Lumo Skendo

redakto
        3.Biografia e Naimit[1]

        Biografia. Naimi, fëmijë i hajshëm, në moshën shtatë-tetë vjeç rimon vargje në tetërrokësh me fjalë pa kuptim. Djalërinë e kaloi në Frashër, mësoi te hoxhët turqisht, persisht, arabisht. E luante lojën e mësuesit si fëmijë. Në rinin e parë i vdiqën prindët dhe ai me fëmijët tjerë mbeten në kujdesin e vëllait të madh, Abdylit.Në moshën nëntëmbëdhjetëvjeçare hyn në gjimnazin Zosimea në Janinë, të cilin e mbaron për pesë vite, ku mëson greqisht e frengjisht. Mbas kësaj shkon në Stamboll për tetë muaj dhe sëmuret, kthehet në Janinë, shkonë fshatrave, rri dy vjetë pa punënë Janinë. Punon drejtor dogane dy vjet në Sarandë. Sëmuret, pastaj i kalon gjashtë muaj në shërim në Vjenë e në banjat Baden. Më 1878 tetë muaj punon në Berat, katër vite në vijim i kalon në Janinë e në Berat. Më 1882 qeveria e çon në Stamboll dhe nga ky vit deri në vdekje Naimi punon në Ministri të Mësimeve të Përgjithëshme, njëherë si këshillues në censurë, pastaj kryetar i kësaj mbledhjeje. Kurrë më nuk e lëshoi Stambollin. Vetëdija kombëtare u poq te Naimi sidomos pas ardhjes në Stamboll në kontakt me Samiun, Pashko Vasën e Jani Vreton, po një vetëdije e tillë nis të ndërtohet që në gjimnazin Zosimea, për ç'gjë Lumo Skendo jep këtë biografemë:
        Duke parë që ky komb (grekët) mburren me njerëzit e me vëndin e tij, Naimit dhe të vëllajt Samiut, q'ish bashk' në shkollët, u vinte dëshirë që të kenë edhe Shqipëtarëtë me se të mburren, dhe përpiqeshin të gjenin n'istorit të Shqipërisë njerës dhe vepra që të na apin nder.
        Kjo vetëdije kombëtare do të shpërthejë në pjekurinë e krijimtarisë së tij poetike me Historinë e Skenderbeut dhe Bagëti e Bujqësinë, për të ngritur në kult dashurinë për heroin kombëtar dhe për atdheun, Shqipërinë.
        Biografia shirtërore. Duke treguar e shenjuar detaje më karakteristike nga jeta e Naimit, Lumo Skendo tërthorazi krijon edhe shenjat e strukturës shpirtërore të poetit. Kjo në radhë të parë është kushtëzuar nga shëndeti i lig i tij në fëmijëri dhe sëmundja më vnë, që bënë që herët në jetë të jetë më shumë i mbyllur, i vetmuar, për të mos thënë edhe i izoluar. Në rininë e tij shëtiste i vetmuar nëpër tokën shqiptare të jugut, më vonë udhëton për shërim jashtë vendit, kurse pjekurinë e vet njerëzore kaloi në Stamboll gati i vetizoluar. Këtë vetizolim është i detyruar ta bëjë si mbrojtje nga pushteti agresiv dhe spiunët e tij mu në gjirin e qytetit të parë të perandorisë. Raporti i këtillë me rrethin jetësor, që bëhet edhe raport shpirtëror duke pasur parasysh obsesionin dhe pasionin e tij poetik, duket në biografemën ku trgon se si shkruante tinëz:
        Rrëfente vetë qysh shkruante libratë shqip: mbyllësh më një dhomë dhe kish kujdes që mos e shohë njeri. Kështu e shkroj "Bagëti e Bujqësinë".

...vazhdon...

        Veprimtara letrare. Lumo Skendo shënon se Naim Frashëri shkrimin e vet të parë në shqip e botoi në gazetën Drita më 1886, me pseudonimin D; e dikur më vonë e jep një shënim tepër të rëndësishëm për veprimarinë letrare të poetit:
        Që nga moti 1895 Naimi nukë shkroj gjë, se ra fort i dobët, edhe libratë q'u shtypnë më pastaj qenë shkruar më parë, pa sëmururë.

...vazhdon...

