Vitviteja/Mitrush Kuteli/Testamenti
- Fëmijët i porosit ta duan vendin dhe gjuhën tonë deri në vuajtje!
- Të mos u shkasë zemra kundër Shqipërisë as kur do të vuajë pa faj!
- Athdeu është Atdhe, bile dhe atëherë kur të vret. Këtu kanë lindur këtu rrojnë me mish e shpirt, qoftë edhe me dhimje!
- Po, po kështu siç thashë: m'u mbush mendja e vendosa të shkoj në mërgim!
- Unë një e Çuli dy.
- Unë tetë vjeç, Çuli shtatë.
- Unë me një këmishë pa mëngë e me një palë pantollona gjer lart mbi gju, të lidhura si ca shallavre Anadolli. Po në s'kish lidhkë, Çuli kishte duar. Me këto duar i ngrinte kur e kur, që të mos mbetej gollomesh, për faqe të zezë.
- Që të dy zbathur.
- Që të dy të qethur kërriç shkallë-shkallë, me gërshërën që prvilnin dhitë.
- Na kish djegur e përvëluar dielli, që nga maja e kokës e gjer në thembrat e këmbëve dhe kishim ndërruar asaj vere tri lëkura. Nuk di sa herë ndërron lëkurën gjarpri e sa herë ndërron qimen ujku, por e di se ne kishim ndërruar tri lëkurë.
- Dhe ish muaji korrik. Më tej na priste gushti e vjeshta, që nuk bien poshtë nga të nxehtët.
- S'do mend se edhe në lëkurën e re, të fundit, ferrat e drizat kishin lënë mjaft zhgarravina, me kore e pa kore. Po ju pys zotërinë tuaj: si është e mundur të ndodhë ndryshe kur lahesh githë ditën nëpër gurë e kallamishtet e liqenit, që presin si thikë e pastaj të kapërcesh gjerdhe e mezhda arave e vreshtave, të ngjitesh majë pemëve që të mbledhësh vezë zogjësh e kmbulla majëhoshe?
- Kështu siç ishim-hundërrjepur, të gërvishtur, tërë prenka - e premë të shkojmë në mërgim, drejt në Amerikë të bardhë.
- Po deshëm, mund të shkonim edhe në Amerikë të Zezë apo në Vllahi, se për ne, atëkohë, të gjitha ishin aty afër, pothuaj në der' e shtëpisë, mbi mulli a nën mulli ose shumë-shumë buzë liqenit.
- Edhe fjala e nuseve ishte për ne, asaj kohe, vendimtare, u shtroheshim e u bindeshim siç i shtrohet e i bindet qeni të zot.
- Se, më pat dalë nga mendja t'ju them që në krye: unë e Çuli ishim të martuar... Me dasmë të madhe kurorë në kokë, siç e donte radha e martesës.
- Nusja ime ishte tetë a nëntë vjeç e i thoshin Marinë (mund t'i thoshin edhe ndryshe, po kjo s'është puna juaj! Marinë them, Marina mbetet!)
- Edhe, meqenëse unë e Çuli ishim bërë prej kohësh vëllezër e ia kishimthithur shoku-shokut gjakun e gishtit të shpuar apostafat me gjemb, siç bëhen shokët që duhen, shumë afër menç se nuset tona ishin kunata. Prandaj ne rrinim tok në një shtëpi me shumë të ndara, përbri remës së mullirit. Shtëpia jonë qe ndërtuar me gurë lumi të radhitur varg, si ato hallkat e zinxhirit të mushkës. Doemos, kjo shtëpi kish edhe oborr me portë të madhe, kish oda e ahurë, vatër, mashë, kaci, dollapë, musëndra...
- Atje brenda, Marina ime dhe nusja e Çulit, apo Çuloja, bënin punët e shtëpisë: bukë të rëndomtë e bukë me qiqra, kuleçë të grynjtë, qahi e qullnikë, petanikë e dredhanikë, lakrorë e sa e sa gjëra të tjera të mira, që të lëshonte goja lëng. S'do mend se këto të gjitha ishin gatuar me baltë të zezë, të kuqe a ë bardhë, sipas punës e nevojës, ishin tharë në diell nëpër copa qeramidhe, po sa të shijshme! Gatuanin edhe gjellë me shpendra e nenëza të grira, me hithra e aguridhe të shtypura në avan e me misër gjarpri. Ne bënim sikur i ngjëronim e i lëvdonim: "Oho-ho, sa të mira, sa të mira!"
- ↑ 1,0 1,1 GJUHA SHQIPE PËR TË HUAJ DHE SHQIPTARËT JASHTË ATDHEUT fq.283-284 Autor: Gj. Shkurtaj dhe E. Hysa. Sh.B. TOENA, Tiranë 2001. ISBN 99927-1-454-9