jetë një pikë e rëndësishme referimi për nivelet e larta të kësaj kulture.”
Luan Zhegu, kantautor
redakto- ”Vaçja ishte e lindur si talent. Me punë u bë një këngëtare e veçantë në llojin e vet, një zë brilant. Ajo shpalosi prirjen e saj në një kohë kur mungonin mjetet auditive moderne. Vaçja këndoi gjithmonë " dal vivo". Kjo mënyrë e të kënduarit i jepte vokalit të saj një amplitudë të madhe. Ishte e vendosur në përzgjedhjen e këngëve, në kërkesat artistike. Madje e sertë dhe në koflikt me "drejtuesit" sa herë që ata nuk e kuptonin. Kishte nuhatje të dukshme për skenën, si vend i shenjtë. Vetveten, shikuesit i kishte mbi të gjitha. Kjo bëri që vokali i Vaçe Zelës të lartësohej në përmasat që kërkoi.”
Shqipe Zani, pedagoge e kantos
redakto- “Zëri i saj, brenda një shtrirje prej një oktavë e gjysmë, arrinte të shprehte një larushi të pafund jonesh e frazash me të cilat ajo mbështillte, si me një tis të hollë fluid vokali, ide, mendime të pafund, kaq të prekshme për dëgjuesin. Vaçja punonte si qëndistari me fjalën, frazën, përputhjen mes tyre. Mund të them pa mëdyshje që Vaçja kishte një interpretim brilant.”
Pavlina Nikaj, këngëtare
redakto- “Vaçja kishte një vokal të përsosur, për rrjedhojë edhe një interpretim të veçantë, perfekt, të cilin e vishte me një botë të madhe emocionale. Në axhendën e saj kishte një repertor të pasur, madje të larmishëm, që mund t'ia kishte zili çdo këngëtare: këngë popullore, këngë të muzikës së lehtë; ka kënduar baladën, romancën, në fillimet saj edhe këngën e huaj. Dhe, në të gjitha këto është treguar një mjeshtre e vërtetë. Si njeri, Vaçja ishte e dashur, vlerësuese përkundrejt simotrave të saja këngëtare, të cilat i respektonte. Si këngëtare ajo arriti një kulm. Për të gjitha këto cilësi, unë, si këngëtare e kam adhuruar Vaçen".”
Visar Zhiti, poet
redakto- ”Lushnja ishte qyteti i të ardhurve, i të përndjekurve dhe i të internuarve. Po të parafrazonim Pol Elyarin, Lushnja u bë kryeqytet i dhimbjes. Në këtë mjedis të dhimbjes rritet edhe Vaçja. Ajo me zërin e saj sikur u dha zë ... të pazëve! Ishte mahnitëse. U bë Afërdita e këngës moderne shqiptare duke mos iu ndarë kurrë rrufetë e frikshme zeusiane. Zëri i saj mund të quhet pjesë e lirisë së munguar.”
Aleksandër Peçi, kompozitor
redakto- "U çmallëm shumë duke ju parë, duke ju dëgjuar, duke kënduar e duke folur në atë mënyrën tuaj mjaft të ëmbël dhe emocionuese që ju ka karakterizuar gjithmonë. Ju thatë se ju mban gjallë dashuria jonë, ne themi se na jep jetë zëri juaj magjik, i papërsëritshëm, gjithçka që ju i dhatë këtij vendi e këtij populli."
Lirim Deda, poet
redakto- "Ne vërtetë jemi një vend, ku ka thesare të gjithfarëllojshme nën e mbitokësore, por më i çmuar dhe më i përveçëm është thesari ynë shpirtëror e kulturor. Përse u dashka që të mos udhëtojë nëpër shpirtrat e kombeve të tjerë një filigram i florinjtë mëmëdhetar si Vaçe Zela, që pashëmbëllsisht me askënd tjetër dëfton shqiptarizmin si më shqiptarja në këngë e melodi."
Ardit Gjebrea, kantautor
redakto- "Filloi kënga dhe unë u gozhdova i shtangur në kolltukun e platesë së Operas, duke ndjekur madhështinë e interpretimit të artistes sonë të madhe. Në një moment kulminant të këngës ndjeva që trupin ma përshkuan mornica dhe ishte hera e parë, që më ndodhte një gjë e tillë. Isha i magjepsur dhe në fund të këngës duartrokisja me gjithë fuqitë e mia dhe trupi vazhdonte të drithërohej nga emocionet që më kishte ngjallur zëri dhe çdo lëvizje e saj. Nuk mund ta harroj kurrë atë emocion dhe mbaj mend edhe vendin ku isha ulur atë natë, ku provova një emocion si të isha në dashurinë time të parë."