Kujtime

redakto

        NAIM BE FRASHËRI[2]
        Akoma s'ish zbardhëlluarë kur u hap dera; sa pa marrë përgjigjej, pritnja të më thoshin të ren'e ligë; Naim beu është fare keqë! këto të pesë fjalë më dredhin mishtë. Naim beu është keq! kishim katrë vjet e gjysmë q'e qanim këtë njeri të math; e dinim që smundja s'kish shpëtim! Po kujt i vente goja! E dinim, po s'donim tà besonim...
        E shtuna në fëmijën tënë është dit'e nëmurë, dit'e zezë. Ashtu shoj të shtunënë më dy orë të mëngjezit, 7 Vjesht'e 2-të 1900, një jetë që kish nisurë më një të natës duke gdhir'e hënë, më 13 të Majit 1846, në Frashër.
        Ná ku është ky njeri i dashur! na ku rri shtrirë! më vjen tà pyes si je...shiko po më përgjigjet...po më thotë, pas zakonit që kish, me zë t'unjët e tëmbëlë "prap ashtu jam!..." Ah, ç'them unë! ató buzë më nukë lëvizin, atá sy më s'shohin! s'i kemi kë të dëgjuarë më zënë! kur të kemi no një hall, më s'kemi kë të pyesim! s'ka se kush të na apë këshilla! S'ka kush të na apë kurajo dhe shpresë!
       Këtú fillosofija dhe mëndja s'hyjnë në punë; nj'e tillë myxyrë s'ka ngushullim; këtu njeriu le ç'ka mësuarë, le stërvitjenë, le mëndjenë dhe bëhetë foshnjë; zëmra zbulohetë nga pëlhurët'e njerëzisë dhe bëhetë siç është te foshnjeja, ashtú sí e bëri Perëndia! Buzët janë pa zë, po zëmra qan! njerëzí e shtëpisë janë të gurosur, vetëm lottë u rjedhin, krahrorë tpo psherëtjnë! sa zi, sa helm mi kët fëmijë!
        Me Naim benë nukë humbasim një gjërí të dashur, një të madhin e fëmijës, po një mësonjës, njëmpronjës, një këshillonjës, një átë! edhe jo ne vetëm, po gjithë Shqipërija.
        Tërë dita, tërë nata shkon në helm e në mejtime; s'duamë të flemë, damë t'i rrimë pranë se ...kjo është nat' e fundit! paskëtaj syt' e trupit më s'kanë për të par' atë Naim! vetëm mëndja e ka për të kujtuar dhe ka për të qarë.
        Një nga miqtë nxjer nga xhepí "Lulet e verësë" dhe na thotë: Paskëtaj për ne këtő fletë janë Naim; ay shkoj, vate te e vërteta, po këtó mbenë! Këndo "Të vdekuritë". Në këtó vjersha zëmra dhe helmi na gjen nj'ushqim:
Po vallë ku vanë?
Për jet'u-mërguan?
A po u-ndryshuan?
        E djela gdhihet, kjo është dit'e fundit; sot do vihetë në gjit të dheut, të këtí dheu i cili venë gjithë njerëzit, të mir' a të liq. Sot do pshihetë për jetë nga bota fytyr' e këti njeriu të dashur e të rallë! Sot do lihetë të kalbetë më pak kohë ky njeri që natura jà ka të rallë shokët, dhe s'i pjell veç se më ca qint vjet një herë!
        Shikoni këtá njerës! sa helm ka mi fytyrët të tyre! shihni sa janë të shumë: ka nga çdo fe, nga çdo vërsë, e nga çdo radhë.
        Këtá e njihnin në gjallëri: vinin e i kërkonin këshilla, vinin e pyesnin për çdo punë. "I varfërë vinja te Naim beu, i pasur shkonja; i urët vinja, i nginjët shkonja; pa shpresë vinja, plot shpresë shkonja; me shpirt të sëmurë vinja, kur shkonja ndjenja vethenë të gjall' e me shpirt; fjalët që na thoshte na shëronin zëmrën!" thotë një ng'ata.
        Këtá njerës që kanë sytë me lot, këtá janë ng'atá që kanë parë të mirë: kush kërkonte ndihmë, kush kish punë, kush kish djal' a çupë për në shkollë: kushdo që kërkonte ndihmë, s'kish ndihmës më ë madh e më të mirë se ky Shqipëtar i math që po varrohetë sot!
       Këtá të tjerë mi fytyrët e të cilëet është shkruarë helmi dhe zija, këtá të gjorë s'kanë pasurë fatin tà shohin në gjallërí Naimnë: po i kanë kënduarë librat shqip, i kanë mbajturë në zëmrë vjershatë; ató vjersha u-kanë dhënë dashurí për mëmëdhe e për njerëzí, ató libra u-kanë rrëfyerë ç'është mirësija, dashurija, puna dhe jeta! këta të gjorë janë të helmuarë që s'e panë dot sa ish gjallë, po kjo nuk'i ndalon të kenë nderim dhe dashuri të madhe për Shqipëtar' e math që po shpihetë në var.
