DHEU I ARBËRISË[1]

        Grupi i arbëreshëve kaloi postbllokun e kufirit dhe ne që po i përcillnim i përshëndetëm me dorë. Ata mezi çapiteshin në tokë të huaj, duke kthyr kokën herë pas here nga ana jonë. Në veshët tanë tingëllonin ende fjalët e tyre të dhimbshme: "Mos na harroni! Harresa është vdekja e arbëreshit!"
        Ata dolën matanë dhe ne prisnim sa të kalonin kontrollin doganor. Për një kohë na u zhdukën nga sytë. Dukeshin vetëm rojat e huaja, që vërtiteshin atypari. Vonesa sikur u zgjat dhe ne ndiem peshë në zemër.
        Më në fund, ata dolën në sheshin para doganës. Menjëherë vumë re se u mungonte gjallëria e parë. Diçka duhej të kishte ndodhur.
        Dhe kjo u kuptua kur ata, pas pak, për çudinë tonë, u drejtuan për nga ne. Erdhën të gjithë, të gjithë së bashku, duke ndjekur njëri prej tyre që vinte në krye, me një qese të madhe plastmase në duar.
        - Ç'ju ka ndodhur?
        - Ja, nuk duan të na e lënë këtë ta çojmë në shtëpi.
        - Cilën? - pyeti dikush nga ne i hutuar.
        - Dheun tonë, - u përgjegjën disa zëra njëherësh.
        Atë çast u kujtuam se grupi i arbëreshëve, para se të nisej, kishte marrë një qese me dhé nga toka shqiptare.

(Nga "Larg dhe afër")

  1. GJUHA SHQIPE PËR TË HUAJ DHE SHQIPTARËT JASHTË ATDHEUT fq.291 Autor: Gj. Shkurtaj dhe E. Hysa. Sh.B. TOENA, Tiranë 2001. ISBN 99927-1-454-9