Liliana Çavolli, këngëtare
redakto- [1] Zëri dhe interpretimi i Vaçe Zelës pasqyrojnë shpirtin, fisnikërinë, bile mund të them edhe karakterin e popullit tonë. Vaçe Zela është një institucion më vete. Kam pasur rastin ta njoh diku në vitet ’70. Më ka lënë shumë përshtypje modestia e saj, ndërkaq artisti I madh është edhe njeri i madh! E tillë është Vaçja.
Sytki Bushati, mjek
redakto- (S.B. mik i familjes) "Vaçja sikur lindi për të bashkuar në këngë tokësoren me hyjnoren. Gjithshka në harmoni. Kjo është Vaçja për mua dhe për të gjithë ata që e kanë njohur. Nuk di pse më erdhën në kujtesë ato vargjet e poetit popullor shkodran: "Perëndia të goditi, kusur nuk të pat lanë."
Rikard Ljarja, aktor e regjisor
redakto- Asaj i këndonte shpirti, i këndonte syri, floku, lëkura, ...
- [1] "Vaçe Zelën e kam njohur në vitin 1961. Kemi qenë bashkëstudent në shkollën për aktor. Kemi qenë në një klasë. Vaçja ka qenë një tip i jashtëzakonshëm sepse ishte e formuar si artiste në atë moment që erdhi në kursin tonë. Kanë kaluar vite, vite vite... Ajo nuk arriti të bëhej aktore sepse Zoti a natyra, i kishte dhënë një dhunti të jashtëzakonshme, një zë vërtet të jashtëzakonshëm. Po nuk është thjesht çështja e zërit. Vaçja kishte potencën fizike, mençurinë edhe zërin, dhe këto të gjitha i përdori në mënyrë të shkëlqyer dhe arriti të bëhej një figurë mbarëkombëtare e këngës. Ajo nuk ishte thjesht një këngëtare, vërtet nuk ishte thjesht këngëtare! Asaj i këndonte shpirti, i këndonte syri, floku, lëkura, gjestikulacioni. Ajo ishte gjithçka. Këto fenomene të natyrës lindin shumë rrallë. I qëlloi epoka e saj. Epoka e saj ka lënë gjurmë kaq të thella në kujtesën e gjithë shqiptarëve, të gjithë brezave, edhe të atyre që do vijnë më vonë. Unë do ta quaja fenomeni Vaçe Zela. Për shqiptarët kudo që janë ajo ishte "the voice".
Mirush Kabashi, aktor
redakto- Gjithmonë më tingëllon zëri i saj...
- [1]Impresionet e para, për emrin e madh të Vaçe Zelës, i përjetova si gjimnazist i qytetit të Durrësit, qytetit tim të lindjes. Ardhjet e artistes së madhe, Vaçe Zelës, në teatrin e qytetit të Durrësit, konsideroheshin ngjarje shumë të mëdha. Për ju, dua të kujtoj një ngjarje interesante. Nga tavani i teatrit janë rrëzuar katër-pesë të rinj mbi kokat e spektatorëve, nga numri i jashtëzakonshëm i kërkesave ose nga mënyrat e tërthorta që kërkojshin të gjenin ata që kishin mbetur përjashta për të hyrë, dhe nëqoftëse nuk arrinin ta shikonin, të paktën, të kishin mundësi ta dëgjonin Vaçe Zelën. Dhe kishin hyrë nga çatia, nga dritat nga … ku vetëm në kushtet e një pasioni të jashtëzakonshëm njeriu, apo i riu, mund të sakrifikojë, aq shumë, vetëm e vetëm për të dëgjuar atë që quhej fenomeni Vaçe.
