Ese filozofike[1]
shkruar nga Mr. Hamdi Thaçi


Atje ku sytë shohin driten e dritës

Eruditi gjenial, mendjendrituri Naim FRASHËRI, një trëndafil i përjetshëm në kopshtin e kulturës shqiptare

Sa e sa dallime ka në mes të një njeriu dhe një tjetri, në mes të një populli dhe një tjetri. Sa e sa varietete të rëndësisë, vlerës, karakterit, aspiratave, qëllimeve, religjioneve dhe mënyrave të jetesës. Po, megjithatë, në të gjithë këtë larmi individësh dhe popujsh të së kaluarës, të së sotmes dhe të së ardhmes, ekziston një ide e qartë, një ndjenjë e fuqishme, një dëshirë e pakundërshtueshme që i ka lidhur edhe do t’i ndërlidhë të gjithë njerëzit, e kjo është dëshira për lumturi dhe kënaqësi. Kjo aspiratë pasqyrohet në forma nga më të ndryshmet të gjithçkaje që njeriu ka krijuar dhe jetuar, që prej gjurmëve të para që ia njohim njeriut e deri në ditët e sotme.

Kësaj aspirate mbarënjerëzore popujt dhe individët i kanë shtruar dhe i shtrojnë qëllime nga më të ndryshmet. Ata që kanë vendosur qëllimet në nivel të forcave të tyre ndjesore dhe që kanë shterur në përpjekjet për të arritur të gjitha kënaqësitë sensuale në jetën e vet dhe për t’i thirrur ato deri në fund, kanë provuar edhe gjithë idhëtinë që fshihet në fund të jetës.

Përpjekja e tyre ka qenë e kotë, sepse dëshira e pafund e shpirtit nuk ka mundur të kënaqet me mjetet e kufizuara ndjesore. Breza të tërë i kanë dhënë fund jetës pa shijuar lumturinë, e cila krijohet në disa aspekte si p.sh. sa më shumë që të zgjerohet dituria, aq më i lirë do të jetë njeriu; sa më shumë që të ngushtohet dituria, aq më të rënda do të jenë prangat e robërisë së njeriut. Meqë dituria është skeleti i kulturës, kur zhduket pjesa më e madhe e saj, shthuret e gjithë struktura sociale e asaj kulture. Të tjerët kësaj aspirate i kanë vënë qëllime aq të largëta nga njeriu, saqë breza të tërë janë futur në dhe pa arritur asnjëherë qëllimin mashtrues, i cili si një fatomorganë ka qëndruar përpara syve dhe ka kapitur krejtësishtë forcën e dëshirave të tyre.

Megjithatë, gjithmonë ka pasur njerëz të mëdhenj, të cilët, duke u ushqyer me këtë dëshirë të fuqishme të njerëzimit, kanë kërkuar përmbushjen e saj dhe e kanë parandier në mikrokozmos, në vetë njeriun e pamatshëm. Në këtë grimcë të gjithësisë kanë gjetur shprehjen e aspiratës për amshim, kanë gjetur një botë të tërë të pamatshme, por të arritshme me fuqitë e njeriut.

Në këtë botë njerëzit janë munduar të zgjidhin problemin e lumturisë brenda njeriut. Dhe vërtet mund të themi se njerëzit që e kanë ndier përnjëmend lumturinë në jetë, kanë qenë ata që e kanë kërkuar intuitivisht ose në mënyrë të ndërgjegjshme zgjidhjen e këtij problemi brenda vetvetes.

I tillë është edhe Naim Frashëri, nismëtar i njohur i lëvizjes iluministe-etike. Emrit të tij nuk do t’i shtoj asnjë epitet zbukurues, sepse cilësori më i bukur i tij është fjala njeri, së cilës ai në një vistër artikujsh dhe punimesh pedagogjike-arsimore i ka dhënë një nocion/përkufizim aq të mrekullueshëm, të qartë dhe të avancuar.

