Vitviteja/Faik Konica/Vepra 1/Naim H. Frashëri

Shënime

NAIM H. FRASHËRI
      Të tjerë, që patnë lumturinë ta shohin, t´i qasen e ta dëgjojnë, do të thotë se ç´njeri, zemërqëruar, mendjehollë e fjalëkripur ish Naim bej Frashëri. Të tjerë, në të bukura e të përmallshëme vjersha, do të qajnë për shojtjen e një yllit aq të ndritshëm - aq të rrallë - në qiell të Shqipërisë. Unë dua vetëm, në pak fjalë, të them se ç´punë të fortë e të pa lodhur bëri, ky burrë me fletë, për kombësinë tonë.
      Naim beu, dihet prej kujtdo, u vu që pesëmbëdhjetë vjet e më tepër në shërbim të djelmërisë shqiptare. Kuptoi që ditën e parë se një punë nuk fortësohet mirë, përveç në rrënjë, në themele të saj. Andaj me gjithë zemër shkruajti gjithë ata libra të nevojshëm që u përndanë me mijëra nëpër gjithë Toskëri. Gjuhëtar i shëndoshë, i ditur, i mbaruar në greqishte të vjetër e në persishte e në shumë gjuhë tjera, mendjelëruar e ndjesëhollë, do të kish mundur e dëshironte të shkruajë gjëra më pak të nevojshme e më shumë të bukura. Po nevoja e vendit tonë, detyra t´u hapin sytë botës, e shtrëngonin të mos ngjitej më sipër se kuptim i popullit të Shqipërisë. U kufizua, pra, gjithnji në qark të ndershëm e të shkëlqyer të mësimit kombëtar. Jo se nuk ndodhen në libra të Naimi beut faqe të hieshme e të mbaruara; janë, përkundër, të dendura; po rrëfejnë të gjitha veç dëshirën të mësohet kombi. E mësoi, e ngjalli, e rriti pak kombin shqipëtar, - e gatiti udhën për një propagandë kombëtare më përparimtare.
      Naim bej Frashëri pati edhe një tjatër nder: kuptoi dobinë që mund të nxjerrë kombësia jonë nga bektashizmi. Iu qas, pra, kësaj feje me gjithë zemër; shkruajti libra e vjersha, që baballarët i kanë në nder të madh, e meritoi të quhet si një nër themeluesit e kësaj feje në Shqipëri. Me atë mënyrë, gjithë bektashizmin e solli e e mbajti, në qark të kombësisë, të dashur.
      Po ky është nder i madh i Naim beut, që gjithë këto punë të mëdha i bëri në Stamboll, një mjedis armiqsh, i rrethuar prej spiunësh e spicetarësh. Po s´e kish për pesë. As frikësimet, as vobësia - rroi e vdiq i vobek, e nuk kish me se të mbulohej trupi i tij! - as pabesia e shqiptarëve nuk e turbulluan një herë. Gjer në firomë të fundmë, mendoi e foli për Shqipërinë.
      Treqind shqiptarë të anës kombëtare, ndër të cilët edhe të krishterë, e shpunë në vend të fundmë. Treqind veta e përcuallnë, e armiqtë, duke parë këta burra të latshm që shkonin, muarrnë vesh se ky njeri diç gjë të re kish bërë në Shqipëri.
      Edhe ne i falemi me mall e me nder këtij atdhetari të pavdekur. Thamë se e shpunë në Stamboll "në vend të fundëm"; po kjo nuk është përveç një mënyrë foljeje. Kemi shpresë, kemi besë të rrënjuar se, një ditë, do të vijë që shqiptarët do t´i sjellin të mbeturat e Naim beut në atë Shqipëri, që deshi e shërbenj aq miri. Ahere, nuk do ta përcjellin treqind atdhetarë, po do ta presë një komb i tërë.
1901

Copë e nxjerrur nga : Faik Konica VEPRA 1, N.B." RILINDJA " f.221-222.