Nga Arben Cokaj për Shkodraonline: [1]

center>Luli i vocërr

        Askush s'e njef Lulin.ha As shokët e tij, që përpara tij lozin, nuk e njofin. Ma mire me thanë se e njofin, por ata lozin për hesap të vet e Luli i shikon për hesap te vet. Sot gjithkush ka punet dhe telashet e veta, ashtu dhe fëmijtë, ashtu dhe Luli. More Lul! Shumë heret ke fillue me shikue punën tande!
        Kur Luli hyn n'oborr të shkollës, buza i qeshet nga pak, por askuj, asnji fjalë s'i thotë. Ecë ngadale, tue shikue djathtas e majtas, po gjithnji tue ecë deri sa të mbrrijë në cak të vet. Aty, te dera e rruginës shkollore, shumë i pëlqen të qëndrojë. Aty asht caku i tij, i praruem me rrezet e ngrofta të diellit në këto ditët e vjeshtës. Mbështetet Luli për mur, grushtat e vogjël i shtje ndër xhepa, hundën picrroke të kuqun nga të ftoftit e mëngjesit ja sjell diellit dhe...shikon. Gjaja që ma tepër tërhjek vëmendjen janë çizmet që i kanë të veshun disa shokë të tij. Sa te bukura janë! Si shkëlqejnë! - mendon Luli dhe pa dashtje i shkojnë sytë ndër tullumbat e veta, nëpër të cilat shifen fare mirë të pesë gishtat e kambëve të zbathuna. Nga kurreshta i afrohet nji shokut që ka çizmet ma të reja. Ulet dhe shef në lustrin e çizmes kambët e veta të zbathuna - aq shumë shkëlqejshin çizmet!!! Mbasi shoku me çizme fluturoi, Luli ngadalë shkoi te caku i vet, në diell, t'i ngrohi kambët. - Por kur s'ka diell, si ia ban i shkreti Lul? Ndoshta ia bajnë hallin apostujt e mëshirës dhe të dashunis... Noshta, ndoshta...
        Nganjiher i afrohet mësuesi Lulit. Dhe kur Luli e ka ftyrën e dlirë dhe pa puça, mësuesi ia ledhaton faqet, gushën, e Luli i afrohet, ja merr dorën, e shikon me sy pëllumbi, dhe kishte me dashtë t'i falë diçka mësuesit. Por vjollca nuk ka. Veç në i faltë tollumbat e veta, që kanë hapun gojën si me dashtë me e hanger mësuesin. Po, po, tollumbat e Lulit të vocërr kanë me e hangër mësuesin.

Të birtë e shekullit të ri

        Na t'birt e shekullit të ri
        që plakun e lamë në "shejtnin" e tij,
        e çuem grushtin për me luftue
        nder lufta të reja
        dhe me fitue...
        Na të birt e shekullit të ri,
        filizat e një toke së rimun me lot
        ku djersë e ballit u dikonte kot -
        se dheu i yne qe kafshatë e huaj
        dhe ne marrëzi duhej shumë shtrejtë t'u paguejm
        Na t'birt e shekullit të ri
        vllazen të lindun e të rritun në zi,
        kur tinglloi çast'i ynë i mbramë
        edhe fatlumë
        ditem me thanë:
        s'duem me humbë
        në loje të pergjaktë të historis njerëzore,
        jo! jo, s'i duem humbjet prore
        duem ngadhnjim!
        Ngadhnjim ndërgjegje dhe mendimi të lirë!
        S'duem për hir
        të kalbsinave të vjetra që kërkojne "shejtnim"
        të zhytemi prap në pellgun e mjerimit
        që të vajtojmë prap, kangët e trishtimit,
        - kangen monotone, pa shpirt, të skllavnis -
        të jem' nji thumb i ngulun nder trutë e njerëzis.
        Na të birt e shekullit të ri
        me hovin tonë, e të ndezun peshë,
        ndër lufta të reja kemi m'u ndeshë
        dhe për fitore kem me ra fli.
        . . . . . . . . . . . . . . . . . . . .

Recital i Malcorit

        O' si nuk kam nji grusht të fortë
        t'i bije mu në zemer malit që s'bëzanë,
        ta dij edhe ai se ç'do me thanë i dobët -
        n'agoni të përdridhet si vigan i vramë,
        Unë - lugat! Si hij'e trazueme,
        trashëgimtar i vuetjes dhe i durimit,
        endem mbi bark te mallit me ujen e zgjueme
        dhe me klithma të paknaquna t'instinktit.
        Mali hesht. Edhe pse për dite
        mbi lëkure të tij, në lojë varrimtare,
        kërkoj me gjete nji kafshate ma të mirë...
        Por me rrenë shaka shpresa gënjeshare.
        Mali hesht - dhe në heshtje qeshë.
        E unë vuej - dhe në vuejtje vdes!
        Po unë, kur? heu! kur kam për t'u qeshë?
        Apo ndoshta duhet ma parë të vdes?
        O, si nuk kam nji grusht të fuqishëm!
        Malit që hesht mu në zemër me ja njeshë
        Ta shof si dridhet nga grusht'i paligjshëm...
        E unë të kënaqem, të kënaqem tu u qesh.mut
        . . . . . . . . . . . . . . . . . . . .

  1. 14 Shtator 2001, Informamza: Shkodraonline.com, html:Migjeni