Vitviteja/Komiteti i Stambollit/Politische correspondenz e 23 korrikut 1880

Vini Re! Pjesë të marra klotë


Këtë raport, siç u tha më lart, e solli të plotë Narodni list, e cila, në fillim,theksonte:
“Pol. corr. më datën 23 korrik nga Prizreni bie këtë shënim: 'Lidhja e Prizrenit për
Kryetar ka emëruar Haxhí Ymer Efendiun. Famën e tij e tejkalon vetëm vrazhdësia e tij.
Ai nuk respekton pushtetin e qeverisë turke, nuk duron pranë vetes asnjë që është baras
me të, nuk duron të dëgjojë kundërshtimet, urdhëron pakufizueshëm, çdo rezistencë e
dënon ashpër dhe sundon vërtet me frikë’.
Ky diktator i tipit - sipas dëshirës së vet, para pak kohësh bëri dy akte të cilat janë të
çuditshme edhe për veten e tij. Para gjashtë ditësh (më 17 korrik 1880), i shkroi Valiut
të Kosovës një letër shumë interesante për marrëdhëniet me ato vise, vërtet shumë të
rëndësishme, me të cilën nuk kërkonte as më pak e as më shumë sesa tërë pajisjen
ushtarake e cila gjendet në Prishtinë, në Mitrovicë dhe në Shkup t’ia dorëzojë ‘Lidhjes
së Madhe’. Kjo kërkesë është bërë aq më vendosmëri, saqë Ymer Efendiu nuk ka
ngurruar të shtojë edhe atë: ‘Nëse qeveritari në fjalë për tetëmbëdhjetë ditë nuk e
plotëson atë kërkesë, Ushtria e Lidhjes do të vijë vetë për armë dhe municion, të cilat
asaj i duhen”.
Korrespondenti vjenez, më tutje, theksoi: “Diktatori (Ymer Efendiu) nuk priti rezultate
nga ajo letër, por përgatiti 4 000 mijë veta të cilët pa presedan e dëgjojnë dhe pas
skadimit të afatit do të sulmojë me forcë.
Puna e tij e dytë diplomatike ishte ajo që e thirri të ashtuquajturin Komitet Popullor në
Prizren. Në Shkodër, në Guci, në Lumë, në Pejë, në Gjakovë dhe në Tregun e Ri dërgoi
këtë letër qarkore:
“Këshillit të vendit në...
Me këtë u urdhëroj që të besueshmit e Juaj nga Kazaja e Juaj t’i dërgoni këtu (në
Prizren). Këta më duhet t’i marr në procedurë për disa gjëra. Mund të dërgoni një ose
më shumë veta, por ata duhet të jenë të bindur ndaj Atdheut (...). Me datën 20 korrik të
gjithë delegatët duhet të jenë këtu!”.
Kuptohet, urdhri është zbatuar. Nga Shkodra nxitoi zeshkani i rrëmbyeshëm, Et’hem
Aga, nga Gucia kryengritësi ekstrem, Ali Pasha, Jusuf Aga dhe Ibrahim Alia nga Peja,
mandej (...) Mahmut Mustafa nga Gjakova. Nga të gjitha anët erdhën njerëzit më të
ashpër të Lidhjes. Dibranët, të cilët nuk dinin për farë Lidhje, gjithmonë të
papushtueshëm, premtuan se do t’i dërgojnë delegatët e vet!
Kuvendin prej 104 anëtarësh Ymeri, më date 22, e njohtoi se ka vendosur të rekrutojë 18
mijë veta nën Flamurin e Lirisë. Delegatët janë të detyruar që në afatin më të shkurtër
t’i caktojnë aq veta sa kërkohen nga secili rreth. Për armë është kujdesur vet, aq sa
duhet. Pastaj vuri në spikamë se valiu i Prishtinës armët dhe municionin e përgatitur
tani shpejt do t’ia dorëzojë “Lidhjes së Madhe”.
As për të holla nuk do të shfaqet nevoja (...). Në fund, deputetëve u solli ta nënshkruajnë
njëfarë “Deklarate”, me të cilën sikur u shpallë luftë armiqve evropianë të Shqipërisë”.
Këtu duhet të konstatohet se korrespondenti vjenez gënjente kur thoshte se Ymer Efendiu
është kundërshar “i rreptë i konfesioneve të tjera”, ndërkaq pati të drejtë kur tha se Ymer
Prizreni ka ego të pathyeshme. Dhe se ai është udhëheqës i
pakundërshtueshëm.Përfundonte: ”Para pak kohësh e ka ndjekur kajmekamin e
Mitrovicës dhe askush nuk ka marrë guxim të nxjerrë fjalën jashtë”.
Kuvendi i Përgjithshëm, më 22 korrik 1880, iu drejtua Sulltanit, në emër të popullit
shqiptar, me kërkesë të lejonte bashkimin e Shqipërisë dhe të caktonte një person për të
qeverisur me Shqipërinë e bashkuar në emër të Sulltanit, duke vërë në pah se: “Sot në të
gjitha anët ndër ne është bërë i njohur paralajmërimi i sulmit të padrejtë, të cilin
armiqtë e jashtëm janë duke përgatitur kundër nesh. Për këtë arsye, të gjithë ne kemi
vendosur të rrezikojmë me dëshirë e pa dëshirë trupin dhe krejt pasurinë për t’u
mbrojtur nga armiqtë e jashtëm.
