Vitviteja/Faik Konica/Vepra 1/Abdyl Frashëri

Shënime

ABDYL FRASHËRI
( Kujtime )
      Kur më kthehet mendja në ditët e miturisë edhe përpiqem - nëpër mjegullat e kohës së shkuar - të shoh përsëri fytyrat që sot nuk janë më, kujtohem shumë herë me trishtim për Abdy Frashërin. Një hop kohe e kam parë në jetën time: po përgjithnjë e gjallë është në trut e mia fytyra e tij.
      Një mik më i madh nga vjetët më mori të vemi tek i ndrituri atdhetar; ku edhe si ish shtëpia, errësira e kujtimit më ndalon ta thom. Vetëm, mbaj mirë mend mënyrën e dhomës e cila - si ato të shtëpivet të vjetra të Shqipërisë - qe e gjerë, e gjatë, e zbarazur në mes, e shtruar rreth e rrotull murevet.
      Mjekra e gjatë, pak e thinjur, balli i lartë dhe i gjerë, i jepnin Abdyl beut një hije me të vërtetë madhështore; po sytë - dy sy të mëdhenj e të thellë; që kishi shkëlqimin e yjve edhe forcën e çelikut - dëftenin më shumë, gjithë flagën, gjithë fuqinë e këtij burri.
      Tepër i papjekur, mjerisht, nuk kuptoja në atë ditë të lumtura për mua, fjalet që dilnin si një zjarr i qëruar nga goja e tij. Po ndjeja se ato fjalë ishin të drejta e të larta, ndjenja se ishin për të mirën tonë, për të mirën tënde e për të mirën time, për të mirën e gjithë shqitarvet...
      Edhe kur dualmë, shumë ditë më rrëkëllenin në mendje fjalët e margaritarta që kisha dëgjuar.
      Tani pas aq vjetëve, herë-herë kujtimi më shpie në atë dhomë ku pashë Abdyl benë, e me trishtim, mendohem sa ka vuajtur ndofta, një i tillë burrë të rronjë e të japë shpirt larg Shqipërisë.

Copë e nxjerrur nga : Faik Konica VEPRA 1, N.B." RILINDJA " f.219-220.