- Dua të kujtoj edhe një rast tjetër: Ndodhemi me Vaçe Zelën në pozitën, unë, të drejtuesit të programit të vitit të ri, që ishte ndër programet më të rëndësishme dhe më të ndjekura të vitit në RTSH, dhe Vaçe Zela, që padiskutim do të ishte e pranishme me zërin e saj, si një nga figurat kryesore të asaj mbrëmjeje aq të vaçant për teleshikuesin shqiptar. Mirëpo Vaçja, për fatin tim të keq, kishte një kompleks! Ajo nuk pranonte të intervistohej, në programet televizive, sepse kishte emocione të llahtarshme dhe nuk arrinte të formulonte frazat. Është shumë e vërtet kjo gjë, është karakteristike. Unë që doja patjetër ta intervistoja Vaçen, që të jem i sinqert, jo vetëm për nevojë të spektatorit por edhe për kënaqësinë time që të kisha një dialog me Vaçe Zelën, tashmë të filmuar, gjej një mënyrë të veçantë dhe shfrytëzoj faktin që Vace Zela kishte në repertorin e saj kaq shumë këngë me tematika të ndryshme sa i them: Vaçe, dakord, do bëjmë një kompromis: Unë do të të pyes me fjalë ndërsa ti shfrytëzo reperorin tënd për t’m’u përgjigjur me këngë. Dhe kështu proceduam. Dhe, nuk e harroj pyetjen e pare: Vaçe kur ke filluar të këndosh për herë të parë? Ajo u mendua për pak dhe filloi të përgjigjej “Dikur kur unë isha ende e vogël…” Po pastaj në rininë tënde? ”Kam qenë në rini shumë e gëzuar… ” Ky dialog, të cilin edhe sot kur e rikujtoj, më krijon vërtet shumë emocione! Na kaloi kaq mirë sa në fund pastaj pyetja ishte e ndërtuar në formë të tillë, sa pasi i kujtuam shtatë-tetë këngë, që shërbenin si këngë përgjigje, pastaj kënduam dhe një gjë sëbashku.
- Gjithmonë më tingëllon zëri i saj me një këngë të huaj që titullohej “Esperanca”. Pikërisht, kjo shpresë që Vaçja nuk e siellte nëpërmes përmbajtjes së këngës po nëpërmjet interpretimit të këngës, nëpërmjet asaj të veçante të këngës së saj, ishte ajo që e bëntë atë fenomen që e bënte aq të kërkuar që do ta bëjë atë gjithëmonë si një ndër yjet më të mëdha të artit tonë sepse Vaçja gjatë gjithë karrierës së saj artistike ngjalli te njerëzit vetëm ndjenjën e shpresës, po ndjenjën e shpresës në një sistem diktatorial, është një atribut që vetëm një artiste e madhe e përmasave të Vaçe Zelës mund ta ngjallte.
Nirvana Pistulli, poete
redakto- ...është një idhull...nuk i përket vetvetes...
- [1] "Vaçja është një idhull, është një emër që nuk harrohet, është një zë që nuk mund të zëvendësohet, është një melodi e përjetshme, është një lule plot dritë në një kohë të zymtë, ushqim për shpirtëra të etur. Ajo nuk i përket vetvetes, ajo i përket gjithë kombit."
Nexhat A. Agolli, shkrimtar
redakto- autor i monografisë "Vaçe Zela - magjia e këngës shqiptare": "Vaçe Zela ishte një yllësi që ndriçoi mendjen muzikore shqiptare për afër dyzet vjet radhazi me zërin e saj të ngrohtë dhe të gjithëpushtetshëm. Dy zëra në kohë të ndryshme të fenomenit Vaçe: në të parën adoleshente dhe, në të dytën, madhore. Mes tyre një periudhë e gjatë, e shtrirë në kohë dhe në hapësirë mes dy caqeve nga ku nisi dhe arriti zenithin këngëtarja jonë e shquar. Një lëvizje drejtvizore, e ngjashme me të tokës rreth vetes dhe diellit, por me një trajektore më të gjatë, do të thoja kozmike. Në kufirin e kësaj trajektoreje ne përjetuam zërin e saj të mahnitshëm."