Sipas mendimit tonë të përgjithshëm, duke parë si obligim nevojën e mbrojtjes së
atdheut, kemi vendosur njëzëri që qeverisja dhe administrimi i Shqipërisë duhet t’i
ngarkohet patjetër një valiu të besueshëm, të aftë dhe të sigurt. Me zemër të pikëlluar në
përgjithësi kemi vendosur të përqendrohemi kundër kësaj padrejtësie.
Qysh nga 400-500 vjet e këndej kemi jetuar nën sovranitetin e Lartmadhërisë së Tij,
Sulltanit, dhe qysh prej stërgjyshërve dhe gjyshërve tanë në mënyrë trashëgimtare kemi
gëzuar të drejtën e ekzistimit, të lirisë, të nderit dhe të fesë, kurse tani është e qartë se
Lartmadhëria e Tij, Sulltani, nuk do ta lejojë shkatërrimin tonë brenda sekondës.
Lidhur me qëllimet dhe kërkesat tona ju kemi bërë qysh herët me dije dhe Ju kemi
parashtruar peticione, kërkesa dhe telegrame, por deri më tani nuk kemi marrë përgjigje
pozitive.
E njoftojmë Lartmadhërinë e Tij, Sulltanin, me qëllim të vetëmbrojtjes, duke dhënë jetën
për tokë të atdheut tonë, për të cilin do të derdhim pikën e fundit të gjakut, do ta
vazhdojmë kontinuitetin e qëndrueshmërisë dhe ekzistencën tonë trashëguese - historike.
Sot, në Prizren, janë mbledhur paria nga të gjitha viset tona. Çdo njëri ka ardhur sipas
zakoneve të vjetra ku janë përmbushur fushat me njerëz të cilët kanë lidhur besën e
bashkimit, duke u zotuar se do t’i zbatojnë dëshirat e përgjithshme të popullit për t’i
mbrojtur viset e Shqipërisë.
Prandaj, kërkojmë prej Lartmadhërisë së Tij, Sulltanit, të emërohet një person të
qeverisë në të gjitha (viset tona). Turbullirat dhe trazirat e ndryshme deri tani janë
frenuar me premtime, por prej tashti nuk do të jemi në gjendje t’i qetësojmë.
Lutemi edhe njëherë që përgjigjen definitive të na dërgoni po ose jo, të cilën e presim me
padurim. Si gjithmonë, edhe në këtë pikëpamje urdhri i takon Lartmadhërisë së Tij,
Sulltanit.
Të gjithë përfaqësuesit e Shqipërisë, më 22 korrik 1880. Dokumenti është vërtetuar me
vulën: “Komiteti Qendror i Lidhjes së Prizrenit”.
Këshilli i Ministrave të Turqisë e shqyrtoi, më 24 korrik 1880, kërkesën e Kuvendit të
Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të 22 korrikut 1880 dhe në fillim të procesverbalit
konstatoi: “Kërkesa nga ana e Komitetit të Lidhjes së Prizrenit, që viset shqiptare të
bashkohen në një shtet të veçantë autonom, të organizohet, të mobilizohet ushtria nga
vetë ata dhe të grumbullohen ndihma të tjera, kjo është hyrje në tradhtitë e saj.
Për këta hapa është mirë që menjëherë të diskutohet dhe të kërkohet nga pushteti
qendror që sa më parë të ndërmerren masat e duhura.
Udhëheqësit e kësaj Organizate dhe të Degës së saj, siç janë: Haxhí Ymer Efendiu dhe
Shuaip Aga me pesë anëtarët e tjerë, që janë shënuar zyrtarisht në shkresë, duhet të
internohen larg në vise të ndryshme”.
Tashti, pa hezituar, Komiteti Qendror i Lidhjes Shqiptare, në krye me urtakun e
vendosur, Myderrizin e Madh, i renditi punët për t’i realizuar aspiratat politike
autonomiste të Shqipërisë. Pikërisht më 26 korrik 1880 u dha urdhër degëve në krahina
që të informonin personalitetet zyrtare osmane për anulimin e gjyqeve civile nga
Komiteti Qendror i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit: ”Dega e Lidhjes për Prishtinën, që
është qendra e vilajetit, na dorëzoi sot (më 3 gusht) një letër me njëzet vula, në të cilën
thuhet e vihet në dukje se me vendimin e datës 26 korrik 1880, që i ka ardhur nga
Komiteti i Lidhjes të Prizrenit, janë shkarkuar nga detyrat nëpunësit e rinj të gjykatave
që ndodhen brenda Vilajetit (të Kosovës)” - i shkruanin nga qendra e Vilajetit, -
Prishtina, Kryeministrisë.
Qendra e administrimit osman të Vilajetit të Kosovës, vis ky ku qëndronte truri, zemra
dhe gjaku i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në krye me Haxhí Ymer Prizrenin, i sugjeronte
Kryeministrisë së Turqisë, më 9 gusht 1880, se “nëse një orë e më parë nuk veprohet”
për parandalimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, “atëherë e gjithë Shqipëria do të na
dilte nga dora”.