        Këta të tjerë s'janë Shqipëtarë, po nga komb tjatrë: Tyrq, Grekër, etj.: kan' ardhurë me nder të math, se kanë pasu fatnë të kuvendojnë me Naimnë, dhe janë çuditur me diturinë, me mendjen, me silljen' e bukurë të tij!
       Ná se ku po ecin me krye t'unjët gjithë këta njerës; nga nderi arkën e mbajnë mbi kokë, më të lartë! ecin me gadale, se trëmbenë të vënë në dhet këtë njeri të dashturë: duanë tà mbajnë! dhe sikur të munt t'i epësh shpirt përsëi, e cili do kurcente të tinë?
        Ora shtatë! Arritmë në varr! këtú na pret një helm i ri: jemi përpara varit t'Albyl beut; kështu pra këta të dy vëllezërë që kanë rojtur bashkë, kanë punuarë bashkë, kanë pasurë një qëllim e një mendim, që janë përpjekurë tërë jetën' e tyre për Shqipërinë, janë dhe pas vdekjes ngjitur në var!
        Shikoni, ô njerës! ná se ku vihetë në varr Naimi! Naimi babaj i Shqipëtarëvet. Naimi babaj ynë, Naimi mësonjësi ynë! dy kut dhé arrinë për këtë njeri të math e të dashurë! Ná, humbi trupi! dheu po e mblon! më s'e kemi për të parë, më s'e kemi për të dëgjuarë!
        O njerës, gjithë kështu do vdesim! do vijë dita që të mbulohemi më një gropë, që të na kalbenë e të na bëhenë hîdhe eshtërat! Ahere s'na ka për të mbeturë gjë nga këtó poshtësít e dheut! Ahere nga lakmimi, nga ligësitë, mga poshtërsitë, nga djallëzitë, nga marrëzitë, s'do të na mbesë fare gjësen; vetëm një kujtim do të mbesë te njérëzit: si lum atà që kanë qënë të mirë! Perëndija do na njohinj gjithë punëtë.
        O njerës, mirrni pjesë nga ky varr që po mbulohetë përpara syvet: naimi shkoj për jetë! shkoj për ne, po vate te Perëndija! Neve na mësoj të bëhemi të mirë, të duhemi, të punojmë, të duamë Shqipërinë!
        Mirrni pjesë nga ky njeri përpara varrit të cilit po rrimë me sy të lotuarë! Mbani mënt fjalëtë që na thosh, këshillatë që na epte! Ki-e-ni për shëmbllë, se ish i mirë, i virtutshim, vetijmirë, një këshillojnës, një baba!
        O Shqipëtarë! në doni të nderoni kujtimin' e këtí njeriu të math që po e qan sot tërë Shqipërija, mbani mënt fjalët e tij: Jini të mirë, vetijë-pastër; doni mëmëdhenë dhe gjuhënë tuaj.
        U-mbarua dhe shërbim' i fundit q'i bëjmë këtí Shqipëtari, të cilit i kemi detyra të mëdha e të paharruara sa të rrojë Shqipërija dhe gjuha shqipe. Tani gjithkush ng'ata që kishardhurë të vërë në gji të dheut trupn'e Naimit, mer nj'udhë për të kthyerë, po me kokë t'unjur' e mejtuarë.
        Nga një brek kthejmë dhe një herë tjatër kokënë: na se ku, atje tej, n'atë pshat më tej Ysqydarit, dy orë lark nga Stambolli, në Merdiven-Qoj, mi jë brek, atje janë dy varret: njëri i ri, tjatëri bërë më 11 të Vjeshtës' së 2-të 1892; n'atá varre janë mbuluar trupat e vdirshim të dy vëllezërvet; atje në atë pshat të vogëlë, lark nga Shqipërija, lark nga er'e Shqipërisë, flenë për jetë dy njerës të shtrenjtë për ne; lark ng'ajo Shqipërí për të cilën rojtnë!
        Po do vijë dita - oh, kemi shpresë të fortë - që do lirohetë dhe do të lulëzojë Shqipërija, dhe ahere, do të shpihen' eshtërat e këtyre dy vëllezërve në Shqipëri, dhe t'u gëzohet shpirti duke parë - qoftë pas vdekjes - prondimn' e farësë që mbuallë me aq dëshirë.
       Eren-Qoj 1900

  1. Nxjerr nga "Midhat Frashëri Vepra" fq.14-22, Ndërmarrja Botuese RILINDJA, Prishtinë 1996.
  2. Nxjerr nga "Midhat Frashëri Vepra" fq.177-181, Ndërmarrja Botuese RILINDJA, Prishtinë 1996.