Njoftim[1] me përmbajtjen :

Lulja e Kripës, shterpësia apo shmangie nga soc-realizmi

Brutaliteti i rrethanave bën që Patra, nga një grua e devotshme deri në përsosmëri shpirtërore të shndërrohet në një shtrigë që e tmerron Naforën me mallkimet e saj për shterpësi.

Romani më voluminoz në letërsinë tonë "Lulja e Kripës" (1978) i Jakov Xoxës, shtrirjen e gjerë në jetë e fillon me përshkrimin e atmosferës dhe të njerëzve në koloninë e kripores në afërsi të fshatit Naforë (në bregdet), në vitin 1940. Lidhja e njerëzve me zejen e kripës dhe kripën është njësoj si ajo me tokën, një lidhje jetike ekzistenciale. Natyra dhe bota e njerëzve të Naforës është e pleksur në thellësi me ngjizjen mitologjike të liqenit të kripur të hyrë si bërryl në det. Mbi këtë vizion jetik gërshetohen prirje, konflikte, drama të shumta motivesh dhe karakteresh. Duhet theksuar se romani i tretë dhe i fundit i Jakov Xoxës si realizim artistik ngrihet përsëri në shkallë të romanit të parë, "Lumi i vdekur", kjo dhe për arsye se vendosja e ngjarjes në fillim të viteve '40 i lejon autorit hapësirë krijuese manovrami, për të shmangur pjesërisht frymën e parimeve të realizmit socialist.

Në vëllimin e parë të romanit "Lulja e Kripës", autori i përgatit personazhet e tij për një ngjarje të madhe dhe, sa më pranë saj janë ata, aq më i rreptë është sprovimi i tyre dhe më dramatik përcaktimi. Në hapin e parë ata të lenë përshtypje të caktuara, të veçanta dhe sa më shpesh që takohemi, aq më me saktësi e ndjejmë zërin e tyre të brendshëm, të veçantë; fillojmë ta ndjejmë përcaktimin e tyre të veçantë... Dy vatrat amë që integrojnë dhe venë në lëvizje rrjedhat e rrëfimit tek romani "Lulja e Kripës" janë familjet: e Dosarajve dhe Sopajve. Këto dy epiqendra që së bashku shprehin tërësinë e botës shqiptare, gjithashtu kanë degëzimet e tyre jehonash të veçanta dhe karakteristike për kohën. Tre djemtë e vëllait të arhondit të madh, Grigor Dosarit, me formim, me nxitje, motive e bindje të ndryshme, përfaqësojnë këto lëvizje: tek Peri përshtypje dhe ndikim të brendshëm bëjnë librat; Llambroja karakterizohet nga të vërejturit e mprehtë të botës që e rrethon, kurse Pavlo Dosari është besnik i përvojave dhe i konvencioneve të brendshme familjare. Cili prej tyre do të mishërohet më natyrshëm në përputhje me botën dhe individualitetin e vet, por dhe me rrjedhat e ngjarjeve të kohës?

Kjo vatër qendrore që përgatitet për degëzime individuale, në degëzimin e parë ngjiz embrionet e tri vatrave të reja fabulare për vëllimin e dytë. Drama më ekspresive gjithësesi është ajo e bashkëshortëve Llabro dhe e Patra Dosarit. Brutaliteti i rrethanave bën që Patra, nga një grua e devotshme deri në përsosmëri shpirtërore të shndërrohet në një shtrigë që e tmerron Naforën me mallkimet e saj për shterpësi. Sikur nga kjo hapësirë epike e shtrirë në këtë vepër madhore të Xoxës, të veçohej vetëm kjo jehonë e personazhit Patra, do të mjaftonte që të ndriçohej fuqishëm një hapësirë shqiptare e Naforës. Por, ndërhyrja flagrante e autorit do të ushtrohet tek vëllezërit Sopi.

Milto Sopi, kryesori i kripores, një intelektual që ka marrë pjesë aktive dhe në ngjarjet e Qershorit të vitit 1924, që ka jetuar në qendra të ndryshme të Evropës dhe në Rusi si emigrant komunist, pra intelektual i shkolluar, njësoj si shumë intelektualë të asaj kohe në Evropë me bindje majtiste, kthehet i zhgënjyer në Shqipëri.

Ç'është ky zhgënjim dhe ç'filozofi ka për mbështetje? Nga debatet e ashpra që zhvillon me të vëllanë, me Petritin, me teknikun e kripores dhe njërin nga figurat kryesore të lëvizjes komuniste në këtë mjedis, del se përcaktimi fillestar i Miltos për idealin e bindjet komuniste nuk paskëshin qenë në përputhje me botën, me kërkesat, me natyrën dhe strukturën e tii shpirtërore. Dhe në vend që kjo linjë e intelektualit të zhgënjyer të zhvillohet në përputhje me bindjet e fundit të tij, autori do të ndërhyjë duke u distancuar dhe duke e nxirë Milton në rrafshin etik. Kështu, ndriçimi i drejtë dhe i gjithanshëm i këtij profili të intelektualit shqiptar të para luftës, në letërsinë tonë vazhdon të presë autorin e vet..


  1. E marr nga gazeta Bota Sot në internet, nuk ka të specifikume autorin, - 21 mars 2010