Nëpër shpirtin dhe zemrën e tij të madhe e fisnike ai ka lëshuar si rreze dielli që të rrjedhin problemet, dhimbjet dhe synimet e njerëzimit. Dhe si prizmi i qelqtë që zbërthen dhe shpërndan dritën e diellit në shumë rreze ngjyrash të mrekullueshme të ylberit, të forcave të ndryshme të fshehta, ashtu edhe Naimi në zemrën e tij të ngrohtë dhe në shpirtin e kthjellët, me një qartësi të admirueshme ka analizuar madhështinë dhe forcën e njeriut dhe jetën e tij individuale e shoqërore. Dhe, ashtu si në figurën spektrale të dritës së diellit, radhiten ngjyrat që nga nuancat më të mbyllëta të rrezeve violete deri tek nuancat më të forta të ngjyrës së purpurtë, Naimi analizon në shumë artikuj të tij të gjitha forcat shpirtërore, duke filluar nga më të errëtat deri tek caqet më të larta pozitive të shpirtit njerëzor.

ZOTI: Kupa e lartë që s’ka fund e s’ka kufi. Që shpërndan argjend e derdh flori… Që ndër zbukuronjësit pa numrim... Endacakët që vozitin pa pushim, në çdo mëngjes e çdo natë që të sheh syri në tërthoret gjër’ e gjatë gjithë lulet, trajta e tyre ngjyra, era, gjithë drunjtë, kokat e gjedheve dhe të tjera, zhegu, ftohma dhe pranvera bukuroshe era, kroi dhe lëdina gjelbëroshe në çdo vend që hedh njëriu të zbehtin sy dritën e ZOTIT të vërtet e sheh aty.

Me një ngrohtësi dhe qartësi të rrallë, siç ka ditur të na flasë vetë Naim Frashëri, ai paraqet aq fuqishëm, bindshëm dhe qartë të gjitha problemet, edhe ato më të rëndat, dhe kështu ndikon tek njerëzit drejtpërdrejt e spontanisht. Nuk janë këto shkrime të mbushura me një terminologji të ftohtë shkencore të pedagogjisë, por aty rreh dhe vlon pulsi i fuqishëm i jetës së një shpirti të madh e tropikal popullor, pulsi i pedagogjisë së jetës.

Ky libër do të japë një pamje komplete dhe harmonike të personalitetit dhe punës së Naimit si pedagog dhe illuminist i veçantë popullor, si dhe njëherazi do të sqarojë konceptet mbi synimet dhe qëllimet e lëvizjes iluministe-etike, rreth të cilave ka pasur aq shumë kritika dhe sulme të papërligjura.

Po i japim publikut këtë libër me dëshirën e çiltër që t’u bjerë në dorë të gjithë arsimtarëve dhe prindërve, të gjithë atyre që aspirojnë një botëkuptim më të kthjellët dhe më të qetë, të gjithë atyre që kanë humbur besimin në jetë dhe në njeriun. Jemi të bindur se në këtë libër do të gjejnë nxehtësi për t’u ngrohur zemrat e mërdhira, e shpirti i kthjellët do t’i ngrejë në lartësitë ku nuk ka dhimbje e pikëllim dhe profesionit dhe jetës së tyre do t’u dhurojë forcën e produktivitetit pozitiv. Është mirë që çdo ditë të lexohet nga një artikull dhe të mendojmë e të gjykojmë për të në mënyrë kritike, ngase libri ka vlerë për aq sa na nxit për të menduar.

Si nuk i hedh një sy nga qielli i lartë! Të gjesh fronin e madhështisë së llogarisë! Po ti, hesht o krimb i tokës dhe dëgjo. Gjer te qielli e fshehta ti mos shko! Një pikë ujë varej në botë o i gjorë, që të shohësh në të mijëra frymorë! Nëngurin e ZOTIT e shikojmë në çdo send, kur kaq drita dhe të fshehta në përballe mbi të qenët dhe mos gjenë mos bëjë fjalë!

Po ua dorëzojmë pedagogëve tanë, shtrenguesve të mendimeve tona, këtë zemër të ngrohtë pedagogjike, me dëshirën që në zemrat dhe në shpirtrat e tyre të ndezë dashurinë për profesionin e tyre fisnik, në mënyrë që ata të bëhen bartës të vërtetë të rilindjes arsimore të popullit tonë, nga synimet patriotike. Dëshironi ta njihni një popull nga të gjitha aspektet, atëherë duhet para së gjithash në kulturë.

Letërsinë e tij, sepse kjo është busulla e vërtetë, fjalë dhe histori e gjallë e tij, letërsia e ekspliton të gjithë karakterin e njerëzve të gjallë që janë pjesëmarrës aktivë të momenteve historike.