Besnik Dizdari, gazetar
redakto- "Kur flet për Vaçe Zelën të del përpara një rrugë gjigande dhe vihesh në vështirësi për të gjetur fjalët e duhura, për të përmbledhur rrufeshëm një jetë të tillë. Unë them vetëm kaq: Brezi ynë u rrit me këngën e Vaçes. Në shpirtin tonë të trazuar zëri i saj i rrallë, melodia që buron prej tij, përshkohet si një lloj elektrizimi që sjell vetëm forcë. Është një forcë shpirtërore që blaton një lloj rinimi të pashpjegueshëm, që ishte krejt në kundërshtim me atë realitet! Është e çuditshme se si ndodhte, që edhe atëherë kur përmbajtja e këngës nuk sinkronizohej me zërin e magjishëm dhe me melodiozitetin që buronte prej tij, ne emocionoheshim deri ne skaj. Çuditërisht ndjeheshim me të fortë dhe nostalgjia që falte zëri shndërrohej në një optimizëm që sa vështirë ishte ta gjeje në Shqipërinë e asokohe. Ky është shërbimi i madh atdhetar i Vaçe Zeles ndaj shqiptarëve. Në të vërtetë Vaçja na fal humanizëm, te cilin ne nuk ia kthyem me kurgjë me tepër përveç se me duartrokitjet që thonë se janë shumë për artistin. Ndoshta..."
Violeta Librazhdi, mësuese
redakto- shoqe fëmijërie, autore e librit biografik "E papërsëritshmja Vaçe Zela": "Kënga e saj çante muret e Teatrit të Operas dhe Baletit, kaptonte rrufeshëm fusha, bregore e male dhe futej në çdo shtëpi shqiptari brenda e jashtë kufirit. Njerëzit e tjeshtë ndoshta nuk e dinë se sa çmime të para ka marrë Vaçja. Por ato dinë më shumë, dinë që Vaçe Zela është një bijë e denjë e popullit të saj, që kudo dhe kurdoherë ka në zemër e në mendje Shqipërinë e shqiptarët. E kjo është mjaft për ta. Prandaj ajo meriton ngrohtësinë, dashurinë dhe urimin e thënë tjesht: "Të këndoftë zemra, të lumtë goja o Vaçja jonë e shtrenjtë!" Kjo është arsyeja që ne, shoqet e shokët e saj, kur mblidhemi bashkë ndër festa shokësh e miqsh edhe kur ajo s'është, ngremë një gotë për të dhe na duket fort e goditur sentenca e latinëve "Shkëlqen mungesa e saj."
Agim Pepa, poet
redakto- [1] Në momentin kur po përgatitjej shtypi periodik i Tiranës për të botuar dicka për Vaçe Zelën, me rastin e 60 vjetorit të lindjes së saj, në ambientet tona letrare, diskutohej mjaft. Unë mes shokësh kam dhe një letrar mik, Fiqri Mujo, i cili ka qenë për 15 vjet në burg, burg për politikë. Ai në burg kishte me vete dhe kitarën e Vaçe Zelës. Fiqriu ishte një pasionat, një muzikant, dhe kur e kishin arrestuar, ai kishte marrë dhe kitarën me vete. Duke qëndruar kënd më kënd kitara ishte dëmtuar shumë, i ishte shtrembëru bishti, i ishin këputë telat, megjithatë ajo binte si kitarë, tingëllonte, dhe kur mendonim që kjo kitarë ka tingëlluar edhe në duart e artistes së madheVaçe Zela ata tregonin më tepër interes. Këtë ma thotë mua miku im Fiqriu, një ish i burgosur i Spaqit. Ma thotë historinë e kitarës dhe kjo mua më frymëzoi dhe shkrova poezinë, duke menduar se do të përcjell emocionet, disa mesazhe të atyre të burgosurve, të cilët gjithësesi po vuanin denimin po që nuk donin që të shkëputeshin nga jeta. Tingujt e kitarës së Vaçe Zelës, ata, shpeshherë I shoqëronin në gjumë, në burg edhe në vuajtje, dihet edhe në mjerim, se dihet që në burg nuk bëhej qejf. Ja kështu më lindi kjo ide të shkruaj këtë poezi e cila pati mjaft sukses.
- Një poezi është një moment, megjithatë ajo mban brenda një porosi sepse unë njihja edhe Vaçen, po njoha edhe dhimbjen e shumë të burgosurve atje.
Hysni Zela, këngëtar
redakto- [1] Zërin e kemi trashëguar nga nëna, ajo këndonte shumë bukur. Po të mos ishte nëna nuk do ishim as ne, kështu të paktën themi ne.
- Të them të drejtën, unë nga motra kam marrë shumë, mirëpo unë motrës nuk i kam dhënë asgjë përveç që e kam dëgjuar pa e kundërshtuar për ato që më thoshte ajo gjithëmonë.Vaçja më ka ndihmuar shumë në rrugën e artit, në rrugën e këngës, të cilën e vazhdoj edhe sot. Më kujtohet edhe sot kur Vaçja këndonte, unë i rrija pranë dhe sikur doja që me zor të bëhesha këngëtar, isha i vogël atëherë. Dhe ia arrita të bëhem këngëtar, jo në shkallën e Vaçes, po ja, arrita.
Rexhep Munishi, etnomuzikolog
redakto- ...kam pasur fatin të rritem dhe të jetoj me përjetimet e veçanta...
- [1] Fjalët e mira, që dikush i thotë për ndonjë personalitet, nuk janë çdo herë si shenj kurtoazie prandaj dua që të më besohet në shprehjen time shumë të sinqert në këto pak fjalë që do t’i them për këngëtaren Vaçe Zela. Unë, si dhe shumë të tjerë, kam pasur fatin të rritem dhe të jetoj me përjetimet e veçanta, me zërin e Vaçe Zelës, të cilën për shkak të rrethanave politike në Kosovë e dëgjonim tinëzisht por me plot admirim. Vetëm një interpretim specifik e i sinqert i dalë nga një shpirt, poashtu i madh e i sinqert, ka mundur të magjeps tërë botën shqiptare kudo që jetonte. Këtë e arrinte Vaçe Zela me këndimin e saj të vacant, tërheqës dhe mbi të gjitha shumë të dallueshëm dhe të papërsëritshëm. Kjo ka bërë që ajo dhe këngëtaret e tjera shqiptare të jenë jo vetëm në kujtesën e brezave që ndërrohen po edhe për kohë të gjatë të mbeten krenari e kulturës kombëtare.
Vitore Stefa–Leka
redakto- ...është dhe do të mbetet...
- [1] Vaçe Zela, është dhe do të mbetet shenja më e qartë e indetitetit të kulturës artistike shqiptare të kohës. Përgjithmonë do mbetet pikë e rëndësishme referimi për nivelet e larta të kësaj kulture.
Mardena Kelmendi, poete
redakto- ...nuk e arrij kurrë atë çka vërtetë do doja të thurja për të...
- [1] Në miliona notat e tua fluturova dalë nga gryk argjent i rrallë shpesh e dashuruar shpesh e trishtë e kaq herë me mallë nëpër stinë e nëpër nota vallzoja Valsin e Lumturisë, Ti e unë e mijra të tjerë të dashuruar në cilendo koh që ajo ndjënjë nis Në prehërin e gjyshës sa herë më ulë me kaq deshirë aty të rri me kujtove kaq herë ledhatimet pranë saj në fëmijëri Më dhe kaq emocion kur nënë u ndjeva në lindjen e fëmijës tim të parë ngrihej një sallë e tërë kur zëri yt Vaçes Zela qante mbi kitare Kaq herë më këngët e tua në buzë ai zë tingellonte e zgjonte ëndrat forca jote e dashurisë Artiste Populli, që i mjekove të gjitha zemrat Në vitet ku heshtjet mbulonin ftohtë shtratin e jetes ngrohtë zëri jot Ku me forcë ujvare jetë me kaq shpirtë na fale edhe sot nëpër botë Dridhej Kelmendi ushtonte malë e kodër Myzeqeja hapte zemrën, Yll i muzikës me pentagrame qiellore po i falë këngën E dashur ..shumë pak ky varg për sa dua të sjell deri tek ty në emer të emocionit që ke mbjellë tek unë , dashuri ka mbirë aty Lermë të ndjej akoma në këto vallëzime të lodhura të largësisë sensin e jetës në zërin tënd që i jep jetë veç dashurisë E dashur lejomë që ky varg si një shall në gushë të të ledhatoj me mall nga ai takim i paharruar me ty të të vi e perqafoj Ku lindin miliona të tjera fjalë e vargje që të dedikon çdo zemër me ty kudo jetoj e jeton dhe në shpirt të ka të gdhendur si emer Vaçe Zela grykë arta zemër flatra nder i artit të Shqipëris Uroj e dashur në zemrën tëndë diku ky varg dedikuar me dashuri Një FALENDERIM për mrekullinë që na ke falur të qendis.
- Këto vargje ia dedikoj idhullit tim, artistes së popullit, Vaçe Zela, i cili nuk e arrin kurrë atë çka vërtetë do doja të thurja për të.