Të gjitha letërsitë e ndryshme e përbëjnë një sistem të madh të artit letrar, në të cilin çdo brez i një populli ka kreacionin, invencionin dhe vlerën e tij shpirtërore.

Me uratën e mendimeve, të ndjenjave dhe të punës sonë, ua dhurojmë miqve dhe shokëve tanë këtë tufë lulesh të rritura në shpirtin e nismëtarit dhe udhëheqësit të admirueshëm, me dëshirën që në luftën për ideale të jetës ta selitin në shpirtin e vet dhe të nxjerrin frytet e freskëta për të mirën e popullit, të atdheut dhe të njerëzimit.

Gjurmë të rritës e dritës në veprën “Ëndërrime”
"Tahajjulat" (Endërrime)

Përmbledhja e poezive lirike romantike të poetit tonë kombëtar Naim Frashëri, shkruar persisht dhe botuar në Stamboll më 1884, nën titullin e përbashkët Tahajjulat, përbën fazën e parë të krijimtarisë së tij. Megjithatë ajo nuk pa dritën e botimit në gjuhën shqipe, për shkak se në atë kohë poeti ynë, i ndodhur përballë ngjarjeve të rëndësishme politike, që po zhvilloheshin në dëm të kombit tonë, u hodh në sferën e gjerë të veprimtarisë për përhapjen e arsimit dhe kulturës kombëtare, si detyrë urgjente që shtronte në atë kohë lëvizja për forcimin e plotë të vetëdijes politike shqiptare në funksion të luftës për çlirimin dhe mbrojtjen e atdheut. Për këtë qëllim patriotik, ai zhvilloi veprimtari të madhe në të përmuajshmen "Drita"-"Dituria" në Stamboll (10 gusht 1884-20 korrik 1885) në bashkëveprim me Sami Frashërin, Janë Vreton dhe Pandeli Sotirin, ky i fundit kryeredaktor i saj. Siç dihet, Naimi aty filloi të shquhej si poet i madh kombëtar.

Në këto rrethana historike, përmbledhja poetike Tahajjulat, pas një kohe të gjatë, e qarkulluar në Stamboll dhe sidomos në Persim, në vitin 1971 ra në dorën e poetit Vexhi Buharaja në Tiranë, njohës i pashoq i gjuhës persiane dhe shqipërues mjeshtëror, i cili e bëri atë të fliste në gjuhën elegante shqipe me titullin Ëndërrime.

Përmbledhja poetike Endërrime përbëhet prej 26 poezish, shkruar gjatë kohës së qëndrimit të Naimit në Berat (viti 1873) nënpunës në Zyrën e tatimit të të dhjetave në sarde (në vitin 1874-1877), nënpunës në Zyrën e doganës në Sarandë e më pas në Stamboll, ku u vendos përfundimisht me familjen, me punë kryetar i Komisionit të kontrollit të botimeve pranë Ministrisë së Arsimit Turk, ku siç dihet, ndihmoi shumë për dhënien e lejeve të qarkullimit të botimeve shqip, që shtypeshin në Stamboll, Bukuresht, etj., në qarqe atdhetare kulturore shqiptare.

Gjatë viteve 1873-1883 tek mbyllet ky cikël i poezive, në imazhin e frymëzimeve poetike meditative në objekte të veçanta frymëzimi mbi natyrën, në shpjegimin e fenomeneve botëkuptimore dualiste fetare filozofike, janë kristalizuar në gjerdanin e poezisë së tij të bukur, përshkruar në mendime të thella si dijetar i vërtetë. Kjo shihet qartë në poezinë Qielli, shkruar në vitin 1875, me të cilën hapet vëllimthi, pa ndjekur kriterin kronologjik kohor, kur duhej të vihej më përpara vjersha Gjuha e zemrës, e botuar në vitin 1874:

Një shkëlqim që s'ka fillim e s'ka mbarim

– shkruan poeti në vjershën Qielli, është "Kuptim, fuqi, pasqyrë e Zotit tim". Duke mos arritur ta shpjegojë shkencërisht këtë fenomen, poeti pyet:

Ç'është, ç'është kjo e paanë Gjithësi?
Dhe ky rregull dhe ky libër që sheh ti?
Kjo e kaltër hapsirë e paanë?

Por në fund, poeti, duke mos i dhënë kuptimin shkencor, ose duke u rezervuar të japë mendime për shkak të keqkuptimeve që mund të krijoheshin, arrin në përfundimin e tij për këtë fenomen shkencor ende të pazgjidhur:

Mençuri e Zotit shfaqet në çdo vend
Plotfuqinë e tij shikojmë në çdo vend.

Sipas Naimit, rrugëzgjidhja shkencore e kësaj fshehtësie shprehur në vjershën Gjuha e zemrës, botuar në vitin 1874 në këtë përmbledhje, u takon rrugënjohësve të dijës, zbulimtarëve, pra këtë enigmë, mendoi ai, duhet ta shpjegojnë dijetarët e ardhshëm.

Pra, vepërza Ëndërrime, e shkruar në atë kohë, vlerëson kuadrin e lartë të poetit tonë në vijën e ecurisë së tij. Edhe më qartë del në pah formimi i tij si dijetar dhe si poet në poezinë Toka dhe njeriu, ku fuqia krijuese e talentit të tij të veçantë shkrihet në brendinë e thellë të mendimeve që zotëronte ai si poet dhe iluminist, që dijen dhe artin e të shkruarit i vinte në shërbim të kombit. Dhe, ja imazhi i poetit dhe dijetarit Naim Frashëri në Toka dhe njeriu, ku ai shkruan:

Këjo Tokë, që aq baltë ka rrufitur,
Një yll është nga të qiellit yj të ndritur.
Nëpër qiej udhëton ajo aq mirë,
Po si zogu fluturon në hapësirë,
Ç'është veç një copëz hën-e fenerit.
Dielli zjarrpërhapës ka si nënë
Dhe si bijë këmbëlehtn' e bukur Hënë

Siç shkruan më pas Naimi, toka si motër edhe planetë të tjerë, plot me zjarrn'e Diellit mbushur e ka gjinë, kaq të mira nxjerr nga zemra mbi siprinë. Dhe sa nga ai zjarr i saj kanë dalë bimë e xehe që nuk numërohen dot, kaq lule e drunj e pemë plot. Por krahas tyre, shton Naimi, bashkë me llojet e shumta të frymorëve të ndryshëm doli edhe njeriu:

Pranë Tokës rri gëzohu o njeri
Se kjo Tokë u bë, pra për ty shtëpi
Meqë vure si mëkëmbës e te ky Dhe
Pra, këtu kërko gaz edhe hare

Poezia e tij intime elegjiake shpreh dhimbje të prekshme për vdekjen e motrës, vëllëzërve e mbesave. Në poezinë Mbi trupin e bijës sime të vdekur ai qan me vaj:

Mjeri une vaj moj bijë, mjeri unë!
Moj e dashur, moj e ëmbëla aq shumë.
Pa ty mbeta, pa ty moj në motë...

Edhe pse larg, në Stamboll, në mes të të mirave të jetës, poeti me trup dhe shpirt jeton në atdhe. Këtë e shohim qartë në vjershën kushtuar atdheut:

O Atdhe më je i dashur sa më s'ka
Më je nënë, më je motër, me je vlla.
Nga ç'ka rotull më i shtrenjti ti më je,
Je më i miri nga çdo gjë që ka ky dhe.

I prekur në mendime dëshpëruese se ndoshta nuk do të kthehet më, poeti shprehet me optimizëm se populli shqiptar kurrë nuk do të shuhet nga faqja e dheut. Përkundrazi, nga koha në kohë do të shtohet e do të përparojë:

Dhe pse ha, o dhe ti bijt' e tu të mjerë
Numri prapë në vend mbetet kurdoherë
Begatoje o Zot këtë vend
Epu njerzve të tij Ti mbroth e shend!

Natyra e bukur shqiptare e rrit shumë vlerën ardhetare të poetit Naim Frashëri në vepërzën Endërrime, stoli e mahnitshme, ku është shkrirë mendimi i tij si dijetar dhe forca krijuese si shkrimtar me penën në dorë të ngjyer me mellanin e përgjaktë të dashurisë për vendlindje.


  1. Nxierr nga : Revista DITURIA ISLAME Nr.206, Fq.40-41 - KBI e Kosovës - Prishtinë, shtypi Koha - Prishtinë; PDF në internet